Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, ka zhvilluar takime të rëndësishme në Shqipëri, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka publikuar edhe fotografi nga takimet e Tervakoski në vendin tonë, ku bie në sy se ai është takuar edhe kreun e SPAK, Klodian Braho, me ministren e Brendshme Albana Koçiu dhe Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.

Gjithashtu zyrtari i lartë amerikan është takuar edhe me përfaqësues të tjerë të zbatimit të ligjit, të drejtësisë, të shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri.

Si pjesë e diskutimeve ishte forcimi i partneritetit mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

Njoftimi i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:

Duke shfaqur forcën e partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe luftën e palodhur të Administratës Trump kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve, Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski, u takua me përfaqësues të zbatimit të ligjit, drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare.