10 vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit
Llazar Gusho, poeti me pseudonim Lasgush Poradeci (1899-1987) u nda nga jeta më 12 nëntor 1987. Në përkujtim të tij shkrova artikullin “10 vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit” (Gazeta “Republika”, 14.11.1997) nga po shkëpus dy fragmente:
Zbulim interesant
Në Bibliotekën Kombëtare, duke kërkuar disa botime të hershme të poetit të mirënjohur Lasgush Poradeci, rastësisht më ra në dorë libri i tij poetik “Vallja e Yjeve” (skeda S51 A60) shtypur në Tipografinë Albania-Kostancë në muajin Vjeshtë e Dytë (Tetor) 1933 me përkrahjen lëndore të Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë dhe të miqve të Bukureshtit” dhe “edituar nën kujdesin e M. Kutelit”.
Në pjesën e brendshme të kapakut të librit më tërhoqi vëmendjen një shkrim me bojë jeshile që ishte shkarravitur me një laps blu dhe për më tepër i ishte “vënë kryqi”. Kureshtja më shtyu të përpiqem të lexoj përmbajtjen e shkrimit “heretik”, i cili bëhej akoma më i vështirë për t’u lexuar nga njollat letër-zamk-gjurma të mballosjes së censurës së dikurshme.
Që në rreshtin e parë shtanga:
“I nderuari At Gjergj Fishta!
Po ju dërgojmë këtë libërth të ligjëronjësit L.Poradeci, tipografuar ndë shokërinë tonë
Mbesoj se do të mbeteni i ngazëlluar
Mot e jetë i juaji
Viktor Eftimiu
Fillim i vjeshtës III
Bucurest 1933”.
Trillime e plagjiature nga libri i T.M.”Të vërteta e të pathëna për Lasgushin”
“Lasgushi, E. Çabej, S. Luarasi dhe Mitrushi.
("Flet Lasgushi"): - Në këto rrethana e ndjej veten të aftë t’i përkthej vetë poezitë e mija në gjermanisht.
Kërceu me sy të zgurdulluara Paskua dhe fishkëlleu:
- I ke mëntë. Shejtani fle, ti kërkon ta zgjosh. E ke të kjartë se ti kanë hedhur në rezervë, mor t’i kanë hequr nga qarkullimi, ti kërkon të përkthesh “Vallen e Yjeve” dhe “Yllin e zemrës”’
Ndërhyri furishëm Skënder Luarasi:
- Paskua e ka mirë fjalën. Haje atë kafshore buke e tulitu pranë zjarrit me Kafkën se krevati që la ky pogradecari është i lirë. Lasgush. Unë e kuptoj ty të vjen inat që Isuf Vrioni përktheu në Francë Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin. Po të dy janë komunistë, të besuarit e partisë. Janë të imunizuar nga çdo re keqe ty të zë plumbi gropave’
Ndërhyri përsëri: Do t’ju rrëfej edhe një çudi tjetër që me siguri do çuditi, o miqtë e mi. Në bibliotekën kombëtare, duke gërmuar për të gjetur disa botime të hershme, e di çfarë gjeta’ S’e di ti, s’e dinë miqtë e mi, dëgjoni. U ngjetha. Librin tënd, “Vallja e Yjeve”, shtypur në tipografinë shqiptare Kostancë në vjeshtën e dytë të 1933, nën kujdesin e bashkëqytetarit tënd dhe mikut tonë të madh, Mitrush Kutelit. Mbajta frymën , s’po kuptoja gjë e klitha:
- Çfarë, do të thuash me këtë, që vepra ime është futur në rezervë”
- Prit. Dëgjo. Në kapakun prapa të librit, mbi një shkrim me bojë jeshil, ishte shkarravitur mbi një dedikim një laps blu, ishte bërë një kryq përsipër. Poshtërsia më e madhe ishte se mbi të ishte ngjitur me zamkë një letër e hollë. (Shenjë e vërtetë censure mbi librin). Si pa rreth e rrotull Luarasi vazhdoi: “E tmerrshme, e llahtarshme ishte kur lexova me monokël fjalë për fjalë këto fjalë: “I NDERUARI AT GJERGJ FISHTA! PO JU DËRGOJ KETE LIBERTH TE LIGJERONJESIT L.Poradeci. mot e jete, i juaji”.
Viktor Eftimiu”.
(Pyes lexuesin e nderuar: A nuk është ky “zbulim” i T.M. plagjaturë e zbulimit të Petro Luarasit?)
Skënder Luarasi dhe Lasgush Poradeci
Përkundër tymnajës që pompon autori i librit “Të vërteta e të pathëna për Lasgushin”, të cilit fatkeqësisht i ka rrëshqitur pena e mendja në hone të thepisur, i shtyrë nga rrethanat, detyrohem të publikoj disa fakte mbi marrëdhëniet tepër konfidenciale të Skënder Luarasit me Lasgush Poradecin.
Njohja e tyre ndodhi rastësisht kur Llazar Gusho (Lasgush Poradeci) erdhi në Vjenë, në selinë e Shoqërisë së studentëve shqiptarë “Albania” ku Skënder Luarasi qe kryetar dhe editor i organit të saj “Djalëria”.
Që në takimin e parë mes tyre u mbrujt një respekt reciprok që, natyrshëm, nga geni i tyre kolonjar apo nga miqësia e hershme e baballarëve të tyre patriotë - mësues flamurtarë të gjuhës shqipe; nga ideali atdhetar e personaliteti i tyre intelektual apo thjesht nga sojllëku dhe shpirti i tyre human, lidhja u shndërrua në një unitet e dashuri vëllazërore të përjetshme.
Ishte dhjetor 1928 kur Lasgush Poradeci, i cili studionte në Universitetin e Gracit, në gjendje të mjeruar ekonomike dhe i sëmurë rëndë, me një letër i lutet “mikut të shtrenjtë”, Skënder Luarasit, i cili studionte në Universitetin e Vjenës, “të vinte nga Vjena në Grac për ta ndihmuar”.
Dhe Skënder Luarasi, ndonëse cilësohej kundërshtar i regjimit monarkist, shkoi në Grac dhe së bashku me Lasgushin u nisën për në Shqipëri. Rrugës, gjendja e Lasgushit u përkeqësua ndaj u kthyen prapë në Grac. Në këto kushte, Skënder Luarasi u nis i vetëm për në Shqipëri që t’u bënte thirrje intelektualëve shqiptarë të mblidhnin ndihma për të ndihmuar Lasgush Poradecin. Por, sa mbërriti në Shqipëri, rregjimi e futi në burg. Shtypi përparimtar shkruante për ngjarjen:
Përcjellja e Lasgush Poradecit
Poeti Lasgush Poradeci u nis për në Shqipëri. Gjëndja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e keqe.
Graz. 1 janar: Poeti Lasgush Poradeci, pas dy vjet vojtjeje, tue qenë se s’mundi të shohë as një përmirësim në shëndetin e tij, u nis dje për në atdhe, pas rekomandimeve të mjekësit universitar Profesor Heinrich di Gaspero. Lasgushi do vejë në shtëpinë e tij prindërore në Poradec, për t’i rënë pas shëndetit të tronditur.
Shpresohet se ndryshimi i klimës, dieta dhe shërbimi që do të gjejë poeti pranë familjes së vet do t’ia ristabilizojnë krejt shëndetin. Gjithë studentët shqiptarë në Grac u mblodhën ta përcjellin Lasgushin. Poeti shoqërohet në këtë udhëtim prej kolegut të tij të Vjenës Skënder Luarasi, i cili mori leje nga inspektoria e studentëve ta përcjellë Lasgushin gjer në Poradec. Skënder Luarasi një nga më eminentët studentë shqiptarë, është i biri i Petro Nini Luarasit, i ati ylli të ndritur q’u doq me aq zjarr në qjellin e veteranërisë shqiptare: gjesti fisnik i studentit Skënder Luarasi na mbush me mallëngjim.
(Përcjellja e Poradecit, "Shqipëria e Re", 6 janar 1929)
Gazeta “Zëri i Korçës”, 15.1.1929.
Dje në mëngjes, u dërgua nën vërejtje me aeroplan në Tiranë, Skënder Luarasi, student në universitetin e Vjenës.
“Shqipëria e Re”, 3 shkurt 1929
Skënder P.Luarasi, studenti entuziast i Vjenës, q’ish nisur për të shoqëruar Lasgushin në Poradec, masi poeti u kthye prapë në Grac, vazhdoi vetë udhëtimin dhe arriti në Korçë. Atje autoritetet e zunë dhe e dërguan nën vërejtje, me aeroplan në Tiranë.
Si shpjegohet kjo sjellje e autoriteteve të Korçës’
Gazeta "Shqipëria e Re”, 14 prill 1929
Në Shqipëri simpathia e përgjithshme për vjershëtorin Lasgush Poradeci sa vjen po shtohet. Nga të gjitha anët ndihmat rrjedhin pa kursim. Shenja të mira se zumë të çmojmë artin
Kujdesi i Skënder Luarasit, por edhe i miqve të tjerë të Lasgushit, ishte i vazhdueshëm siç tregohet në letrën e mëposhtme që Lasgush Poradeci i dërgon Luarasit:
Lasgush Poradeci
Grac, 29.1.1930
I dashur Skënder,
K.P. (kartë postalen, shën. i P.L.) t’ënde të dashur me datë 24.1.1930 e mora. Pse bëhesh merak e më flet ashtu’
I shtrenjtë shok Skënder, të lutem të vish sa më shpejt këtu në Grac që të shkojmë në Shqipëri, se mua më s’ka kush të më bëjë shërbim, ashtu siç e kërkon sëmundja ime. Shtëpisë këtu iu mërzita dhe më s’po më durojnë dot.
Telefonomë urgjentisht!
Adresa: Lazgush, Klosterëiegs 74 parterre
Graz
Skënder Luarasi e ndihmoi Lasgush Poradecin edhe financiarisht, me të holla në një nga periudhat më të vështira, kur vetë atij ia kishte prerë bursën regjimi monarkist, në vitin 1929. Me ato pak para që ia dërgonte i vëllai Dhimitri nga Amerika, ai ndau hallin me poetin në mjerim. Sakrifica e tyre ishte reciproke, meqë edhe Lasgushi, kur Skënderi qe në nevojë, për t’i kthyer borxhin, shiti një nga pronat e babait të tij.
Grac, 30/XII. 29
Skënder Luarasit, Universitat Ëien, Austri
I dashur Skënder
‘Kush pyet, kush çan kokën për gjendjen t’ime shëndetësore, për gjendjen t’ime financiare’ Asnjeri, përveç meje vetë! Ah, dhe vetëm ti, i dashur shok, u mundove dhe bëre një detyrë të ëmbël kundrejt një njeriu që vuan. U mundova dhe unë të të përshëndet sot sa mund. Si do ngjajë nesër, si do ngjajë pasnesër, kjo varet prej vetëdijes s’ime, prej vetëdijes s’ate...
Një fakt të panjohur përbën nxitja, interesimi i vazhdueshëm, përkrahja dhe ndihma e drejtpërdrejtë që dha Skënder Luarasi për botimin e veprave të Lasgush Poradecit “Vallja e Yjeve” dhe “Ylli i zemrës”. Rrethanat dhe përpjekjet e tij në terren, për të gjetur burime financiare, bazën materiale dhe botuesin e përshtatshëm, njohja për këtë çështje dhe kontaktet me Mitrush Kutelin në Rumani etj. na zbulohen qartazi në letrat e mëposhtme.
Tiranë, 2.XI.30
I dashur Lasgush,
Po mbushet sot java që kurse kam ardhur përmes Poradecit këtu në Tiranë. Me gjithë atë që kam dashur, si pas porosisë me telefon, të qëndroj me ty, kjo gjë qe e pamundur. Jo vetëm se koha qe e keqe fort, po shoferi kishte frikë se, duke qëndruar, mos e gjobitnin që kishte 5 njerëz në një automobil, i cili merrte ligjërisht vetëm katër.
Po t’i lemë mënjanë excusez- moi-të, se e di që nuk je as jam i këtyre. Pyetja është kur ke për të ardhur në Tiranë, për të shkuar në Austri’ Të lutem ndë qënsh akoma në Pogradec, mos harro të vish në Tiranë më parë se të nisesh për në Grac.
Puna e botimit të librës nuk duhet të mbetet zvarrë. Sille aty dhe un do të përpiqem që të botohet përpara Janarit, ndë qoftë se do ta kesh mbaruar këtë muaj kopiimin e manuskriptevet. Nga Paskoja akoma nuk kam marrë ndonjë letër ‘ po ti’ (Shënim P. L. Flitet për veprën e Lasgush Poradeci “Vallja e Yjeve”,që u botua në vitin 1933, në Bukuresht, nën kujdesin e Dhimitër Paskos, alias Mitrush Kuteli)
Pllaka e "Këngës pleqërishte" nuk gjendej për ta dërguar, as baullën nuk ta bleva dot se s’kisha të holla.
Të lutem përgjigjmu sapo të marrësh këtë letër.
Të dërgon të fala, Skënder Luarasi
(Letrat e rralla të Lasgushit, Republika 4.4.2004, f.11)
Poradec 17 shtator 1936
Zotit Skënder Luarasi, Profesor i gjermanishtes në Liceun frëng, Korçë(‘)
I dashur Skënder
S’munda të të shkruaj më parë, nga shkaku se kam qenë (dhe jam) shumë i zënë; siç ta dhashë fjalën, po përgatit volumin me poezitë e mbaruara më 1924, të cilat (mea culpa!) s’i kam përmbledhur nga moskujdesja. Ti Skënder ma qite shpirtin këto dy vjetët e fundit që t’i mbledh, t’i mbledh’Nga ana ime të falem nderit për kujdesjen që më rrëfen si dhe për mundimet e mëdha që ke bërë duke kërkuar një editor,duke “lypur” të holla’Ke të drejtë .
Po puna është e vështirë: poezitë duhen mbledhur nër gazeta dhe revista të ndryshme të mërgimit, ku gjinden të përhapura, pastaj duhen rishikuar, duhen ndrequr’ Ja ky është shkaku i vonesës sime. Duke u përgjigjur mi sa i the zotit Dh.P.Pasko dhe mi ç’më telefonove drejt për drejt këtu, po të pyes: gjete editor, apo shtypja do të bëhet me të holla (që ku këto të holla’) “private”’ (Shënim P.L. Flitet për veprën e Lasgush Poradecit "Ylli i Zemrës", e botuar në vitin 1937, në Bukuresht, nën kujdesin e Mitrush Kutelit, alias Mitrush Kuteli)
‘Sa për të ardhur në Korçë, tashi s’mund; s’kam të holla. S’kam marrë bursën për dy muaj e 17 ditë. Në e marça do të vij
Të ngjatjeton me dashuri
Yti Lasgush
P. S. Për festivalin dansant që dhatë aty më parë, të dërgova me anën e Zotit Dh.P.Pasko midis të tjerave dhe poezinë “Ri me shëndet”, siç më urdhërove në telefon. Ta dërgova të prerë nga revista “Dialëria” e Vjenës. Me qenë që s’kam tjetër kopje, të lutem të m’a këthesh prapë një orë e më parë’ Unë për t’iu përgjigjur kërkesës s’ate, të dërgova kopjen e vetëme që kisha, pasi ti m’i kërkoje poezitë për “nesër”, dhe unë s’kisha kohë ta shkruaj përsëri; automobili për në Korçë s’priste. Kopjet e poezive të tjera i shkrojti zoti Dhimitër P.Pasko, unë duke mos mundur të punoj, nga shkaku i së nxehtës së madhe.
Lasgushi është bërë i përjetshëm...
"Miqësia mes Skënder Luarasit e Lasgush Poradeci, edhe pas çlirimit të vendit nga fashizmi, nuk u dobësua, por u forcua më tepër. Përballë dallkaukëve dhe shpifësve që kërkonin t’u bënin varrin intelektualëve të vërtetë, ata ruajtën miqësinë dhe dinjitetin. Mjafton të kujtohet qëndrimi i përbashkët demaskues ndaj puthadorëve e lakenjve të diktaturës (disa prej të cilëve sot kanë paturpësinë të qëndrojnë në podiume e t’i thurin himne miqësisë me Lasgushin e ish-viktimat e tyre).
Vërtet Skënder Luarasi e Lasgush Poradeci takoheshin rrallë e kurdoherë të survejuar nga spiunët, por bisedat e veprimet e tyre ishin një sfidë e hapur ndaj diktaturës.
Kur një herë Petraq Kolevica, miku dhe studiuesi i Lasgush Poradecit, e pyeti Skënder Luarasin se ç’mendonte për këtë poet, ai iu përgjigj:
“Kur isha i ri, bota thoshin: “Po vdes, po vdes Lasgushi. Tani që është plak thonë: “More, po rron, po rron Lasgushi! Ndërsa mua më duket se Lasgushi është bërë i përjetshëm...”
Ndërsa Maria, e bija e Lasgushit më ka thënë se kur e pyesnin të atin se ç’mendonte për S. Luarasin ai shprehej::
"Skënder Luarasi është shumë patriot, shumë demokrat, shumë liridashës, shumë i sinqertë, shumë guximtar, dhe (si pasojë) shumë sherrxhi. Por disa citues “intelektualë” nuk dihet përse fjalën në kllapa “si pasojë” e kanë hequr nga ky përcaktim(‘!)
(Vijon nesër…)
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Dhjetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)