Lucia Nadini përmbys tezat
njëshekullore për "Mesharin"

Lucia Nadini përmbys tezat <br />njëshekullore për "Mesharin"
TIRANE- Zbardhet misteri se ku është shtypur "Meshari" i Gjon Buzukut, vepra e parë në gjuhën shqipe. Ndërkohë hidhen poshtë edhe disa nga tezat njëshekullore të albanologëve dhe gjuhëtareve shqiptarë, ku njëra prej tyre është se "Meshari" nuk është përkthim liturgjik nga një libër që ka ekzistuar më parë, por vetë Buzuku është autori i tij. Njëra tezë përjashton përkthimin dhe teza tjetër hedh poshtë një tjetër tezë të rëndësishme që Meshari nuk shërbeu për përhapjen e gjuhës shqipe në Shqipëri.

Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë gjatë procesit të shkrimit dhe botimit të Mesharit. Pse u hartua ky Meshar dhe çfarë tregojnë të dhënat për autorin Gjon Buzukun, të birin e Bdek Buzukut. Argumentet përforcojnë tezën se Meshari është shtypur dhe botuar në Venecia në vitin 1555. Shkronjat dhe alfabeti "janë krijuar me të njëjtat grafika ku janë shtypur edhe librat e asaj kohe në Venecia". Kështu dëshmon albanologia dhe studiuesja Lucia Nadin, përmes veprës dygjuhëshe shqip dhe italisht "Shqipëria e Rigjetur", botuar nga Onufri. Këtë vepër ajo e prezantoi dje paradite me dhjetëra pamje të inkuadruara në një ekran të madh, para gjuhëtareve dhe studiuesve shqiptarë në Bibliotekën Kombëtare. Studiuesja Lucia Nadin për herë të parë ka rrëfyer sesi u gjetën gjurmët e shtypshkronjës, ndërkohë që ka bashkuar dhe argumentuar faktet e mbledhura gjatë një studimi të gjatë, duke zbardhur një nga një misteret. Përfundimisht ajo ka mbërritur në konkluzionin se "Gjon Buzuku ka jetuar dhe ka ushtruar aktivitetin e tij si prift katolik për komunitetin shqiptar në Venecia". Duke prezantuar këto fakte edhe në libër profesoreshë Nadini, ka krijuar te studiuesit e Mesharit bindjen se është ai botuar në Venecia me nismën e Buzukut, për t'i dhënë një shtysë gjuhës shqipe në mërgim. Vendi ku është shtypur "Meshari" i Buzukut ka qenë një nga misteret që ka shoqëruar librin themeltar të shqipes, megjithëse studiues si Zamputi, Budi, Çabej e kanë hedhur prej kohësh tezën e shtypjes së tij në Venecia. Por, ky fakt nuk dihej megjithatë i saktë, sepse librit i mungojnë 16 faqet e para, dhe me mungesën e këtyre faqeve kanë humbur shumë të dhëna të tjera të rëndësishme, ashtu si edhe zhdukja dhe rigjetja e "Mesharit" për dy shekuj.


meshari     
(Foto: faqe libri me shkronja latine, dëshmon që libri është shkruar në Venedik)

"SHQIPËRIA E RIGJETUR" NGA BIBLIOTEKAT E VENECIAS
Për studiuesin Xhevat Loshi, ardhja e kopjes së vetme të Mesharit të Gjon Buzukut që gjendet në Bibliotekën e Vatikanit, pas ekspozimit në Bibliotekën Kombëtare, dje është shoqëruar me një ngjarje tjetër të rëndësishme. Referenca e profesoreshë Nadinit, sipas tij, ka dhënë përgjigje për pyetjet që gjuhëtarët "kanë 1 shekull që i kanë ngritur". Profesoreshë Nadini duke zbuluar të rejat që vijnë nga Biblioteka e Venecias, ka shkruar për Shqipërinë dhe historinë shqiptare. Në librin e saj më të ri "Shqipëria e Rigjetur", profesoreshë Lucia Nadini, i është kushtuar drejtpërdrejtë "Mesharit" të Gjon Buzukut. Nadini ka bërë një ekspertizë të hollë, nisur nga teksti i Buzukut, i cili ka motive disa shkronjat të zbukuruara që janë karakteristike për fillimet e shtypshkronjës që nga koha e Gutenbergut. Studimi i saj ilustrohet me disa të dhëna që kishin të bënin drejtpërdrejtë me shkronjat. Një tip shkronjash mjaft i ndërlikuar kanë qenë shkronjat gotike që duken si zbukurime të ngjashme të teksteve në librat e tjerë në Venedik. Studimi i Nadinit ka krijuar shtratin e argumentit se ku janë krijuar shkronjat e bëra posaçërisht për librin e Buzukut. Kush i ka krijuar këta libra. Nadini vërtetoi që "këto janë bërë në shtypshkronjën e Bernandinit" dhe kështu ajo tregoi gjithë historinë e ndërlikuar të këtij të shtypshkronjës lidhur me veprimtarinë e një kishe me emrin Bernadini. Dje, studiuesja Lucia Nadini e nisi me shkronjat e shqipes së Buzukut dhe e hapi me një gamë të gjerë tezash shkencore dhe historike ku përfshiu, jo vetëm shtypshkronjën dhe familjen e të zotit të saj, por edhe kishat ku del emri i tij dhe lidhjet që kanë pasur shqiptarët në kohën e ikjes së Buzukut. Gjuhëtari i njohur, Xhevat Lloshi, jep një shpjegim më të plotë për tezat e Nadinit rreth Mesharit.

meshari

Profesor, çfarë mendim ke për tezat e Lucia Nadinit rreth shkrimit të Mesharit të Gjon Buzukut?

-Disa studiues kanë menduar se mundësia e botimit do të jetë Venediku dhe disa të tjerë që u botua në Shqipëri. Argumentimi i Nadinit ka qenë shkronjë për shkronjë dhe është bindës. Ligjërata plotësoi atë që thotë Buzuku në Pasthënien e Mesharit. Ai thotë se ka pasur mundim për të bërë librin "se më duhet të lija kishën dhe të shkoja te shtypshkronja", gjë që vërteton se kisha ishte larg qendrës ku ishte shtypshkronja. Profesoresha Nadini e integroi Buzukun në bashkësinë e shqiptarëve të emigruar që kanë pasur një kishë të tyre dhe kjo vërteton faktin që para së gjithash Buzuku ishte një shërbestar françeskan për shqiptarët atje.

U duk sikur ra poshtë teza se Buzuku ka qenë përhapës i shqipes së shkruar në Shqipëri. Si mendoni ju?

-Tezës që Buzuku është përhapësi i shqipes së shkruar në Shqipëri, Nadini i ka dhënë një mundësi të pakët në shpjegimet e saj, sepse në rrethanat e kohës së luftërave pa fund të turqve para Evropës, nuk kishe si ta çoje librin dhe ta përhapje në Shqipëri. Mundësia është shumë e vogël. Ajo ka vërtetuar që Buzuku ka botuar libër në Venedik dhe ka qenë prift i bashkësisë shqiptare që kishte emigruar në Venecia.

Buzuku deri më sot është trajtuar si përkthyes i teksteve liturgjike. Zonja Nadini argumentoi se nuk bëhet fjalë për përkthim?

-Buzuku nuk e ka përkthyer biblën, ose si të thuash nuk ka qenë përkthyes i teksteve liturgjike. Ai ka përgatitur një Meshar, një libër shërbesash, sepse sipas Nadinit përgatitja e librave liturgjikë nuk ka qenë i ndaluar nga kisha katolike, ndërsa përkthimi i Biblës nuk bëhej në atë kohë dhe pikërisht për këtë arsye lindi protestantizmi me Martin Luterin për përkthimin e Bliblës në gjuhë të tjera. Kisha katolike mbante Vulgatën që është përkthyer nga Shën Jeronimi në gjuhën latine.

Pra libri i Buzukukut një libër autorial?

-Në qoftë se lexojmë drejt pohimin e Buzukut në Pasthënien e tij ne duhet ta mendojmë se Buzuku është libërbërës. Buziku shkruante: "Ky është libri i parë shqip". Mos vallë duhet të themi se Buzuku na ka gënjyer. Ai na ka thënë që "nuk ka libra të tjerë të shenjtë në gjuhën shqipe. Atëherë unë vendosa që të kemi një libër të shenjtë". Por nuk ka thënë ka përkthyer biblën. Nuk ka thënë as që vendosa të përkthej në shqip dhe nga cili libër e ka përkthyer. Dhe Nadini ka vërtetuar se nuk mund të gjendje një libër i drejtpërdrejtë nga të jetë përkthyer prej Buzukut. Ai vendosi të shkruajë shqip për t'u folur njerëzve të grigjës së tij që ishin shqiptarë. Ka përgatitur ligjërata të ndryshme dhe në këto ligjërata ka edhe pjesë të tëra të Biblës, por duke përdorur argumentin dhe jo përkthimin si qëllim. Pastaj del se librin e ka pasur të gatitur me kohë. Kur ai thotë m'u deshën dhjetë muaj ta bëjë, nuk e ka fjalën për përmbajtjen, se edhe sot nuk bëhet një libër për dhjetë muaj, por e ka fjalën për shtypshkrimin, shkronjat e alfabetit. Meshari ka qenë i përgatitur më parë nga një punë e gjatë prej një shqiptar me një ndjenjë të lartë të gjuhës shqipe. Me këtë shpjegohet cilësia.

Nadini ka vërtetuar tezën se libri është shtypur në Venecia, ku është krijuar rishtas alfabeti i ri...

-Po të kthehemi përsëri tek shkronjat në radhë të parë dëshiroj të vë më dukje se nuk janë si sot. Ato vepronin në këtë mënyrë, çdo shkronjë gdhendej në mënyrë të veçantë dhe radhitësit gdhendin germë për germë. Shkronjat fizikisht ruheshin në kuti dhe përdoreshin për librin e radhës. Në rast se këto shkronja për gjuhën shqipe do të mungonin, atëherë do ata që merreshin me prerjet merrnin porosi dhe jepnin edhe mendim, për shembull shkronja B, në qoftë se hapim pak pjesën e poshtme, do të dilte si R. Duket qartë edhe adoptimi se nuk është një këmbë e drejtë por rrethore e R-së. Buzuku ka gjetur zgjidhje te disa nga shkronjat e kroatishtes dhe boshnjakëve që kanë emigruar në Venedik në të njëjtën kohë me ta.

A ishte gjymtimi i Mesharit, siç na është thënë një përpjekje e turqve për ta zhdukur?

-Nuk ka dëmtim të qëllimshëm, është dëmtuar nga përdorimi. Nuk ka një ngjarje konfliktuale në atë kohë mes shqiptarëve të Venecias që ta zhduknin këtë Meshar. Nuk mund të gjejmë dot një strukturë politike të orientuar që të vinte dorë deri në shtypshkronjat e Venedikut. Librat që përdoren kishë dëmtohen në faqete para nga leximi, pra grisja dëshmon se libri është përdorur shumë.

(Në foto lart alfabeti I mesharit dhe përshtatja e B për R)


(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi