Prej kohësh, njohja e të paktën një gjuhe të huaj në vendin tonë nuk përbën më anjë lloj privilegji. Dhe me të drejtë. Kjo situatë e ka shpjegimin e vet në vetë realitetin shqiptar, pozicionin gjeografik, historinë e marrëdhenieve me të huajt, si dhe të pasurisë me fonema të vetë shqipes për të garantuar `kapjen` e shpejtë të mjaft gjuhëve të tjera. Mund të pohojmë me plot gojën se kjo fushë ka qënë një epërsi gati e padiskutueshme e shqiptarëve. Gjithësesi, ka pak vite që, me vendim të qeverisë së mëparshme, është futur në përmbyllje të studimeve universitare, detyrimi eskluziv i mbrojtjes së gjuhës angleze. Një vendim i tillë u shoqërua menjëherë me skepticizëm, me zëra kundër ndonëse të dobët, qoftë edhe për vetë metodologjinë me të cilën nisi të zbatohej. Shumëkujt iu kujtua, apo iu tha, se një përvojë të tillë shqiptarët e kishin kaluar vite të shkuara për hatër të miqësisë me vendin e madh sovjetik.

Dhe sikur `kishte funksionuar`...! Por tani kohët kanë ndryshuar. Ky vendim u pasua edhe nga një pështjellim i sistemit arsimor parauniversitar, i aktorëve të tij, drejtorive arsimore, mësuesve, nxënësve dhe më së shumti prindërve shumë të interesuar për karrierrën në vijim të fëmijëve të tyre. Pështjellimi ishte i atillë saqë vuri në krizë egzistencën e gjuhëve të tjera në shkolla dhe përjashtimin e tyre gati përfundimisht nga sistemi universitar. Kam përshtypjen se po të ishte bërë një studim për pasojat e një lëvizje të këtyre përmasave, kostot ekonomike do të rezultonin kolosale sidomos për një vend si Shqipëria. Dhe jo vetëm kaq.

Sikur pati deridiku një lloj ndjeshmërie edhe nga përfaqësitë diplomatike të cilat, të pafuqishme për të kundërvepruar, më shumë u duk sikur donin të kuptonin se sa të reagonin ndaj një vendimi të tillë. Sic ndodh shpesh rëndom këtu tek ne, kjo punë u la si për hall të gjithkujt që i duhej shpejt një certifikatë e anglishtes për të marrë diplomën me përfundimin e studimeve të larta. Pati nga ato institucione universitare që iu përmbajtën me përpikmëri vendimit në cdo presje të tij, por edhe nga ata që i panë cik më me zemërgjërësi këto shtrëngesa. U listuan kompanitë të cilat mund të certifikonin dhe u hap rruga dhe `gara` e certifikimeve. Po përfitimet, po qëllimit a i jemi avitur dicka? Besoj se edhe vetë Ministria e Arsimit, si organi kryesor si cili monitoron zbatueshmërinë e vendimeve të qeverisë, nuk ka ndërmarrë akoma ndonjë studim apo një feedback të gjendjes pas kaq kohe.

Apo mos ndoshta arritjet janë aq të vagullta, të papërfillshme dhe pro forma, saqë kanë pështjelluar përfundimisht edhe cilësinë jo vetëm të përvetësimit të gjuhës angleze, por i bënë krejt të parëndësishëm edhe përvetësimin e gjuhëve të tjera të cilat kishin një traditë të konsoliduar?! Unë kështu mund t`i lexoj edhe tani përpjekjet jo fort të studiuara për të rikualifikuar koeficentët dhe stabilizuar në një farë mënyre peshën që zënë gjuhët e huaja në sistemin arsimor parauniversitar. Jam i mendimit, besoj të bashkëndarë me pjesën më të madhe të kolegëve që veprojnë në këtë sektor, se realiteti ynë ka nevojë për shumë gjuhë dhe jo vetëm për një të vetme, qoftë kjo edhe veçmas gjuha angleze ashtu sic ka nevojë gjithashtu për një emancipim të vetëdijes dhe qëndrimit në lidhje me arsimin, për rritje të vërtetë të cilësisë së përvetësimit të dijeve, ka nevojë për sqarimin përfundimtar të një qëndrimi të hapur e të peshuar mirë në lidhje me stratëgjitë afatgjata si në lëmin e shkencave të tjera po ashtu edhe në atë përvetësimit të gjuhëve të huaja.

Në një terren si ky yni, nuk pretendoj aspak të them diçka të re, domosdoshmëria e gjuhëve të huaja diktohet nga nevojat që ka vendi për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik, për të rritur punësimin, për të nxitur turizmin dhe shkëmbimet ekonomike, për tu futur kompetitivë në tregun global europian. Dua të them duke u mbështetur në aq vite përvojë dhe me sa kam mundur të ndjek zhvillimet në kohë si edhe ato më të fundit, se një perceptim kaq i njëanshëm i këtij problemi, dhënia e përparësisë të një gjuhe të vetme, egzistenca gati në mohim e përvetësimit të gjuhëve të tjera, ka dëmtuar në tërësi cilësinë e përvetësimit, nivelin kulturor dhe profesional të mësuesve, ka krijuar që herët një precedent negativ në lidhje me funksionimin e vetë sistemit arsimor, ka krijuar një situatë të pabarazisë duke bërë që ky fakt të shfaqet herë herë edhe si një problem etik në kuturën e cdo individi aktor në këtë sistem.

Rishikimi i qëndrimit të Institucioneve qëndrore është një akt i mundshëm dhe shumë i dobishëm i cili ngelet plotësisht brenda kuadrit të zhvillimeve të brendshme dhe synimeve të së ardhmes. Për këtë arsye, pa pretenduar aspak të sjellim zvogëlimin e shtrirjes dhe afirmimit të gjuhës angleze, jam i mendimit se dhënia e hapësiravë edhe për gjuhët e tjera dhe vendosja edhe për to e kriterit të Certifikimit, pa asnjë lloj përparësie për një apo disa gjuhë `në kurriz` të përvetësimit të gjuhëve të tjera, do të ishte një lëvizje vendimtare që do të kthente vëmendjen e duhur për nga rëndësia e përvetësimit të gjuhëve të huaja, Askund nuk mund të mëndohet se ekskluzivisht një gjuhë e huaj e vetme, sidomos për Shqipërinë, të jep mundësi për studim e punësim, por kontakti i vazhdueshëm me shumë gjuhë e kultura do të garantojë përherë një futje më të susksesshme në jetë, do t`i bëjë brezat edhe më të emancipuar, edhe më të aftë edhe më të zotë për të përballuar sfidat që do u dalin përpara.

Ne i kemi të gjitha kapacitetet institucionale dhe arsimore, që janë krijuar dhe konsoliduar në vite si qëndra të ekselencës në formimin universitar dhe pasuniversitar. I tillë është Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i UT, icili mund të mbështesë fort dhe pa u kursyer si formimin universitar ashtu edhe formimin e vazhduar pasuniversitar. Jo vetëm Certifikim eskluziv të gjuhës Angleze, por një rritje e nivelit të përvetësimit të të gjitha gjuhëve dhe heqjen e `monopolit` të anglishtes, rikonfirmimin e të gjitha gjuhëve, çertifikimin e tyre sipas Kuadrit Europian të Gjuhëve të huaja tashmë të pranuar e të mbështetur nga të gjithë vendet e BE. `Të gjitha gjuhët janë të mira`, na takon që ne t`ua ofrojmë brezave si formim në nivele të larta të përvetësimit, më pas u takon atyre të zgjedhin se cilat gjuhë do t`u vlejnë më shumë për jetën.

Shkrimi u publikua sot (2.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)