Lufta/ Rusia ndërmerr valë masive sulmesh, lëshohen të paktën 6 raketa hipersonike në Odesa dhe Kharkiv! BE: Rrezik bërthamor në Zaporizhzhia

UKRAINË-  Të paktën 6 persona humbën jetën pasi Rusia lëshoi breshëri raketash mbi gjithë territorin e Ukrainës, duke sulmuar infrastrukturën energjetike të vendit, më 9 mars dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Katër persona u vranë në rajonin e Lviv pasi një raketë goditi një zonë të banimit, tha guvernatori i qytetit, Maksym Kozytskyi. Dy persona tjerë u vranë në rajonin e Dnipropetrovsk.

Të paktën dy persona u plagosën në një lagje të Kievit, shkroi kryebashkiaku Vitali Klitschko në Telegram, ndërsa sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin dhe furnizimet me energji elektrike e ngrohje u ndërprenë.

"Të gjitha shërbimet e urgjencës po nxitojnë në vend. Makinat po digjen në oborrin e një prej ndërtesave të banimit. Alarmi ajror vazhdon. Qëndroni në strehimore. Dy viktima në lagjen Sviatoshyn. Mjekët po ofrojnë ndihmë në vend", shkroi Klitschko në Telegram.

Në Ukrainën lindore, 15 raketa goditën Harkivin dhe rajonin periferik verilindor, duke goditur ndërtesat e banimit. Qyteti verior i Zhytomir u shënjestrua gjatë natës nga një breshëri dronësh Shahed - që prodhohen nga Irani, tha kryebashkiaku i qytetit, Serhiy Sukhomlin. Ai tha se nuk u raportua për viktima, por shërbimet u ndërprenë.

"Nuk ka ujë që del nga çezmat, shumica e shtëpive në qytet nuk kanë energji elektrike - e gjithë kjo pas sulmit të natës në Zhytomir nga dronët Shahed", tha Sukhomlin në një video-mesazh.

Sulmet ruse shënjestruan gjithashtu rajonet e qyteteve Odesa dhe Harkiv, njoftuan autoritetet lokale, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe duke dëmtuar infrastrukturën hekurudhore. Rusia do të mbahet përgjegjëse për “terrorizimin e civilëve”, paralajmëroi presidenti Volodymir Zelenskiy në një deklaratë në internet.

"Pushtuesit mund të terrorizojnë vetëm civilët. Kjo është gjithçka që ata mund të bëjnë. Por kjo nuk do t'i ndihmojë ata. Ata nuk do të shmangin përgjegjësinë për gjithçka që kanë bërë", tha Zelensky.

Në të gjithë Ukrainën janë dëgjuar sirenat e alarmit. Edhe në qytete si Shytomir, Vinzyja, Rivne, si edhe në lindje, Dnipro dhe Poltava kanë rënë raketat ruse. Termocentrali bërthamor i Zaporizhjas, që është më i madhi në Evropë, u shkëput nga rrjeti elektrik i vendit nga sulmi me raketa ruse dhe termocentrali aktualisht po funksionon me 18 gjeneratorë me naftë, thanë nga kompania shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, Enerhoatom dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA). Më pas autoritetet njoftuan se në këtë central është rikthyer energjia elektrike.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Von der Leye ka dënuar sulmet e Rusisë me raketa duke i cilësuar si krime lufte. 

Vala e re e sulmeve ruse erdhi pasi forcat ukrainase ishin nën presion në rritje në qytetin e Bahmutit, ku një betejë e ashpër për kontrollin e qytetit po vazhdon prej muajsh. Bashkimi Europian thotë se në Zaporizhzhia ka rrezik bërthamor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Von der Leyen bisedë telefonike me Zelensky: Rusia po kryen krime lufte

1675361864_von.JPG

Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen shkruan në Twitter se pati një bisedë telefonike me presidentin Volodymyr Zelensky.

"Sot fola me Zelensky pas sulmeve pa dallim me raketa në Ukrainë mbrëmë. Sulmi i qëllimshëm i Rusisë ndaj civilëve dhe rrjetit të energjisë është një krim lufte. Kjo forcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të vazhduar avancimin e përpjekjeve për reformën e Ukrainës në rrugën e anëtarësimit në BE".

Ora 22:22
Lituania: Rusia mund të luftojë edhe për dy vjet të tjera në Ukrainë

Shefi i inteligjencës ushtarake të Lituanisë tha se Rusia ka burime të mjaftueshme që ta vazhdojë luftën në Ukrainë edhe për dy vjet me intensitetin aktual.

“Burimet të cilat Rusia i ka aktualisht do të ishin të mjaftueshme për të vazhduar luftën në intensitetin aktual edhe për dy vjet”, tha shefi i inteligjencës të Lituanisë, Elegijus Paulavicius.

“Se sa gjatë mund të luftojë Rusia po ashtu do të varet nga mbështetja për ushtrinë ruse nga shtetet sikurse Irani dhe Koreja e Veriut”, shtoi ai gjatë një deklarimi për gazetarë.

Ora 19:58
Scholz: Fatkeqësisht, nuk shoh asnjë vullnet nga Putin për të folur mbi paqen në Ukrainë

1677228153_axcgokz.JPG

Kancelari gjerman Olaf Scholz përsëriti deklaratat e tij për mosgatishmërinë e presidentit rus Vladimir Putin për të mbajtur bisedime të paqes me Ukrainën. 

“Fatkeqësisht nuk shoh ndonjë vullnet për ta bërë këtë për momentin”, tha Scholz.

Ai më pas ripohoi mbështetjen e tij për Ukrainën, por edhe synimin e tij për të qëndruar në kontakt me Rusinë. 

"Kam mbajtur qëllimisht kontakte telefonike me Putinin. Sigurisht, pikëpamjet tona shumë të ndryshme bëhen të dukshme. Por duhet të vijë një kohë kur Putini do të kuptojë se nuk po i arrin qëllimet e tij imperialiste, se çmimi është shumë i lartë," shtoi Scholz.

Autoritetet ukrainase kanë deklaruar prej kohësh se janë gati për paqe, por nuk duhet të jetë një paqe e diktuar.

Ora 16:17
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës: Rusia po përdor raketa të cilat nuk i kemi parë kurrë më parë

Qytetarët ukrainas janë shprehur se për herë të parë Rusia ka përdorur lloje të ndryshme raketash gjatë sulmeve, raketa të cilat nuk janë parë kurrë më parë. Këtë e konfirmoi edhe një prej zëdhënësve të komandës së Forcave Ajrore Ukrainase.

"Për herë të parë Rusia ka përdorur lloje të ndryshme raketash në bastisje. Gjashtë Kinzhal (armë hipersonike me aftësi bërthamore) janë përdorur - është një sulm që nuk mbaj mend të kisha parë ndonjëherë më parë," tha Yurii Ihnat.

"Deri më tani ne nuk kemi aftësi për t'iu kundërvënë këtyre armëve," shtoi ai, duke iu referuar raketave Kinzhals dhe X-22 të lëshuara në Ukrainë gjatë natës dhe në mëngjes. 

Moska përdori raketën Kinzhal me aftësi bërthamore në disa raste në javët e para të pushtimit.

Ora 14:38
25-vjeçarja la studimet për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë: Ishte e frikshme, por kur arrita e kuptova se duhet të isha në vendin tim

1678369274_775577annareznikfatherihor801052656.jpg

Një 25-vjeçare është kthyer në qytetin e saj të lindjes, Kharkiv në një kohë kur pjesa më e madhe po largohen nga Ukraina. Anna Reznik ka zgjedhur që të shkojë pranë babait të saj dhe të luftojë kundër forcave ruse në Kharkiv, objektiv ndaj Vladimir Putinit.

Ajo iu bashkua Brigadës 127 të qytetit, në të cilën babai i saj, Ihor, 49 vjeç, është komandant dhe e mësoi se si të përdorte pushkët dhe një pistoletë.

“Ishte e frikshme të kthehesha, por sapo vendosa që nuk ndjeja më frikë. Sapo arrita këtu, kuptova se këtu duhej të isha. Kjo është një kohë kaq historike për vendin tim dhe po ndodhte në qytetin tim të lindjes”, tha Anne Reznik.

Anna ishte duke studiuar në Universitetin Amerikan të Parisit kur Rusia futi trupat e saj në Ukrainë rreth 13 muaj më parë.

Nëna e saj dhe tre vëllezërit e motrat u larguan nga Ukraina për t'u bashkuar me miqtë në Francën jugore, ndërsa ajo dhe babai i saj, u regjistruan për të luftuar.

Ora 13:08
Moskë: Sulmet e sotme në hakmarrje për Bryansk, na goditën objektivat ushtarake

1678363732_64926643303.jpg

Bombardime të njëpasnjëshme ka pasur ditën e sotme në të gjithë Ukrainën kryesisht në rajonin e Odessës dhë Kharkivit, sulme të cilat kanë nisur gjatë natës.

"Armë me precizion të lartë të lëshuar nga ajri, deti dhe toka, duke përfshirë raketat hipersonike Kinzhal, kanë goditur objektiva kritikë të infrastrukturës ushtarake, ndërmarrjeve komplekse ushtarako-industriale dhe objekteve energjetike që i fuqizojnë ato" në Ukrainë. Kështu deklaroi Ministria ruse e Mbrojtjes, e cituar nga agjencia RIA Novosti .

Zëdhënësi i Ministrisë Igor Konashenkov shpjegoi se sulmet me raketa të mbrëmjes së sotme kundër Ukrainës ishin "hakmarrje" për "aktet terroriste të organizuara nga regjimi i Kievit në rajonin e Bryansk më 2 mars".

Ora 11:19
Bombat ruse në Ukrainë, të paktën 8 të vdekur

1678357227_gj.JPG

Numri i të vdekurve në Ukrainë të shkaktuar nga bombardimet ruse mbrëmë është rritur në të paktën tetë: këtë e kanë bërë të ditur zyrtarët në vend. Në total përfshihen 5 vdekje në rajonin e Lviv (tre burra dhe dy gra), në perëndim të vendit dhe tre të tjera në Kherson, në Ukrainën jugore.

Ora 09:21
OKB dhe Ukraina bëjnë thirrje për zgjatjen e marrëveshjes së grurit me Rusinë

1678350111_jtg.JPG

Presidenti i Ukrainës dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres bënë thirrje të mërkurën për zgjatjen e marrëveshjes me Moskën, e cila lejon Kievin të eksportojë drithëra përmes porteve të Detit të Zi gjatë pushtimit rus.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha pas bisedimeve me Guterres në Kiev se marrëveshja e drithërave të Detit të Zi ishte e nevojshme për botën dhe shefi i OKB-së nënvizoi rëndësinë e saj për sigurinë globale të ushqimit dhe çmimet e ushqimit në përgjithësi.

Marrëveshja 120-ditore, e ndërmjetësuar fillimisht nga OKB-ja dhe Turqia në korrikun e vitit të kaluar dhe e zgjatur në nëntor, do të rinovohet më 18 mars nëse asnjë palë nuk kundërshton.

Ora 07:49
Zelensky: Nuk do ta takoj Putinin, nuk ka besim tek ai

1678344599_72aa90cfe4e3446daadb6cddaa227532.jpg

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përjashton për momentin që të imagjinojë një situatë në të cilën ai mund të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin.

 “Ne nuk kemi rrethana për të folur me presidentin e Federatës Ruse sepse ai nuk e mban fjalën e tij”, tha Zelensky në një intervistë për CNN.

"Ne nuk kemi besim tek ai," tha ai, duke përsëritur se "Rusia duhet të largohet nga territori ynë. Pas kësaj, ne do të jemi të lumtur të bashkohemi me instrumentet diplomatike. Për ta bërë këtë, ne mund të gjejmë çdo format me partnerët tanë."- tha ai.

G.MO/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim