Beteja kundër kultivimit të kanabisit po jep fryte. Në vitin e 15-të të bashkëpunimit me Guardia di Finanza, shifrat e zbulimit të bimëve të kultivuara në malet e vendit janë në rënie. Në konferencën e përvitshme, të dhënat tregojnë rënie me rreth 32 mijë bimë të asgjësuara më pak.
“Janë evidentuar 593 raste kultivimit të bimëve narkotike zbuluan 94 ose 15.9% me autorë 165, 70 të arrestuar, 51 të ndaluar, 13 në gjendje të lirë, 34 shpallë në kërkim gjetur dhe asgjesësuar gjithsej 171.566 bimë narkotike. Procedurë penalisht për shpërdorim detyre kemi 89 shtetas zyrtarë për shpërdorim tyre, të arrestuar 5, ndaluar 12, në gjendje të lirë 68, dhe shpallur në kërkim 4”, tha Dhimitraq Ziu.
Policia ka synuar goditjen që në gjenezë të veprimtarisë kriminale. Për këtë, raportohen gati 8 herë më shumë asgjësime të fidanëve.
“Gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur në tentativë për t'u kultivuar në tokë, 132 000 fidanë kanabisi, krahasuar me 17 447 fidanë gjatë vitit të kaluar. Vetëm kjo shifër dëshmon më së miri orientimin e qartë të strukturave tona drejt parandalimit të kësaj veprimtarie kriminale”, u shpreh Skënder Hita.
Kryepolici Skënder Hita vlerëson në veçanti mbrojtjen e nxënësve nga fenomeni i kanabisit, i cili sipas tij duhet luftuar që në burim.
“Lufta kundër kanabisit lidhet drejtpërdrejt me dy faktorë: së pari, me mbrojtjen e nxënësve, që përfaqësojnë të ardhmen e vendit, dhe së dyti, me goditjen e një burimi të rëndësishëm fuqizimi për krimin e organizuar”, tha kryepolici.
Me eksperiencë të gjatë tashmë në vend, Guardia di Finanza shpjegon se tanimë, zonat malore, dhe më të vështira për t’u zbuluar janë vendet më të pareapëlqyera prej kultivuesve.
“Zona vërtet të vështira për t'u arritur, të cilat mbillen me lëndë narkotike, kryesisht në zonën veriore të vendit. Mbi këtë duam të themi se në bazë të të dhënave të përfituara trafikantët duket sikur kanë fituar një modus operandi të bazuar mbi zgjedhjen për të mbjellë kanabisin në hapësira më të vogla dhe më pak të identifikueshme krahasuar me të ardhmen me të shkuarën”, tha komandanti Giancarlo Franzese.
Edhe këtë vit orët e fluturimit nga partnerët italianë janë shtuar, përfshirë pajisjet e teknologjisë së lartë dhe dronëve që policia ka në përdorim. Nga totali i asgjësimeve, qarku i Shkodrës vijon të jetë territori absolut i kultivimit, ndjekur nga zona malore të Krujës, Mirditës dhe Tropojës.
Për të disatin vit radhazi, edhe këtë sezon asnjë tentativë për kalimin e Adriatikut me kanabis nuk ka rezultuar e suksesshme, për shkak të kontrolleve të përbashkëta.
“Lufta kundër krimit nuk është një garë statistikash, por një detyrim ndaj njerëzve që presin nga ne më shumë siguri, qetësi dhe mbrojtje”. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë konferencës së përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s, ku u prezantuan rezultatet e monitorimit ajror të territorit shqiptar për vitin 2026.
Demo theksoi se suksesi i Policisë nuk duhet të matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo sipërfaqeve të kontrolluara, por mbi të gjitha me sigurinë që ndiejnë qytetarët dhe kufizimin e hapësirave ku veprojnë grupet kriminale.
“Për mua, suksesi i Policisë nuk matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo hektarëve të kontrolluar. Këto janë tregues të rëndësishëm që na ndihmojnë për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të përmirësohemi, por matësi përfundimtar është se sa të sigurt ndihen qytetarët dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar në territor”, deklaroi ministri.
Ai u ndal veçanërisht te goditja e financave të grupeve kriminale, duke theksuar se arrestimi i anëtarëve të tyre nuk është i mjaftueshëm për të ndalur aktivitetin e paligjshëm.
Sipas Demos, hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane, bashkëpunimi me strukturat antimafia dhe sekuestrimi i pasurive kriminale janë thelbësore për të dobësuar organizatat kriminale dhe për të penguar rikthimin e tyre në aktivitet.
“Ka një besim reciprok institucional për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar. Progres-raporti i fundit i Komisionit Europian evidenton bashkëpunimin. Operacionet e përbashkëta me partnerët janë rritur më shumë se 52 për qind”, u shpreh Demo.
Duke folur për bashkëpunimin 15-vjeçar me Guardia di Finanza-n, Demo e lidhi çështjen e sigurisë edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Ne nuk mund të pretendojmë që një vend mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e politik, nëse nuk e ka sigurinë në nivelet e duhura. Ne nuk duhet ta shohim Europën thjesht si një destinacion ku duhet të përgatitemi dhe të mbrohemi edhe nga fenomenet që vijnë prej saj, por duhet të jemi kontribuues në sigurinë e Bashkimit Europian në tërësi”, u shpreh Demo.
-
O Komandant, o trim, po në shqipen e bukur nuk thuhet "evidentuam", por "zbuluam".
Përgjigju -
Njeri numron hyrjet e turistave. Ky tjetri rrenjet e kanabisit. Po numrimin e protestuesve kush merret or teeeejjjjj
Përgjigju











Komente
Komento