Lucia Nadin: Injac Zamputti më
ndihmoi të studioja Shqipërinë

Lucia Nadin: Injac Zamputti më<br />ndihmoi të studioja Shqipërinë
Libri më i ri i Injac Zamputtit, “Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653)”, botuar pas vdekjes, u promovua sot në Muzeun Historik Kombëtar. Drejtori i MHK, Melsi Labi kujtoi se Prof.Zamputti ka dhënë një kontribut të çmuar në Pavijonin e Mesjetës të Muzeut Historik Kombëtar. “Puna e tij profesionale për deshifrimin e “Mbishkrimit të Arbërit” e rradhit prof.Zamputtin tek ata burra të shquar, që vendosën gurët e themelit të historisë së popullit shqiptar”.
 
Studiuesja e njohur italiane, Lucia Nadin, rrëfeu se në këto vite studimi për Shqipërinë i ka ardhur gjithmonë në ndihmë dokumentacioni i prof.Zamputti për ato periudha të historisë shqiptare që ka studiuar. Personalitete të historisë si Aleksandër Meksi, Aurel Plasari, Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo dhe Nazmi Rrahmani vlerësuan figurën e studiuesit Injac Zamputti për modestinë dhe profesionalizmin e treguar dhe e cilësuan si një minierë të vërtetë për njohjen e historisë shqiptare të asaj periudhe. “Botimet e tij ndihmojnë studiuesit e sotëm për të vazhduar punën kërkimore për historinë e vendit tonë”, theksoi prof.Aleksandër Meksi gjatë fjalës së tij.
 
Ndërsa nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi tha se, "Kultura shqiptare nuk është e pasur vetëm materialisht, me vepra e kontribute të personaliteteve të saj të shuar e fikur rrënimeve dhe zgafellave të diktaturës dhe tranzicionit të stërgjatur shqiptar, por edhe si frymë që mbijeton përtej kohërave dhe hapësirave të datave egzakte të lindjeve dhe vdekjeve. Kjo frymë që ka mbizotëruar gjithandej në tekstet dhe kulturën tonë ka krijuar shenjtorë dhe martirë të gjallë të stërmundimeve për të sjellë në shqip tekste të huaja, si dëshmi të veçanta të identitetit tonë. Një nga ta, padyshim është dhe prof.Zamputti".
 
Në kohën e regjimit komunist, Injac Zamputti punoi në kushte shumë të vështira, por serioziteti dhe përkushtimi ndaj shkencës, bëri që historiografia shqiptare të përparojë shumë përmes botimeve të tij, madje lirisht mund të thuhet se Zamputti ishte shtylla kryesore në Shqipëri që historiografia e mesjetës shqiptare, në kohën e diktaturës komuniste, të mos jetë vetëm ideologjike. Duhet pasur parasysh se përgatitja e tij serioze akademike bëri që ai të “zhytet” në botën e shkencës, duke filluar në vendlindjen e tij në Shkodër, për ta mbyllur në Itali.
 
Libri “Dokumente për Historinë e Shqipërisë (1623-1653)”, është shumë i rëndësishëm për historinë shqiptare, pikërisht për vitet 1623-1653, sepse Zamputti lexon, transkripton dhe përkthen dokumente të rëndësishme, që janë ende të panjohura për studiuesit shqiptarë dhe që i pajis me shënime e lista vendesh e njerëzish. Ky vëllim ndjek ata të mëparshmit e kësaj serie, dy pjesët e periudhës 1479-1506 (pjesa e parë 1479-1499, Tiranë 1967; pjesa e dytë 1499-1506, Tiranë 1979), dhe tre vëllimet që ndjekin: 1507-1592, 1593-1602, 1603-1621.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut