Mediat iraniane kanë njoftuar se Teherani dhe Uashingtoni janë dakordësuar për një draft-marrëveshje të re për t'i dhënë fund konfliktit me SHBA-në. Sipas asaj që kanë publikuar mediat iraniane, disa nga pikat kyçe të këtij drafti janë rihapja e Ngushticës së Hormuzit brenda 30 ditësh, heqja e bllokadës detare nga SHBA-të në Hormuz dhe tërheqja e forcave ushtarake të SHBA-së nga zona në afërsi të Iranit.
Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga Shtëpia e Bardhë, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale e ka cilësuar lajmin një 'trillim i plotë' i përgatitur nga mediat e Iranit.
"Ky raport nga media e kontrolluar nga Irani nuk është i vërtetë dhe memorandumi i mirëkuptimit që ata 'publikuan' është një trillim i plotë. Askush nuk duhet të besojë atë që po përhap media shtetërore iraniane. FAKTET KANË RËNDËSI", shkruhej në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në ‘X’.
Presidenti Donald Trump ka mbledhur kabinetin qeveritar në SHBA, ku fokusi i diskutimeve ka qenë mbi situatën me Iranin. Presidenti Trump deklaroi se Irani po negocion deri në limite, por shtoi se SHBA-të nuk janë të kënaqur me pretendimet e Teheranit. Me bindje të plotë, në përgjigje të propozimit iranian, Trump tha se askush nuk do të mund ta kontrollojë Ngushticën e Hormuzit në të ardhmen. Sipas Presidentit, Ngushtica do të jetë e hapur për të gjithë, pasi janë ujëra ndërkombëtare.
Ndërkohë ditën e sotme Izraeli ka ndërmarrë sulme të reja në Libanin jugor, duke shkaktuar 31 të vdekur dhe 40 të plagosur. Shifrat i njoftoi përmes një komunikate, Ministria e Shëndetësisë së Libanit, duke raportuar se mes viktimave ka të paktën 4 fëmijë dhe 3 gra. Sipas Ministrisë, 14 persona janë vrarë në Burj al Shamali, pranë tyre.
Ditët e fundit, Izraeli i ka intensifikuar sulmet dhe veprimet ushtarake në territorin e Libanit kundër Hezbollahut. Kryeministri Benyamin Netanyahu shkroi në rrjetet sociale se që prej 28 shkurtit ushtria izraelite ka vrarë 2500 terroristë të Hezbollahut dhe që prej futjes në fuqi të armëpushimit në 17 Prill me Libanin, janë vrarë 700 të tillë. Netanyahu thotë se sulmet kanë si qëllim të shkatërrojnë infrastrukturën terroriste thellë në territor.
Por veprimet ushtarake të izraelit në Liban duket se kanë shqetësuar SHBA. Donald Trump zhvilloi një telefonatë me Netanyahun sipas mediave izraelite pasi ai kabinetin e sigurisë. Mediat raportojnë se ushtria izraelite ka patur një plan për të bombarduar Beirutin të martë çka është penguar nga Donald Trump, pasi një veprim I atillë do të përshkallëzonte konfliktin dhe do të cenonte përpjekjet e deritanishme për një marrëveshje me Iranin.
Izraeli ndërkohë eliminoi edhe një nga krerët e krahut të armatosur të Hamasit në Gaza. Ministri i mbrojtjes Israel Katz njoftoi se ushtria kishte vrarë Mohammed Odeh I cili ishte emëruar vetëm pak ditë më parë dhe që pasonte në detyrën e tij një nga arkitektët e sulmeve të 7 tetorit 2023 ku mbetën të vrarë mbi 1200 izraelitë.
Lajmi në përditësim...

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se nuk është i gatshëm të pranojë që Rusia ose Kina të marrin rezervat e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë të Iranit.
Komentet Trump i bëri gjatë mbledhjes së Kabinetit Qeveritar në SHBA, teksa ka theksuar se nuk do të ndihej rehat që kjo të ndodhte.
Trump ka deklaruar gjithashtu se SHBA-të nuk do të pranonin kurrë një marrëveshje të keqe me Iranin dhe që Teherani të kishte armë bërthamore.
Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë raportet e medias shtetërore iraniane për një draft të supozuar të memorandumit të mirëkuptimit të arritur midis dy palëve për t'i dhënë fund konfliktit, duke e quajtur atë një "trillim të plotë".
"Ky raport nga media e kontrolluar nga Irani nuk është i vërtetë dhe memorandumi i mirëkuptimit që ata 'publikuan' është një trillim i plotë. Askush nuk duhet të besojë atë që po përhap media shtetërore iraniane. FAKTET KANË RËNDËSI", shkruhej në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në ‘X’.
Media shtetërore iraniane kishte raportuar më parë se memorandumi do të përfshinte tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga zonat ngjitur me Iranin dhe heqjen e bllokadës së porteve iraniane.
Disa detaje janë të ngjashme me atë që disa zyrtarë amerikanë e kanë përshkruar si marrëveshjen që po finalizohet. Zyrtarët amerikanë të cituar nga media amerikane kanë thënë se Presidenti Donald Trump do të ishte i gatshëm të hiqte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit nëse Irani lejon anijet tregtare të kalojnë nëpër Ngushticë.
"Siç ka thënë Presidenti Trump, negociatat po përparojnë mirë dhe ai i ka bërë të qarta vijat e tij të kuqe. Presidenti Trump do të bëjë vetëm një marrëveshje të mirë për popullin amerikan, e cila duhet të sigurojë që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore", përsëriti zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Olivia Wales, në përgjigje të raportit të televizionit shtetëror iranian.

Ish-ministri i Jashtëm iranian, Ali Bagheri, ka deklaruar se Teherani po negocion me Omanin për një mekanizëm për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.
"Irani dhe Omani po negociojnë së bashku një procedurë të re për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit", tha Ali Bagheri për televizionin shtetëror iranian IRIB News.
Sipas Bagheri, kushtet për kalimin nëpër ngushticë do të jenë "krejtësisht të ndryshme nga ato që ishin në fuqi para fillimit të konfliktit".
"Derisa të arrijmë një marrëveshje për të gjitha çështjet, do të konsiderojmë se nuk kemi arritur një marrëveshje", përfundoi ai.
Nëse arrihet një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, teksti do të duhet të miratohet brenda 60 ditëve nga një rezolutë detyruese e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Lajmin e raportoi stacioni televiziv iranian IRIB, duke publikuar detaje të draft-marrëveshjes së fundit midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Ky draft ende nuk ka marr miratimin përfundimtar të SHBA-së, që do t’i jepte atij fuqi dhe do të bënte të mundur ndaljen e konfliktit.
Autoritetet izraelite kanë lëshuar një urdhër shpronësimi për Varrin e Profetit Samuel, i cili ndodhet në veri të Jerusalemit dhe kontrollohet nga Vakëfi, organi përgjegjës për menaxhimin e vendeve fetare. Haaretz raporton se kjo është hera e parë që Izraeli ka përdorur një procedurë të tillë për një vend fetar të kontrolluar nga Vakëfi.
Urdhri, i lëshuar nga Hillel Roth, Zëvendës Drejtor i Administratës Civile të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ka të bëjë me një sipërfaqe prej afërsisht 110 dunamësh (rreth 11 hektarësh), të përqendruar rreth një Xhamie të madhe. Zona përfshin gjithashtu një vend arkeologjik, një burim dhe tokë bujqësore. Justifikimi i urdhrit është "për të mirën publike, me qëllim kryerjen e një projekti zhvillimi për të ruajtur vendin arkeologjik të Varrit të Profetit Samuel".
Në këtë kohë, theksoi Haaretz, është e paqartë nëse Vakëfi do të vazhdojë të menaxhojë vendin. Organi nuk ka komentuar ende për urdhrin në fjalë.
Sipas traditës së krishterë, myslimane dhe hebraike, eshtrat e profetit Samuel ruhen në vend. Siç vëren gazeta izraelite, çdo vit aty mbahet festivali vjetor Shmuel HaNavi, ku marrin pjesë dhjetëra mijëra hebrenj. Burimi aty pranë është bërë një vend i njohur për pagëzime, ndërsa myslimanët luten rregullisht në Xhami.
Në vitin 1971, IDF dëboi ata që jetonin përreth xhamisë, një nga ndërtesat më ikonike në zonën e Jerusalemit, duke i zhvendosur në një zonë disa qindra metra larg.
Pastaj, në vitin 1995, zona u shpall park kombëtar dhe filluan gërmimet arkeologjike.
Organizata izraelite kundër pushtimit Peace Now kritikoi urdhrin e shpronësimit: "Edhe një herë, ne përballemi me vendime nga Administrata Civile, e udhëhequr nga Ministri Bezalel Smotrich, që synojnë zgjerimin dhe forcimin e aneksimit."
Përveçse Ministër i Financave, Smotrich është edhe Ministër i Mbrojtjes, përgjegjës për vendbanimet. "Nga planet e zgjerimit të vendbanimeve dhe deklaratat e pashembullta të tokave shtetërore, Administrata ka kaluar në përvetësimin e vendeve të trashëgimisë dhe tani në shpronësimin e vendeve fetare, duke krijuar tension në vendet më paqësore dhe të qeta në Bregun Perëndimor", shtoi Peace Now.
"Idetë mesianike të qeverisë izraelite duhej të ishin ndaluar shumë kohë më parë. Ndërkohë, duket se çdo ditë po na vë në rrezik më të madh dhe po krijon kushtet për ta transformuar një konflikt politik në një luftë fetare."
Vetëm disa ditë pas emërimit të tij, forcat ajrore izraelite thuhet se arritën të eliminonin kreun e ri të krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Odeh, në një sulm.
Lajmin e raportoi portali izraelit i lajmeve Ynet, duke kujtuar se paraardhësi i Odeh, Izz ad-Din Haddad, një nga arkitektët e masakrës terroriste të 7 tetorit, u vra në një sulm në qytetin e Gazës dhjetë ditë më parë.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se Teherani kishte përgatitur një draft të një marrëveshjeje fillestare, jozyrtare, kornizë për një memorandum mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Irani do të lejonte kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit në nivelet e para luftës brenda një muaji, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të tërhiqnin forcat e tyre ushtarake nga afërsia e Iranit dhe do të hiqnin bllokadën detare.

Televizioni shtetëror iranian ka prezantuar draftin më të fundit të memorandumit të mirëkuptimit midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Sipas dokumentit, i cili është raportuar nga mediat ndërkombëtare, SHBA-të do të tërheqin forcat e tyre ushtarake pranë territorit iranian dhe do të heqin bllokadën detare të porteve iraniane.
Në këmbim, Teherani do të rivendosë trafikun tregtar në Ngushticën e Hormuzit në nivelet e para luftës brenda një muaji.
Tranziti i anijeve do të menaxhohet në bashkëpunim me Omanin. "Memorandumi i Islamabadit", siç quhet dokumenti, thotë se nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditëve, marrëveshja duhet të miratohet si një rezolutë detyruese nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
IDF pretendon se ka goditur mbi 150 vende të grupit terrorist Hezbollah dhe militantëve në qytetet libaneze të Tyre dhe Nabatieh, si dhe në Luginën Beqaa, gjatë 24 orëve të fundit, duke publikuar pamje të sulmeve.
"Forcat Mbrojtëse të Izraelit vazhdojnë të sulmojnë infrastrukturën terroriste dhe terroristët e organizatës terroriste Hezbollah. Në ditët e fundit, ushtria ka lëshuar disa paralajmërime evakuimi për banorët e zonave të ndryshme të Libanit jugor, duke parashikuar sulme ndaj infrastrukturës së Hezbollahut, i fundit prej të cilëve goditi Nabatieh sot” shkroi IDF në X.

"Izraeli nuk ka ambicie në territorin libanez." Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar shkroi këtë në llogarinë e shtetit të Izraelit në mediat sociale në gjuhën arabe, një ditë pasi më shumë se 30 persona u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite në tokën libaneze. Deklarata vjen pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi mbrëmë se një forcë e madhe tokësore izraelite po përparon në Libanin jugor për të pushtuar zona dhe për të "fortifikuar" atë që ai e quajti një "zonë sigurie" brenda vendit. Sipas Saar, ofensiva ushtarake izraelite që zgjat disa muaj kundër Libanit është "rezultat i dështimit total të qeverisë libaneze për të përmbushur detyrimet e saj" dhe për të mbajtur luftëtarët e Hezbollahut në veri të lumit Litani.
Komente



