Bashkëkryetari demokrat i Komisionti të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi i është përgjigjur në distancë kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të tij për kundërshtimet brenda Partisë Socialiste dhe debatit mbi ndryshimin e hartës administrative.
Boçi akuzon kreun e qeverisë se po përpiqet të paraqesë si ‘pluralizëm’ atë që sipas tij është një shenjë pakënaqësie dhe përplasjeje brenda mazhorancës.
“E në përpjekje për të qetësuar revoltën që tashmë ka mbërritur edhe në radhët e Partisë Socialiste e për të ledhatuar panikun tënd, ju fshiheni pas një gjoja parashtrimi juridik që, fatkeqësisht për ju, nuk ekziston”, ka shkruar Boçi.
Ai thekson se ka shkelje të parimeve kushtetuese dhe ligjore gjatë procesit të reformës territoriale, duke kërkuar konsultim real me qytetarët e zonave që preken nga ndryshimet, gjë që sipas deputetit të PD është detyrim kushtetues.
Në analizën e tij, deputeti Luçiano Boçi kundërshton argumentet e Ramës për afatin 60-ditor të konsultimeve dhe thotë se procesi për hartën e re territoriale nuk mund të reduktohet në procedura formale apo diskutime institucionale pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve.
“Vendos syzet e duhura e shihe në sy Kushtetutën kur thotë: ‘Kufijtë e tyre (administrativë-territorial) nuk mund të ndryshohen pa u marrë mëparë mendimi i popullsisë që banon në to’. Ky është një detyrim absolut kushtetues dhe nuk zëvendësohet dot me postime në Facebook, X, konferenca shtypi apo dëgjesa formale”, ka shkruar mes të tjerash Boçi në një postim në rrjetet sociale”, ka shkruar mes të tjerash Boçi.
Në fund të reagimit të tij, deputeti demokrat ironizon Ramën për mënyrën se si po e menaxhon debatin, duke e lidhur kundërshtimin e reformës me pakënaqësinë e qytetarëve dhe të disa drejtuesve vendorë të Partisë Socialiste.
Lajmi kryesor:
Protestat kundër propozimit për hartën e re territoriale, Rama: Akt i turpshëm djegia e teserave të PS! Dokumenti i reformës është në fazën e konsultimit publik, vendos Parlamenti










