Sulmet drejt Iranit vijuan në ditën e 10 që prej nisjes së luftës. Teherani nën shënjestër u godit në të paktën dy valë sulmesh nga Izraeli gjatë orëve të para të së martës dhe rreth mesditës me orën e Tiranës. Irani lëshoi raketa balistike drejt Izraelit. Alarmi për mbërritjen e tyre ra në veri të vendit në zonën e Netanias dhe veri të Tel Avivit.

Në Bahrein një hotel ku ishin të vendosur ushtarakë amerikanë u sulmua me raketë ndërsa të tilla u shkatërruan nga Kuvajti. Katari këtë të martë akuzoi Iranin se ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturën civile ditët e fundit, teksa vendet e gjirit persik vijojnë të jenë objektiv i pasdaranëve.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth gjatë një konference për shtyp, tha se “sot do të jetë sulmi më intensiv i SHBA-së ndaj Iranit”.

“Më shumë luftëtarë, më shumë bombardues, më shumë sulme”, ​​u shpreh shefi i Pentagonit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar nga ana tjetër se ‘Nuk kemi mbaruar ende me sulmet’ në Iran. Sipas kryeministrit, vetëm iranianët mund ta përmbysin regjimin e ajatollahëve në Iran.

Zyra e Kryeministrit britanik Starmer njoftoi se kreu i qeverisë, ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me liderët e Italisë dhe Gjermanisë dhe se po punohet për një sërë opsionesh për të mbrojtur anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, në përgjigje të kërcënimeve në rritje nga Irani.

Sistemi i mbrojtjes raketore Patriot është vendosur dhe tani është operacional në bazën e NATO-s në Malatya, në jug të Turqisë. Këtë e njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Ankarasë, pasi dje një raketë iraniane u interceptua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s ndërsa ishte drejtuar drejt hapësirës ajrore turke. Ky ishte episodi i dytë i këtij lloji, pasi një raketë e parë ishte interceptuar më 4 mars, gjithashtu në jug të Turqisë.

Donald Trump tha këtë të martë në një intervistë të dhënë për Fox News se hapësira për negociata me Iranin ekziston por ajo tani nuk është e nevojshme. Pas kërcënimeve të tij ndaj Udhëheqësit të ri Suprem, djalit të Khameneit, Teherani paralajmëron: “Kujdes të mos zhdukesh ti vetë”.

Ndërkohë Reuters ka shkruar se sipas informacioneve nga 2 persona të njohur me çështjen, raportohet se gjatë luftimeve të ditëve të fundit me Iranin janë plagosur 150 ushtarë amerikanë.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:25
Reuters: 150 trupa amerikane të plagosur gjatë luftimeve me Iranin

1773170789_struoia.JPG

Deri më tani, rreth 150 trupa amerikane janë plagosur në luftën me Iranin, thanë të martën për Reuters dy persona të njohur me çështjen.

Shifra nuk është raportuar më parë dhe është shumë më e lartë se shifra e bërë publike nga Pentagoni, i cili ka njëftuar për vetëm 8 trupa amerikane të plagosura rëndë.

Ora 18:31
Sulmet e Iranit me raketa dhe dronë, destrojeri britanik 'HMS Dragon' niset për në Mesdhe

1773163971_xygtifiys.JPG

HMS Dragon, një destrojer britanik i teknologjisë së fundit, është larguar nga baza e Marinës Mbretërore në Portsmouth, Anglia jugore, pas disa ditësh vonesash, duke u drejtuar për në Mesdheun lindor për të mbrojtur ishullin e Qipros, i cili është vënë në shënjestër nga Irani, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Teheranit.

Qeveria laburiste e kryeministrit Keir Starmer ishte vënë në qendër të kritikave nga administrata Trump për papërgatitjen ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, krahasuar me vendet e tjera aleate që kishin dërguar anijet e tyre më shpejt drejt zonave të konfliktit.

Madje pak ditë më parë, Trump iroinizoi ndihmën që Mbretëria e Bashkuar pretendoi të jepte, duke thënë se ‘tani që konflikti mbaroi nuk kemi më nevojë për ndihmën tuaj’.

Ora 17:59
Ish-Presidenti rus Medvedev: Agresioni i armatosur kundër Iranit është sulm frikacak dhe i paprovokuar

1773162036_gfxjyioi.JPG

Në një mesazh drejtuar Liderit Suprem të zgjedhur të Iranit, Moitaba Khamenei, zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev, e quajti sulmin ndaj Teheranit ‘një agresion të armatosur frikacak dhe të paprovokuar.’

Medvedev, i cili më herët ka qenë edhe President i Rusisë, tha më tej se ishte e bindur me Moitaba Khamenei do e thellonte më tej partneritetin strategjik ruso-iranian.

"Jam i bindur se puna e tij në këtë post do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës ruso-iranian, veçanërisht përballë agresionit të armatosur frikacak dhe të paprovokuar kundër Iranit", raportohet se kishte shkruar në Telegram Medvedev.

Medvedev i uroi gjithashtu popullit iranian "guxim dhe qëndrueshmëri në luftën e tyre heroike për sovranitetin e atdheut të tyre".

Ora 17:57
Witkoff: Nëse iranianët duan të flasin, Trump është i gatshëm t’i dëgjojë

1771774831_stevewitkoff.jpg

«Ne do ta zgjidhim situatën në një mënyrë ose në një tjetër, prandaj le të shohim nëse iranianët duan të flasin. Nëse e bëjnë, jam i sigurt se presidenti do të ishte i gatshëm t’i dëgjonte». Kështu deklaroi për CNBC i dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff. «Por për momentin vlen vetëm paqja përmes forcës – shtoi ai –. Njerëz si iranianët kuptojnë vetëm një gjë: një alternativë më të keqe nëse nuk bëjnë atë që kërkon presidenti Trump».

Ora 17:21
Putin bisedë telefonike me Presidentin e Iranit: Duhet urgjentisht të ç'tensionohet situata në Gjirin Persik

1773159759_xygis.JPG

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi ditën e sotme bisedën e dytë telefonike brenda një jave me homologun e tij iranian Masud Pezeshkian.

Sipas mediave të huaja, Kremlini njoftoi se gjatë bisedës telefonike Putin përsëriti thirrjen e tij për një ç’tensionim të shpejtë të situatës së konfliktit në Gjirin Persik.

Kujtojmë se ditën e djeshme Putin zhvilloi një bisedë telefonike edhe me Presidentin amerikan Donald Trump, për të diskutuar mbi situatën e luftës në Iran.

Ora 16:52
Lufta e Iranit me Izraelin dhe SHBA-në, arrestohen 30 persona në Teheran me akuzën e spiunazhit

1773158165_xytikziu.JPG

Ministria e Inteligjencës e Iranit njoftoi arrestimin e 30 personave, përfshirë një shtetas të huaj, me akuza për spiunazh në ditën e njëmbëdhjetë të luftës midis Iranit dhe Izraelit e Shteteve të Bashkuara.

Ministria raportoi përmes një deklarate të botuar nga Mizan, agjencia e lajmeve e gjyqësorit, se shtetasi i huaj, kombësia e të cilit nuk u zbulua, "po kryente aktivitete spiunazhi në emër të armikut amerikano-sionist për dy shtete të Gjirit" dhe u arrestua në verilindje të Iranit.

Ora 16:09
Britania, Italia dhe Gjermania po punojnë për të mbrojtur anijet në Hormuz

1773156108_starmermerz.jpg

Zyra e Kryeministrit britanik Starmer njoftoi se kreu i qeverisë, ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me liderët e Italisë dhe Gjermanisë, në lidhje me bllokimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, situatë e kirjuar në lindjen e mesme me fillimin e sulmeve në 28 Shkurt.   

“Po punohet për një sërë opsionesh për të mbrojtur anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, në përgjigje të kërcënimeve në rritje nga Irani.” Kjo është ajo për të cilën ranë dakord, në telefonata të ndara, liderët e Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, Giorgia Meloni, Keir Starmer dhe Friedrich Merz, sipas njoftimit të Downing Street. Gjithashtu u theksua “rëndësia jetike e lirisë së lundrimit” dhe u ra dakord për një koordinim të ngushtë në ditët në vijim.

Ora 15:40
Lufta në Iran/ Emiratet e Bashkuara Arabe: Sot rrëzuam 8 raketa balistike dhe 26 dronë

1773153714_Dubaiii.JPG

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se sot zbuloi nëntë raketa balistike dhe 35 dronë në hapësirën e saj ajrore.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Ministria specifikoi se u rrëzuan tetë prej raketave (një tjetër ra në det) dhe 26 dronë.

Megjithëse nuk ka një njoftim zyrtar, besohet se raketat dhe dronët ishin nisur nga Irani, në drejtim të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ora 15:11
Frika për çmimin e naftës, shefi i sigurisë së Iranit paralajmëron: Hormuzi mund të jetë ngushticë paqeje ose vuajtjeje

Ali Larijani, zyrtari kryesor i sigurisë së Iranit, ka lëshuar një paralajmërim që duket se u drejtohet SHBA-ve dhe Izraelit, se Ngushtica e Hormuzit mund të jetë një “ngushticë paqeje” ose “vuajtjeje”.

Mesazhi i plotë, të cilin Larijani e publikoi në gjashtë gjuhë të ndryshme, thotë:

“Ngushtica e Hormuzit ose do të jetë një ngushticë paqeje dhe prosperiteti për të gjithë, ose do të jetë një ngushticë humbjeje dhe vuajtjeje për nxitësit e luftës.”

Kjo vjen në një kohë kur çmimet e naftës janë rritur për shkak të frikës se lufta me Iranin mund të shkaktojë ndërprerje në furnizimet nga Lindja e Mesme përmes kësaj ngushtice përmes së cilës transportohet rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë.

Ora 14:55
Presidenti iranian bisedë telefonike me Erdogan, mohon se kanë lëshuar raketa drejt Turqisë

Foto: Massoud Pezeshkian dhe Recep Tayyip Erdogan

Irani ka mohuar se ka lëshuar raketa kundër Turqisë. Lajmi u bë ditur pas një telefonate mes presidentit Massoud Pezeshkian me Recep Tayyip Erdogan.

"Gjatë bisedës, presidenti iranian hodhi poshtë lajmet e përhapura nga disa media se Irani ka nisur sulme me raketa kundër Turqisë", thuhet në një deklaratë zyrtare.

Pezeshkian propozoi formimin e një ekipi të përbashkët për të shqyrtuar akuzat, "për të parandaluar që propaganda armiqësore të ndikojë në marrëdhëniet midis dy vendeve".

Ora 14:33
Hegseth: Rusia nuk duhet të përfshihet në luftën ndaj Iranit

1772634782_petehegseth.jpg

Foto: Pete Hegseth

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar Rusinë të mos përfshihet në luftën me Iranin.

“Sa i përket këtij konflikti, ata nuk duhet të përfshihen", tha Hegseth.

Komenti i tij erdhi pasi u pyet në lidhje me telefonatën që Presidenti Donald Trump zhvilloi dje me Vladimir Putin.

Hegseth e përshkroi bisedën si një “thirrje të fortë”, e cila shpresonte se do të riafirmonte “mundësinë për pak paqe” në luftën e Rusisë me Ukrainën.

Ora 13:46
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Hegseth: Sot do të bëhet sulmi më intensiv ndaj Iranit

Foto:Pete Hegseth

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth gjatë një konferenca për shtyp, tha se “sot do të jetë sulmi më intensiv i SHBA-së ndaj Iranit”.

“Më shumë luftëtarë, më shumë bombardues, më shumë sulme”, ​​u shpreh shefi i Pentagonit.

Ndër të tjera ai shtoi gjithashtu se “Irani ka qëlluar numrin më të vogël të raketave në një periudhë 24-orëshe që nga fillimi i luftës”.

Hegseth u pyet edhe në lidhje me degradimin e aftësive të Iranit për raketa dhe dronë, pas raportimeve se ato janë zvogëluar me 90%.

“Kjo nuk do të thotë që forcat iraniane nuk do të jenë në gjendje të qëllojnë raketa, por shifrat pasqyrojnë ‘efikasitetin’ e sulmeve amerikane”, tha ai.

Ora 13:34
Media: IDF do të vazhdojë sulmet në Liban edhe pas përfundimit të luftës

1773071187_xdtiua.jpg

Izraeli mund të vazhdojë luftën e tij kundër Hezbollahut në Liban edhe pas përfundimit të operacionit të tij ushtarak të udhëhequr nga SHBA-të kundër Iranit, shkruan Financial Times.

Sipas njërit prej burimeve të cituara në artikull, qëllimi i shtetit hebre është "të shkaktojë dëme të mjaftueshme".

Ndërkohë një diplomat arab, deklaroi se "izraelitët po i përgatisin aktorët ndërkombëtarë për mundësinë që lufta me Hezbollahun të mund të zgjasë më shumë se lufta me Iranin".

Ora 12:14
Thuajse 1300 viktima nga sulmet amerikano-izraelite në Iran, mes 193 fëmijëve edhe një foshnje 8-muajshe

1,255 viktima dhe mbi 12,000 të plagosur në Iran që nga fillimi i sulmit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ka njoftuar zv/ministri iranian i Shëndetësisë, Ali Jafarian.

Bilanci i viktimave të luftës është edhe më i trishtë, 193 fëmijë kanë humbur jetën ku më e vogla është një vajzë 8-muajshe.

Ora 12:12
Peskov: Rusia gati për të ndihmuar në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, propozimet janë në tryezë

1770915386_peskovv.jpg

Foto: Dmitry Peskov

Moska është e gatshme të ndihmojë në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

 "Rusia është e gatshme të ofrojë ndihmë sa më shumë që të jetë e mundur", tha ai teksa shtoi se "ju e dini që kjo kërkon mirëkuptim dhe marrëveshje, kështu që do të duhet të jemi të duruar."

Zëdhënësi kujtoi se Presidenti Vladimir Putin më parë ka propozuar opsione ndërmjetësimi rus që mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

"Që nga fillimi i kësaj situate, madje edhe para fillimit të fazës ushtarake, Putin ka propozuar disa opsione të cilat mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve. Shumë nga këto propozime janë ende në tryezë" tha Peskov.

Ora 11:44
Pas Pallatit Golestan, sulmet izraelite dëmtojnë monumentin historik të mbrojtur nga UNESCO! I përket epokës safavide

Monumente historike në Esfahan, përfshirë pallatin e epokës safavide Chehel Sotoun, thuhet se janë dëmtuar pasi një sulm ajror izraelit goditi të hënën ndërtesën e qeverisë provinciale aty pranë, sipas mediave iraniane dhe dëshmive të dëshmitarëve okularë.

Pallati ndodhet pranë zyrës së guvernatorit të Esfahanit dhe raportet sugjerojnë se vala e shpërthimit nga sulmi shkaktoi dëme në pjesë të kompleksit të pallatit, i njohur për afresket, pishinën reflektuese dhe sallat historike që datojnë nga shekulli XVII.

Ka gjithashtu raportime për dëme rreth sheshit Naqsh-e Jahan, sheshi safavid i përfshirë në listën e UNESCO-s, i cili përfshin monumente si Pallati Ali Qapu dhe disa xhami historike.

Në fillim të sulmeve amerikano-izraelite, u dëmtua edhe Pallati Golestan në Iran.

Ora 11:10
‘Po ia thyejmë kockat’, Netanyahu flet për regjimin iranian

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka folur për luftën me Iranin, duke thënë se veprimet ushtarake të Izraelit po “ia thyen kockat”.

Ai thotë se qëllimi i Izraelit është të çlirojë popullin iranian nga “tirania” e regjimit aktual, por shton se “në fund të fundit kjo varet prej tyre”.

“Nuk ka asnjë dyshim se përmes veprimeve të ndërmarra deri tani, ne po ua thyejmë kockat dhe jemi ende aktivë,” tha ai në një postim në X.

Ora 11:04
Durimi i Erdoganit ndaj Iranit drejt shterimit, paralajmëron presidenti: Shkeljet e hapësirës ajrore nuk justifikohen!

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar Iranin se shkeljet e hapësirës ajrore turke “nuk mund të justifikohen” dhe ka thënë se sulmet ndaj vendeve të rajonit nuk i shërbejnë askujt.

Në një bisedë telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, ai tha se Turqia po përpiqet të hapë derën e diplomacisë për të ndihmuar në përfundimin e luftës.

Në një mbledhje të kabinetit mbrëmë, Erdogan tha: “Pavarësisht paralajmërimeve tona të sinqerta, vazhdojnë të ndërmerren hapa jashtëzakonisht të gabuar dhe provokues që do të rrezikojnë miqësinë e Turqisë.”

Këto komente vijnë pasi mbrojtja ajrore e NATO-s rrëzoi një raketë të dytë balistike iraniane që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë të hënën.

Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe ndan një kufi të gjatë me Iranin që ka qenë i qëndrueshëm për 500 vjet.

Asnjë vend tjetër i NATO-s nuk ka të njëjtin nivel kontakti me atë që ka mbetur nga regjimi brenda Iranit. Erdogan po pozicionohet, ashtu siç ka bërë për Ukrainën, Gazën dhe në disa skena të tjera, si një ndërmjetës.

Ora 10:05
Irani: Kemi goditur me dronë rafinerinë e naftës në Haifa, Izrael

1773082118_dron.webp

Irani ka njoftuar se ka goditur me dronë një rafineri nafte dhe gazi në Haifa të Izraelit, gjatë orëve të fundit.

Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim sulmet ishin "një përgjigje ndaj sulmit të depove iraniane të naftës"

Ora 09:22
Australia u jep azil politik pesë futbollisteve iraniane

Foto: Lojëtare të ekipit kombëtar të futbollit të grave të Iranit

Pesë lojtarëve të ekipit kombëtar të futbollit të grave të Iranit u është dhënë azil në Australi. Ministri i Punëve të Brendshme Tony Burke konfirmoi vendimin, duke i dhënë fund frikës së riatdhesimit të mundshëm pasi ato ikën nga kampi stërvitor i ekipit.

Atletet u transferuan nga hoteli i tyre në "një vend të sigurt" nga oficerët e Policisë Federale Australiane.

"U them anëtarëve të tjerë të ekipit se e njëjta mundësi ekziston edhe për to", tha Ministri Burke.

Atletet ishin larguar nga hoteli ku po qëndronte ekipi kombëtar në Gold Coast, në jug të Brisbane, gjatë Kupës Aziatike të Grave AFC. Ato iu drejtuan policisë për të kërkuar mbrojtje dhe për të filluar procesin e azilit në Canberra.

E gjitha ishte pasojë e një gjesti të bërë para ndeshjes kundër Koresë së Jugut, kur lojtaret zgjodhën të mos këndonin himnin e Republikës Islamike. Ky akt u interpretua si solidaritet me protestat që kishin shpërthyer në Iran dhe me viktimat e represionit, përfshirë ndihmës gjyqtaren Sahba Rashtian.

Sipas transmetuesit Iran International, lojtarët dhe familjet e tyre morën kërcënime pas atij incidenti. Për këtë arsye ato vendosën të mos kthehen me pjesën tjetër të delegacionit dhe të kërkonin mbrojtje jashtë vendit. Rasti tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare. Presidenti i SHBA-së Donald Trump iu drejtua Kanberrës: "Jepuni azil lojtarëve iranianë. SHBA-të do t'i marrin nëse nuk e bëni."

Ora 09:10
Ambasada e SHBA në Bejrut thirrje qytetarëve amerikanë: Largohuni nga vendi ose strehohuni

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bejrut u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Liban që të qëndrojnë të strehuar nëse nuk kanë mundësi të largohen nga vendi.

Në një njoftim të publikuar mëngjesin e sotëm, ambasada thekson se qytetarët amerikanë “duhet të marrin seriozisht në konsideratë” largimin nga Libani me fluturimet e kompanisë Middle East Airlines që nisen nga aeroporti ndërkombëtar Beirut Rafic Hariri, nëse e vlerësojnë se është e sigurt për ta bërë këtë.

Ora 08:55
Turqia vendos sistemet e mbrojtjes ‘Patriot’ në bazën e NATO-s në Malatya

Sistemi i mbrojtjes 'Patriot' është vendosur në bazën e NATO-s në Malatya, në jug të Turqisë. Njoftimi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, pasi një raketë iraniane u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s dje. Ky ishte incidenti i dytë i këtij lloji, pas një rakete të parë të kapur më 4 mars, gjithashtu në jug të Turqisë.

Ankaraja nuk ka marrë pjesë në konflikt dhe nuk ka dhënë leje për përdorimin e hapësirës së saj ajrore

Ora 08:49
Garda Revolucionare e Iranit: Nuk do të lejojmë kalimin e naftës për armiqtë tanë

Garda Revolucionare e Iranit ka konfirmuar qëllimin e saj për të bllokuar kalimin e cisternave që transportojnë naftë bruto për Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe aleatët e tyre përmes Gjirit.

"Irani nuk do të lejojë më eksportin e asnjë litri nafte nga rajoni drejt luftënxitësve dhe bashkëpunëtorëve të tyre", thuhet në një deklaratë të Pasdaran.

Ora 08:00
Ministri i Jashtëm iranian: Ngushticën e Hormuzit nuk e mbyllëm ne! Transporti i naftës është ngadalësuar nga sulmet amerikano-izraelite

1772744277_abbasaraghchi.jpg

Foto: Abbas Araghchi

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani nuk e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe nuk po pengon lundrimin.

Nga ana tjetër ai theksoi se transporti i naftës është ngadalësuar jo për shkakun e tyre, por për shkak të sulmeve amerikano izraelite.

 "Prodhimi dhe transporti i naftës është ngadalësuar ose ndaluar jo për shkakun tonë, por për shkak të sulmeve dhe agresionit izraelit dhe amerikan kundër nesh", tha ai.