Dënimi i Adriatik Llallës, Rama flet për herë të parë: Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, pandëshkueshmëria nuk është më normë në Shqipëri

NJU JORK-Pas dënimit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, me 2 vite burg nga apeli i GJKKO, ka pasur një koment për herë të parë edhe Kryeministri Rama.

Në një intervistë për median franceze Tv5 Monde, Rama tha se ky dënim flet vetë që në Shqipëri pandëshkueshmëria nuk është më një normë. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria është në një luftë të hapur kur korrupsionit dhe krimit.

"Fakti që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, dhe fakti që ka njerëz nga pushtete të forta që kanë dalë para gjykatave dhe janë dënuar, flet vetë. Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, po bëjmë një luftë të hapur për shtetin e të drejtës dhe dua të shtoj edhe luftën kundër trafikut të drogës; së pari nuk jemi një përjashtim në Evropë, së dyti  po të flasim për sasi, jemi ndër vendet me sasinë më pak të konsiderueshme dhe së treti kemi bërë përparime shumë të rëndësishme edhe në këtë drejtim", tha Rama.

Në intervistën e dhënë për TV5Monde Rama u pyet për çështjen e strehimit të afganëve, integrimin evropian dhe sfidat e qeverisjes së tij në këtë mandat të tretë. Kryeministri u 'ngacmua' nga gazetarja edhe në lidhje me konfliktin amerikano-francez për nëndetëse, duke u pyetur se me kë është Shqipëria në këtë përplasje. Rama tha se ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj krize.

Sfidat e qeverisë për katër vitet e ardhshme sipas tij janë vazhdimi i punës për të modernizuar vendin, transformuar Shqipërinë, për të forcuar shtetin e së drejtës, reforma në drejtësi.

“Duhet të luftojmë për shumë gjëra që vijnë nga e ardhmja por ka shpresë”, tha ndër të tjera Rama.

Intervista e plotë

Ç’kanë të përbashkët mbretëresha e popit anglez Dua Lipa dhe nënë Tereza? Ato vijnë që të dyja nga një vend i Ballkanit me më pak se 3 milionë banorë në veri të Greqisë, përballë çizmes italiane, në pikëtakimin e qytetërimeve romake, bizantine dhe osmane; bëhet fjalë për Shqipërinë. Edi Rama, mirëmbrëma. Ju jeni kryeministri i Shqipërisë Faleminderit që jeni me ne, nga Nju Jorku,. Shqipëria do të ketë një vend në Këshillin e Sigurisë të OKB në 2022, pra vitin e ardhshëm dhe 2023, si anëtar jo i përhershëm. Çfarë mund t’i sjellë vendi juaj bashkësisë ndërkombëtare?

KM Edi Rama: Jemi shumë të nderuar. Për ne është ngjarje vërtet historike që të bëjmë pjesë në Këshillin e Sigurisë të OKB. Sigurisht, jemi një vend i vogël, por kemi ide shumë të qarta, do të bëjmë gjithçka duhet, për të çuar përpara bashkë me të tjerët objektivat e Kombeve të Bashkuara dhe ecur drejt objektivave të përbashkët për një botë më të mbrojtur ndaj ndryshimeve klimatike, për një botë me më shumë barazi ndërmjet burrave dhe grave, për një botë më solidare, dhe sigurisht, për një botë të bashkuar kundër të keqes, kundër terrorizmit, dhe fondamentalizmave të të gjitha anëve.

Ju kuptojmë mirë. Ju mbroni multilateralizmin, kriza trans-atlantike ka vend në OKB me çështjen e nëndetëseve. Si vend evropian shumë i lidhur me SHBA, në cilin krah qëndron Shqipëria, në anën e Francës apo në anën e Uashingtonit?

KM Edi Rama: Jo. Ne jemi vërtet aleatë krenarë të SHBA, por jemi gjithashtu miq shumë krenarë të Francës,  dhe nuk hyjmë në këtë lloj krize, le të themi, mes atyre të dyve, sepse nga njëra anë nuk mund të bëjmë asgjë për ta zgjidhur dhe nga ana tjetër, jam i sigurt që ndërmjet presidentit Macron dhe presidentit të SHBA Joe Biden, ka mjaft aftësi për të dialoguar dhe për ta zgjidhur krizën në mënyrën më miqësore.

Zoti kryeministër, a është gjithmonë Shqipëria e pajtueshme me Evropën?

KM Edi Rama: Së pari, doja të thoja se nuk jemi ndër vendet më të varfra, jemi ndërmjet vendeve më pak të pasura, dhe këtu ka një ndryshim, sepse kur ju flisni për një varfëri, kjo u jep teleshikuesve tuaj idenë e një vendi të varfër në ndonjë kontinent të largët, ndërsa ne jemi ndër më pak të pasurit, por po ecim përpara.

Së dyti, nuk patëm një fushatë zgjedhore të dhunshme, dhe nuk patëm një fushatë zgjedhore plot me fyerje. Patëm një fushatë me një pjesëmarrje shumë të madhe, rreth 80 % e banorëve rezidentë në Shqipëri. Kjo besoj se kjo flet vetë për pjesëmarrjen dhe për gjallërinë e demokracisë sonë.

Së treti, po, jemi një vend evropian në mes të Europës, kemi probleme, përpiqemi t’i zgjidhim, bëjmë reforma, rruga është e gjatë sigurisht, por jemi në drejtimin e duhur, pa dyshim, përndryshe Këshilli Evropian nuk do ta kishte marrë unanimisht vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

Brukseli e ka bërë luftën kundër korrupsionit një kusht për anëtarësim. Një ish-drejtues i Prokurorisë u dënua me 2 vite për korrupsion.  Po jua përsëris pyetjen, a është Shqipëria e pajtueshme me Evropën, në varësi të asaj çka ju kërkon Brukseli?

KM Edi Rama: Fakti që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, dhe fakti që ka njerëz nga pushtete të forta që kanë dalë para gjykatave dhe janë dënuar, flet vetë. Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, po bëjmë një luftë të hapur për shtetin e të drejtës dhe dua të shtoj edhe luftën kundër trafikut të drogës; së pari nuk jemi një përjashtim në Evropë, së dyti  po të flasim për sasi, jemi ndër vendet me sasinë më pak të konsiderueshme dhe së treti kemi bërë përparime shumë të rëndësishme edhe në këtë drejtim.

U bënë vite që prisni? A është frustruese? Në ç’pikë janë negociatat me Brukselin?

KM Edi Rama: Të themi të vërtetën, nuk është frustruese, sepse e kuptojmë që vetë Evropa është e frustruar nga problemet e saj të brendshme. 

Prej krizës së refugjatëve të 2015, po ndodhin shumë gjëra në nivelin evropian, të cilat bëjnë që Bashkimi Evropian të mos arrijë të funksionojë në të gjitha frontet dhe as të menaxhojë nacionalizmat që po lulëzojnë në shumë vende. Edhe pse ekstremi i djathtë për fat të mirë nuk është në pushtet në asnjë vend evropian, qasjet e ekstremit të djathtë ndikojnë sidoqoftë mbi qëndrimet e qeverive të moderuara, e të vetë Bashkimit Evropian. Në këtë pikë, jemi të qartë, ne duhet të bëjmë gjithçka duhet për t’u bërë një vend evropian, për t’u bërë një vend i BE, për t’u bërë një vend i shtetit të së drejtës, sepse e bëjmë këtë për fëmijët tanë. Nuk e bëjmë sepse është dikush në Bruksel, në Paris, apo në Berlin që na e kërkon dhe kjo është rruga e vetme, nuk ka alternativë tjetër. Ne jemi vërtet  krenarë që të vazhdojmë në këtë udhë, ka pengesa por s’ke ç’i bën, ne vazhdojmë.

Ndoshta ka alternativa të tjera? Ju keni takuar këtë javë presidentin turk Rexhep Tahip Erdogan në Nju Jork. A po forcohet interesi për Turqinë, në dëm të Bashkimit Evropian?

KM Edi Rama: Jo. Kjo është bla-bla-bla, në përgjithësi, sepse Turqia është një vend mik i Shqipërisë prej një kohe shumë të gjatë. Me Turqinë, Greqinë dhe Italinë ne kemi një partneritet strategjik dhe miqësia me Turqinë dhe marrëdhëniet me Turqinë nuk janë një alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Aspak.

Edi Rama, Shqipëria është zotuar të presë përkohësisht 4 mijë refugjatë afganë, derisa ata të marrin një vizë për të shkuar në SHBA. Ju kemi parë që keni shkuar t’i takoni. Vendi juaj është vendosur në pararojë për pritjen e tyre, me kërkesë të SHBA. Po përpiqeni të përfitoni favore nga Uashingtoni?

KM Edi Rama: Jo. Nuk është kaq e thjeshtë. Së pari, ne s’ua hapëm derën  me kërkesë të SHBA, të qeverisë së SHBA.  E hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut në SHBA, dhe thamë “PO”. Sepse për ne, kjo është çështje respekti ndaj  historisë, ne jemi një vend mikpritës, një vend që, me krenari ka qenë vendi i vetëm në Evropë që pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve, jemi një vend që ka pritur gjysmë milion refugjatë lufte që u ikën masakrave të regjimit të Sllobodan Milosheviçit në 1999 dhe jemi një vend ku është shumë e rëndësishme që të mos harrohet, se ka një kohë për të kërkuar, ka një kohë për të dhënë. Ne kemi qenë afganët para 30 vjetëve, dhe po të mos kishte qenë mikpritja e italianëve dhe e të tjerëve nuk do të kishim mundur të dilnim nga ferri ynë, që nuk ishte një ferr i talebanëve islamistë, por ishte një ferr i talebanëve të kuq. Për të gjitha këto, për ne kjo është thjesht e natyrshme.

A nuk është Shqipëria në një farë mënyre një ferr për popullsinë e saj, pasi ka një eksod në masë, pasi shqiptarët largohen drejt Francës, largohen drejt Zvicrës, a nuk ka një kontradiktë?

KM Edi Rama: Jo, sepse së pari, në të gjitha vendet e Lindjes, qofshin vende anëtare të BE, qofshin vende kandidate të BE, ka pasur një lëvizje masive të njerëzve drejt Perëndimit, dhe, nëse për ata që janë anëtarë, bëhet fjalë për lëvizje brenda një perimetri tregu të lirë të punës, për shqiptarët dhe të tjerët bëhet fjalë për një lëvizje që nuk është vërtet e lirë. Është një lëvizje e lidhur sigurisht me çështje ekonomike, por është e lidhur gjithashtu me rrjete të emigracionit të paligjshëm. Thënë kjo këtu nuk ka aspak kontradiktë, sepse ne jemi një vend mikpritës, i kemi pritur gjithmonë njerëzit në nevojë dhe do ta bëjmë gjithmonë.

Për ta mbyllur, cili është projekti juaj për Shqipërinë? Ju sapo jeni rizgjedhur për një mandat të tretë.

KM Edi Rama: Do të vazhdojmë përpjekjet tona për të modernizuar vendin,do të vazhdojmë përpjekjet për ta transformuar Shqipërinë në një shtet të së drejtës në standardet e Bashkimit Evropian, me një reformë të drejtësisë që shkon përpara, me reforma të tjera që shkojnë përpara, jemi një vend që sot ka qeverinë me pjesëmarrjen me të madhe të grave në qeveri ndërmjet vendeve të Kombeve të Bashkuara, jemi një vend që sigurisht duhet të luftojmë me shumë gjëra që vijnë nga e shkuara e që janë ende aty, por ku sigurisht ka shpresë, sigurisht ka të ardhme.


 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:54
Konflikti për nëndetëset, Rama pyetet nga televizioni  francez 'me Parisin apo Uashingtonin?'! Kryeministri: Nuk futemi në këtë krizë

 

Në intervistën e dhënë për televizionin francez TV5Monde, Kryeministri Rama u pyet edhe për qëndrimin e Shqipërisë në konfliktin mes Francës dhe SHBA-ve për çështjen e nëndetëseve.  Rama tha se Shqipëria nuk mund të këtë lloj krize.

“Jo. Ne jemi vërtet aleatë krenarë të SHBA, por jemi gjithashtu miq shumë krenarë të Francës,  dhe nuk hyjmë në këtë lloj krize, le të themi, mes atyre të dyve, sepse nga njëra anë nuk mund të bëjmë asgjë për ta zgjidhur dhe nga ana tjetër, jam i sigurt që ndërmjet presidentit Macron dhe presidentit të SHBA Joe Biden, ka mjaft aftësi për të dialoguar dhe për ta zgjidhur krizën në mënyrën më miqësore", tha Rama.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sona: 26/09/2021 03:36

    Njesoj si saliu shkerdhata iku ne drejtim te paditur...pse nuk e mbajte ne arrest shtepie,,,llallen,,por I the ik qe te mos kapesh..

    Përgjigju
  • Ylberi: 25/09/2021 14:03

    Aq fort e keni luftuar drogen sa Lazet e Durresit nje dite do ti besh prokurore.

    Përgjigju
  • Plaku: 25/09/2021 13:41

    Sa i forte ky. I ke nja 1 miliarde zotrote? Keni 3 mandate qe vidhni pa hesap. Ne cilin rezort poni pastron parate e tua o Rama? Fajin se ke ti por ajo opozite e mbaruar dhe e shitur.

    Përgjigju
  • Miremengjes: 25/09/2021 08:37

    Po po gri sallate gri, ju e keni paralizuar shqiperine ju po i grabisni cdo resurs ketij vendi. Popullit ja keni mpire nervin e gjithcka. Po ju jeni aq ne delir sa nuk lexoni as histori as shembuj sinonim nder shekuj e vite se si kane perfunduar keto rregjime te paskrupullta. Cdo e keqe e ka nje fund e cdo e mire eshte paracaktuar se kur do te vije. Historia jote e mbreterimit ne histori gjysem faqe libri do te kete, po mjer keta breza qe po jetojne keto kohe te felliqura.

    Përgjigju
  • Turi: 25/09/2021 06:57

    Hahahah bla bla bla po i godasin rende ata qe vjedhin energjine elektrike sepse korrupsioni lulezon nga dita ne dite mjafton te shkosh ne nje institucion shteteror

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?