Lufta e uniformave blu
ndaj krimit në një muaj

TIRANE- Në një njoftim të djeshëm Ministria e Brendshme publikoi me detaje aktivitetin e Policisë së Shtetit për periudhën 17 tetor-17nëntor 2013‏.

Ajo që spikaste ishte kapja e sasive të mëdha të marijuanës, ndërsa përmenden si risi operacionet e prishjes së ndërtimeve pa lejë, ai për heqjen nga tregu të lojërave të fatit, etj. Në raport gjithashtu thuhet se janë zbuluar 97 për qind e krimeve kundër personit, janë kapur 3.7 ton marijuanë, 204 persona në kërkim janë arrestuar, 60 persona janë proceduar për korrupsion dhe 158 të tjerë janë arrestuar për shkelje në fushën e qarkullimit rrugor.

Ndërkaq, 312 lekë është kostoja mujore e shërbimeve policore për çdo qytetar shqiptar. Si prioritete të punës janë përmendur ndërtimet abuzive, ku policia ka evidentuar 189 vepra penale, me 192 autorë të proceduar penalisht. Ndërkaq, ditën e djeshme, Policia italiane e quajti “Ishte momenti”, operacionin në Salerno, ku u bllokuan 315 shtëpi pa lejë, me vlerë 45 milionë euro, ku si shembull është marrë qeveria e re shqiptare, me aksionet e saj. Për prerjen e paligjshme të pyjeve janë evidentuar 41 vepra penale me 44 autorë të proceduar. Sakaq, operacionet më të rëndësishme të këtij muaji konsiderohet ai i “Fund marrëzisë”, “Mërkuri i bardhë”, për goditjen e aktivitetit të tregtimit, prodhimit dhe mbajtjes së mallrave të falsifikuara, “Mirage 2013”, për parandalimin dhe goditjen e kontrabandimit të imigrantëve të paligjshëm nga vendet e Lindjes së Mesme dhe e Largët, “Pjesët” dhe “Lease car”, për goditjen e trafikut të armëve e municioneve, si dhe trafikut të mjeteve.

Më tej janë kryer 7 operacione antikorrupsion, 18 operacione kundër narkotikëve, kapja e 20 personave në kërkim ndërkombëtar për trafiqe, pjesëmarrje në organizata kriminale etj. Ndërkaq, si prioritet, qeveria e re dhe më konkretisht, Policia e Shtetit, ka pasur goditjen e aktivitetit të paligjshëm të shfrytëzimit të kromit, ku dhjetra subjekte janë verifikuar, pasi kanë pasur mungesa në dokumentacionet shoqëruese të mallrave që shkonin për në Portin e Durrësit. Shtimi i masave ndaj dhunës në familje është një tjetër risi tepër pozitive e kësaj policie, e cila ka arritur që të ndjekë penalisht autorët, apo t’i prangosë ata, duke ulur kështu këtë fenomen. Në butelinin e Ministrisë së Brendshme thuhet se “Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 12 vrasje.

Në sajë të punës hetimore të kryer është bërë e mundur zbardhja e 9 prej tyre, ndërkohë vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e 3 vrasjeve të tjera. Autorë të këtyre vrasje janë evidentuar 12 persona, 8  prej të cilëve janë arrestuar nga strukturat e policisë, ndërkohë 4 prej tyre janë shpallur në kërkim.”. Ndërkaq, nga Kosova kanë hyrë 42.982 njerëz, nga Maqedonia 29.905, nga Greqia 27.709, nga Mali i Zi 18.280, nga Italia 12.505, nga Turqia 5.369, nga Anglia 4.455, nga SHBA 3.175, etj.

Vlerësime të kryepolicit
Në mesazhin e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi tha se “Dhuna në familje është një fenomen mjaft i përhapur dhe pak i denoncuar. Me gjithë rritjen e numrit të denoncimeve vitet e fundit, ajo sërish përbën një problem serioz të shkeljes së të drejtave të njeriut, e prirur nga një seri sjelljesh abuzive apo kërcënuese të udhëhequr nga nevoja për pushtet dhe kontroll, nga dëshira për të sunduar dikë, për ta pasur atë në dorë.
Denonconi dhunën në njësinë policore më të afërt. Këtë veprim mund ta kryeni ju, ose një i afërmi juaj nëpërmjet një telefonate në numrin 129, ose duke u drejtuar drejtpërsëdrejti në njësinë policore. Kërkesa juaj për mbrojtje është e mbështetur në ligj, i cili parashikon masa mbrojtjeje që lëshohen nga gjykata”
 
 Shkrimi u publikua sot (26.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve