Sulmet, bombardimet dhe gjaku i viktimave të pafajshme nuk po ndalet në Ukrainë. Në ditën e 48-të të luftës Rusia duket se nuk po tërhiqet aspak nga synimet e saj, ndërsa beteja e madhe për Donbasin sapo ka filluar.
Presidenti Vladimir Putin gjatë një konference mëngjesin e sotëm tha se sulmi ndaj Ukrainë ishte i domosdoshme dhe se gjithcka ndodhi me qëllim mbrojtjen e rusisë. Ai shtoi se Rusia ka qëllim t’i cojë deri në fund qëllimet e saj.
Nga ana tjetër presidenti ukrainas Voodymyr Zelensky i bëri sërish thirrje botë të ndalin importimin e gazit rus, pasi nëse nuk e bëjnë nuk do të ndalen as krimet.
Në një kohë kur riorganizimi pas tërheqjes nga Kievi dhe Chernihiv është duke u zhvilluar, trupat ruse po përqendrohen në frontin lindor për të nisur një shtytje vendimtare në pushtimin e plotë të provincave të Donetsk dhe Lugansk, ndërsa rrethimi i qytetit vazhdon në bregdet, Mariupol, ku sipas presidentit Zelensky të vdekurit janë "dhjetëra mijëra" dhe 33,000 banorë "të deportuar" në Rusi. Por ushtria e Kievit nuk dorëzohet dhe mbrojtja e Mariupolit vazhdon.
Në Mariupol, rusët përdorën "një substancë të panjohur" të dyshuar si kimike toksike, kundër ushtarakëve dhe civilëve, denoncoi presidentja e komisionit parlamentar për integrimin e Ukrainës në BE, Ivanna Klympush, shkruan La Repubblica.
Guvernatori i rajonit të Kharkiv, Oleh Synehubov, raportoi se një fëmijë 13-vjeçar ishte në mesin e 8 të vdekurve dhe 19 persona të tjerë janë plagosur. Forcat ruse përdorën mina me veprim të vonuar në qytet dhe po punohet për t'i çaktivizuar ato.
Rastet e raportuara të dhunës seksuale në Ukrainë po rriten, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së jordanezja Sima Bahous, drejtoresha ekzekutive e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për gratë (UN Women). Kateryna Cherepakha, presidente e organizatës për të drejtat e njeriut La Strada-Ukraine, raportoi për nëntë raste të përdhunimeve nga ushtarë rusë mbi 12 gra dhe vajza. "Është vetëm maja e ajsbergut," i tha ajo Këshillit.
Ndërkohë Franca shpall persona non-grata 6 agjentë rusë që vepronin nën mbulesë diplomatike dhe aktivitetet e të cilëve rezultuan në kundërshtim me interesat kombëtare.
Ndërsa Gjermania, Holanda dhe Suedia kanë thënë se po i japin 2.5 milionë euro Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për të ndihmuar hetimin e saj mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë.
Nga ana tjetër, kryeministri italian Mario Draghi njoftoi të hënën një marrëveshje fillestare për të rritur importet e energjisë nga Algjeria pas një takimi me presidentin e vendit Abdelmadjid Tebboune në Algjer. Përveç kësaj, Draghi tha se një marrëveshje u nënshkrua midis kompanisë italiane të energjisë Eni dhe kompanisë shtetërore shtetërore të energjisë algjeriane për të zbatuar eksportin e gazit natyror në Itali. Italia importon rreth 40% të konsumit të saj total të gazit nga Rusia, sipas Reuters.
Gjithashtu presidenti rus, Vladimir Putin është takuar sot me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, për të diskutuar situatën në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore. Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Putin tha se bisedimet e paqes me Ukrainën kanë arritur në një "situatë pa krye" pasi Ukraina bëri akuza për krime lufte. Putin hodhi poshtë akuzat për sulmet në Bucha duke i konsideruar të rreme. Ai këmbënguli se qëllimet e ushtrisë ruse në Ukrainë janë "fisnike".
Në përditësim...
Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko i dorëzoi sot presidentit rus Vladimir Putin "dokumente të tjera mbi falsifikimet e Bucha". Kështu ka thënë zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov i cituar nga agjencia e lajmeve Tass. Sipas Lukashenkos, masakra e kryer në periferi të Kievit ishte vepër e forcave speciale britanike.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se ai ishte ofruar që të vizitonte Ukrainën së bashku me liderë të tjerë evropianë, por autoritetet e Kievit refuzuan. “Isha gati ta bëja, por me sa duket, dhe duhet të kem parasysh, nuk ishte e kërkuar nga Kievi”, shpjegoi kreu i shtetit gjatë misionit të tij në Varshavë.
Ai konfirmoi se kishte propozuar një vizitë në Ukrainë së bashku me presidentin e Polonisë dhe të tre vendeve baltike, për të dhënë "një shenjë të fortë të solidaritetit evropian". Vizita e presidentit gjerman, megjithatë, u refuzua nga presidenti ukrainas Zelensky, sipas asaj që raportoi Bild pasditen e sotme. Arsyeja e refuzimit të vizitës nga Kievi ishin qëndrimet e hapura ndaj Rusisë që Steinmeier ka pasur prej shumë vitesh. Megjithatë, Steinmeier përsëriti fjalët e dënimit të fortë dhe të ashpër të Moskës dhe Vladimir Putinit.
Viktor Medvedchuck, deputet i opozitës pro-ruse në Ukrainë, u arrestua me një operacion special të inteligjencës ukrainase. Presidenti Volodymyr Zelensky e bëri të ditur këtë në Telegram duke postuar një foto të Medvedchuck në pranga i veshur me uniformën e forcave të armatosura ukrainase.
'Mosbindja ndaj urdhrave” kthehet në vepër “penale”. Ky është një ndryshim i rëndësishëm që është futur në kontratat e nënshkruara nga ushtarët rusë të regjistruar në fushatën e re të rekrutimit. Sipas raportimeve të OJQ-së CrimeaSOS, elementë të përgjegjësisë penale janë shtuar për ata që refuzojnë të marrin pjesë në të ashtuquajturin "operacion special" kundër Ukrainës. Më parë, ata që refuzonin t'i bindeshin një urdhri, përballeshin me maksimum 6 muaj burg ose dy vjet në një kamp "disiplinor". Nga sot, të njëjtat dënime - të parashikuara nga neni 332 i kodit penal rus - do të vendosen për ata që kërkojnë të mos marrin pjesë në operacionet ushtarake në Ukrainë.
Një familje e tërë, pesë persona, duke përfshirë dy gra, një gjyshe, një adoleshente dhe një djalë dy vjeçar, u shfaros nga sulmi rus në një fshat në lindje të Kievit. Një tragjedi e ndodhur në mes të marsit, gjatë pushtimit rus, por u zbulua vetëm tani që policia ukrainase po kthehet në zonat e lëna nga pushtuesit. Familja ishte në një makinë, me shami të bardha dhe me fjalët 'fëmijë'.
“Ditën tjetër, ndërsa po pastronte territorin, policia e rajonit të Kievit gjeti makinën e goditur dhe trupat”, thotë kreu i policisë rajonale të Kievit, Andriy Nebitov, i cili gjithashtu poston fotot dhe një video të shkrepur në Facebook. Në rrugën pranë fshatit Gavronshchina, jo shumë larg Makariv, në perëndim të Kievit, ishte makina e mbushur me plumba, me dyer të dëmtuara, e xhama të thyer.
Raportohet se rreth 3 000 njerëz janë evakuuar këtë të martë nga zonat në Ukrainën jugore dhe lindore, të prekura nga luftimet. Lajmin e bëri të ditur Zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk.
Vereshchuk tha se vetëm 208 njerëz kishin mundur të largoheshin nga Mariupoli, i cili është shkatërruar nga luftimet prej javëve të tëra. Në një total prej 2 135 personash arritën të largoheshin nga qytetet e pushtuara, Berdiansk dhe Melitopol, si dhe dy qytete të tjera në rajonin e Zaporizhzhia.
Ajo tha gjithashtu se autobusët që ishin larguar nga Zaporizhzhia për të evakuuar njerëzit nga disa qytete ishin bllokuar vazhdimisht nga forcat ruse në Vasylivka. Gjithashtu dhe nga zonat e Luhansk që është rajoni më i prekur nga bombardimet ruse 328 njerëz u evakuuan.
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë sot se bisedimet e paqes me Ukrainën kanë hyrë në "një rrugë pa krye".
"Tani, kërkesat e sigurisë janë një gjë dhe çështjet e rregullimit të marrëdhënieve mbi Krimenë, Sevastopolin dhe Donbasin janë nxjerrë jashtë fushëveprimit të këtyre marrëveshjeve. Kjo do të thotë, ne jemi kthyer sërish në një 'rrugë qorre' për veten dhe për të gjithë”, tha Putin.
Ai u zotua se "nuk do të ndalojë operacionet ushtarake" në Ukrainë derisa Moska të ketë sukses.
Udhëheqësi rus hodhi poshtë gjithashtu raportet për mizoritë në qytetin ukrainas të Bucha si "të rreme".
ukraine-mass-grave_5729180.jpg" style="height:439px; width:780px" />
"Krimet e luftës" në Ukrainë janë "të lidhura drejtpërdrejt" me Presidentin rus Vladimir Putin. Kështu shkruan në Twitter ambasada amerikane në Ukrainë duke theksuar se 42 vende i janë drejtuar tashmë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) për çështjen e krimeve të luftës të kryera në Ukrainë.
Duke përmendur zbulimin e një varri tjetër masiv në qytetin e Buzovës, afër Kievit, ambasada e SHBA tha se pavarësisht se Rusia përpiqet të fajësojë aktorë të tjerë, "faktet janë fakte". Dhe ajo tha se ishte "e gatshme" të mbështeste një ekip prokurorësh nga e gjithë bota dhe ekspertë të krimeve të luftës për të dokumentuar "mizoritë". Ne do t'i mbajmë përgjegjës autorët”, thuhet në Twitter.
Operacioni special ushtarak i Rusisë në Ukrainë po ecën sipas planit. Kështu ka deklaroi presidenti rus Vladimir Putin në një konferencë për shtyp pas bisedimeve me homologun e tij bjellorus Lukashenko.
Data deri në të cilën operacioni special në Ukrainë mund të përfundojë varet nga intensiteti i luftimeve, sqaroi Putin, duke shtuar se " intensiteti i luftimeve është për fat të keq i lidhur me humbjet në një mënyrë ose në një tjetër".
Ndërkohë, rojet kufitare ukrainase kanë forcuar masat e sigurisë në kufirin ukrainas me Bjellorusinë, atë midis Ukrainës dhe Moldavisë dhe në zonën e Transnistrit.
"Ajo që po ndodh në Ukrainë është një tragjedi, por Rusia nuk kishte zgjidhje." Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin në takimin me homologun bjellorus Alexander Lukashenko.
Ish-presidenti amerikan Barack Obama në një intervistë ekskluzive për emisionin NBC Today ka folur për luftën në Ukrainë.
"Putini në Ukrainë ishte aq i pamatur sa nuk mund ta kishim parë kurrë tetë, dhjetë vjet më parë. Por rreziku ka qenë gjithmonë aty. “Putini ka qenë gjithmonë i pamëshirshëm ndaj popullit të tij si dhe ndaj të tjerëve”, shtoi Obama.
Gjashtë persona u gjetën të vdekur në një bodrum jashtë Kievit tha Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës.
"Bjellorusia do të mbetet gjithmonë përkrah Rusisë, pavarësisht se si do të evoluojë situata." Kështu deklaroi presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, i cili u takua me Vladimir Putin në Blagoveshchensk, në Rusinë lindore.
“Minsk është i vendosur të forcojë unitetin me Rusinë," shtoi ai.
Lukashenko gjatë fjalës së tij i tha Putin se mund të mbështet gjithmonë tek bjellorusët, pasi do të jenë gjithmonë pranë tyre, pavarësisht se çfarë mund të ndodhi.
Ai shtoi se Bjellorusia dhe Rusia ndajnë të njëjtën tokë dhe jetojnë në të njëjtin shtet.
Ndryshe nga disa republika ne kemi mbetur bashkë. Jemi të vendosur të konsolidojmë unitetin tonë", tha Lukshenko.
“Agjencia Kombëtare e Parandalimit të Korrupsionit dhe OJF-ja ‘Lëvizja e Ndershme’ kanë regjistruar 100 tradhtarë”. Kjo është bërë e ditur nga Këshilli Kombëtar për Transmetimet TV dhe Radio, marrë nga Ukrinform.
Në mesin e 100 tradhtarëve siç i kanë cilësuar, 73 prej tyre janë politikanë, 13 zyrtarë ligjzbatues, 13 media dhe një gjyqtar. Sipas Ukrinform, 637 raste të tradhtisë janë kapur tashëm në Ukrainë.
"Borodyanka dhe të 22 fshatrat e saj u shkatërruan nga sulmet ruse. Është qyteti më i dëmtuar në të gjithë Ukrainën pas Mariupolit”, kështu tha ishte Halina Yerko, një deputete ukrainase dhe vajza e kryetarit të bashkisë së Borodyanka, Georgiy Nikolayevich.
Ai shtoi se nëse Europa nuk e ndihmon me fondet e rindërtimit, atëherë ky qytet do të zhduket.
"Në zonat e çliruara të Ukrainës, vazhdon puna për regjistrimin dhe hetimin e krimeve të luftës të kryera nga Rusia. Varreza të reja masive gjenden pothuajse çdo ditë. Mijëra viktima, qindra raste torturash brutale. Kufomat gjenden ende në puseta dhe në bodrume Trupat e lidhur dhe të gjymtuar. Qindra jetimë, të paktën qindra fëmijë, qindra përdhunime janë raportuar, duke përfshirë vajza të mitura dhe fëmijë shumë të vegjël dhe madje edhe foshnja”. Kështu presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Parlamentin e Lituanisë.
Pranvera është koha më e mirë e mbjelljes për fermerët. Të veshur me jelekë anti-plumb dhe nën frikën se mund të humbin jetën, ata marrin rrezikun për të prodhuar në mënyrë që të prodhojnë ushqim për vendin.
Në një kohë kur kur shumë qytete në Ukraine vuajnë nga uria, kjo sakrificë e fermerëve është shumë e rëndësishme.
"Rusia nuk do të mbyllet, është e pamundur ta izolosh", shtoi Putin, i cili tha se Rusia "është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë partnerët që dëshirojnë dhe se nuk ka ndërmend të mbyllet.
"Ne nuk kemi ndërmend të mbyllemi. Në botën moderne, është krejtësisht e pamundur të izolosh rreptësishtë dikë dhe krejtësisht e pamundur të izolosh një vend kaq të madh sa Rusia. Kështu që ne do të punojmë me partnerë që duan të ndërveprojnë", tha ai.
Duke folur në një ceremoni çmimesh në kozmodromin Vostochny, ku pritet të takohet edhe me liderin bjellorus Aleksandr Lukashenko, Putin tha se Moska nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të niste një operacion ushtarak për t’u mbrojtur.
Rusia tha se një konfrontim me forcat anti-ruse të Ukrainës ishte i pashmangshëm dhe vetëm çështje kohe. Putin tha gjithashtu, sipas agjencive ruse të lajmeve të raportuara nga Reuters, se operacioni ushtarak i Moskës në Ukrainë do të arrijë padyshim ato që ai i quajti qëllimet e tij "fisnike".
Putin shtoi se vendi i tij nuk ka ndërmend të izolohet nga pjesa tjetër e botës dhe se forcat ruse që udhëhoqën fushatën ushtarake të Moskës në Ukrainë kanë vepruar me guxim dhe efikasitet. Sipas presidentit, Rusia nuk mund të tolerojë më kryerjen e gjenocidit ndaj popullatës rusisht-folëse në rajonin e Donbasit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë sërish thirrje për të ndaluar importin e gazit rus. Sipas tij nëse nuk ndalet tani, atëherë as krimet në Rusi nuk do ndalen. Kjo nuk është hera e pare që ai e bën këtë thirrje, megjithatë sipas tij ende nuk janë marrë masa konkrete.
"Në rajonin e Mykolaiv-it disa ushtarë rusë me rroba civile, u përpoqën të depërtojnë në pozicionet ukrainase duke përdorur korridoret humanitare". Kjo u raportua në buletinin zyrtar të Komandës Operative Jugore të Ushtrisë së Ukrainës në Mykolaiv, në jug të vendit.
"Njerëzit e fshehtë arritën në pozicionet tona, por u identifikuan, prej të cilëve pesë u neutralizuan," shpjegojnë ushtria në Kiev.
Dy sulme të tjera raketore nga rajoni Kherson, nën pushtimin rus, nga qyteti Nova Kahkovka shpërthyen sot në qytetin e Mykolaiv.
Vladimir Putin ka mbërritur në Blagoveshchensk, në lindjen e largët të Rusisë, ku do të takohet me presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Kjo është bërë e ditur nga faqja e internetit e agjencisë ruse Ria Novosti.
Pritet që përpara takimit dypalësh, krerët e shteteve të shqyrtojnë ndërtimin e kozmodromit Vostochny dhe infrastrukturën nga një helikopter, pastaj të bisedojnë me punëtorët dhe të caktojnë pilotët-kozmonautët.
Putin dhe Lukashenko do të diskutojnë gjithashtu "masat për të kundërshtuar sanksionet perëndimore" për luftën në Ukrainë dhe "zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh". Pas takimit është parashikuar një konferencë e përbashkët për shtyp e dy liderëve.
Numri i fëmijëve të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus rritet në 186. Kjo është bërë e ditur nga Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës. Në total, 530 fëmijë ishin viktima të luftës, nga të cilët 186 të vdekur dhe 344 të plagosur. UNICEF vlerësoi kushtet e vuajtjes në të cilat fëmijët jetojnë nën luftë: në vetëm 6 javë, rreth 2/3 e të gjithë fëmijëve ukrainas, pra 4.8 milionë nga 7.5 milionë, u larguan nga shtëpitë e tyre (2.8 milionë janë në Ukrainë dhe të tjerët 2 milionë në vende të tjera). Përveç kësaj, nga 3.2 milionë fëmijë që vlerësohet se kanë mbetur në shtëpitë e tyre, Manuel Fontaine, drejtor i programit të Unicef-it, paralajmëroi se pothuajse gjysma mund të rrezikojnë të mos kenë ushqim të mjaftueshëm.
Ukraine.jpg" style="height:475px; width:780px" />
Situata në Ukrainë sa vjen edhe po përkeqësohet. Unicef ka shprehur sërish shqetësimin, duke thënë se 1.5 milionë fëmijë që rrezikojnë nga uria.
Rusët nuk po ndalin sulmet në infrastrukturën e sistemit të ujit dhe energjisë elektrike, duke lënë në vuajtje njerëzit. Përveç kësaj, më 10 prill, Ohchr kishte verifikuar 142 fëmijë të vrarë dhe 229 të plagosur
ukraine.jpg" style="height:415px; width:780px" />
Luftimet në Ukrainën lindore do të intensifikohen gjatë dy deri në tre javëve të ardhshme pasi Rusia po përpiqet të ripërqendrojë përpjekjet e saj atje, ka thënë Ministria e Mbrojtjes.
Ministria tha gjithashtu se sulmet ruse mbeten të përqendruara në pozicionet ukrainase pranë Donetsk dhe Luhansk, me luftime të mëtejshme rreth Kherson dhe Mykolaiv dhe një shtytje të rinovuar drejt Kramatorsk.
Raporti tha gjithashtu se forcat ruse vazhdojnë të tërhiqen nga Bjellorusia në mënyrë që të ridislokohen në mbështetje të operacioneve në Ukrainën lindore.
Mbi 10,000 civilë vdiqën në qytetin port ukrainas të Mariupol. Kryetari i bashkisë së qytetit Vadym Boychenko tha për Associated Press , se numri i të vdekurve mund të arrijë mbi 20 mijë në një qytet të sulmuar për javë të tëra dhe ku mungesa e ushqimit dhe furnizimeve ka lënë shumë trupa në rrugë. Boychenko akuzoi gjithashtu forcat ruse për bllokimin e autokolonave humanitare që përpiqeshin të hynin në qytet për javë të tëra.
"Armiku po përpiqet të përfundojë grupimin dhe transferimin e trupave në zonat e përqendrimit të rajoneve Belgorod dhe Voronezh në Federatën Ruse, si dhe transferimin e forcave ajrore dhe hapësinore në aeroportet në afërsi të kufijve lindorë të Ukrainës."
Kështu shkruan Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në raportin ditor.
"Në drejtim të Slobozhansky, vazhdon më tej, trupat armike vazhdojnë të bllokojnë pjesërisht qytetin e Kharkiv".
Përleshje raportohen në zonën e qytetit të Izyum dhe në drejtimet Donetsk dhe Tavriya.
"Ka shenja të forcimit të sistemit të mbrojtjes ajrore, në zonat e Melitopol dhe Ilovaisk. Ka të ngjarë që në të ardhmen armiku të përpiqet të marrë kontrollin e qytetit të Mariupol," përfundon raporti.
Një delegacion ndërkombëtar i liderëve fetarë do të vizitojë Ukrainën sot për të treguar solidaritet me ata që janë prekur nga pushtimi.
Grupi pritet të takojë ata që janë larguar nga Ukraina lindore për në qytetin perëndimor të Chernivtsi.
Delegacioni do të përfshijë murgj, rabinë, klerikë myslimanë, udhëheqës fetarë budistë dhe hindu dhe ish-kryepeshkopi i Canterbury-t, Rowan Williams.
Williams i tha BBC Radio Four në një intervistë javën e kaluar se kishte një "rast të fortë" për të përjashtuar Kishën Ortodokse Ruse nga Këshilli Botëror i Kishave, për dështimin e saj për të dënuar vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
Papa Françesku e ka bekuar vizitën, duke thënë se kjo nuk ishte koha për të heshtur, por për të kërkuar me forcë ndalimin e atyre që ai i quajti "këto veprime të neveritshme".
Presidenti rus Vladimir Putin do të takohet sot me homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko për të diskutuar situatën në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore, raportojnë agjencitë e shtypit të të dy vendeve.
Lukashenko, i cili do të dëshironte të vepronte si ndërmjetës, por konsiderohet bashkëpunëtor i Putinit në pushtimin e Ukrainës, ka mbërritur në rajonin Amur të Rusisë lindore, ku takimi do të zhvillohet ballë për ballë presidenti rus në bazën hapësinore Vostochny.
Kjo jo rastësisht, pasi më 12 prill në Rusi dhe në ish-republikat e tjera sovjetike festohet dita e kozmonautikës, në kujtim të fluturimit të parë hapësinor të një njeriu, Yuri Gagarin, në vitin 1961.
Gati dy të tretat e të gjithë fëmijëve ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre në gjashtë javë që nga pushtimi i Rusisë, tha të hënën agjencia e OKB-së për fëmijë UNICEF, siç shkruan BBC.
OKB-ja ka verifikuar gjithashtu vdekjen e 142 të rinjve, megjithëse ata kanë paralajmëruar se numri aktual është pothuajse me siguri shumë më i lartë.
Manuel Fontaine, drejtor i programeve emergjente të UNICEF-it, i cili sapo u kthye nga Ukraina, tha se të shpërnguleshin 4.8 milionë nga 7.5 milionë fëmijët e Ukrainës në një kohë kaq të shkurtër, është diçka që ai nuk e kishte parë të ndodhte kaq shpejt në 31 vjet punë humanitare.
"Nga 3.2 milionë fëmijë që vlerësohet se kanë mbetur në shtëpitë e tyre, gati gjysma mund të rrezikojnë të mos kenë ushqim të mjaftueshëm," i tha Fontaine këshillit të sigurimit të OKB-së.
Ai paralajmëroi se situata ishte ndoshta më e keqe në qytete si Mariupol dhe Kherson, ku nuk kishte shërbime të ujit dhe kanalizimeve dhe furnizimi me ushqime dhe ilaçe ishte ndërprerë.
Ndërkohë ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, pretendoi se Rusia ka marrë më shumë se 121,000 fëmijë nga Ukraina dhe thuhet se ka hartuar një projekt-ligj për të thjeshtuar dhe përshpejtuar procedurat e birësimit.
Fontaine tha se deri më tani nuk kishte "asnjë provë" për akuza të tilla, por se UNICEF do të hetonte çështjen.
Rusët po ripozicionohen në pjesën jugore të lumit Bug dhe në kufirin me rajonin Kherson, në Ukrainën jugore.
Kjo u deklarua në Facebook nga komanda operacionale "Jugore" e forcave të armatosura të Ukrainës, siç shkruan Ukrinform, duke raportuar "shumë raste dezertimi në njësitë e armikut".
"Në zonën e Nikolaevit, vazhdon komanda jugore, disa rusë të maskuar në tre makina civile janë përpjekur të pretendojnë se janë një grup lokalësh të evakuuar për të kryer sabotim. Ata u përpoqën të na sulmonin, por pasi u zbuluan, u desh të iknin”.
Së fundi, "situata pranë bregdetit ukrainas të Detit të Zi është e tensionuar, por e pandryshuar" dhe "mundësia e sulmeve me raketa nga flota armike" nuk përjashtohet.
"Pushtuesit rusë mbajnë robër rreth 1700 ushtarë dhe civilë." Kështu u shpreh zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk për Reuters. Ajo tha se 500 prej tyre janë gra e vajza. Sipas Iryna Vereshchuk pushtuesit i detyrojnë të qëndrojnë në këmbë, nuk i lënë të ulen.
"Rruajnë kokën, i detyrojnë të zhvishen çdo ditë për kontrolle. Ata poshtërojnë dinjitetin e tyre njerëzor. Unë i di faktet e përdhunimit, kam parë shtylla kurrizore që ishin rrahur”, tha ajo. Vajzat dhe gratë tona na kërkojnë të vazhdojmë të luftojmë për fitoren tonë”, shtoi më tej Vereshchuk.
Në të njëjtën kohë, Moska deklaron se u siguron të burgosurve të luftës ukrainas "gjithçka të nevojshme" dhe "kujdes mjekësor shumë të kualifikuar" në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
rusi.png" style="height:457px; width:780px" />
Masat e reja të qeverisë japoneze për të kufizuar aksesin në asetet ekonomike të qytetarëve të përzgjedhur rus, vijnë si përgjigje të pushtimit të Ukrainës të kërkuar nga Moska.
Kjo u vendos nga ekzekutivi në Tokio në një takim ministror, duke dekretuar ngrirjen e 398 subjekteve të lidhura me individë me kombësi ruse, ku përfshihen edhe vajzat e presidentit Putin dhe gruaja e ministrit të Jashtëm Sergej Lavrov.
Që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, Japonia ka mbajtur anën e vendeve të G7 në mbështetje të Kievit dhe të premten e kaluar njoftoi synimin e saj për të reduktuar gradualisht varësinë e saj nga gazi rus, duke synuar eliminimin gradual të furnizimeve me qymyr nga Moska.
Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe vendet evropiane kanë shtrënguar sanksionet ndaj Rusisë, por jo të gjitha fuqitë botërore e kanë ndjekur këtë drejtim.
E joshur nga zbritjet masive, India ka blerë më shumë naftë bruto ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës (24 shkurt) se sa bëri gjatë gjithë vitit të kaluar, sipas informacioneve nga të dhënat e përpiluara nga agjencia e lajmeve Reuters.
Presidenti i SHBA Joe Biden i ka thënë kryeministrit të Indisë Narendra Modi se mbështetja në rritje në energjinë ruse është "shumë qartë jo në interesin e tyre".
Modi ka thënë se në bisedimet e fundit me Rusinë ka sugjeruar që presidenti rus Vladimir Putin dhe ai i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy të zhvillojnë bisedime së bashku.
Administrata amerikane ka bërë thirrje për "lirimin e menjëhershëm" të kundërshtarit rus Vladimir Kara-Murza, i arrestuar të hënën nga policia në Moskë pasi dënoi hapur fushatën ushtarake ruse në Ukrainë.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për arrestimin nga autoritetet ruse të liderit të shquar të shoqërisë civile Vladimir Kara-Murza sot në Moskë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në Twitter.
“Ne po e ndjekim situatën nga afër dhe kërkojmë lirimin e tij menjëherë”, shtoi ai.
"Rusia do të mposhtet strategjikisht në Ukrainë". Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Ned Price e tha këtë për CNN, duke nënvizuar se përveç problemeve në terren, Moska është në mes të një krize të thellë ekonomike.
Lidhur me çështjen e përgjegjësisë për krimet e luftës, Price kujtoi se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar dhjetëra prokurorë në Ukrainë për të bashkëpunuar me Kievin në hetim dhe Departamenti i Shtetit po kryen gjithashtu hetimin e tij.
“Nëse provat na tregojnë se Putini është përgjegjës për krimet e luftës, ai do të ndiqet penalisht për këtë”, tha Price.
“Së shpejti do të nevojitet më shumë mbështetje ushtarake. Jetët e ukrainasve po humbasin, jetë që nuk mund të kthehen më. Dhe kjo është gjithashtu përgjegjësi e atyre që kanë ende armët që i duhen Ukrainës në arsenalin e tyre. Përgjegjësi që do të mbetet përgjithmonë në histori”. Kështu ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, siç raporton “Guardian”, në një video-mesazh.
"Ukrainasit janë të guximshëm, shpjegoi ai, por kur bëhet fjalë për armët, ne ende varemi nga furnizimi, nga aleatët tanë. Fatkeqësisht, ne nuk po marrim atë që duhet për t'i dhënë fund kësaj lufte, për të shkatërruar armikun në tokën tonë, për të zhbllokuar Mariupolin. Nëse do të kishim avionë, mjete të blinduara të rënda, artileri, atëherë do të ishim në gjendje ta bënim më mirë', shtoi ai.
Pasi raportet e të hënës flasin për një sulm të mundshëm që përfshin substanca kimike të një lloji në Mariupol, presidenti ukrainas paralajmëroi se mundësia duhet marrë seriozisht, megjithëse një zyrtar i Mariupol tha se çdo sulm i tillë mbeti i pakonfirmuar.
Në fjalimin e tij të natës të hënën, presidenti Volodymyr Zelensky tha se Rusia mund të përgatitet të përshkallëzojë sulmet në qytetin e rrethuar juglindor.
"Sot pushtuesit lëshuan një deklaratë të re, e cila tregon se ata po përgatisin një fazë të re terrori kundër Ukrainës dhe mbrojtësve tanë. Një nga zëdhënësit e pushtuesit tha se ata mund të përdorin armë kimike kundër mbrojtësve të Mariupolit. Ne duhet t'a marrim këtë sa më seriozisht të jetë e mundur”, tha Zelensky.
Petro Andryushchenko, këshilltar i kryebashkiakut të Mariupolit, postoi në Telegram pak para Zelenskyt se informacioni për një sulm të mundshëm kimik "ende nuk është konfirmuar", duke shtuar "detaje dhe sqarime më vonë".
“Në çdo rast, njoftimi për përdorimin e armëve kimike i bërë nga pushtuesi nuk është aq i thjeshtë”, tha Andryushchenko. "Ka mundësi që shkarkimi i një kimikati të panjohur të jetë një provë për reagimin në përgjithësi. Një skenar. Por ne presim informacion zyrtar nga ushtria."
Britania e Madhe heton: Gjithashtu të hënën, Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss postoi në Twitter se ajo po punonte "urgjentisht me partnerët" për të hetuar raportet për një sulm të mundshëm kimik në Mariupol.
“Raportet thonë se forcat ruse mund të kenë përdorur agjentë kimikë në një sulm ndaj popullit të Mariupolit. Ne po punojmë urgjentisht me partnerët për të verifikuar detajet. Çdo përdorim i armëve të tilla do të ishte një përshkallëzim i pashpirt në këtë konflikt dhe ne do t'i kërkojmë llogari Putinit dhe regjimit të tij", shkroi Truss.
Sirenat e alarmit të sulmit ajror filluan të bien sërish në orën 2.40 me orën lokale (1.40 në Shqipëri), në rajonet ukrainase të Kievit dhe Kharkiv. Alarmi u dha gjithashtu në jug të vendit, në rajonin e Mykolaiv. Më parë, rreth orës 2, alarmet prekën rajonet e Zaporizhia dhe Dnipropetrovsk.
Pentagoni shpjegoi se është në dijeni të lajmeve në mediat sociale që thonë se forcat ruse kanë vendosur një armë të mundshme kimike në Mariupol, por "ne nuk jemi në gjendje t'i konfirmojmë ato, ne do të vazhdojmë t'i monitorojmë situatat", tha zëdhënësi John Kirby.
“Këto raporte, nëse janë të vërteta, janë thellësisht shqetësuese dhe pasqyrojnë frikën që kemi pasur për potencialin e Rusisë për të përdorur gaz lotsjellës të përzier me kimikate në Ukrainë”, shtoi ai.
Zyrtarët ukrainas pretendojnë se kanë shkatërruar një depo armësh ruse në Novoaidar, rajoni Luhansk.
CNN ka gjetur një video dhe imazhe të shpërndara në mediat sociale që duket se tregojnë pasojat e atij sulmi.
Të hënën, Serhii Haidai, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Luhanskut, tha në një postim në Facebook se forcat ukrainase kishin shkatërruar një "depo municioni" ruse pranë një vendbanimi rus në Luhansk.
Në një video të shpërndarë nga media shtetërore ruse RIA Novosti, oficeri i Milicisë Popullore të Republikës Popullore të Luhanskut (LPR), Roman Ivanov tha se sulmet ukrainase në Novoaidar shkatërruan "më shumë se 20 shtëpi, së bashku me një magazinë të mbushur me plehra kimikë".
Haidai mohoi pretendimet ruse se ukrainasit kishin në shënjestër ndërtesat e banimit.
Predha dhe raketa të djegura shihen të shpërndara në të gjithë tokën në video dhe imazhe, dhe një dyqan pajisjesh bujqësore dallohet në distancë.
"India duhet të marrë vendimet e saj lidhur me "pushtimin rus të Ukrainës dhe është e rëndësishme që të gjitha vendet të bëjnë presion mbi Putinin për t'i dhënë fund luftës".
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, e tha këtë në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar në Uashington pas takimit virtual mes presidentit amerikan Joe Biden dhe kryeministrit indian Narendra Modi.
India vazhdoi të blinte naftë nga Rusia dhe gjithmonë abstenoi në votat e OKB-së kundër Moskës.
"Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një sulm ndaj popullit ukrainas. Është gjithashtu një sulm ndaj atij rendi të bazuar në rregulla që ne i përmbahemi dhe mbrojmë," tha Blinken.
"Ata do të vazhdojnë të rrisin mbështetjen e tyre për qeverinë dhe popullin ukrainas dhe do t'u bëjnë thirrje kombeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë, ashtu siç u kërkojmë të gjitha kombeve të dënojnë veprimet gjithnjë e më brutale të Moskës," shtoi më tej ai.
Sekretari amerikan i shtetit theksoi gjithashtu se pushtimi i Ukrainës "është në kontrast të plotë me vizionin që SHBA dhe India ndajnë për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur".
Rusia po e gjen veten gjithnjë e më të shmangur nga komuniteti ndërkombëtar, thotë presidenti ukrainas Volodymr Zelensky në fjalimin e tij të natës në Facebook, duke shtuar se "pushtimi e bën Rusinë gjithnjë e më toksike çdo ditë".
Ai vazhdon të paralajmërojë se "dhjetëra, nëse jo qindra mijëra" municione të rrezikshme janë lënë pas nga Rusia në tërheqjen e tyre.
"Okupatorët lanë mina gjithandej. Në shtëpitë që kapën. Në rrugë, në fusha. Ata minuan pronat e njerëzve, minuan makinat, dyert", thotë ai.
Ai paralajmëroi për raportet se Rusia mund të planifikojë të vendosë armë kimike në Ukrainë, duke shtuar se ata po i marrin këto shqetësime "sa më seriozisht të jetë e mundur" dhe u bëjnë thirrje ukrainasve të forcojnë vendosmërinë e tyre.
"Detyra kryesore si sot ashtu edhe çdo ditë në këtë kohë janë masat konkrete mbrojtëse," u thotë ai qytetarëve ukrainas.
Ai thotë se trupat e Ukrainës janë "më të guximshme" se forcat ruse dhe "po i mundin pushtuesit me mençuri dhe taktika të menduara mirë".
Por ai thotë se Ukraina është ende e varur nga partnerët e saj ndërkombëtarë për armë dhe nuk ka pajisjet që i nevojiten "në veçanti, për të zhbllokuar Mariupolin".
Në Mariupol, rusët përdorën "një substancë të panjohur" kundër ushtarakëve dhe civilëve, denoncoi presidentja e komisionit parlamentar për integrimin e Ukrainës në BE, Ivanna Klympush, shkruan La Repubblica.
Politikania ukrainase shtoi se Rusia "me shumë gjasa" ka përdorur "armë kimike" toksike dhe se civilët po përjetojnë probleme të mëdha të frymëmarrjes. Sipas batalionit Azov, në Telegram, substanca helmuese u lëshua nga një dron.
Pas një hetimi të plotë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Francës njoftoi se Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Brendshme (DGSI) zbuloi të dielën më 10 prill një operacion klandestin të kryer nga shërbimet e inteligjencës ruse në territorin e tyre.
Gjashtë agjentë rusë që vepronin nën mbulesë diplomatike dhe aktivitetet e të cilëve rezultuan në kundërshtim me interesat kombëtare janë shpallur persona non grata.
Në mungesë të ambasadorit rus, numri dy është thirrur për t'u informuar për këtë vendim.
Jan Gebert përfaqëson një nga vullnetarët e shumtë hebrenj në Varshavë, Poloni, që ndihmon refugjatët ukrainas që mbërrijnë në vend.
Gebert ka hapur apartamentin e tij me një dhomë gjumi për të pritur refugjatët. Që nga fillimi i luftës, ai ka pritur tre familje.
"Unë thjesht ndjeva se ishte një pjesë e imja dhe nuk e di nëse është besim apo traditë, është vetëm pjesë e imja. Duhet ta bëj," i tha ai Kyung Lah të CNN.
Gebert jeton jo shumë larg nga vendi ku jetonin stërgjyshërit e tij hebrenj përpara Holokaustit. Stërgjyshja e tij u nda nga burri dhe fëmijët gjatë luftës. Ajo u ekzekutua nga nazistët në kampin e vdekjes në Treblinka. Stërgjyshi i Gebertit ishte strehuar nga një familje jo-hebreje.
Shtëpia e tij familjare tani shërben si një strehë për refugjatët.
"Ne jemi gjallë sepse dikush na ka ndihmuar. Dhe falë kësaj unë mund të ndihmoj njerëzit e tjerë," tha Gerbet.
Lah raporton se komuniteti hebre në Varshavë është "zhytur" për të ndihmuar me krizën humanitare të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, duke ofruar gjithçka nga kujdesi për fëmijët, strehimi e deri te këshillimi.
Më shumë se 4.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga 24 shkurti, sipas të dhënave nga OKB.
Aleanca ushtarake e NATO-s mund të zgjerohet së shpejti, me Finlandën dhe Suedinë që pritet të aplikojnë për anëtarësim, shkruan BBC.
Zyrtarët amerikanë presin që të dy vendet nordike të shkojnë për anëtarësim që në qershor.
Nëse ata do të anëtarësoheshin, aleanca e NATO-s do të bëhej me 32 anëtarë.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë thënë se pushtimi i Ukrainës nga Moska ka qenë një "gabim masiv strategjik" që ka të ngjarë të nxisë zgjerimin e NATO-s.
Gjermania, Holanda dhe Suedia kanë thënë se po i japin 2.5 milionë euro Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për të ndihmuar hetimin e saj mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm holandez Wopke Hoekstra, qeveria e të cilit dha një milion euro, tha se ishte pikëpamja e Bashkimit Evropian që gjykata ishte vendi më i mirë për të sjellë para drejtësisë autorët e dyshuar, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Kryeprokurori i ICC-së Karim Khan njoftoi se do të fillonte një hetim në fillim të marsit.
Që atëherë, ka pasur mizori të shumta të zbuluara, duke përfshirë zbulimin e varrezave masive në qytetin e Bucha dhe një sulm në një stacion hekurudhor në qytetin lindor të Kramatorsk që la dhjetëra civilë të vdekur.
Rastet e raportuara të dhunës seksuale në Ukrainë po rriten, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së jordanezja Sima Bahous, drejtoresha ekzekutive e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për gratë (UN Women).
“Kjo luftë duhet të përfundojë. Ne dëgjojmë gjithnjë e më shumë për përdhunimin dhe dhunën seksuale. Këto janë akuza që duhet të hetohen në mënyrë të pavarur për të garantuar drejtësinë”, tha Bahous, e cila së fundmi vizitoi rajonin.
"Ne shohim një sërë shenjash paralajmëruese për shkak të kombinimit të zhvendosjeve masive të refugjatëve të brendshëm dhe një prani të madhe të rekrutëve dhe mercenarëve, shoqëruar me brutalitetin kundër civilëve ukrainas," shtoi ajo.
Kateryna Cherepakha, presidente e organizatës për të drejtat e njeriut La Strada-Ukraine, raportoi për nëntë raste të përdhunimeve nga ushtarë rusë mbi 12 gra dhe vajza.
"Është vetëm maja e ajsbergut," i tha Këshillit, shkruan Corriere.
“Ne e dimë dhe shohim se përdhunimi përdoret si armë lufte nga rusët në pushtimin e Ukrainës”, shtoi më tej.
Javën e kaluar Kombet e Bashkuara njoftuan një hetim mbi akuzat për përdhunim nga ushtarët rusë, duke përfshirë përdhunimin në grup dhe dhunën para fëmijëve, por gjithashtu një hetim mbi akuzat për dhunë seksuale nga milicitë e mbrojtjes civile ukrainase dhe forcat e armatosura ukrainase.
Guvernatori i rajonit të Kharkiv, Oleh Synehubov, raportoi se një fëmijë 13-vjeçar ishte në mesin e 8 të vdekurve dhe 19 persona të tjerë janë plagosur. Forcat ruse përdorën mina me veprim të vonuar në qytet dhe po punohet për t'i çaktivizuar ato. Minat u gjetën të shpërndara nëpër rezidenca civile dhe kënde lojërash, shkruan The Kyiv Independent.
Ukraina u bën thirrje vendeve aleate të konfiskojnë dhe më pas të shesin pronat ruse jashtë vendit, në mënyrë që të ardhurat të përdoren për të paguar për rindërtimin e qyteteve dhe infrastrukturës së shkatërruar, shkruan La Repubblica.
Oleg Ustenko, këshilltari kryesor ekonomik i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, shpjegoi për agjencinë Bloomberg se negociatat janë duke u zhvilluar me vende të ndryshme për sekuestrimin dhe shitjen e aseteve.
Ustenko, i cili po fliste në telefon, nuk donte të identifikonte vendet që ai dhe ekipi i tij kanë përfshirë, por siguroi se disa qeveri aleate po përgatisin një "sulm në shkallë të plotë ndaj të gjitha aseteve kryesore" të rusëve jashtë vendit.
Ukraina ka pësuar më shumë se 1 trilion dollarë dëme që nga fillimi i pushtimit.
Iryna Venediktova, prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, diskutoi hetimin nga zyra e saj për krimet e luftës në Ukrainë gjatë një interviste për CNN të hënën. Venediktova tha se ata aktualisht janë duke ndërtuar "më shumë se 5,800 raste", të cilat nuk përfshijnë as incidente që ndodhin në vendet që janë aktualisht nën kontrollin rus, përfshirë Mariupolin.
Venediktova tha se ka bërë vizita të shumta në periferi të Kievit, Bucha, ku janë vëzhguar imazhe të varreve masive. Prokurorja e përgjithshme tha se planifikon të shkojë sërish në Bucha nesër.
"Ne ende jemi duke zhvarrosur trupat e vdekur nga varreza masive. Në fakt, ajo që shohim tani, janë shumë krime lufte, në fakt, nuk janë vetëm krime lufte. Tani mund të themi shumë krime kundër njerëzimi”, tha ajo.
Venediktova u pyet në CNN në lidhje me raportin e zyrës së saj më herët sot se 183 fëmijë ishin vrarë dhe 342 ishin plagosur që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Nga 11 prilli 2022, sipas të dhënave zyrtare nga prokurorët për të mitur, më shumë se 525 fëmijë mbetën të vrarë në Ukrainë si pasojë e pushtimit të armatosur të vendit tonë nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratën e prokurorit të përgjithshëm. "183 fëmijë vdiqën dhe më shumë se 342 u plagosën. Këto shifra nuk janë përfundimtare, pasi po punohet në vendet e armiqësive aktive në territoret e pushtuara dhe të çliruara përkohësisht."
Për sa i përket shifrave, Venediktova i përshkroi ato si "jo korrekte" sepse nuk llogariten për të vdekurit në vende si Mariupol që janë të pushtuara nga rusët.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se "dhjetëra mijëra" njerëz ishin vrarë në qytetin e rrethuar të Mariupol, një shifër që nuk mund të verifikohej menjëherë.
E pyetur për ndjekjet e mundshme të krimeve të luftës, Venediktova tha se ata "duan t'i ndjekin penalisht këta kriminelë lufte në gjykatat tona ukrainase, të emërtuara nga Ukraina".
“Por, sigurisht, për ne është korsi e gjykatës penale ndërkombëtare”, shtoi ajo.
Venediktova tha se ata aktualisht kanë më shumë se 500 të dyshuar, duke përfshirë oficerë të lartë ushtarakë dhe agjentë të lartë të propagandës ruse.
Kryeministri italian Mario Draghi njoftoi të hënën një marrëveshje fillestare për të rritur importet e energjisë nga Algjeria pas një takimi me presidentin e vendit Abdelmadjid Tebboune në Algjer.
“Qeveritë tona kanë nënshkruar një deklaratë synimi për bashkëpunimin dypalësh në sektorin e energjisë”, tha Draghi gjatë një konference për shtyp, shkruan CNN.
“Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës njoftova se Italia do të vepronte me shpejtësi për të reduktuar nevojën për gaz rus. Marrëveshja e sotme është një përgjigje e rëndësishme ndaj këtij qëllimi strategjik”, shtoi ai.
Përveç kësaj, Draghi tha se një marrëveshje u nënshkrua midis kompanisë italiane të energjisë Eni dhe kompanisë shtetërore shtetërore të energjisë algjeriane për të zbatuar eksportin e gazit natyror në Itali.
Italia importon rreth 40% të konsumit të saj total të gazit nga Rusia, sipas Reuters.
Nuk po e kuptojme si NATO. gjithe kjo superfuqi nuk qenka e afte te beje zap paranojakun e Moskes qe po trazon jo vetem Ukrainen por nje bote te tere?
Përgjigju