Lufta në Gaza/ Armëpushimi nis 3 orë me vonesë, Hamasi publikon emrat e 3 pengjeve që do lirohen sot! Izraeli do nxjerrë nga burgu 90 palestineze

Lufta gati 15-mujore në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit është ndalur këtë të dielë pas hyrjes në fuqi zyrtarisht të armëpushimit mes palëve. Faza e parë e marrëveshjes parashikon nisjen e lirimit të të paktën 33 pengjeve izraelite nga Hamasi dhe më pas Izraeli do të lirojë mijëra të burgosur palestinezë. 

Marrëveshja e armëpushimit u fut në fuqi pas gati tre orësh vonesë, pasi Hamasi nuk publikoi në kohë listën e emrave me pengjet që do të liroheshin, që sipas marrëveshjes duhet të ndodhë 24 orë para shkëmbimit.

Hamasi tashmë ka publikuar emrat e tre pengjeve gra që pritet të lirohen, Romi Gonen, Emily Damari dhe Doron Steinbrecher. Bëhet fjalë për një infermiere veterinare 30 vjeçare, një vajzë 24 vjeçare e rrëmbyer në Festivalin Nova dhe një vajzë 28 vjeçare me shtetësi edhe britanike. Sipas mediave, nga ana tjetër Izraeli do të lirojë 90 gra palestineze të burgosura.

Hamasi tha se nuk e kishte bërë gati listën me emrat e pengjeve, për shkak të "arsyeve teknike në terren". Ndërkohë, që prej orës 07:30 trupat izraelite kishin filluar të tërhiqeshin nga Gaza, pas marrëveshjes së arritur në Doha. Automjetet e IDF u panë duke u larguar nga Rafah përmes korridorit të Filadelfias, i cili shtrihet përgjatë kufirit jugor me Egjiptin. 

Por, ndërsa Hamasi ende s’kishte publikuar listën me emrat e pengjeve, ushtria izraelite vijoi sulmet në Gaza duke vrarë 8 persona dhe plagosur 25 të tjerë. Netanyahu ka thënë se sipas marrëveshjes Izraelit i lind e drejta të rifillojë luftën në rast të mos zbatimit të saj nga Hamasi në termat e rëna dakord.

Presidenti amerikan Biden vetëm pak ditë më parë tha se palët pas fazës së parë të armëpushimit duhet të vijojnë negociatat për mbylljen përfundimtare të luftës kohë gjatë së cilës duhet të qëndrojnë në armëpushim. 

Lufta në Gaza ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale, ku si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, ndërsa mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur.

Marrëveshja mes Izraelit e Hamasit

Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është i dyti që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin ndalur luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje. Negociatat e ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara erdhën pak përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar .

Faza e parë e saj do të zgjasë gjashtë javë, gjatë së cilës 33 nga 98 pengjet e mbetura - gra, fëmijë, burra mbi 50 vjeç, të sëmurë dhe të plagosur - do të lirohen në këmbim të gati 2,000 të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë.

Gjatë fazës së parë, ushtria izraelite do të tërhiqet nga disa nga pozicionet e saj në Gaza dhe palestinezët e zhvendosur nga zonat në veri të Gazës do të lejohen të kthehen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:06
VIDEOLAJM/ Më në fund arrihet armëpushimi, palestinezët festojnë në rrugët e Gazës

Më në fund, marrëveshja mes Izraelit e Hamasit u fut në fuqi. Tashmë do të nisë lirimi i pengjeve dhe të burgosurve në Izrael.

Në media qarkullojnë pamjet e momentit kur palestinezët festojnë në qendër të Rripit të Gazës, përballë spitalit “Martirs of Al Aksa”.

Shumë njerëz dolën në rrugë për të shprehur gëzimin e tyre pas shpalljes së armëpushimit.

Ora 11:24
Jep dorëheqjen ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, shkak armëpushimi në Gaza

1737282353_ItamarBenGvir.JPG

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir ka dhënë dorëheqjen nga qeveria në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit.

Sipas mediave të huaja, Ben Gvir kishte thënë se partia e tij do të tërhiqet nga koalicioni qeverisës i kryeministrit Bënjamin Netanyahu nëse kabineti miraton marrëveshjen e armëpushimit të pengjeve me Hamasin në Rripin e Gazës.

Ora 09:22
Media: Hamasi i ka dhënë Izraelit listën e pengjeve që do të lirohen

Foto nga sulmet sot në Gaza

Sipas transmetuesit izraelit Channel 12, Hamasi i ka dorëzuar Izraelit listën e pengjeve që do të lirohen. Pra, pengesa që deri më tani ka penguar hyrjen në fuqi të armëpushimit duhet të tejkalohet.

Ora 09:11
Armëpushimi ende nuk është futur në fuqi, Izraeli vijon sulmet në Gaza! 8 të vrarë dhe 25 të plagosur

Foto nga sulmet sot në Gaza

Të paktën 8 palestinezë janë vrarë dhe 25 janë plagosur në Gaza pasi zbatimi i armëpushimit është vonuar, tha Shërbimi i Emergjencave Civile Palestineze. Pesë u vranë në qytetin e Gazës, thotë Mahmoud Basal, dhe tre në veri.

IDF bombardoi me artileri dhe sulmoi me dronë disa objektiva të Hamasit në Gazën veriore dhe qendrore.

"IDF po vazhdon të operojë dhe të godasë objektivat terroriste në Rripin e Gazës. Pak më parë, artileria dhe avionët e IDF-së goditën një numër objektivash terroriste në veri dhe qendër të Gazës. IDF mbetet e gatshme në mbrojtje dhe sulm dhe nuk do të lejojë asnjë dëm për qytetarët e Izraelit”, thuhet në njoftimin e ushtrisë izraelite, ndërsa armëpushimi ende nuk është futur në fuqi.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bim: 19/01/2025 08:37

    Nje shtet me tipare naziste qe komandon boten siç pretendonte musteqi. Tallen me demokratwt amerikan per nje armpushim qe kishin tesh 5 muaj veq me ja ba qefin republikanet w atyre nuk I bjen qerpiku. Bote e çuditshme por dihet se si kan me shku punet se ashtu shkojn tesh 2000 vjet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

Salianji letër nga qelia: Rilindja kërkon madhështinë e Edi Ramës, Opozita fuqizimin e qytetarit

Salianji letër nga qelia: Rilindja kërkon madhështinë e Edi Ramës, Opozita fuqizimin e qytetarit