Luan Pobrati: UDB-ja serbe
kishte spiunë në Shqipëri

Luan Pobrati: UDB-ja serbe<br />kishte spiunë në Shqipëri
TIRANE- Hapja e çështjes së ishbashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit dhe për më tepër të spiunëve të agjenturave të huaja, përfshirë dhe agjentët e UDB-së Jugosllave, kanë hapur një ‘cirkuit’ të fortë debati në ambientin politik e shoqëror shqiptar. Përfshirja në këtë debat dhe i emrave të tillë si kryeministri i vendit, Sali Berisha i cili u përplas me presidentin Topi dhe më pas me kryetarin e opozitës Rama, solli ngritjen e një furtune akuzash të ndërsjella, ku më e fortaka qënë ajo e një dite më parë e bërë nga ana e zyrtarit të lartë socialist, deputetit Taulant Balla që pretendon se disponon një dokument që verteton se Berisha ka qënë në shërbim të shërbimit sekret jugosllav, dokument të cilin e kemi botuar, ndonëse me një pamje të turbullt dhe që është në gjuhën serbokroatishte.

Por jashtë debatit në lidhje me këtë çështje nuk kanë qëndruar as ekspertët. Gazeta "Shqiptarja.com" ka kontaktuar me një nga njerëzit që ka qenë pjesë e sistemit dhe njeh shumë mirë prapaskenat e tij. Luan Pobrati, një nga specialistët më të mirë në njohjen e shërbimeve inteligjente flet shkurt në lidhje me debatin që ka shpërthyer kohët e fundit në lidhje me dosjet e UDB dhe përfshirjen e politikanëve shqiptarë në to. Ai mohon të ketë dijeni nëse ka qenë në dosjet e UDB kryeministri i vendit, duke u shprehur se për vetë moshën e re që ka, Berishën e njeh vetëm si sekretar byroje të PPSH në fakultetin e Mjekësisë dhe jo si agjent të jugollavëve. Madje Pobrati nënnvizon faktin se dhe udhëheqja për të tillë e njihte, dhe si mjek të mirë përderisa e kishte thirrur si mjek të ish-numrit dy të PPSH, Hysni Kapo apo të ish-ministrit të Brendshëm Simon Stefani. Ai foli në telefon për gazetën.

Si i konsideroni debatet që kanë shpërthyer tani për dosjet e Sigurimit e kryesisht ato për UDB, ku akuzohet dhe Berisha?
Unë kam lexuar nëpër gazeta për debate të tilla dhe mendoj se ka shumë akuza që s'kanë bazë dokumentare. Di që dikush në lidhje me këtë që pyesni ka deklaruar diçka para disa vitesh në media dhe do duhej të fliste dhe në këto momente.

Kemi pasur agjentë të UDB-së në Shqipëri?
Shqipëria fatkeqësisht ka dënuar shumë njerëz si të tillë me vendime gjyqi, si agjentë të Jugosllavisë dhe për fatin tonë të keq përtej dhe këtej kufirit UDB ishte gjithnjë prezente dhe shumë aktive. Shërbimi sekret Jugosllav, UDB e ka dëmtuar rëndë çështjen shqiptare, ka qënë një nga prioritetet saj që të fusë sherr mes shqiptarëve. Fatkeqësisht në këtë lojë për të futur përçarjen mes shqiptarëve kemi krijuar kushtet dhe ne vetë. Duke qëndruar aty ku e lashë, ka vendime gjyqësore, herë me vdekje dhe herë me 25 vjet burg për të gjithë ata të cilat janë cilësuar si agjentë të UDB.

Po politika ka qënë e përzier..?
Hasan Luçi, një ndër eksponentët e sigurimit të shtetit ka deklaruar diçka për mediat këto kohët e fundit ku ka thënë se UDB ishte brenda deri në Bllok. Pra kishte depërtuar deri në bllokun e Enver Hoxhës. Kush ishte brenda në bllok, këtë s'mund ta them sepse nuk e di.

Por deputeti socialist Balla pretendon se kryeministri ka qënë në shërbim të shërbimeve inteligjente  jugosllave...?

Unë e kam njohur Sali Berishën si sekretar byroje të PPSH në Fakultetin e Mjekësisë, jo si agjent të UDB. Dhe kështu e nderonim ne aty, thjeshtë si një mjek i mirë dhe si sekretar byroje i PPSH në këtë fakultet të rëndësishëm. Edhe udhëheqja lart ndoshta nuk e dinte këtë gjë, ndaj e respektonte. Edhe mjek i Simon Stefanit, ish-ministër i Brendshëm, edhe mjek i Hysni Kapos numri dy i PPSH dhe agjent i Jugosllavëve, kjo nuk vete.
Me këto deklarata Pobrati ka shpjeguar faktin se ka pasur agjentë të UDB në Shqipëri, ndërkohë që mohon të ketë pasur dijeni që Berisha ka qënë ose jo bashkëpuntor i këtij shërbimi sekret, duke e argumentuar me faktin se ai ishte dhe mjek i udhëheqjes. Por kohë më parë Pobrati në media ka deklaruar se përse politika është e interesuar të largojë apo të denoncojë vetëm bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe të fshehë agjentët e shërbimeve të huaja, pasi sipas tij ajo justifikohet me faktin se gjoja këta të fundit kanë kontribuar në favor të ndryshimit apo goditjes së regjimit dhe harrohet se ç'dëme të mëdha i kanë sjellë vendit, fjala vjen individë në shërbim të Serbisë apo UDB-së saj, duke dëmtuar rëndë sigurinë dhe çështjen tonë kombëtare. Ai ka nënvizuar në këto deklarime se demokracia është proces dhe në këtë proces demokratizimi, ka vend për të njohur e mësuar të tjera të vërteta të hidhura, sikundër duhet përshpejtuar e përmirësuar ritmet e ecjes përpara, pasi kështu s'do t'i lënë kohë zgjerimit të realizimit të trillit, duke prerë mundësin e spekulimit e penetrimeve të atyre njerëzve që s'meritojnë të jenë në politikë, ndaj flasin e diskutojmë se është koha të hapur dosjet.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

‘Faqe e zezë’, Basha: Të protestosh para Bashkisë me Ilir  Metën, solli Ramën në pushtet e tani del aty si ‘supermen’

‘Faqe e zezë’, Basha: Të protestosh para Bashkisë me Ilir  Metën, solli Ramën në pushtet e tani del aty si ‘supermen’