Cilësohet si një Edit Durham e kohëve moderne me një kontribut mjaft të madh për Shqipërinë, me emrin e të cilës lidhet zbulimi i Statuteve të Shkodrës. Bëhet fjalë për studiuesen italiane Lucia Nadin, vepra e së cilës është në qendër të dokumentarit me autor Ilir Yzeirin, që u shfaq premierë mbrëmjen e së martës në kinema “Millenium” në Tiranë.
“Lucia Nadin dhe shqiptarët në Venedik (1479-1552)” nis me një pamje të rrallë, atë të “Rrethimit të parë i Shkodrës” në Pallatin Dukal, duke treguar kështu vëmendjen e pashoqe dhe rëndësinë që kishte Shqipëria për Venedikun. Dokumentari është ndërtuar dhe mbështetur në veprat e Lucia Nadin: “Shqiptarët në Venedik-Emigrim e integrim”, “Shqipëria e rigjetur”, “Statutet e Shkodrës”, “Figura e Skënderbeut në jetën kulturore e artistike të Venedikut” e plot studime të tjera. Ajo që vërehet nga Nadin është se Shqipëria mesjetare ishte në fakt një Shqipëri evropiane.
“Janë dokumentet historikë që demonstrojnë që Shqipëria ishte brenda sistemit evropian dhe bënte pjesë në realitetin mesdhetar të Adriatikut, pra është Europë. Nga ana tjetër, Statutet e Shkodrës flasin për këtë realitet. Për herë të parë në këtë dokumentar mendoj që shumë persona që nuk kanë lexuar librat mund t’i afrohen kësaj historie të Shqipërisë, që është një histori europiane.”, - shprehet studiuesja Lucia Nadin.
Për autorin e dokumentarit Ilir Yzeiri, vlera e punës së Luçia Nadin është e shumëfishtë dhe e madhe, pasi ajo e ka studiuar historinë e Shqipërisë nga një perspektivë evropiane dhe ka zbuluar edhe dokumente të panjohura për ne.
“Edhe ato të njohurat, siç është frontespici i Marin Barletit e ka analizuar dhe zbërthyer në atë formë, që për ne është zbulim. Mënyra si është përdorur figura e Skënderbeut për zgjidhjen e konflikteve të mëdha evropiane është sërish një risi. Ndërsa zbulimi nga Lucia Nadin i Statuteve të Shkodrës është ngjarja më e madhe në kulturën shqiptare të këtyre viteve, si dhe flamuri shqiptar në Kishën e Shën Sebastianit. Të mos harrojmë edhe që në këtë kohë nuk ishte Amerika, por Mesdheu, që ishte qendra e botës. Venecia ishte një nga shtetet më të zhvilluara dhe në këtë shtet shqiptarët kishin një rol të jashtëzakonshëm, për shkak të historisë së tyre të madhe, siç ishte rrethimi i parë i Shkodrës dhe sidomos Skënderbeu.”, - thotë Yzeiri.
Nadin rrëfen se dokumentet e zbuluara deri më tani në lidhje me historinë e Shqiptarëve në Venedik janë të pakta në morinë e atyre të dhënave që ofrojnë arkivat.
“Nëse do të kem akoma jetë të kërkoj nëpër arkiva shpresoj që mund të sjell gjëra të tjera të reja, sepse në 30 vite punë nuk kam arritur të shoh çdo gjë nëpër këto arkiva. Ka një material të pafundmë dhe nuk mjafton vetëm një jetë për t’i studiuar.”, - vijon ajo.
Në film tregohet mes të tjerash një nga organizimet më të rëndësishme të shqiptarëve që ishte Shkolla e Shqiptarëve, që mblidhte shqiptarët në një bashkësi dhe në një urdhër fetar, por edhe historia e Pietro Moçenigos dhe portreti i tij me Shkodrën në Muzeun e parfumeve të Venecias. Për herë të parë i tregohet publikut Madona e Bukës, që ndodhet në Kishën e Moniegos dhe që mendohet se e solli nga Shkodra pas rënies së saj prifti shqiptar De Gregolku.