“Jam i surprizuar me suksesin e Moratoriumit te Gjuetisë. Keni një rini të mrekullueshme, lërini si trashëgimi një mjedis sa më të pastër!”-është shprehur ambasadori Donald Lu gjatë takimit me Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.
Ndërkohë që vetë ministri Lefter Koka ka shprehur vendosmërinë për të ndërtuar një politikë në shërbim të qytetarëve.
“Sollëm mjedisin në qendër të opinionit publik. Ne jemi një popull vital dhe punëtor por politika e ka shfrytëzuar vendin për interesat e saj. Jemi te vendosur të ndërtojmë një politike në shërbim te qytetareve.”- ka deklaruar Koka.
Koka e njohu Ambasadorin Lu me arritjet e deritanishme në fushën e mjedisit duke vënë theksin në realitetin e dikurshëm mjedisor dhe punën që është bërë për ta ndryshuar këtë realitet dhe për ta sjellë në qendër të vëmendjes.
Ministri Koka shpjegoi masat e marra që në fillim të mandatit qeverisës në përputhje me kushtet e caktuara në progresraportin e Bashkimit Europian. Ministri i Mjedisit informoi Ambasadorin Lu mbi reformën administrative, duke ndarë menaxhimin nga kontrolli që ndikon drejtpërsëdrejti në frenimin e korrupsionit.
Në kuadër të kësaj reforme u krijuan Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, dhe së fundi Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, krijuar edhe si një kërkesë e Bashkimit Europian dhe e donatorëve.
Duke iu përgjigjur interesit të Ambasadorit Amerikan rreth monitorimit të cilësisë së ajrit, Ministri Koka theksoi se Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka 6 laboratorë dhe monitoron cilësinë e ajrit duke raportuar online të dhënat. “Në bashkëpunim me ministritë e linjës, po përgatisim një projektligj për ndotjen e shkaktuar nga makinat për të arritur standartet europiane “- tha ndër të tjera Ministri Koka.
Ambasadori Lu u impresionua nga rezultatet e moratoriumit dhe punën e bërë gjatë një viti për të frenuar zhdukjen e faunës së egër në vendin tonë si pasojë e gjuetisë së pakontrolluar.
Në të gjitha arritjet e deritanishme Ministri Koka theksoi se në punën për një mjedis me standarte të larta, është e nevojshme përfshirja e të gjithë qytetarëve të cilët meritojnë një mjedis të denjë. “Ne jemi nje popull vital dhe punëtor, por për 23 vite politika e ka shfrytëzuar vendin për interesat e saj. Jemi të vendosur të ndërtojmë një politikë në shërbim të qytetarëve.”- tha Ministri Koka.
Nga ana e tij ambasadori Lu vuri në pah se vendi ynë ka një rini të mrekullueshme të cilës i duhet si trashëgimi një mjedis sa më të pastër.
Në fund të takimit Ministri Koka i dhuroi Ambasadorit Lu, botimin “Rikthimi i jetës - 1 vit moratorium i gjuetisë”, një përmbledhje e rezultateve të arritura deri më sot në fushën e faunës së egër si pasojë e vendosjes së Moratoriumit.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)