Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), shpall thirrjen për aplikime për “Youth Trail (Shtigje Rinore) 2018: Promovimi i vlerave të OSBE-së mes të rinjve”. “Youth Trail 2018” do të zhvillohet në datat 20-24 qershor, në Tiranë.
Tridhjetë pjesëmarrës të moshës 18-24 vjeç nga Ballkani Perëndimor do të përfshihen në një program, që gërsheton diskutimet për të drejtat e njeriut, angazhimin e të rinjve, barazinë gjinore, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm me simulime dhe veprimtari në natyrë.
“Youth Trail”, i cili zhvillohet për vitin e dytë radhazi në Tiranë, është pjesë e një sërë veprimtarish të organizuara nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri për të mbështetur bashkëpunimin rajonal mes të rinjve, si mjet për promovimin e paqes dhe sigurisë në rajon.
Aplikantët nga Ballkani Perëndimor mund të aplikojnë këtu, deri më 20 maj 2018. Për më shumë informacion, ju lutem dërgoni një email në adresën [email protected]