Kryeministri Edi Rama I cili ndodhet në Forumin e Paqes ka zhvilluar takime me disa liderë të cilët siç tha dhe ai bien dakord se konflikti dhe vuajtjet në Gaza duhet të marrin fund

“Zgjatja e vuajtjeve të civilëve në Gaza ushqen ambiciet e Hamasit dhe agjentëve të tjerë të kaosit” shkruan Rama në një postim në rrjetin social X ndërsa I bashkohet thirrjes së presidentit të Francës Macron për një armëpushim të menjëhershëm

“Bie dakord me Macron se nga armëpushimi do të përfitonte gjithashtu edhe Izraeli. Unë do vazhdoj të punoj me udhëheqës të tjerë dhe zyrtarë të tjerë për paqen” shkruan më tej Rama.

Forumi i paqes në Paris, mbahet më 10 dhe 11 nëntor, dhe marrin pjesë mbi 50 shtete. Në prag të forumit Rama bëri me dije se do t’i prezantonte Presidentit Francez Emmanuel Macron një plan për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, lirimin e pengjeve si dhe tërheqjen e trupave nga zona e konfliktit.

Postimi në X

Në Forumin e Paqes të Parisit, pata mundësinë të takohesha me një sërë udhëheqësish e zyrtarësh të lartë. Për Gazën, të gjithë ramë dakord se konflikti dhe vuajtja e tmerrshme që ai po shkakton duhet të marrin fund. 

Si anëtarë të përkushtuar të NATO-s, shohim një model shqetësues, një këmbëngulje të mbrapshtë për të ndezur konflikte e mbjellë kaos në hemisferën veriore, përfshi Ballkanin Perëndimor. Këta agjentë kaosi duhen ndalur dhe duhen goditur. 
Për fat të keq, zgjatja e vuajtjeve të civilëve në Gaza, s’bën tjetër veçse ushqen ambiciet e Hamasit dhe agjentëve të tjerë të kaosit. 

Ndihem i inkurajuar nga përkushtimi i mikpritësit tonë këtu në Paris, Presidentit të Francës, Macron, i cili, të shtunën, më 10 nëntor, drejtoi një thirrje të fortë për armëpushim të menjëhershëm. Bie dakord me vlerësimin e Presidentit Macron se armëpushimi është edhe në të mirën e Izraelit.  
Si një vend i paqtë, me shumë besime fetare dhe një rini energjike, fundi i menjëhershëm i vuajtjes së civilëve qoftë të popullit palestinez, ashtu edhe atij izraelit dhe arritja e paqes së qëndrueshme midis këtyre dy kombeve është me interes strategjik për Shqipërinë. Unë do të vazhdoj të punoj për këtë bashkë me udhëheqës e zyrtarë të tjerë.

Rama propozon që kontrolli i Gazas të merret përkohësisht nga një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe. Me ndërprerjen e luftimeve, thotë kreu i qeverisë shqiptare komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet për organizimin e një konference ndërkombëtare donatorësh për të financuar rindërtimin e Gazës.