Mjaftoi që “vajza e shkurorëzuar e një tradhtari” t’i shkruante udhëheqësit se “unë, shoku Enver, nuk kam njeri tjetër veç Partisë dhe juve”, – që të prishej një vendim gjykate që i hiqte foshnjën 11-muajshe. Po zbardhim nga arkivat një dokument të një periudhë delikate të regjimit komunist, në vitin 1975, pas eliminimit të atyre që u quajtën grupe armiqësore në ushtri, ekonomi dhe kulturë. Ashpërsimi i luftës së klasave u kthye në bumerang, pasi struktura të tëra të partisë dhe shtetit po e skajonin situatën deri në absurd, gjë që rrezikonte vetë pushtetin e Enver Hoxhës. “Një anëtare partie që është gjini me një armik, më shkruante se nuk i flet njeri, nuk i japin shtëpi dhe ka mbetur rrugëve. “Vete te xhaxhai, – vinte në dukje ajo, – por edhe ai më thotë: “Vajzë, unë mund të të pranoj në shtëpi, vetëm po të më porositë ndonjë udhëheqës!!” Nuk janë të drejta këto qëndrime braktisëse ndaj njerëzve të pafajshëm, vetëm pse ata janë farefis me armiqtë”, – tregon i nervozuar udhëheqësi .
Bie në sy se rastet e çështjeve civile në gjykata dhe spastrimet në administratë, çuditërisht, ngjasojnë me ato në periudhën paskomuniste.
SQARIME
“Populli pret sqarime tash që armiqtë u dënuan”, – kështu diskutonte i shqetësuar Enver Hoxha, më 7 nëntor 1975, në takimin ditor të sekretarëve të KQ të PPSH. Shefi i regjimit komunist, pasi tha se “armiqtë u qëruan” (fjala ishte për likuidimin e B. Ballukut, P. Dumes, H. Çako, A. Këllezit e K. Theodhosit), është në hall dhe u kërkon vartësve të tij në majën e piramidës partiake, të bënin “një punë e madhe sqaruese brenda vendit”. Kjo dhe për faktin se situata ekonomike brenda vendit po vështirësohej, për shkak të braktisjes që po i bënte Pekini Tiranës. Nga ana tjetër, kishte trysni politike nga fqinjët.
Armiqtë e likuiduar po e “kërcënonin” nga varri dhe burgjet për shkak të mbështetjes nga brenda. Por, më shumë, për shkak të lidhjeve me kinezët, që, pas prishjes me sovjetikët, ndihmuan në përmirësimin e dukshëm të ekonomisë, për rrjedhim, edhe të mirëqenies, duke siguruar stabilitet të brendshëm.
LISTAT
Duke parë se situata mund t’i dilte nga duart, kreu i Tiranës filloi një fushatë për kompaktësimin e popullit, duke këshilluar të hiqej dorë nga politikat e ashpra të luftës së klasave. Në këtë atmosferë duhen parë disa lëvizje për “humanizimin” e sistemit, që edhe rrethi familjar i kundërshtarëve të regjimit të ndiente “dorën e ngrohtë” të PPSH-së. Në prononcimet në forume të partisë apo në ish-“Presidiumin e Kuvendit Popullor”, Enver Hoxha përshkruan disa ngjarje vërtet tronditëse, me ngjashmëri me të sotmen: “Ne kemi informata që në ndonjë rreth, po përgatiten lista me emra njerëzish, të cilët mendojnë t’i pushojnë nga punët që kryejnë, si “të papërshtatshëm”. Dhe “për të argumentuar” këtë qëndrim, fillojnë nga origjina e gjyshit e stërgjyshit dhe dalin tek ata, që kanë një aktivitet shoqëror e politik shumë të mirë”.
GJIRI I MËMËS
Por është më i ndjeshëm ndaj femrave a vajzave. “Para disa ditësh, vajza e shkurorëzuar e një tradhtari më shkruante se e kishte dënuar babanë, se ajo është me Partinë etj. Ish-bashkëshorti e kishte paditur në gjykatë për shkurorëzim dhe gjykata, pasi i ndau, ia merr nga gjiri mëmës vajzën e vogël 11-muajshe dhe ia jep babait, i cili do të martohet nesër dhe nuk do të ketë mundësi ta rritë fëmijën si mëma, që është zor të martohet më, sepse atë, si xhins i tradhtarit, nuk e merr njeri për grua”. Prandaj, Enver Hoxha thotë para “Këshillit të Lartë të Drejtësisë” të kohës, sikurse ishte “Presidiumi i Kuvendit Popullor” se u kishte rekomanduar “organeve përkatëse ta rishikonin vendimin e gjykatës, sipas procedurës së caktuar nga ligji, sepse ligjet e shtetit tonë, që përshkohen thellësisht dhe tërësisht nga fryma e humanizmit socialist, nuk e lejojnë heqjen e fëmijës së vogël nga gjiri i një mëme, që nuk është dënuar penalisht për ndonjë krim, që nuk i është hequr e drejta prindërore, që nuk vuan nga ndonjë sëmundje infektive etj.”.
HISTORI ME MBRET
Ndërkaq, lideri komunist bën “ekskursione” në histori lidhur me prokurën në lidhjen dhe zgjidhjen e martesës: “Në kohën e mbretërve të Francës ka ndodhur që, kur deshi të martohej Luigji i 16-të me Mari Antuanetën, Luigji i 15-të dërgoi në Austri kontin e Gramonit të pajisur me prokurë dhe Mari Antuaneta, pasi hyri në Francë, u prit në një katedrale, ku u bë ceremonia e martesës së saj me Luigjin e 16-të”. Enver Hoxha përmend një rast të rrallë në praktikën gjyqësore civile në Shqipëri: “Një vajzë më shkruante se babai i vet u përjashtua nga Partia për fajet që kishte kryer. Bashkëshorti i saj, me të cilin ajo kishte lidhur martesën e pakonsumuar, donte ta shkurorëzonte me anën e një përfaqësuesi të pajisur me prokurë të posaçme. Shkurorëzimi me përfaqësues bëhej se i shoqi ndodhej përkohësisht jashtë shtetit e nuk mund të paraqitej në gjykatë para tre muajve. Babai i bashkëshortit të ankueses, nën presionin e opinionit, bëri ç’ishte e mundur që, në bazë të ligjit, të zgjidhej martesa, sa më parë, me anë përfaqësuesi… Kur pyeta nëse e praktikojnë shpesh zgjidhjen e martesës me përfaqësues, më thanë se kjo dispozitë e ligjit zbatohet rrallë. Mirëpo, vajzën që më shkroi letër mua, e shkurorëzuan menjëherë, pa e pezulluar gjykimin për tre muaj, sa të kthehej bashkëshorti paditës”.
Mund të na ngjasin shqetësime të mëdha në popull
Nga diskutimi në mbledhjen e Byrosë Politike, 26 dhjetor 1974
“… Tani, pas asaj që ka ngjarë në ushtri, ka nga ata që ngrihen në organizatat-bazë dhe i thonë këtij apo atij: “Jashtë ti nga Partia!”, por ama nuk guxon njeri t’u thotë: “Po dale, more shokë, pse të dalë ai jashtë nga Partia? Ai vërtet ka të bëjë me këtë ose atë të dënuar, po nuk është i ndërlikuar me atë”. Në qoftë se ngrihet e thotë një fjalë një i afërmi i një armiku, njerëz të tillë sektarë i drejtohen duke i thënë: “Mos je edhe ti me Beqir Ballukun e me Petrit Dumen?”. Qëndrime revolucionare janë këto? Ose një tjetër del dhe njofton se do të ndajë gruan ose kjo burrin. “Po, po, ta ndash”, i thonë. Ta ndajë?! Po të dojë, le ta ndajë, se ne nuk ndërhyjmë në çështje familjare, por që ta nxitë Partia njërin apo tjetrin të ndajë bashkëshortin, këtë ajo s’e bën, sepse, në radhë të parë, ajo ka për qëllim ta shërojë, ta ndreqë fajtorin, prandaj është e udhës t’i themi gruas së tij: “Moj shoqe, ti ke tre-katër fëmijë me të, përpiqu ta bësh njeri atë, sepse ne do t’i japim punë, nuk do ta hedhim në radhët e armikut”…
Të kemi kujdes, shokë, të luftohen qëndrimet sektare, që të mos na krijohen situata të rënda, se pastaj mund të na ngjasin shqetësime të mëdha në masat e popullit.(AFP.al)