Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, është shprehur se Qeveria po monitoron ndryshimet në çmimet e ushqimeve dhe të energjisë elektrike, pas nisjes së luftës në Iran.

Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, Ibrahimaj tha se deri në këto momente nuk ka ndryshime drastike të çmimeve të ushqimeve apo të energjisë elektrike.

Ajo tha gjithashtu se Qeveria po vëzhgon me vëmendje situatën dhe në rast të ndryshimeve të ndjeshme të çmimeve janë të gjitha alternativat mbi tavolinë, edhe ndërhyrja në treg.

“Aktualisht nuk ka asgjë të jashtëzakonshme te çmimet e ushqimeve. Ne po monitorojmë situatën për çdo lëvizje. “Në rastet e çmimeve të ushqimeve është më e vështirë që Qeveria të përcaktojë një çmim fiks, sepse ka variacione të ndryshme. Në këtë moment që flasim nuk ka pasur një ndryshim thelbësor as në çmimin e energjisë elektrike.

Të gjitha çmimet, edhe çmimi i rritur i karburanteve ka reflektuar çmimin e rritur të bursave. Nuk mund të shprehem në këtë moment për çfarë ne i kemi në tryezë të gjitha alternativat dhe i monitorojmë me kujdes në bazë ditore. Jemi në komunikim ditor që të vlerësojmë gjithë komponentët. Do bëjmë ndërhyrje që do të shkojnë në më të mirën e zhvillimit ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Ndërsa lidhur me informalitetin në vend, Ibrahimaj pranoi se nuk është zhdukur, por shtoi se është reduktuar ndjeshëm, sidomos te ‘puna në te zezë’ që sipas ministres është minimizuar.

“Informaliteti ndër vite është reduktuar. A është zhdukur? Jo nuk është zhdukur. Por mund ta them me plotë gojë se ka disa forma të informalitetit. Informaliteti në punë, pra puna e zezë është minimizuar. Ka shumë pak raste që punojnë të pasiguruar. Ne mund të kemi informalitet në paga. Ne jemi në monitorim të vazhdueshëm”, shtoi më tej Ibrahimaj.


Lajmi kryesor:

Shtrenjtohet nafta/ Kur do kthehet Bordi i Transparencës? Ibrahimaj për Report Tv: Po monitorojmë, në 2022 u aktivizua kur shkoi mbi 220 lekë! I përgjigjet Braçes: S'ka kartel që cakton çmimet