Lufta/ Ukraina: Rusia po pëson disfatën më të madhe që pas tërheqjes nga Kievi! Në Kharkiv zbulohen dhomat e torturës

Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e saj të 201. Në rajonin e Kharkiv, forcat ukrainase arritën në pikën kufitare me Rusinë, duke çliruar 40 vendbanime, sipas Kievit.

Nga njëra anë, kundërofensiva e Kievit, por nga ana tjetër ngadalësim i negociatave me Moskën. Ndërkohë që trupat ukrainase vazhdojnë kundër-ofensivës e cila duket se ka shpartalluar ushtrinë ruse dhe që ka sjellë forcat e Kievit në kufirin me Rusinë, Presidenti Volodymyr Zelensky, i intervistuar nga CNN, tha se nuk ishte i gatshëm të negocionte me Rusinë.

“Nuk shoh ndonjë dëshirë nga ana e tyre – tha ai –. Unë nuk flas me ata që lëshojnë ultimatume”. Më herët, në një video-mesazh, Zelensky pretendoi se "historia" e pavarësisë së Ukrainës është shkruar në këto 200 ditë lufte."

Zyrtarë ukrainas thonë se forcat e tyre, me ofensivën e nisur së fundi, i kanë shkaktuar disfatën më të keqe forcave ruse që kur ato u zmbrapsën nga periferitë e Kievit në mars. Ky sukses iu ka dhënë shpresë për fitore banorëve të Ukrainës, ndërsa forcat ruse janë fajësuar për sulme hakmarrëse ndaj civilëve. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shënoi ditën e dyqind të nisjes së luftës kundër Rusisë, duke vlerësuar kontributin e ushtrisë ukrainase, shërbimeve të urgjencës dhe atyre që po vuajnë nga konflikti. Ndërsa kryediplomati rus, Sergei Lavrov i tha televizionit shtetëror rus se Moska është e gatshme për negociata me Ukrainën.

Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar forcat ruse se kanë sulmuar infrastrukturën civile si hakmarrje ndaj ofensivës së fundjavës nga trupat ukrainase, akuzë e hedhur poshtë nga Rusia. Zjarrfikësit u përballen me zjarr në një central në Kharkiv të dielën, pas sulmeve me raketa ruse që shkaktuan ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike.

Ministri i Mbrojtjes ukrainase, Olkeksii Reznikov ndonëse i matur në vlerësimet për vazhdimin e ofensivës, i tha gazetës “Financial Times” se kjo është disfata më e keqe për forcat ruse që kur u zmbrapsën nga periferitë e Kievit në mars. Zoti Reznikov tha se ofensiva shkoi shumë më mirë se sa pritej, duke thënë: “Është një shenjë se Rusia mund të mposhtet”.

VIJON...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:37
Pas disfatës në Khariv, Rusia po tërhiqet? Ukraina: Putin ka pezulluar dërgimin e njësive të reja ushtarake në Ukrainë

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka njoftuar këtë të hënë se Komanda ushtarake e Rusisë ka ndaluar dërgimin e njësive të reja në Ukrainë pas një kundërofensive ukrainase, e cila ka rezultuar në çlirimin e shumë territoreve të pushtuara.

"Komanda ushtarake e federatës ruse ka ndaluar dërgimin e njësive të reja në Ukrainë pas një kundërofensivë dramatike ukrainase që ka riformuar luftën dhe e ka lënë Moskën të tronditur", njoftoi  këtë të hënë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

“Komanda ushtarake e Federatës Ruse ka pezulluar dërgimin e njësive të reja, tashmë të formuara në territorin e Ukrainës”, thanë zyrtarët në faqen zyrtare të Shtabit.

"Situata aktuale në teatrin e operacioneve dhe mosbesimi ndaj komandës së lartë detyroi një numër të madh vullnetarësh të refuzonin kategorikisht mundësinë e shërbimit në kushte luftarake. Situata ndikohet nga informacionet rreth  numrit aktual të të vdekurve, ndërsa nuk merren parasysh humbjet nga kompanitë private ushtarake dhe ato të mobilizuara nga territoret e pushtuara përkohësisht. Situata përkeqësohet për shkak të plagosurve të tyre... nuk jepet kohë për rehabilitim e tyre  në mënyrë që të kthehen shpejt ushtarakët në zonën e luftimit", thuhet po ashtu në njoftimin e Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Ora 20:00
FOTO/Një tjetër masakër nga ushtria ruse? Kievi: Zbulohet dhoma e torturës në Balaklia, u gjendën njolla gjaku

Ndërsa trupat ukrainase rifitojnë kontrollin e territoreve që ishin të pushtuara ushtria e Moskës, duket se praktika të tjera të torturës, të zbuluara tashmë në Bucha, dhe në qytete të tjera po dalin në sipërfaqe.

 "Një dhomë torture" u gjet në qytetin e Balakliia , në rajonin lindor të Kharkiv", tha deputetja Maryana Bezugla , nga "Partia Shërbëtor i Popullit" e Volodymyr Zelensky.

Ajo denoncoi zbulimin ku ka postuar disa foto në Facebook. Deputetja e ka quajtur bodrumin “dhomë ekzekutimi”.

"Brenda kishte "udhëzime mbi" nazizmin ukrainas "të ngjitura në mure, pastaj një karrige me çekiç, shirit ngjitës dhe doreza të përdorura.", tha ajo.

Ndërsa në një dhomë tjetër thotë se janë gjetur edhe njolla gjaku.

Ora 19:23
Kishte vetëm 16 ditë në detyrë, Putin shkarkon komandantin e ushtrisë! Shkak,humbjet e forcave ruse në Kharkiv  

Vladimir Putin ka shkarkuar komandantin e ushtrisë , i cili kishte vetëm 16 ditë në detyrë, ai është Roman Berdnikov.

Presidenti thuhet se ka shkarkuar Roman Berdnikov pas arritjeve të ushtrisë ukrainase, e cila thotë se ka shtyrë forcat pushtuese në kufi në disa zona.

Ukrainasit pretendojnë se rritja e tyre në lindje i ka parë ata të çlirojnë 'fshat pas fshati'.

Trupat ruse të pushtuara nga paniku thuhet se kanë braktisur tanket, armët dhe furnizimet, me ukrainasit që me sa duket kanë gjetur ushqime në tavolinat pas tërheqjes së shpejtë të rusëve.

Presidenti thuhet se ka shkarkuar gjenerallejtënantin Roman Berdnikov pas një kundërsulmi mahnitës nga Ukraina, e cila thotë se ka shtyrë forcat pushtuese të kthehen në kufi në disa zona.

Sipas Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës  ai u hoq për shkak të “disfatave dërrmuese” në rajonin e Kharkivit. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës bëri me dije se grupi i trupave ruse tani do të drejtohet Gjeneral-LieutenantOleksander Lapin.

Ndërkohë që Kremlini ende nuk ka konfirmuar ndonjë nga këto ndryshime. Kujtojmë se në qershor, Berdnikov u përfol se ishte vrarë në një sulm të kryer nga forcat e Kievit.

Ai kishte qenë më parë komandant i grupit punues të forcave të armatosura ruse në Siri dhe u zhvendos për të udhëhequr trupat në Republikën Popullore të Donbasit.

Kundërofensiva e Kievit bëri fitime të rëndësishme gjatë fundjavës , duke rifituar zonat e pushtuara nga Rusia brenda rajonit. Trupat ruse u detyruan të tërhiqen për të mos përfunduar të rrethuar nga forcat e armatosura ukrainase.

Kievi  thuhet se ka çliruar 1,160 milje katrorë që nga fillimi i shtatorit dhe se tashmë forcat ukrainase ndodhen rreth 30 milje nga kufiri rus në veri lindje.

Që kur Ukraina rimori me sukses zonat e rajonit të Kharkiv, pjesë të vendit janë goditur nga sulmet ruse, duke lënë zona me ndërprerje dhe pa furnizime me ujë.

Ora 17:52
Udhëheqësi çeçen Kadyrov paralajmëron: Po vjen një 'surprizë' për armiqtë

"Një surprizë" po vjen për Forcat e Armatosura të Ukrainës", kështu ka paralajmëruar lideri i Çeçenisë, Ramazan Kadyrov në kanalin e tij Telegram.

"Luftëtarët tanë kanë përgatitur një surprizë interesante për bandat ukrainase dhe së shpejti do të bëhet e ditur. Ndërkohë nuk do ta zbuloj planin. Falë guximit dhe heroizmit të njësive të fuqisë çeçene, si dhe bashkëpunimit të konsoliduar me Forcat Aleate, operacioni ushtarak special në zonën e përgjegjësisë së njësive të Republikës Çeçene po ecën me sukses. Jam i sigurt se me përpjekje të përbashkëta do ta çojmë çështjen në disfatën e plotë të bandave armike”, shtoi Kadyrov.

Ora 17:09
Kundërshtojnë veprime e tij në Ukrainë, këshilltarët komunalë i bëjnë thirrje Putinit të dorëhiqet

Këshilltarët komunalë të 18 rretheve të Moskës dhe Shën Petersburgut kanë bërë thirrje për dorëheqjen e presidentit rus Vladimir Putin duke deklaruar se veprimet e tij dëmtojnë të ardhmen e Rusisë dhe qytetarëve të saj", sipas medias britanike "Novaya Gazeta Europe" duke cituar llogarinë e një këshilltari në Twitter. 

Javën e kaluar, shtatë anëtarë të këshillit të qarkut "Smolninskoye" të Shën Petersburgut kërkuan nga deputetët e Dumës Kombëtare të hetojnë Putinin për "tradhti të lartë" për pushtimin e Ukrainës dhe u akuzuan për "diskreditim të ushtrisë" për këtë. Në Rusi, autoritetet po rritin censurën dhe shtypjen e mospajtimit, dhe një ligj i ri "gag" parashikon deri në 15 vjet burg për shpërndarjen e informacionit rreth ushtrisë që duhet të konsiderohet "i rremë" nga autoritetet, duke ndaluar efektivisht që të  kritikojnë luftën në Ukrainë, të cilën autoritetet ende e quajnë "operacion special ushtarak".

 

Ora 16:37
Kharkiv në errësirë, rajoni ku forcat ukrainase kanë rimarrë në kontroll pika të shumta strategjike   

Edhe ditën e sotme, errësirë ​​masive në rajonin lindor të Ukrainës,  Kharkiv, aty ku forcat ushtarake të  Kievit kanë rimarrë nën kontroll qendra të shumta strategjike. 

Furnizimi me energji elektrike u ndërpre dhe i gjithë transporti me energji elektrike, përfshirë metronë, u bllokua. Edhe gjatë mbrëmjes së djeshme pati ndërprerje të mëdha të energjisë pas bombardimeve nga forcat e Moskës në infrastrukturën energjetike. 

"Madhësia e ndërprerjeve të energjisë në Kharkiv është në të njëjtin nivel si dje," njoftuan autoritetet lokale.

 Shkëputja e energjisë elektrike ndodhi pasi një zjarr masiv përfshiu një termocentral në Kharkiv pasi u godit sipas autoriteteve ukrainase nga raketa ruse ditën e diel.

Kryebashkiaku i Kharkiv, Igor Terekhov e përshkroi ndërprerjen e energjisë elektrike si "hakmarrje", ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në Twitter se qëllimi i Rusisë ishte "të privonte njerëzit nga drita dhe nxehtësia". Rusia ka mohuar që forcat e saj të kenë shënjestruar civilët.

Ora 15:29
Tërheqja e trupave ruse, Peskov: Putini është në dijeni! Informohet 24 orë në ditë

Zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dmtrij Peskov tha për mediat ruse se komanda ushtarake po e informon presidentin rus për situatën e trupave ruse në fushën e betejës në Ukrainë.  

"Gjithçka që ndodh, çdo veprim i ndërmarrë nga ushtria gjatë 'operacionit special' i raportohet Komandantit Suprem. Presidenti Putin është në komunikim të vazhdueshëm, 24 orë në ditë, me Ministrin e Mbrojtjes dhe të gjithë komandantët ushtarakë.", tha Peskov tha për Radio Mayak.

Ora 14:46
Këshilltari i ministrit të Brendshëm në Ukrainë: Ushtarët rusë po ikin aq shpejt sa lanë gjysmën e pajisjeve të tyre mbrapa

“Ushtarët rusë po ikin aq shpejt sa kanë lënë gjysmën e pajisjeve të tyre mbrapa”. Kështu shkroi Këshilltari i Ministrit të Brendshëm Anton Gerashchenko në Twitter, pasi Ukraina po çliron disa territore të pushtuara nga Rusia.

Gerashchenko shtoi se pasi policia ka hyrë në territoret e çliruara, ka gjetur prova për krime “të tmerrshme” të kryera nga ushtria ruse.

Ora 13:20
Kush është gjenerali hero ukrainas, që po 'zmbraps' Rusinë

Ai është babai i rezistencës ukrainase: gjenerali Valery Saluschnyj, 49 vjeç, komandanti suprem i forcave të armatosura të Ukrainës. Në fillim të luftës ai jo vetëm organizoi mbrojtjen e kryeqytetit, por planifikoi edhe kundërsulm të suksesshëm.

Në rajonin e Kharkiv, përparime janë bërë jo vetëm në jug dhe lindje, por edhe në veri dhe së shpejti do të arrijnë në kufirin me Rusinë, shkruan Bild.

“Jam krenar dhe falënderues për çdo ushtar ukrainas. Është nder për mua të luftoj krah për krah me ju”, tha Zalushnyj.

I konsideruar si një patriot dhe një oficer luftarak veteran, ai demonstroi aftësitë e tij drejtuese dhe zgjuarsinë ushtarake gjatë pushtimit rus 2014-2015. Që atëherë ai ka gëzuar vlerësimin më të lartë në grup

Emri i tij i parë, Valerij, do të thotë ‘i fortë’ në gjermanisht.

Ndërkohë Salyschnyj nuk është vetëm një hero mes ushtarëve, por edhe për një pjesë të madhe të popullsisë. Ekspertët madje besojnë se gjenerali popullor mund të pasojë kreun aktual të qeverisë, Volodymyr Zelensky pas përfundimit të luftës.

Gjenerali-hero ka luajtur një rol shumë të madh në sigurimin që Ukraina të ekzistojë ende dhe që vendi të mos pushtohej brenda pak ditësh, siç kishte planifikuar despoti i Kremlinit, Vladimir Putin. Tani ai mund të sjellë edhe fitoren ndaj Rusisë!

Ora 12:56
Kievi: Kemi rimarrë 500 km katrorë territor në Ukrainën jugore

Forcat ukrainase kanë rimarrë 500 kilometra katrorë territor në jug të vendit.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e komandës ushtarake jugore, Natalia Gumenyuk.

"Disa njësi ruse të vijës së parë në Kherson po negociojnë dorëzimin," tha zëdhënësja e cituar nga mediat lokale.

Ora 11:23
Ukraina përparon me kundërofensivën, ushtria: Kemi çliruar 20 qytete e fshatra

Ushtria ukrainase thotë se forcat e saj kanë vazhduar të rikthejnë kontrollin e territoreve që i kishin pushtuar forcat ruse.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë tha se forcat mbrojtëse kanë çliruar më shumë se 20 qytete dhe fshatra, më 11 shtator, në rajonet e Harkivit dhe Donjeckut, në lindje të Ukrainës.

Raketat ruse kanë goditur këto dy zona dhe rajone tjera, duke shënjestruar infrastrukturën kyçe, sipas zyrtarëve ukrainas.

Për probleme me energjinë elektrike dhe ujin është raportuar në Harkiv, Sumi, Poltava, Zaporizhja dhe rajonet e Dnjipropetrovskut, çka ka çrregulluar jetët e miliona personave.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Tragjedia në Shkodër, Erdgys Arrazit i jepet leje për të marrë pjesë në varrimin e dy fëmijëve

Tragjedia në Shkodër, Erdgys Arrazit i jepet leje për të marrë pjesë në varrimin e dy fëmijëve