Lufta/ Kievi: Moska po përgatit përshkallëzim maksimal! SHBA gati paketën 2 mld dollarë! Kremlini: Shpërblim për ushtarët që shkatërrojnë tanket 'Abrams' dhe 'Leopard'

Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, në një intervistë për Sky News, tha se ofensiva e Moskës është në ende fazën e planifikimit të plotë dhe se luftimet më të ashpra nuk kanë ardhur ende. 

“Rusia po përgatitet për përshkallëzimin maksimal të luftës”, tha Danilov.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatisin një paketë ndihme me vlerë më shumë se dy miliardë dollarë, e cila pritet të përfshijë për herë të parë raketa me rreze të gjatë, si dhe municione dhe armë të tjera. Kjo është bërë e ditur për Reuters, nga burime të administratës amerikane. 

Ndihma për armë pritet të shpallet këtë javë dhe duhet të përfshijë gjithashtu pajisje mbështetëse për sistemet e mbrojtjes ajrore ‘Patriot’, municione të drejtuara me precizion dhe armë antitank ‘Javelin’. Nga ana tjetër, Kremlini mirëpret propozimet e bëra ditët e fundit nga një kompani private që t’i paguajë ushtrisë shpërblim për çdo tank amerikan 'Abrams' apo 'Leopard' që do të shkatërrohet në Ukrainë.

Lajmi në përditësim...
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:27
Kontroll në shtëpinë e ish-ministrit të brendshëm të Ukrainës, pjesë e hetimit për rrëzimin e helikopterit të muajit të kaluar

Prona e ish-ministrit të brendshëm të Ukrainës, Arsen Avakov është kontrolluar në lidhje me një hetim për përplasjen vdekjeprurëse të helikopterit muajin e kaluar.  Përplasja ndodhi pak jashtë Kievit dhe vdiqën  14 persona, duke përfshirë ministrin e brendshëm në atë kohë, Denis Monastyrsky. 

Avakov mbajti rolin kur helikopteri Super Puma i përfshirë në përplasje "u ble" si pjesë e një kontrate që nga viti 2018.  Politikani ka mohuar çdo keqbërje dhe tha se kontratat u miratuan nga parlamenti.  Ukraina nisi një hetim menjëherë pas rrëzimit, duke thënë se do të shqyrtojë të gjitha shkaqet e mundshme – duke përfshirë gabimin e pilotit, mosfunksionimin teknik dhe sabotimin.

Ora 21:34
Ministri ukrainas i Mbrojtjes nënshkruan marrëveshjen për radarin Mg-200

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov , njoftoi nënshkrimin e një memorandumi me homologun e tij francez, Sebastien Lecornu dhe grupin Thales për furnizimin me radarë Mg-200 në Kiev. 

"Këto pajisje do të na ndihmojnë të zbulojmë dronët dhe raketat e armikut, duke përfshirë raketat balistike. Qiejt tanë do të mbrohen nga sulmet vdekjeprurëse nga Rusia," tha Reznikov në Twitter.

Ora 19:47
Kryeministri britanik Sunak: Nuk do të dërgojmë aeroplanë, nuk është praktike!

Qeveria britanike ka thënë se nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukraina pasi kjo gjë është jopraktike. Kështu tha kryeministri Rishi Sunak, ndërsa Boris Johnson është angazhuar në një sërë ngjarjesh dhe intervistash në Shtetet e Bashkuara për të mbështetur fuqishëm dërgimin e avionëve në Kiev. 

"Nuk është praktike për momentin dërgimi i avionëve britanikë, ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me ukrainasit për të kuptuar nevojat e tyre dhe se si aleatët mund t'i ndihmojnë ata më tej. Duke pasur parasysh kompleksitetin e luftëtarëve britanikë dhe kohët e gjata të trajnimit të nevojshme për t'i përdorur ato ne nuk mendojmë se është praktike,” tha Sunak.

Ora 19:06
SHBA-ja sanksionon rrjetin rus të tregtarëve të armëve

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj 22 individëve dhe entiteteve nga disa shtete, që sipas Departamentit të Thesarit, janë pjesë e një rrjeti global, të krijuar për t’iu shmangur sanksioneve paraprake ndaj industrisë të mbrojtjes së Rusisë.

Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Thesarin amerikan vendosi sanksione të reja më 1 shkurt ndaj individëve dhe entiteteve, që sipas SHBA-së, mbështesin industrinë ushtarake të Rusisë.

Vendimi i SHBA-së është pjesë e strategjisë kundër shmangies së sanksioneve në mbarë botën, për të zbuluar ndërmjetësit që i japin qasje në të ardhura Rusisë, të cilat më pas ajo i përdor në luftën kundër Ukrainës, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

“Përpjekjet e dëshpëruara të Rusisë për të përdorur të tjerët që të shmangë sanksionet amerikane janë dëshmi se sanksionet ia kanë bërë më të vështirë industrisë ushtarake të Rusisë që të rifurnizojë makinerinë e luftës së [presidentit rus, Vladimir] Putin”, tha nënsekretari amerikan i Thesarit, Wally Adeyemo.

Rrjeti udhëhiqet nga Rusia dhe nga tregtari i armëve, me bazë në Qipro, Igor Zimenkov. Ai në këtë rrjet punon me djalin e tij, Jonatan Zimenkov, me qëllim që të mundësojë shitjen e armëve në shtetet e treta, tha SHBA-ja.

Ky rrjet është i përfshirë në projekte të lidhura me aftësitë e mbrojtjes ruse, përfshirë edhe furnizimet me pajisje të teknologjisë së lartë, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, tha Thesari.

Disa anëtarë të këtij rrjeti po ashtu kanë mbështetur entitetet e sanksionuara ruse, Rosoboroneksport dhe korporatën shtetërore Rostec, që Thesari vlerëson se janë pjesë kyçe të industrisë ushtarake të Rusisë.

Igor Zimenkov ka raporte të ngushta me njerëzit e lidhur me Rosoboroneksport dhe po ashtu ka ofruar informacione për personelin e Rostec që gjendet jashtë vendit. Ndërkaq, sipas Thesarit, Jonatan Zimenkov është përfaqësues ligjor i kompanive në këtë rrjet, që janë të babait të tij.

SHBA-ja tha se ata me qëllim janë përfshirë në disa marrëveshje për shitjen e helikopterëve dhe të shërbimeve të sigurisë kibernetike në shtetet e Amerikës Jugore dhe gjithashtu kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me klientët potencialë të Rosoboroneksportit, me qëllim që të mundësojnë shitjen e materialeve ruse të mbrojtjes.

Thesari tha se në rrjetin e goditur me sanksione ka pasur disa kompani që kanë kryer pastrimin e parave. Këto kompani, që janë subjekt i sanksioneve, kanë selinë në Singapor, Qipro, Bullgari, Uzbekistan dhe Izrael. Po ashtu, disa persona të lidhur me këto kompani janë sanksionuar./REL

Ora 18:21
Zelensky flet për mundësinë e një takimi me Biden: Nuk do takohem me të, nuk jam i ftuar në Poloni!

1675086802_AFP338487NkEKU3400362800008UU656x492CorriereWebSezioni.jpg

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se ai nuk ishte ftuar në Poloni, kjo pasi u komentua gjatë mundësia e takimit të tij me presidentin amerikan Joe Biden. Zelensky e tha këtë gjatë një konference për shtyp me presidentin austriak Alexander van der Bellen në Kiev, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një korrespondent i Ukrinform në lidhje me raportet në shtypin polak për një takim të mundshëm me liderin amerikan në Poloni. 

"Sa i përket presidentit të SHBA-së, unë nuk kam qenë i ftuar në Poloni," tha Zelensky.

Ora 17:20
Dalin fotot e makinave luksoze dhe parave të gjetura në shtëpinë e shefes së tatimeve në Kiev

Hetuesit ukrainas kanë publikuar foto të aseteve të gjetura gjatë një kontrolli në shtëpinë e zëvendës Shefes së Autoritetit Tatimor të Kievit, Oksana Datiy, e akuzuar për taksat e papaguara prej 1.2 miliardë dollarë.

Masa është pjesë e një hetimi më të gjerë kundër korrupsionit në Ukrainë. Byroja Shtetërore e Hetimeve (SBI) tha se gjeti qindra mijëra dollarë para në dorë, po ashtu ora dhe makina luksoze, në shtëpinë e Datiy. 

Kërkimet e sotme vijnë disa ditë pas shkarkimit të një numri zyrtarësh të lartë ukrainas nga Presidenti Zelensky mes një skandali mbi prokurimin e furnizimeve të luftës për Ministrinë e Mbrojtjes.

Ora 16:29
BE do të trajnojë 30,000 ukrainas, do ketë edhe ekuipazhet e tankeve

Misioni i trajnimit të Bashkimit Evropian do jetë akoma më i fuqishëm. Në fakt, objektivi përfundimtar po rritet dhe do të shkojë nga 15,000 ushtarët e parashikuar kur u vendos misioni tetorin e kaluar në "të paktën 30,000". Këtë e ka bërë të ditur një zyrtar i lartë evropian. Midis tyre do të ketë edhe ekuipazhet e tankeve të nevojshme për të udhëhequr "numrin e lartë të tankeve" që partnerët e Ukrainës do të vënë në dispozicion deri në pranverë. Një komponent tjetër - i cili do të shpallet gjatë samitit BE-Ukrainë - do të jetë "një angazhim i fortë" për çminimin e pjesëve të mëdha të territorit.

Ora 12:36
Kremlini mirëpret ofertën e kompanisë ruse: Shpërblim 72 mijë dollarë për ushtarët që shkatërrojnë tanket 'Abrams' dhe 'Leopard'

1675251572_er.JPG

Kremlini mirëpriti ofertën e një kompanie ruse për shpërblim për ushtarët që shkatërrojnë tanket në fushën e betejës në Ukrainë, duke thënë se kjo do të nxiste forcat ruse drejt fitores.

Kompania ruse Fores ofroi këtë javë 5 milionë rubla (72,000 dollarë) në para për ushtarët e parë që shkatërrojnë ose kapin tanket ‘Abrams’ ose gjermane ‘Leopard’ të prodhimit amerikan në Ukrainë.

Të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se trupat ruse do të "digjnin" çdo tank perëndimor që do t'i dorëzohej Ukrainës, duke shtuar se shpërblimet ishin inkurajim shtesë për ushtarët rusë.

Ora 12:28
Rusia rrit furnizimin me gaz të Evropës përmes Ukrainës

Rusia po dërgon përsëri më shumë gaz natyror përmes Ukrainës në Evropë. Këtë e ka bërë të ditur kompania shtetërore ruse e energjisë Gazprom, duke saktësuar se “pompimi i gazit po kryhej përmes tranzitit përmes territorit të Ukrainës sipas vëllimeve të rënë dakord me palën ukrainase: 29.4 milionë metra kub më 1 shkurt”. 

Dje, Gazprom pompoi 24.2 milion metra kub - rreth 20% më pak - përmes Ukrainës, duke përdorur uzinën Sudzha që ndodhet në rajonin jugor të Kurskut të Rusisë.

Ora 10:56
Joe Biden pritet të takohet me Zelenskyn në Poloni, presidenti ukrainas do t'i propozojë planin me 10 pika

Presidenti i SHBA Joe Biden mund të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Poloni. Kjo është raportuar nga gazeta polake ‘Dziennik Gazeta Prawna’  duke iu referuar një burimi diplomatik në Kiev. Presidenti amerikan duhet të bëjë një udhëtim në Evropë me rastin e përvjetorit të 24 shkurtit. Zelensky synon t'i paraqesë Biden planin e tij të paqes prej 10 pikash, duke përfshirë krijimin e një gjykate speciale për të hetuar krimet e luftës të kryera nga pushtuesit rusë. Në të njëjtën kohë, negociatat për armët do të zhvillohen për Ukrainën.

Ora 09:53
Izraeli konsideron dërgimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, Netanyahu: Ne jemi gati edhe të ndërmjetësojmë për paqe

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai konsideronte ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe ishte i gatshëm të ndërmjetësonte për zgjidhjen e një konflikti, pas thirrjeve të SHBA-ve për përfshirje më aktive. Netanyahu nuk ka marrë angazhime të sakta ndaj Ukrainës dhe Izraeli mban kontakte me Rusinë, e cila kontrollon qiejt e Sirisë fqinje. 

Në një intervistë me CNN, Netanyahu u pyet nëse vendi i tij mund të ofronte ndihmë për Ukrainën, për shembull me Iron Dome, teknologjinë e mbështetur nga SHBA që mbron Izraelin nga sulmet ajrore. “Sigurisht që po e mendoj”, u përgjigj kryeministri, i cili konfirmoi transferimin e një eskorte të artilerisë amerikane, e cila ndodhej në Izrael.

"SHBA sapo mori një sasi të madhe municionesh izraelite dhe ia kaloi Ukrainës," tha ai.

B.V/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kusari: 01/02/2023 20:04

    Dergoni ndihma se i ujdisin vete ata miqte kane eksperience si politikanet e Shqiperise,hahah sa idiota jane perendimoret mendojne te fitojne luften me Rusine nepermjet Ukraines , dhe vete e dini qe skeni asnje shans dhe vazhdoni te beni figure m..i

    Përgjigju
  • Maskarenj: 01/02/2023 12:24

    Ju maskarenj te ndyre shkaterruat nje popull se jeni plera qe te dy , do zoti te shpetoj bota nga ju se po e coni drejt luftes se trete boterore maskarenj te felliqur

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm