Luarasi: Frymëzohem nga
pasioni i pashuar i Pelingut

Luarasi: Frymëzohem nga<br />pasioni i pashuar i Pelingut
TIRANE- Drama "Përjetësisht dashuria…" është menduar të ngjitet premierë në fund të majit në skenën e Teatrit Kombëtar. Në sfondin gjysmë të errët të skenës së Teatrit Kombëtar, duke ndjekur provat arrita të shoh gjithë potencialin e një aktoreje 85-vjeçare që u druhet lëvdatave, intervistave dhe fjalëve pa vepra. Ishte Drita Pelingu. E ndikuar nga roli, pesë minuta të tjera pas pushimit, fytyra e saj dukej krejt tjetër. Nuk vonoi dhe iu kthye pamja e saj e çiltër, e bukur edhe në këtë moshë. "Nuk jap intervista tha ajo. Nuk është mirë të fryhemi kot para rolit. Zakonisht nuk i kam qejf intervistat". Drita i zgjedh fjalët me kujdes dhe të sheh me ndjesë dhe vëmendje. "Pse duhet të flas unë për rolin tim. Pas premierës është mirë të flasin të tjerët se çfarë ne kemi bërë". Pasi bisedova me të, duke dëgjuar mendimet e saj për punën e bujës që bëhet në TK para premierave dhe mungesën e kritikave pas tyre, doja t'i jepja të drejtë, por... kur luan një aktore si ajo, kush nuk do të donte ta intervistonte. Thotë se nuk ka dhënë intervista në asnjë media para premierës. Është e prerë në këtë pikë. Tërheq mënjanë autorin dhe regjisorin e dramës "Përjetësisht dashuria" Mihal Luarasin dhe i them: "Kam ardhur të intervistoj Drita Pelingun dhe kur ajo nuk do të flas për veten, duhet të flasim unë dhe ti për të". Regjisori buzëqesh. Me kënaqësi pranon të flas për aktoren. E ka të lehtë të flas për Dritën, jo vetëm se e çmon shumë si aktore, por edhe për një lidhje të veçantë që ka ajo me frymëzimet që i sjell në krijimtarinë e tij. Sa nisi të shkruante një dramë, në mendjen e regjisorit shkonte e vinte e vetmja aktore që duhej ta luante aty: Drita Pelingu. Drama flet për një çift të moshuar, që si shumë të tjerë në Shqipëri jetojnë vetëm, sepse fëmijët e tyre jetojnë në emigracion. Është dramë e shoqërisë së sotme shqiptare që shoqërohet me vetminë dhe dhembjen e tyre. Drita Pelingu luna në këtë dramë me aktorin Vangjel Toçe. Që drama të mishërohej në lojën e kësaj aktoreje të madhe u deshën vite të behej realitet. Kjo ëndërr e aktores ka odisenë e vet. Regjisori Luarasi rrëfen për Shqiptarja.com historinë si erdhi në skenë një vepër me aktoren e madhe Drita Pelingu që titullohet "Përjetësisht Dashuria".

Zoti Luarasi, na tregoni diçka rreth tematikës së dramës. Nuk është hera e parë që bëni një premierë për moshën e tretë?
-Nuk është hera e parë. Kemi pasur një shfaqje vite më parë vetëm për të moshuarit, "Streha e të harruarve". Drama trajton vetminë e moshës së tretë, që gjatë këtyre 20 vjetëve mbas kthesës sociale që ndodhi kanë mbetur vetëm, sepse fëmijët e tyre kanë ikur në emigracion.

Ju njihni të tillë personazhe reale, përderisa qëndron në vëmendjen tuaj kjo temë?
-Sa të duash edhe unë jam vetë një përfaqësues, të gjithë i kemi fëmijët të larguar. Por, ka të moshuar vetëm me sëmundje e probleme të tjera. Bota moderne evropiane (ku synojmë të shkojmë edhe ne) e ka zgjidhur këtë problem, sepse ka shtëpi të të moshuarve. Edhe këtu ka tani, por atje nuk i çojnë në ato shtëpi atëherë kur bëhen të traumatizuar, të sëmurë dhe të paftë, por më përpara, që të jetojnë në shoqëri. Ky problem tek ne shpresojmë të zgjidhet në kohën e duhur. Siç dihet ka raste që pleq të tillë të vetmuar i gjejnë të vdekur pas disa ditësh. Sigurisht drama nuk trajtohet kaq tragjike, ka ndjesi, ndërthurje idesh, dhe e gjithë kjo vishet me velin e dashurisë. Drama titullohet "Përjetësisht dashuria".

Pse zgjodhët fjalën dashuria për një dramë të trishtuar?
-Këta dy pleq duhen tmerrësisht. Edhe pse kanë kontradikta të rëndësishme midis tyre, dashuria është më e madhe. Kanë kontradikta fetare, ideologjike, por dashuria është njësoj tek ata të dy. Edhe në vdekje nuk duan të ndahen. Është një gjë interesante: tek çifti në dramë nuk lot asnjë rëndësi diferenca e feve dhe kjo është tipike në marrëdhëniet mes çifteve shqiptare, pra është evidente në Shqipëri. Është një situatë e lirisë së besimit fetar, të cilin unë mendoj se na e kanë zili edhe shumë vende të botës. Shqiptarët nuk grinden kurrë për fenë, ndërsa besojnë në tri fe të ndryshme.

Le të flasim për aktoren Pelingu. Ajo ka një rol kryesor dhe tashmë me moshën që ka dhe problemet e saj shëndetësore duket se po bën sakrifica për rolin, apo jo?
-Kjo dramë është shkruar dhe është frymëzuar nga Pelingu. Që kur e kam shkruar para dhjetë vjetësh e kam menduar për Drita Pelingun. Doja që ta luante ajo personazhin.

Çfarë ju bëri të mendoni se vetëm ajo mund ta luante?
-Ajo ishte një frymëzim për mua si aktore. Duke shkruar dramën më vinte në mend aftësia e saj, rolet, aftësitë që kishte ajo. Dhe, kështu gjatë shkrimit të dramës më përshtatej portreti i personazhit si për ta luajtur në skenë Drita Pelingu. Unë u motivova edhe nga personazhi që kishte në dramën para kësaj, që ishte "Streha e të harruarve". Drita në këtë dramë kishte njërën nga personazhet që të mbetej në mendje. Kjo e përforcoi edhe më shumë domosdoshmërinë e prezencës së saj në dramën time.

Gjatë provave, vura re zellin dhe përkushtimin e Drita Pelingut dhe me sa art i shmang ajo problemet shëndetësore. Si shpjegohet ky përkushtim i saj?
-Ka një pasion të pashuar për skenën Drita Pelingu. Ajo është marrë gjatë me këtë tekst. Fliste me mua për këtë punë. Priste rastin për ta aprovuar, për t'u vënë në skenë. Kur do ta luaj, kur do vëmë në skenë më thoshte shpesh. E ja, këto vështirësi u kapërcyen vjet në dhjetor, kur ishte 85-vjetori i Dritës. Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, dha një drekë për nder të Dritës në një restorant me nja 50-60 të ftuar. Ishte atje në një tavolinë me aktorët dhe ndërkohë duke i qëndruar afër dhe duke e pyetur çfarë dëshirash ke, nëse të mungon ndonjë, nuk mori ndonjë përgjigje nga Drita. Përballë tyre ishte dhe Roza Anagnosti dhe kjo i thotë: "Drita, pse nuk i thua zotit Ministër për atë dramën që ti ke pasur dëshirë gjithmonë ta luash?!". "Çfarë është?", tha ai. Drita i tha se çfarë ëndërronte të luante. "E kam pengun tim prej shumë vitesh", u shpreh ajo.

Sa vite kishte kjo ëndërr e saj?
-Kishte shtatë-tetë vjet. Ministri e kuptoi aktoren dhe tha: "Ta vini në skenë menjëherë!". Kështu u bë kjo dramë. Duke qenë edhe drejtori i Teatrit aty, kjo punë mori rrugë. Filloi puna.

Drita Pelingu nuk pranoi të jepte intervistë. Është gabim të flitet para premierës, tha. Dukej e merakosur se si do të shkojnë gjërat në fund...
-Ashtu është ajo. Gjithmonë në merak, e vëmendshme dhe e përkushtuar. Ajo luan edhe me një partner tjerë që është Vangjel Toçe, një aktor shumë i mirë, i cili mban të njëjtën peshë gjatë zhvillimit të dramës. Edhe në këtë marrëdhënie është shumë e kujdesshme.

Kur do të shfaqet premiera?
-Mendohet të jetë në fund të muajit Maj. Do të jetë çështje një apo dy ditësh nëse është pak më mbrapa. Ta shikojmë këtë.

Një dramë që do të mbajë për gati një orë Drita Pelingun në skenë, nuk është pak e lodhshme?!
-Është e lodhshme. Premiera është një orë e një çerek, një orë e njëzet minuta. Nuk është më pak. Por të mos harrojmë se para ca vjetësh Drita Pelingu ka luajtur edhe vetëm solo një monodramë.

Qenka e fortë Drita Pelingu!
-Drita është e fuqishme në karakter. Gjigante është. Me Dritën kam punuar prej vitesh. Drama e parë që kam vënë në skenë në Teatrin Popullor ka qenë "Intrigë dhe dashuri" e Shilerit me Drita Pelingun si protagoniste. Ishte shfaqja e parë që vija në skenë dhe Drita kishte një karrierë të mëparshme dhe të suksesshme. Shfaqja e parë imja fliste për dashurinë dhe unë mendoj se për mua mund të jetë një nga premierat më të fundit që po bëjmë së bashku dhe le të jetë prapë për dashurinë. Dashuria është kryefjala e të dy dramave. Më pëlqen kjo gjetje, sepse nëse Drita do të dojë që kjo shfaqje të jetë e fundit për të, edhe për mua nuk i dihet. Unë jam dy vjet më i vogël se ajo. Nuk e di kam apo s'kam mundësi të bëjë një premierë tjetër... Por, e rëndësishmja është se të punosh me Drita Pelingun është frymëzim, kënaqësi. Ana profesionale dhe disiplina e Drita Pelingut është për t'u marrë shembull nga aktorët e rinj.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Dritan Hila: Ta gëzojë Berisha dhe Rama!

Dritan Hila: Ta gëzojë Berisha dhe Rama!