Lufta në PD për kandidimin në
zgjedhjet 2017, kritika Bashës

Lufta në PD për kandidimin në<br />zgjedhjet 2017, kritika Bashës
TIRANE- Në Partinë Demokratike jo të gjithë janë dakord me modelin përmes të cilit kryetari Lulzim Basha udhëheq partinë më të madhe të të djathtës dhe opozitën në tërësi. Zërat kritikë ndaj tij janë intensifikuar kryesisht pas humbjes në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, por edhe për qëndrimet e mbajtura nga PD për disa çështje të karakterit ekonomik dhe social nisur nga reformat e qeverisë “Rama”. Megjithatë, ndonëse deri në atë moment, atë të zgjedhjeve vendore, kishte një lloj “pajtimi” mes brezave të ndryshëm në PD përsa i përket funksionimit të opozitës dhe rolit të saj në zhvillimet politike nën drejtimin e kryetarit Basha, pas disfatës, ndër më të rëndat në historinë e demokratëve, kritikët riaktivizojnë pikëpamjet e tyre të ndryshme nga ato të Bashës.

Kritikët
Jozefina Topalli, Eduard Selami, Majlinda Bregu, Genc Ruli dhe Astrit Veliaj janë ndër deputetët e PD më kritikë ndaj lidershipit të Bashës. Dukshëm bie në sy rënia në një lloj “qetësie” e Astrit Patozit i cili ka ndryshuar shumë nga qëndrimet fillestare kundër Bashës. Ai është bërë më i moderuar, ndërsa ka fokusuar në objektiv të tij, atakimin e mazhorancës. Gjithsesi, të parët mbeten “grupimi” brenda PD që zyrtarisht është pozicionuar dukshëm kundër modelit “Basha” i cili sipas tyre s’ka arritur pritshmëritë e duhura në drejtimin e opozitës. Jozefina Topalli vazhdon të mbetet në krye të kritikëve për qasjen e opozitës së Bashës e cila më shumë se njëherë është shprehur se këtë opozitë s’e sheh kurrkund. “Kjo opozitë nuk është kurrkund. Mendoj se duhet të hiqet dorë nga retorika e fjalëve dhe të hidhemi në hapa konkretë”, ka qenë deklarata më e fundit e ish-nënkryetares së PD, e cila ndryshe nga Basha ka bërë thirrje për protestë dhe revoltë kundër qeverisë.

Eduard Selami do të ishte edhe më i drejtpërdrejtë pak ditë më parë kur u shpreh për Zërin e Amerikës se “Basha i ka zhgënjyer demokratët dhe se opozita e tij nuk ngjall shpresë e besim”. Sipas tij, “PD ka përballë një nga qeveritë më të këqija, por lidershipi i opozitës dhe i PD nuk ngjallë shpresë”. Genc Ruli e sheh ende Bashën në proces afirmimi dhe se i “takon atij që ta konfirmojë veten si lider”. Edhe deputetja Majlinda Bregu nga një “mbështetëse” e Bashës, është sot kritike e tij, ndonëse jo e drejtpërdrejtë në qëndrimet e saj, por në jo pak raste e ka shprehur pakënaqësinë e saj për drejtimin e opozitës. Astrit Veliaj, në një intervistë të dhënë për “Shqiptarja.com” disa muaj më parë shkoi edhe më larg kur u shpreh se Basha duhet t’ia kthejë PD-në Berishës, pasi ka dy vite që s’po e menaxhon dot krizën brenda demokratëve.

“PD është në një krizë, të cilën prej 2 vitesh, Basha nuk po e menaxhon dot. Nuk po gjen dot forcën dhe lirinë të shkëputet nga metodat e vjetra”, ka deklaruar Veliaj. Mekanizmi i Bashës në krye të PD ka qenë ai i një opozite reaguese por jo këmbëngulëse. Kjo ka sjellë edhe rënien e kauzave njëra pas tjetrës, duke e etiketuar opozitën si të pabesueshme, çka është përkthyer në rënie të kredibilitetit dhe kjo pikaset në dy momente, protestën e armëve kimike dhe atë të studentëve për ligjin e “Arsimit të Lartë”. Në të dy protestat opozita s’është lejuar tu bashkohet.
 
Qëndrimet 
“Kundërshtarët” e Bashës sot në PD kërkojnë një opozitë më të fortë dhe më reaguese, duke mos u pajtuar me modelin e urtë të Lulzim Bashës. Sipas tyre, Basha do kohë të afirmohet.
 
“Modeli im i drejtimit të PD, i takon një modeli krejt tjetër nga i Bashës”
 Sali Berisha nuk ka preferuar të shprehet publikisht në favor apo kundër Lulzim Bashës, ndryshe nga grupi i deputetëve Topalli, Selami, Ruli, Veliaj dhe Bregu. Kjo për disa arsye. Dukshëm, Berisha ka shprehur kundërshtimin e tij për modelin “Basha” në krye të PD, por e ka cilësuar këtë si pjesë të strategjisë së drejtimit të ri politik të Partisë Demokratike, gjë të cilën ai nuk preferon ta komentojë dhe as ta gjykojë. S’duhet harruar se Basha ka qenë etiketuar gjithmonë si pasardhësi i Berishës në PD, nisur edhe rritja e tij politike brenda pak viteve tek e djathta.

Megjithatë, lideri historik i demokratëve s’ka lënë pa atakuar indirekt “urtësinë” e Bashës, sipas tij, përballë keqqeverisjes së vendit nga mazhoranca e majtë. “Për opozitën, punën dhe rolin e saj, duhet të pyesni kryetarin e Partisë Demokratike. Është ai që vendos për aksionet politike të PD, pasi se çfarë qëndrimi ndaj unë, është tjetër gjë”, ka deklaruar Berisha në një komunikim me mediat, kur është pyetur për vlerësimin e tij për opozitën dhe PD-në. Madje, si për të mos fshehur “pakënaqësinë” dhe skepticizmin e tij, ish kryetari i PD ka deklaruar disa herë, dhe këtë jo pa qëllim, se po të ishte ai në krye të të djathtës, do të bëntë revolucion demokratik. “E kam thënë edhe më herët.

Unë do të bëja gjithçka që vendi të shkonte në një revolucion demokratik. Situata ekonomike është e papranueshme dhe kjo do të thotë më shumë mbështetje nga qytetarët”, ka deklaruar Berisha. Ai është një nga kritikët më të ashpër të qeverisjes së majtë që prej shtatorit 2013-ë. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit të dy viteve më parë, Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i PD, duke i çelur rrugën zgjedhjes së kryetarit të ri, garë të cilën e fitoi Lulzim Basha përballë ish ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. 
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 
 
  

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

‘Moodi im pas një tjetër procedimi penal’, Kryemadhi shfaqet duke kërcyer në pishinë: Nuk mu ndanë sa majtas djathtas

‘Moodi im pas një tjetër procedimi penal’, Kryemadhi shfaqet duke kërcyer në pishinë: Nuk mu ndanë sa majtas djathtas