Këta tinguj të pasurisë shpirtërore shqiptare në një prej produksioneve më të mëdha të Hollivudit, janë luajtur nga mjeshtri i fyellit dhe culës dyjare, Vendim Kapaj. Ishte ai artisti shqiptar që interpretoi notat e përdorura në kolonën zanore të filmit më të ri të Christopher Nolan, “Odisea”, një përjetim që ai e cilëson si kulmin e karrierës së tij artistike.

“Jam shumë i lumtur që instrumentet popullore të Labërisë sime shfaqen sot në skenat botërore nëpërmjet artistëve të Hollivudit. Falenderoj shumë kompozitorin Ludëig Göransson, që u përkushtua pesë orë të tëra pas meje dhe ishte jashtëzakonisht i frymëzuar nga meloditë tradicionale të fyellit dhe këngës labe. Regjistrimet i bëmë në Teqenë e Kus-Babait dhe ishte një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë.”, tha Kapaj për “Report TV”.

Regjistrimet u zhvilluan në Vlorë dhe zgjatën rreth pesë orë. Në kërkim të një identiteti epik muzikor për filmin, kompozitori fitues i Oscar-it, Ludëig Göransson, zgjodhi tingujt autentikë të iso-polifonisë shqiptare dhe instrumentet tradicionale të Labërisë.

“Kontakti i parë ka qenë nëpërmjet një mikut tim, i cili më tha se disa miq të huaj kërkonin të takoheshin me mua. Ata e kishin studiuar prej kohësh këtë muzikë dhe më kishin gjetur nëpërmjet rrjeteve sociale dhe emisioneve televizive. Kur kuptova se bëhej fjalë për filmin 'Odisea', ishte një emocion i jashtëzakonshëm.”

Në regjistrimin e kolonës zanore, Kapaj interpretoi i vetëm me fyellin dhe culën dyjare, ndërsa çdo interpretim u regjistrua me kujdes nga ekipi i filmit.

“Kam qenë vetëm me fyellin dhe culën dyjare. Ishte një punë shumë e lodhshme, por shumë e bukur. Mbaj mend që, kur luaja me fyell, kompozitori Ludëig Göransson u emocionua. Më tha: 'Je shumë i rrallë'. Ishte një vlerësim që më preku shumë dhe më bëri të kuptoj se muzika jonë tradicionale vlerësohet jashtëzakonisht edhe nga artistët më të mëdhenj në botë.”, tregon Kapaj.

“Odisea” ka nisur tashmë shfaqjen në kinematë botërore. Për Vendim Kapajn, pjesëmarrja në këtë produksion nuk është vetëm një sukses personal, por edhe një moment krenarie për kulturën shqiptare, pasi tingujt e Labërisë dhe iso-polifonia shqiptare tashmë dëgjohen në kolonën zanore të një prej filmave më të mëdhenj të Hollivudit.