Donald Trump thotë se “Presidenti i ri i regjimit të Iranit” u ka kërkuar SHBA-ve një armëpushim.
Në një deklaratë në Truth Social, ai nuk përmend me emër për kë bëhet fjalë, por e përshkruan si “shumë më pak të radikalizuar dhe shumë më inteligjent se paraardhësit e tij”.
“Do ta shqyrtojmë kur Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur, e lirë dhe e pastër. Deri atëherë, po e godasim Iranin deri në zhdukje ose, siç thonë ata, duke e kthyer në Epokën e Gurit!”, shkroi Trump.
Më herët, presidenti amerikan përsëriti indinjatën ndaj NATO-s duke thënë se “po shqyrton seriozisht” tërheqjen e SHBA-ve nga aleanca.
"Unë kurrë nuk jam ndikuar nga NATO. Gjithmonë e kam ditur që ata ishin një tigër prej letre, edhe Putini e di, meqë ra fjala”, u shpreh ai për Telegraph.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të presë një takim me dhjetëra vende këtë javë për të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian është shprehur se Teherani ka “vullnetin e duhur” për t’i dhënë fund luftës, me kusht që armiqtë e tij të garantojnë se ajo nuk do të shpërthejë përsëri.
25 të plagosur është bilanci i sulmeve që Irani kreu në Izrael gjatë natës, kryesisht drejt Jeruzalemit dhe Tel Avivit. Mediat lokale raportojnë se mes tyre ndodhen dy fëmijë të cilat ndodhen në gjendje të rëndë.
Irani sulmoi në Katar dhe aeroportin kombëtar në Kuvajt me raketa balistike dhe dronë, duke goditur cisterna nafte.
Në Teheran Izraeli zhvilloi operacione të forta në të paktën 4 vendodhje. Raportohet se janë sulmuar ato që cilësohen infrastruktura të regjimit terrorist. IDF raportoi se ka bombarduar një fabrikë faramceutike e cila pretendohet se prodhonte edhe lëndë kimike për armë.
Ndërkohë, në Liban të paktën shtatë persona janë vrarë dhe 26 të tjerë janë plagosur.
Komanda qendrore amerikane shpërndau pamje të operacioneve të saj luftarake duke treguar municione që shpërthejnë. Municionet u lëshuan në mënyrë precize mbi objektiva ushtarake nëntokësore thellë në Iran për të dobësuar më tej aftësinë e regjimit Iranian thotë ushtria e SHBA-ve, pa specifikuar vendodhjen dhe kohën e tyre.
Lajmi në përditësim...

Foto nga Teherani
Ushtria izraelite ka "nisur një valë të re sulmesh kundër dhjetëra objektivave të regjimit iranian në zemër të Teheranit", ndërsa, njëkohësisht, "Forcat Ajrore Izraelite po punojnë për të kapur kërcënimet në të gjitha frontet", njoftoi zëdhënësja e IDF në një deklaratë.
Zëdhënësja e ushtrisë Effie Defrin tha gjithashtu se "Forcat e Mbrojtjes së Izraelit janë të gatshme të mbrohen dhe të sulmojnë, nga ajri, deti dhe toka, të vendosur për të mbrojtur qytearët.
Gjatë orëve të fundit, sirenat kanë rënë disa herë në Izraelin qendror për shkak të lëshimeve të raketave nga Irani, me intensitet të shtuar krahasuar me ditët e fundit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi një bisedë telefonike me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.
Lajmin e bëri të ditur gazetari i Axios, Barak Ravid, i cili tha se të dy udhëheqësit diskutuan mbi luftën me Iranin dhe se Mohammed bin Salman u informua mbi bisedimet për një armëpushim të mundshëm.

Zëvendësministrja franceze e Ushtrisë, Alice Rufo, deklaroi se NATO nuk është projektuar për të kryer operacione në Ngushticën e Hormuzit.
"Është një aleancë ushtarake që merret me sigurinë e rajonit euroatlantik. Nuk është projektuar për të kryer operacione në Ngushticën e Hormuzit", tha ajo, duke shtuar se një veprim i tillë mund të shkelë të drejtën ndërkombëtare.
Deklaratat e saj erdhën pas kritikave të ashpra të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj shteteve të NATO-s dhe veçanërisht Francës, për të cilat tha se nuk ndihmuan SHBA-në në luftën kundër Iranit.

Foto: Një anije duke kaluar në Ngushticën e Hormuzit
Në Iran, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) thonë se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur për "armiqtë e këtij kombi".
Përmes një deklarate IRGC thotë se ngushtica është "në mënyrë të vendosur dhe dominuese" nën kontrollin e forcave detare të korpusit.

Autoritetet iraniane paralajmëruan Bullgarinë, një vend anëtar të NATO-s, që të mos i lejojë SHBA-të të përdorin aeroportet e saj për aeroplanët që marrin pjesë në operacione ushtarake në Iran, tha të mërkurën ministria e jashtme.
Ndërkohë Stanislav Balabanov, një deputet i partisë, tregoi një shënim të 18 marsit në të cilin qeveria iraniane protestonte kundër furnizimit me karburant të aeroplanëve të parkuar në aeroportin Vasil Levski të Bullgarisë nga ana e ushtrisë amerikane.
Në shënim, Irani thoshte se “rezervon të drejtën për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e tij kombëtare në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
“Bullgaria nuk është në luftë”, tha zëvendësministri i Jashtëm Marin Raikov në një deklaratë për gazetarët.
“Asnjë avion luftarak nuk po ngarkohet mbi Bullgari për të marrë pjesë në operacione ushtarake. Ne mbajmë marrëdhënie diplomatike të paprekura me palën iraniane”, shtoi ai.

Izraeli u ka dhënë një "goditje të rëndë" "armiqve" të tij në Iran, por nuk mund të garantojë se kjo do të jetë "lufta e fundit".
Kjo është ajo që shkroi Ministri i Jashtëm Gideon Sa'ar në një mesazh të publikuar në rrjetin social ‘X’ në prag të Pashkës, në të cilin ai theksoi se "nuk ka liri pa vullnetin për ta mbrojtur atë".
"Ne u përballëm me rrezikun e asgjësimit", shkroi ministri, duke deklaruar më tej se "armiqtë tanë, para së gjithash regjimi i Ajatollahut në Iran, kishin hartuar një plan eliminimi".
Prandaj, "vendimet historike që morëm në Kabinetin e Sigurisë në qershor 2025 dhe shkurt 2026 ishin, thjesht, vendime që synonin heqjen e kërcënimit të asgjësimit që i kanosej popullit hebre në atdheun e tyre", shtoi ai, duke iu referuar vendimeve për të sulmuar Iranin.

Foto: Donald Trump
“Presidenti i ri i regjimit iranian; shumë më pak i radikalizuar dhe shumë më inteligjent se paraardhësit e tij; sapo i kërkoi Shteteve të Bashkuara një armëpushim!” shkroi Trump në Truth, pa specifikuar se kush është udhëheqësi i ri i Iranit.
Ai shtoi se do ta shqyrtojë këtë temë kur Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur, e lirë dhe e pastër.
"Deri atëherë, do ta kthejmë Iranin në rrënoja, ose, siç thonë, do ta kthejmë në Epokën e Gurit!!” shtoi presidenti amerikan.

Presidenti amerikan Donald Trump shkroi në Truth Social se Irani i ka kërkuar SHBA-së një "armëpushim".
"Do ta mendojmë kur Ngushtica e Hormuzit të jetë e hapur dhe e lirë", tha presidenti amerikan, duke shtuar se ndërkohë sulmet vazhdojnë ("Deri atëherë, do ta bëjmë Iranin pluhur e hi, ose, siç thonë, do ta kthejmë në Epokën e Gurit!!!").
Në reagimin e Trump thuhet se "presidenti i regjimit të ri" ka bërë thirrje për armëpushim, por nuk është e qartë se kujt i referohet.
Irani, i cili zyrtarisht, nuk e ka ndryshuar presidentin e tij, ende nuk i është përgjigjur postimit të Trump.
Mbrëmë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, në një intervistë me Al Jazeera, mohoi se po zhvilloheshin bisedime me SHBA-në dhe riafirmoi gatishmërinë e Teheranit për të vazhduar luftimet.

Kryeministri Keir Starmer njoftoi se Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper do të presë një samit të liderëve ndërkombëtarë për të diskutuar planet për rivendosjen e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Starmer ritheksoi se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në konfliktin në Lindjen e Mesme. Çdo rrugë diplomatike e mundshme po shqyrtohet, u shpreh ai ai.
I pyetur nëse po forcon lidhjet me Evropën ndërsa marrëdhënia e tij me Trump po përkeqësohet, Starmer tha se nuk po zgjedh mes tyre.
“Mendoj se është në interesin tonë të kemi një marrëdhënie të fortë si me SHBA-të, ashtu edhe me Evropën,” thotë ai. “Por mendoj gjithashtu se kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe sigurinë, emetimet e energjisë dhe ekonominë, ne kemi nevojë për një marrëdhënie më të fortë me Evropën.”
Starmer shtoi gjithashtu se bashkëpunimi më i fortë me kontinentin do të ndihmojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Irani dhe vendet e Lindjes së Mesme po e përdorin luftën si pretekst për të shtypur të drejtat e njeriut, ka paralajmëruar OKB-ja, duke denoncuar përpjekjet për të kufizuar lirinë e shtypit në Izrael dhe Shtetet e Bashkuara. "Po dëshmojmë një militarizim të dukshëm të hapësirës qytetare në të gjithë rajonin, me kufizime të ashpra të vendosura nga qeveritë mbi njerëzit që ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor", tha në një deklaratë kreu i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk. Ai gjithashtu denoncoi "përpjekjet për të kufizuar lirinë e shtypit, të tilla si kufizimet e vendosura nga autoritetet e censurës ushtarake izraelite dhe kërcënimin e Komisionit Federal të Komunikimeve të SHBA-së për të revokuar licencat e transmetimit për programet që konsiderohen kritike ndaj luftës".

Donald Trump po “po e shqyrton seriozisht” tërheqjen e SHBA-ve nga NATO, sipas një interviste për Telegraph. Gazeta thotë se Trump e quajti aleancën një “tigër prej letre” dhe pretendoi se Mbretëria e Bashkuar nuk ka një flotë detare.
I pyetur nëse do ta rishqyrtonte anëtarësimin e SHBA-ve në aleancë pas konfliktit në Lindjen e Mesme, Trump tha: “Oh po, do të thosha se është përtej rishqyrtimit...
“Unë kurrë nuk jam ndikuar nga NATO. Gjithmonë e kam ditur që ata ishin një tigër prej letre, edhe Putini e di, meqë ra fjala. Ju madje nuk keni as një flotë. Jeni shumë të vjetër dhe kishit aeroplanmbajtëse që nuk funksiononin,” shtoi ai, duke iu referuar gjendjes së flotës së anijeve luftarake britanike.

Kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit iranian, Ebrahim Azizi, i ka dërguar një mesazh Donald Trumpit përmes rrjetit social X duke i thënë: “Ngushtica e Hormuzit sigurisht që do të rihapet, por jo për ju; ajo do të jetë e hapur për ata që respektojnë ligjet e reja të Iranit.”
Azizi ka deklaruar se “47 vitet e mikpritjes kanë marrë fund përgjithmonë”, duke iu referuar periudhës që prej revolucionit të vitit 1979 në Iran. Azizi shtoi: “Trump më në fund e ka realizuar ëndrrën e tij për ‘ndryshim regjimi’, por në regjimin detar të rajonit!”
Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka miratuar një plan për vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, Malajzia ka bërë të ditur se disa nga anijet e saj janë lejuar të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit pa qenë e nevojshme të paguajnë tarifën ndaj Iranit.
“Ne nuk do të paguajmë asnjë tarifë, siç mund të jetë keqkuptuar nga disa përdorues në internet. Ne nuk po paguajmë asgjë,” tha zëdhënësi i qeverisë, Fahmi Fadzil.
Nuk është e qartë nëse Malajzia do të ishte e gatshme të paguante një tarifë për përdorimin e kësaj rruge ujore në të ardhmen.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, në një mesazh drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut libanez, Sheikh Naim Qassem, premtoi se do të vazhdojë të mbështesë grupin e mbështetur nga Irani kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. “Irani do ta mbështesë me gjithë zemër lëvizjen e rezistencës”, shkruan mesazhi.
25 persona janë plagosur në Izrael si pasojë e sulmeve iraniane, përfshirë dy fëmijë në gjendje të rëndë. Mediat izraelite raportuan këtë, duke cituar shërbimin e shpëtimit Magen David Adom (MDA). Një djalë 10-vjeçar dhe një vajzë 11-vjeçare të plagosur në Bnei Brak tani janë në gjendje kritike.
Ministria izraelite e Shëndetësisë raportoi se 104 persona u plagosën dhe u shtruan në spital në 24 orët e fundit, duke përjashtuar viktimat e fundit në Izraelin qendror. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të izraelitëve të plagosur gjatë konfliktit në 6,286, nga të cilët 100 mbeten të shtruar në spital, sipas ministrisë.

Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani, thanë se kishin lëshuar një breshëri raketash balistike drejt Izraelit. Në orët e para të mëngjesit, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në Izraelin jugor, nga Beersheba deri në bregdetin e Mesdheut, pas lëshimit. Nuk pati raportime të menjëhershme për ndikime. Gjenerali i brigadës Yahya Saree, zëdhënësi ushtarak i Houthëve, tha në një deklaratë se ishin shënjestruar "objektiva të ndjeshëm" në Izraelin jugor. Ky është sulmi i tretë që kur Houthët hynë në luftë të premten e kaluar, duke qëlluar raketën e tyre të parë drejt Izraelit pas sulmeve masive ajrore të nisura nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit më 28 shkurt.

Emiratet e Bashkuara Arabe po përgatiten të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të hapin me forcë Ngushticën e Hormuzit, thanë zyrtarët arabë, një veprim që do ta bënte atë vendin e parë të Gjirit Persik që do të bëhej një luftëtar pasi u godit nga sulmet iraniane. Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton Wall Street Journal , po lobojnë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të miratuar një rezolutë që autorizon veprimin.
Komente












Ky po i ben varrin SHBA-se!
PërgjigjuPo e them që në fillim që unë personalisht jam më shumë proamerikan se sa proeuropian në lidhje me marrëdheniet historike Shqipëri-SHBA. Mirëpo në lidhje me çështjen e shikimit të marrëdhënieve me NATO-n, duhet që SHBA të japë një arsye llogjike. Pse kërkon të tërhiqet?! Nëse e ka me reagimin europian që nuk aprovuan luftën në Iran atëherë mund të them që kanë plotësisht të drejtë. E para është luftë sulmi dhe jo mbrojtëse, dhe e dyta kur erdhi Donald Trump në pushtet direkt u tërhoq nga luftq në Ukrainë me arsyetimin që nuk është lufta e SHBA. Edhe sot vlen i njejti arsyetim për Europën. Kjo nuk është lufta e europianëve, biles kjo nuk është lufta as e vetë SHBA-ve. E ka tërhequr me zor Izraeli në këtë luftë. Ose më saktë e ka tërhequr Netanjahu. Sepse ai është i gjithë strumbullari në këtë kaos. Megjithatë uroj që SHBA mos të largohet nga NATO. Sepse do i detyrojnë europianët të bashkohen e të krijohet hapësira më e fuqishme ekonomike, politike dhe ushtarake e parë ndonjëherë. Dhe SHBA do e humbë rëndësinë përballë realitetit të ri. Dhe ne si shqiptarë për hir të së vërtetës në momente të vështira ekzistenciale na është gjendur pranë më shumë SHBA se sa Europa.
Përgjigju