Lorenc Vangjeli: Lufta e Tiranës, asgjë nuk është ashtu siç duket: Miq të rremë, aleatë me 'armikun'

Lorenc Vangjeli: Lufta e Tiranës, asgjë nuk është ashtu siç duket: Miq të rremë, aleatë me 'armikun'

Bashkia e Tiranës

Bashkia e Tiranës është fusha kryesore e betejës së ardhshme politike. Ajo është një ndeshje politike, ndonëse kushtetuta e ligji zgjedhor i konsideron ato si zgjedhje administrative e vendore. Nga njëra anë është dyshja Rama e Veliaj, me PS-në në sfond dhe me gjasë edhe dy parti aleate dhe nga ana tjetër, ndodhet çifti i ribashkuar Berisha e Meta, nën siglën e PL-së, PD-së së perçare, Bashën në divorc dhe portretin e kandidatit të përbashkët në sfond. Por kjo është vetëm paraqitja skematike e aktorëve të vënë përballë sepse interesat e bëjnë vijën e frontit si dhëmbë sharre. Aty ku duken armiqësitë më të mëdha, fshihen aleatët më të rëndësishëm. Sepse asgjë nuk është ashtu sic duket dhe si e shohin naivët e shumtë që popullojnë pyllin lozonjar të politikës shqiptare.

Rama është i interesuar për Tiranën sepse një fitore e kandidatit të tij është rikonfirmim për vetë pushtetin e tij qendror. Në kutitë e majit Kryeministri ka vënë në bast me shpatullat e Erionit legjitimitetin moral të zyrës së tij. Vetëm fitorja e atyre zgjedhjeve është vitamina e duhur për të mbajtur në këmbë një ngrehinë që rënkon nga pesha e personazheve pa peshë që rrethojnë kryeministrin. Bashkia e Tiranës do të ishte gardhi perfekt që do të mbronte kryeministrinë dhe vetë pushtetin nga revanshi i një opozite të uritur për fitoren që nuk e ka takuar prej dhjetë vjetësh.

Erion Veliaj nuk ka shans për t’u kthyer pas. Kryetari aktual i bashkisë është një nga qendrat e gravitetit në PS. Ai është nga të paktët personazhe politikë në vend, që është i aftë të polarizojë fort publikun: e duan apo e urrejnë, por nuk le askënd indiferent ndaj vetes dhe projektit të tij të mundshëm të ardhshëm. Pikërisht për shkak të këtij projekti ai ka thithur mbi vete qëndrime kontaverse, por jo të zhurmshme, nga vetë partia e tij. Edhe pse të gjithë do ta donin në krye të bashkisë sa kohë që ky është edhe vullneti i Edi Ramës, edhe pse ai është totalisht luajal e besnik ndaj kryeministrit, janë jo të paktë figurat në PS, që do të donin rrëzimin e tij. Veliaj tremb të nesërmen e disa personazheve të rëndësishëm në partinë e maxhorancës, kryesisht ata që e bëjnë hesapin pa Edi Ramën: çfarë mund të ketë e kush mund të jetë pas hanxhiut socialist? Por ndryshe nga kundërshtarët e tyre, socialistët kanë aftësinë e pabesueshme për të puthur çdo dorë që nuk arrijnë ta kafshojnë. Dhe në mbrëmjen e fitores së bashkisë së Tiranës, të gjithë pa përjashtim, do ta pinë me fund shampanjën e festës.

Përballë tyre është opozita.

Sali Berisha është njeriu që është i gatshëm të shesë edhe shpirtin vetëm që bashkia e Tiranës të bëhet mish elektoral për një parti që nuk po e mbyll dot spiralen e humbjeve të njëpasnjëshme. Atij i duhet Tirana për t’u imponuar në skemën elektorale të vendit dhe për ta imponuar si fitues projektin e tij vetjak politik. Tirana i duhet të prishë rreshtin pritës së militantëve të pafundëm që do të dynden në bashki si në zyrën e punës, por mbi të gjitha, i nevojitet si një bankë në hije që do të mundte të financonte me energji gjithë opozitën e do të shërbente si peshë e rëndë në ekuilibret e vendimmarrjeve publike. Në të kundërt, sipas statutit partiak që ai vetë ka votuar, Berisha duhet t’i nënshtrohet një votëbesimi poshtërues në Këshillin Kombëtar të PD-së si kryetar humbës. Pikërisht aty ku do ta shohë me gjithë mishin e shpirtit të tij edhe paraardhësi i tij Basha: humba unë, humbe dhe ti! Ish-kryetari humbës i PD-së nuk mund të ëndërrojë për momentin fitore më të madhe sesa humbja e Berishës.


Më interesant se kushdo në këtë “thriller” politik, ku asgjë nuk është ashtu siç duket, është qëndrimi i Ilir Metës. Në pamje të parë, Meta është llogaria më gjakftohtë dhe pragmatiste për majin e ardhshëm. Pavarësisht asaj që firmoset solemnisht, Meta është i vetmi politikan që i konsideron këto zgjedhje si administrative dhe jo politike. Sepse këto nuk janë zgjedhjet e tij. Meta do të ishte aksioner i rëndësishëm në rast fitoreje, por do të ndjehej shumë pak humbës në rast humbjeje. Duke refuzuar të hyjë në garë për cilëndo bashki e duke premtuar mbështetje vetëm për kandidatët e PD-së, Meta do të luajë fort për votën proporcionale, votën që çon njerëz në këshillat bashkiakë. Pikërisht ata që do të jenë bërthama për rindërtimin e partisë së tij për zgjedhjet e 2025-ës.

Ndaj, në mënyrën më paradoksale të mundshme, shënjeshtër reale e tij në këtë ndeshje nuk është njeriu ndaj të cilit përbetohet për armiqësi të përjetshme, Edi Rama, por vetë miku më i ngushtë politik që ka rigjetur nën kostumin e armikut të vjetër, Sali Berisha. Ish-presidenti po luan për të nesërmen. Ai kërkon të marrë lidershipin e opozitës. Dhe ai bunker nga i cili mund të sulmohet zyra e kryeministrit, pronësohet vetëm nëpërmjet humbjes së Berishës. Vetë Berisha, në të gjithë skenarët e mundshëm postvetes së tij, nuk sheh askënd më të përshtatshëm se Meta për ta pasuar dhe për të çuar në stacionin final armiqësinë e tij me Edi Ramën. Eksperimenti i mundshëm me fanelën e Shtëpisë së Lirisë, është një tranzicion i mjaftueshëm dhe për vetë Berishën për të trashëguar tek Meta atë që krijoi për herë të dytë.

Kandidatët e mundshëm opozitarë, Këlliçi, Alimehmeti e Bogdani të cilët do të hyjnë në primare, e kanë të qartë që votimi i tyre që fillon në javën e parë të dhjetorit tashmë ka mbaruar dhe pritet vetëm shpallja formale e rezultatit sepse votat janë numëruar. Dy votat e vetme që vlenin, ajo e Berishës si votë vendimtare dhe e Metës si votë konsultative e domosdoshme, janë hedhur prej ditësh në kuti dhe nuk ka asnjë të papritur që mund të ndryshojë rezultatin. Njëlloj siç është e pandryshueshme edhe ideja se humbësit në shfaqjen e quajtur garë, do të votonin me qejf Erion Veliajn, kryesisht për shkak të inatit të shëndetshëm ballkanik që vizaton portretin e mikut tek armiku i armikut.

“Loja ka mbaruar”, do të thonë edhe nja dy dyzina me faktorë të tjerë elektorale që kanë të lidhura me Tiranën projektet e biznesit të tyre, kryesisht në industrinë e ndërtimit. Secili nga ta, edhe në rastin kur do të hedhë qindarka investimi për kandidatin e opozitës, është i bindur se në planbisnesin e tyre vlen më shumë dikush që e njohin sesa të kuturisen në një eksperiment të ri përtej Veliajt. Duke ditur se atëherë do të duhej t’i bënin llogaritë jo me kryetarin e ri të bashkisë, por me Berishën dhe Metën bashkë, për të cilët, as së bashku nuk kanë para të mjaftueshme për t’u riblerë dashurinë. Sepse urrejtja nuk ka çmim!

 

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion