Në kulmin e debatit të opozitës se kush do t'i zëvendësojë ata pas djegies së mandateve, deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi sqaron se Mandatet që djeg opozita nuk i merr asnjë person.

Sipas Boçit mandati nuk është një person, por dëshira e zgjedhësve dhe nëse ata nuk duan ta mbajnë ai digjet plotësisht dhe nuk mund t'i kalohet dikujt tjetër.

Reagimi i plotë i Boçit:

Ka shumë debat se si shkon puna me mandatet që janë në lista.

Një debat shterpë që stimulohet kinse nga ato që duan të mbajnë me gajret njerëzit e të gënjejnë demokracinë.

Mandati nuk është person. Ai digjet sepse ka djegur demokracinë, parlamentarizmin, të ardhmen

Mandati është vullnet politik i zgjedhësit dhe shpreh mbështetje për ide e vizione politike.

Kur vullneti është i deformuar, për shkak të grabitjes, vjedhjes, blerjes ai nuk ka vlerë. Nuk ka as emër e as parti më. Ai digjet sepse ka djegur demokracinë, parlamentarizmin, të ardhmen.

Pas djegies vjen hiri. E pas tij dëshira e përkushtimi për të ndërtuar jetën dhe të mirën.

Kufomat politike që varen sot në mandate të deformuara, që ecin somnambul e që kafshojnë ç’të gjejnë përpara, janë zombit e fundit të epokës parapolitike që po kalojmë.

Gremina është destinacioni i paracaktuar i tyre.