Ishte viti i super lekut, 2023, pasi valutat (euro-dollarë) u zhvlerësuan me mbi 15%, luhatje që duhet të përktheheshin në çmime më të lira për qytetarët, por në fakt ndodhi e kundërta, pasi inflacioni si për mallrat e importit ashtu dhe për ato vendase u rrit.

“Vetëm nga luhatjet e kursit të këmbimit, tregtarët kanë fituar qindra miliona euro”, thotë eksperti Klodian Muço. 

Edhe pse pritet që këtë vit, inflacioni të zbresë në 3%, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se abuzimi i tregtarëve, mund të deformojë realitetin, duke u shtuar kostot xhepit të qytetarëve.

“Duke parë inflacionin në BE në tremujorin e fundit, tendencat janë që edhe inflacioni të zbresë. Sigurisht që produkte të caktuara do të kenë rritje, sigurisht duhet të jemi të përgatitur që edhe në muajit në vijim produkte specifike do kenë çmime të larta për shkak edhe të abuzimit të tregtarëve”, pohon Muço.

Eksperti Klodian Muço thotë se shembujt e abuzimeve janë të freskëta dhe të qarta. Rasti i fundit sipas tij është rritja e çmimit të mishit, në prag të festave të fundvitit.

“Nuk është se në muajit e fundit të vitit kemi një mungesë mishi, dhe në muajit e tjetër kemi prodhim më të ulët është thjesht abuzim i tregtarëve. Siç është edhe abuzimi i tregtarëve të hidrokarbureve, nga një anë kemi rënie të dollarit drejt lekut, nga ana tjetër ka rënë edhe çmimi i naftës në tregjet e huaja, kurse në Shqipëri reagimi i kompanive të shumicës dhe pakicës është i ngadaltë, ose kalojnë ditë që të shohim një ndryshim”, thotë eksperti.

Çmimet e larta kanë furnizuar arkën e shtetit, por nga ana tjetër kanë zbrazur xhepat e qytetarëve, të cilët në tremujorin e tretë të 2023 ulën konsumin, ndërkohë që në muajit e fundit të vitit që lamë pas reduktuan edhe kursimet.

Konsumi i qytetarëve në 9 muajit e vitit të shkuar, ishte 2% më i ulët se në 2022-shin, ndërsa depozitat e qytetarëve sipas Bankës së Shqipërisë u ulën me mbi 22.6 miliardë lekë në fund të nëntorit.

Teksa institucionet vijojnë në të njëjtën linjë me pritshmëri për ulje të inflacionit në këtë vit, nga ana tjetër sektori i ndërtimit, industrisë, tregtisë dhe shërbimeve paralajmërojnë shtrenjtim të produkteve të tyre edhe gjatë 2024-ës, madje vlerësojnë që inflacioni do të jetë afro 5.8%.

DEPOZITAT E QYTETARËVE
Janar 2023        1,295,401 miliardë lekë
Nëntor 2023      1,272,759 miliardë lekë
Ulja                    -22,642 miliardë lekë