Në bazë të kësaj legjende, Syri i Kaltër, ose e thënë dhe njohur ndryshe nga të huajt dhe turistët si “Blue Eye of ALBANIA” do të prezantohet së shpejti në konkursin “Naracioni i Novelave grafike, 2015”.
Lajmin e bën të ditur Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë me anën e specialistit N.Bajramaj i cili pasi ka realizuar disa shkrepje të fundit në një ndër vendet më magjike, përrallore dhe më atraktive të Shqipërisë, ai thekson se lidhur mbi legjendën që ekziston mbi syrin e kaltër, vendin më të frekuentuar gjatë 12 muajve të vitit DRKK-Vlorë do ta prezantojë atë në konkursin “Naracioni i Novelave grafike, 2015”.
Legjenda e Syrit të Kaltër
Një dragua që ndal ujin dhe rrëmben vajzat është i urryer, kurse fakti që syri i këtij dragoi të vrarë shndërrohet në burim jete sikur të çorienton emocionalisht duke shkrirë në një të vetme të mirën dhe të keqen.
Megjithatë, kuptimi i kësaj legjende, si i shumë të tjerave të ngjashme me dragua, është i qartë. Ajo simbolizon përpjekjen e njeriut për të mposhtur të keqen, apo forcat e verbëra të natyrës dhe për t’i hapur rrugën jetës, por edhe varësinë e tij prej natyrës.
“Ne nisi parendo vincitor” (nuk mund ta nënshtrosh veçse duke iu nënshtruar) thotë Bekoni për natyrën.
Syri i Kaltër, i ndodhur poshtë Qafës së Muzinës në Delvinë, pa dyshim që ky vend është burimi karstik më i njohur dhe më unik i Shqipërise .
Një ndër pikat më piktoreske dhe përallore të shqipërisë, prezanton një burim të kaltër ku origjina karstike nga Mali i Gjerë sjell dhe një ujë të kristaltë.
Uji i ftohtë që buron nga thellësia e tokës, 50metra brenda saj, del me forcë në sipërfaqe me një prurje prej 6m3 /s duke krijuar një basen të vogël i cili derdhet më pas në lumin Bistrica.
Syri i Kaltër është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të gjerë.
Syri i Kaltër gjithashtu është shpallur monument natyre.
Forma e tij është ovale e ngjashme me formėn e një syri, shpërthen nga toka i errët në mes dhe i kaltër anash.
Thellësia e tij është tepër e madhe dhe arrin drei në 45 m thellësi.
Syri i kaltër ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 m nën nivelin e luginës së Drinos dhe është shkarkimi kryesor i malit të gjerë, dhe është një burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.
Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra.
Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltërt e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.
Marrë nga ATSH
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)