Luanët e partive

Luanët e partive
Dje Luan Rama, njëri prej zyrtarëve të LSI tha se do të konkuronte për “mbretin” e partisë së majtë. Duke kërkuar të rivalizojë me kryetarin, atë që i jep rrogën, mundësinë për të dalë në publik si përfaqësues politik. Edhe pse euforik për këtë shans demokratik që ia jep qenia në një parti si LSI-ja, është e vështirë për tu gëlltitur, idea se sekretari i përgjithshëm do të konkurojë me kryetarin që e ka emëruar, edhe pse në daljen për shtyp Luan Rama shfaqi ambicien për të bërë lojën e tij, të përdorë njerëzit e tij dhe të marrë pjesën që i takon. Dhe padyshim do ta marrë, sepse “luani” i partisë do t’ia japë kafshatën. Por jo “kurorën”, se, edhe pse nuk quhet Luan, kreu i LSI-së është mbreti, ai udhëheq, urdhëron, ai merr përfitimet, pra
pjesën e luanit dhe të tjerët marrin ç’të mbetet. Dhe Luan Rama nuk është as i pari e as nuk do të jetë i fundit, në këto konkurime qesharake. Të paktën prej dy dekadash. Në 1991, ish-presidenti i fundit komunist, i ndjeri Ramiz Alia përdorte Namik Doklen, ish-gazetar dhe drejtues i gazetës “Zëri i Popullit”. Pastaj u zgjodh president i parë në 1991 i parlamentit të parë pluralist. Pastaj ishte Sali Berisha që përdorte deri Uran Butkën, këtë pasardhës të denjë të nacionalizës shqiptare, për të treguar se në PD ka rivalitet dhe votohet edhe për rivalët e kryetarit. Pastaj i erdhi radha Edi Ramës që gjeti Maqo Lakrorin për ta veshur si rival për zgjedhjet për kryetar në PS, që e merrte me vete në takimet ku prezantonin platformat e tyre, madje i jepte edhe “vaktin e ngrënies”. Pra kandidati për Luanin e radhës nuk po bën ndonjë të pabërë, por po trazon po atë gjellë të prishur që është gatuar shumë herë të tjera më parë. Sepse LSI-në e ka krijuar dhe e ka sa të jetë gjallë Ilir Meta, ashtu siç e ka PD-në Sali Berisha, PS-në Edi Rama, PR-në Fatmir Mediu e kështu me radhë deri te partitë fantazma të liberalëve, komunistëve apo sindikalistëve.
Pasi kanë vdekur garën e vërtetë sipas parimit “një anëtar një vote”, fushatën e vërtetë mes kandidatëve, apo një klonim sado mjeran të asaj që politika amerikane po e bën prej shekujsh, duke patur garë reale mes kandidatëve brenda partisë, me platforma dhe programe, politika shqiptare duhet t’ia kursejë publikut këto shfaqje që të trazojnë stomakun. Nëse nuk duan të kopjojnë të huajt, le të imitojnë Sali Berishën, i cili tashmë nuk lodhet as të sajojë më rivalë në PD dhe konkuron i vetëm dhe i sinqertë se partia është sh.p.k.-ja private dhe jo organizimi politik, ku gjithkush ka të drejtë, jo vetëm të ketë një mendim ndryshe nga kryetari, por edhe të dalë kundër tij, me platforma dhe ide të tjera. Por këto nuk ndodhin në një xhungël politike, sidomos në këtë shqiptare.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Hezbollah: Ende duhet të shqyrtojmë marrëveshjen e armëpushimit para se qeveria e Libanit ta nënshkruajë

Hezbollah: Ende duhet të shqyrtojmë marrëveshjen e armëpushimit para se qeveria e Libanit ta nënshkruajë