Në Report Tv u transmetua emisioni i radhës i ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca, me temë 'Lufta dhe paqja'.
Lufta, vërente në vitin 1832 Carl von Clausewitz është një akt force që ka si qëllim të shtërngojë kundërshtarin t’i nënshtrohet vullnetit tonë. Në ‘700 dhe në fillimet e ‘800 diskutohej nëse lufta është art apo shkencë, për të shkruheshin traktate dhe manuale pa fund, ndërsa paqa më së shumti kuptohej si mungesë e luftës.
Lufta moderne i ka rrënjët tek pafuqia e politikës, por lufta në vetvete është një konstante e historisë së njerëzimit që është mësuar që nëpërmjet saj të afirmojë të drejtën.
Megjithatë duke nisur nga shek. XVII-XVIII nisë të ekzistojë në Europë një vizion filozofik që e trajton luftën si një të keqe jo të domosdoshme. Kjo do të thotë se ekziston gjithmonë mundësia që lufta të mënjanohet si zgjidhje e problemeve. Ka shumë autorë të shek. XVIII që reflektojnë rreth luftës dhe paqes, ndër ta përmendim Abatin Saint-Pierre, Rousseau, Kant, Fichte etj., të cilët përpiqen të gjejnë mekanizma institucionalë dhe ide politike për të mbrojtur paqen. Ndër zgjidhjet më të pranueshme në këtë drejtim është ajo e krijimit të një konfederate popujsh që ta përdorin paqen si mjet për zhvillimin e ekonomisë dhe mbrojtjen nga armiqtë e jashtëm. Me Abatin Saint-Pierre lind idea e krijimit të bashkimi europian që ta konsiderojë paqen si një gjendje të përhershme dhe t’i trajtojë armiqtë e paqes si armiq të konfederatës, duke krijuar kështu edhe garancitë dhe kushtet reale për mbrojtjen e paqes. Një nga këto kushte është edhe ekuilibri i forcave brenda unionit dhe forca e bashkimit kundër çdo kërcënimi të jashtëm të paqës.
Idea që nisë të ngulitet në mendjet e ndritura të disa monarkëve të kohës është se çdo territor i marrë me forcë gjatë një lufte do t’i kthehet përsëri atij që i përket sapo të mbarojë konflikti.
Prej këtej lind nevoja edhe e përçansimit të paqës si diçka që duhet të dëshirohet prej të gjithëve dhe si diçka premtuese për të gjithë.
Paqa lakohet së bashku me drejtësinë, vetëm një paqë e drejtë është paqë e vërtetë, përndryshe është vetëm një armëpushim i detyruar prej rrethanave. Kjo bën që paqa të konsiderohet si një kusht i domosdoshëm për çdo progres të mëtejshëm të shoqërisë. Fakti që edhe lufta sjell progres nuk është një provë në favor të saj, pse edhe një trup i sëmurë për vdekje ushqehet dhe mund të rritet por fati i tij mbetet i shënuar dhe kolapsi përfundimtar është vetëm çështje kohe.
Në rastin e paqës vlen parimi i gradualitetit, drejt saj shkohet vetëm duke pasur vullnet të mirë dhe gradualisht, pse paqa nuk është një rrugëdalje kur agresioni nuk jep fryte, por është e mira e të gjithëve.
Lufta prodhon viktima edhe ndër fitimtarët, kjo gjë ka ndodhur gjithmonë. Jo vetëm Abeli është viktimë, edhe Kaini është i tillë.
Por për të vendosur paqën nuk mjafton arsyeja, duhet së pari zemra, prandaj shkaktarët e luftës zakonisht janë njerëz pa zemër.