Lufta/ Kim Jong Un në Rusi me trenin e blinduar, SHBA drejt dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë! Putin thotë se Trump po persekutohet politikisht

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un tashmë ndodhet në Rusi ku pritet të takohet me presidentin Vladimir Putin.

Kim pritet të kërkojë ndihmë ekonomike nga Moska në këmbim të furnizimit me armë të Rusisë, duke e ndihmuar kështu në luftën që po bën në Ukrainë.

Presidenti Putin tha sot se pret një luftë të gjatë në Ukrainë, por analistët thonë se takimi me udhëheqësin koreaoverior tregon dëshpërimin e tij, ndërsa Rusia ka përdoruar pjesën më të madhe të rezervave ushtarake gjatë agresionit ndaj fqinjit të saj.

Lideri i Koresë së Veriut shoqërohet tek kjo vizitë nga Choe Son Hui, ministri i Jashtëm, i cili është më i njohur në Perëndim për organizimin e një samiti me Donald Trump, Ri Pyong Chol, figura më e lartë ushtarake që mbikëqyr industrinë e mbrojtjes duke përfshirë programet bërthamore dhe raketore, Pak Thae Song, kryetar i një komiteti të hapësirës dhe teknologjisë, Jo Chun Ryong, drejtor i departamentit të industrisë së municioneve. Në bordin e trenit të blinduar mund të ketë qenë edhe ministri i Mbrojtjes Kang Sun Nam, megjithëse nuk mund të identifikohej me siguri në foto. Edhe Kim Yo Jong, motra e Kim Jong Un, u pa duke qëndruar pranë trenit, megjithëse nuk dihet ende nëse ajo hipi.

Ndërkohë sipas katër zyrtarëve amerikanë administrata e Presidentit Biden po shqyrton furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze më të gjatë veprimi, të mbushura me bomba thërrmuese dhe që mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme më thellë në territorin e pushtuar nga Rusia.

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se shkak për ndryshimin e qëndrimit është suksesi i muajve të fundit nga përdorimi i predhave thërrmuese të artilerisë.

Uashingtoni po shqyrton dërgimin në Ukrainë të Sistemeve të Raketave Taktike të Ushtrisë (ATACMS) që mund të fluturojnë deri në 306 kilometra dhe të Sistemeve të Raketave të Udhëzuara të Shumëfishta (GMLRS) që kanë një rreze prej 72 kilometrash dhe janë të mbushura me bomba thërrmuese. Sistemi i raketave GMLRS do të jetë në gjendje të shpërndajë deri në 404 bomba thërrmuese. Prej disa muajsh Ukraina ka pasur në arsenalin e saj një variant të sistemit GMLRS.

Administrata e Presidentit Biden prej muajsh po mendon lidhur me furnizimin e Ukrainës me sistemet ATACMS, nga droja se dërgesa do të shihej si një veprim tepër agresiv kundër Rusisë. Ndërsa kundërsulmi i Ukrainës ndaj agresorit rus tregon shenja përparimi, Uashingtoni është i prirur që ta përforcojë ushtrinë ukrainase në një moment jetik, thanë dy burime për agjencinë e lajmeve Reuters.

Në një fjalim në Forumin Ekonomik Lindor në qytetin lindor të Rusisë, Presidenti rus, Vladimir Putin, ka folur edhe për gjyqin e ish-Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Putin i ka cilësuar hetimet gjyqësore si “një persekutim për arsye politike”. Ai gjithashtu shtoi se kushdo që do ishte president i ardhshëm i SHBA-së, nuk do të kishte ndryshime thelbësore në politikën amerikane ndaj Rusisë. Po ashtu, ai tha se Ukraina ka humbur tashmë 71,500 ushtarë që nga fillimi i kundërofensivës në fillim të qershorit, gjë që nuk solli asnjë rezultat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:22
Scholz: Britania dhe SHBA shkatërruan marrëveshjen e paqes? Jo nuk është e vërtetë

1694524975_scholz.jpg

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, mohoi "historitë" sipas të cilave një marrëveshje paqeje e lidhur midis Ukrainës dhe Rusisë ishte negociuar tashmë në pranverën e vitit 2022, menjëherë pas fillimit të luftës, por ishte shkatërruar nga Shtetet e Bashkuara ose nga Britania e madhe. 

"Jo, kjo nuk është e vërtetë", tha Scholz gjatë takimit "Guximi i Paqes" të Komunitetit të Sant'Egidio. 

Palët ende po bisedonin me njëra-tjetrën, "por gjithçka që do të ishte e mundur si një marrëveshje u shkatërrua sepse presidenti rus përdori kohën vetëm për të udhëhequr trupat e tij rreth Ukrainës pas sulmit të dështuar në kryeqytetin Kiev dhe për të vazhduar sulmin në vendi në lindje të Ukrainës”, shpjegoi më tej Scholz.

Ora 15:03
Franca: Vizita e Kim Jong-un në Rusi tregon izolimin e Putinit nga komuniteti ndërkombëtar

1693854675_kkkkk.jpg

Vizita e Kim Jong-un në Rusi është "një shenjë" e izolimit të presidentit rus, Vladimir Putin, nga komuniteti ndërkombëtar, deklaroi qeveria franceze. 

"Rusia është e izoluar deri në atë pikë sa është e detyruar të kthehet drejt Koresë së Veriut. Është shenjë e një izolimi shumë të fortë në nivel ndërkombëtar", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme franceze, Anne-Claire Lezhandre, në një konferencë shtypi në Paris. 

Kremlini sot ka siguruar se takimi mes liderit rus, Vladimir Putin dhe të Koresë së Veriut, Kim Jong-un do të zhvillohet "në ditët në vijim", të cilët do të bisedojnë për bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme, por edhe për çështje “të ndjeshme”.  

Ora 13:38
Polonia: Nga 15 shtatori nuk do të lejojmë hyrjen e grurit ukrainas

1693498548_grure.jpg

Qeveria polake do të vendosë në mënyrë të njëanshme që të bllokojë grurin ukrainas duke filluar nga 15 shtatori, nëse Komisioni Evropian nuk e zgjeron ndalimin e importit të grurit, misrit, rapes dhe lulediellit nga Ukraina në pesë vende të BE-së.

Pesë vendet e BE-së janë Poloni, Sllovaki, Hungari, Rumani, Bullgaria. 

Kjo u njoftua nga kreu i qeverisë polake Mateusz Morawiecki dhe ministri i bujqësisë Robert Telus, siç raportohet nga agjencia e lajmeve ukrainase Ukrinform. 

"Polonia nuk do të lejojë që të ‘mbytemi’ me grurë ukrainas. Cilido qoftë vendimi i autoriteteve të Brukselit, ne nuk do t'i hapim kufijtë tanë", shkroi Morawiecki në X.

Ora 13:37
Kremlini: Takimi Putin-Kim do zhvillohet në ditët në vijim

1694518656_lkhdjf.jpg

Kremlini ka siguruar se takimi mes liderit rus, Vladimir Putin dhe të Koresë së Veriut, Kim Jong-un do të zhvillohet "në ditët në vijim". 

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i presidentit rus, Dmitri Peskov, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok. 

Peskov nuk ka dashur të specifikojë se ku do të zhvillohet takimi.

Ora 12:00
Putin: Rreth 1,500 rusë po nënshkruajnë kontrata vullnetare për t’u bashkuar me ushtrinë

1694512812_9823.jpg

Vladimir Putin tha se nga 1 mijë deri në 1,500 rusë në ditë kanë nënshkruar çdo ditë kontrata vullnetare për t’u bashkuar me ushtrinë.

Kjo ishte një përgjigje e Putin ndaj pyetjes nëse Rusia kishte nevojë të prezantonte një mobilizim të ri të detyrueshëm për të rritur përpjekjet e saj ushtarake në Ukrainë apo të asaj që Kremlini kishte thënë vazhdimisht se kjo gjë nuk ishte e nevojshme.

Gjatë gjashtë apo shtatë muajve të fundit, 270 mijë njerëz kanë nënshkruar kontrata vullnetare, tha Putin. Agjencia e lajmeve Reuters vëren se kjo është një shifër pak më e ulët se 280 mijë që deklaroi ish-presidenti, Dmitry Medvedev, në fillim të këtij muaji.

Ditën e djeshme, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha në konferencën e saj të përditshme të inteligjencës se Rusia ndoshta do të kërkonte të shmangte një mobilizim të detyruar përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm që do të mbahen në mars.

Ora 11:29
Putin: Dërgimi i tankeve sovjetike në Hungari dhe Çekosllovaki ishte një gabim i politikës së jashtme ruse

1694510930_9843.jpg

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia e pranon gabimin e politikës së jashtme të BRSS për tanket sovjetike në Hungari dhe Çekosllovaki.

 Putin e deklaroi këtë gjatë seancës plenare të Forumit Ekonomik Lindor. 

"Ne kemi pranuar prej kohësh se kjo pjesë e politikës së Bashkimit Sovjetik ishte e gabuar dhe çoi në përshkallëzimin e tensioneve", tha Putin, duke iu përgjigjur moderatorit, i cili citoi autoritetet çeke dhe hungareze të kenë thënë se "BRSS u soll si një kolonizator kur solli tanke në Pragë dhe Budapest”, raportoi agjencia Tass.

Ora 11:21
Putin: Negociatat për paqen? SHBA po shtyn Kievin që të heqë veton

1694510489_likds.jpg

Nëse Shtetet e Bashkuara mendojnë se presidenti ukrainas është gati të ulet në një tryezë bisedimesh me Rusinë, duhet të anulojë urdhrin e Zelensky për ndalimin e çdo bisede përsa i përket negociatave, tha Putin.

“Duhet ta pyesni pse i bën këto deklarata, sepse unë nuk e di. Sa i përket procesit të negociatave, nëse Shtetet e Bashkuara besojnë se Ukraina është gati për bisedime, le ta anulojnë urdhrin e presidentit ukrainas për ndalimin e negociatave”, tha Putin.

Përmes këtij fjalimi ai i’u përgjigj edhe pyetjes se pse sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken bëri deklarata për bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës.

Ora 10:43
Putin: Donald Trump po persekutohet për arsye politike

1694508184_trump.jpg

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka cilësuar hetimet gjyqësore kundër ish-Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, si “një persekutim për arsye politike”.

Këtë deklaratë lideri rus e bëri në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok, Rusi, i cili foli për marrëdhëniet me SHBA-në, të cilat ai tha se Moska i konsideron "një armik të përhershëm". Ai tha se "shumë njerëz" në Amerikë po kërkojnë marrëdhënie të mira me Rusinë.

Putin tha se kushdo që do bëhet president i SHBA-së nuk do të kishte ndryshime thelbësore në politikën amerikane ndaj Rusisë.

“Hetimet gjyqësore kundër Donald Trump në SHBA janë një persekutim për arsye politike. Kushdo që do bëhet president, nuk do të ketë ndryshime thelbësore në politikën amerikane ndaj Rusisë", tha Putin.

Ora 10:22
Kremlini: Putin-Kim po bisedojnë për tema të ndjeshme. Shitja e armëve? Vendet tona udhëhiqen nga interesat e tyre

1694507681_hasd.jpg

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un do të bisedojnë për bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme, por edhe për çështje “të ndjeshme”. 

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se Putini është gjithashtu i gatshëm të flasë për sanksionet e OKB-së kundër Phenianit. 

Por, përsa i përket paralajmërimeve të Uashingtonit për shitjet e armëve të Koresë së Veriut në Rusi, Moskë dhe Phenian, "do të udhëhiqen nga interesat e tyre".

“Mbi të gjitha do të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin, lidhjet tregtare dhe ekonomike dhe shkëmbimet kulturore. Sigurisht që do të ketë një shkëmbim intensiv të mendimeve për situatën në rajon dhe çështjet ndërkombëtare në përgjithësi, sepse kjo është në interesin si të Putinit po ashtu edhe të mysafirit tonë nga Pheniani”, tha Peskov, cituar nga agjencia e lajmeve Tass, në lidhje me takimin Putin-Kim.

Peskov gjithashtu tha se Rusia dhe Koteja e Veriut po veprojnë në sfera të caktuara të ndjeshme që nuk mund të zbulohen apo shpallen publikisht.

Ai shtoi se Rusia ishte e gatshme për diskutimin e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë së Veriut.

“Sigurisht, duke qenë fqinjë, vendet tona veprojnë në sfera të caktuara të ndjeshme që nuk mund të zbulohen apo shpallen publikisht. Nëse është e nevojshme, Rusia është e gatshme të diskutojë sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë së Veriut”, tha Peskov.

Duke komentuar paralajmërimin e Shtëpisë së Bardhë kundër shitjes së armëve nga Koreja e Veriut në Rusi, Peskov tha se nuk ishte i interesuar për komentet e Uashingtonit.

“Ne do të udhëhiqemi nga interesat e dy vendeve tona”, tha ai.

Ora 10:03
Moska akuzon ukrainasit për sulme pranë termocentralit Zaporizhzhia

1694505780_termo.jpg

Kreu i agjencisë shtetërore ruse bërthamore Rosatom, Alexei Lijachev, akuzoi autoritetet ukrainase se kanë nisur një sulm me dron në qytetin Energodar në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës, i cili është shtëpia e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë.

"Dje ka pasur disa sulme me dronë në territorin e Energodarit. Dy pajisje u neutralizuan dhe katër të tjera filluan sulmet. Për fat të mirë nuk ka të vdekur apo të lënduar", tha ai për agjencinë Interfax.

Sipas kreut të Rosatom, kjo është "përgjigjja" e Kievit ndaj zgjedhjeve të organizuara nga Rusia në katër rajonet e aneksuara nga Ukraina në shtator 2022, përfshirë Zaporizhzhia.

"Unë besoj se kjo është një përgjigje ndaj zgjedhjeve. Zgjedhjet në Energodar ishin më të zhvilluara se në pjesën tjetër të rajonit të Zaporizhzhia, duke gjykuar rezultatet e partisë Rusia e Bashkuar", tha Alexei.

Sipas autoriteteve zgjedhore ruse, partia e Kremlinit, Rusia e Bashkuar, fitoi më shumë se 80% të votave në Zaporizhzhia.

Ora 09:56
Pezullohet trafiku në urën midis Rusisë dhe Krimesë

1694520868_krim.jpg

Trafiku në urën që lidh Rusinë kontinentale me gadishullin e okupuar të Krimesë u ndal përkohësisht gjatë natës.

Operatori i instaluar nga Rusia i urës konfirmoi pezullimin herët në mëngjes, por nuk tha pse kishte ndodhur.

Moska ka pohuar disa herë në muajt e fundit se Ukraina ka shënjestruar urën kritike me raketa dhe drone.

Më pare, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ura që lidh Krimenë me Rusinë “sjell luftë jo paqe” dhe për këtë arsye ishte një objektiv legjitim ushtarak.

Ora 09:51
Zelensky nën presion për vendosjen e vetos ndaj ligjit për deklarimin e pasurisë me boshllëk

1692878196_volodymyrzelenskyrusi.jpg

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vënë veton ndaj një ligji që do të vononte zyrtarët publikë që të deklaronin pasuritë e tyre.

Presidenti, i cili po merret me një sërë pretendimesh për korrupsion në qeverinë dhe ushtrinë e tij, thotë se deklaratat duhet të hapen "menjëherë".

Parlamenti votoi javën e kaluar për të rivendosur një rregull kundër korrupsionit që u pezullua për shqetësime sigurie pasi Rusia pushtoi në 2022.

Në një postim në faqen e mediave sociale X, ish-Twitter, në momentet e fundit, Zelensky tha: "Arsyeja është e qartë: deklaratat duhet të zbulohen dhe zbatohen plotësisht. Tani për tani, jo pas një viti. Regjistri duhet të hapet menjëherë. Ky ndryshim duhet të bëhet përpara se ligji të miratohet përsëri”.

Ora 09:20
Putin projektligj për të shpallur 30 shtatorin festë kombëtare në territoret që ka okupuar në Ukrainë

1694503216_la.jpg

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paraqitur një projektligj në Dumën e Shtetit, i cili propozon vendosjen e një feste të re kombëtare, atë të 30 shtatorit, kushtuar ribashkimit me Rusinë të rajoneve të pushtuara ukrainase, ato të Donetskut, Luganskut, Zaporozhzhya dhe Kherson. 

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Ria Novosti.

Ora 09:15
OKB: Mbi 9 mijë civilë të vrarë që nga fillimi i luftës Ukrainë-Rusi

1694502900_rusi.jpg

Të paktën 9,614 civilë janë vrarë dhe 17,535 të tjerë janë plagosur në konfliktin në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus të vendit më 24 shkurt 2022, tha Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR)

Në 10 ditët e para të shtatorit, thekson OHCHR, 55 civilë u vranë, duke përfshirë një vajzë të vogël dhe 237 të tjerë u plagosën.

Të dhënat përfshijnë 47 persona të vrarë në territorin e kontrolluar nga Ukraina dhe 8 të vrarë në territoret e pushtuara.

Ora 08:47
Rusia pretendon se Ukraina nisi një sulm me dron pranë centralit bërthamor

1694501247_lkjs.jpg

Një zyrtar rus ka akuzuar Ukrainën për kryerjen e një sulmi me dron pranë uzinës bërthamore të okupuar në Zaporizhzhia në Ukrainën jugore.

Alexei Likhachev, kreu i firmës shtetërore bërthamore ruse Rosatom, tha se gjashtë dronë u lëshuan në qytetin Enerhodar, i cili ndodhet pak më shumë se 4 km larg uzinës.

Të gjitha u shkatërruan, tha zoti Likhachev, në komentet e cituara nga agjencia ruse e lajmeve RIA.

Ora 08:40
Putin mban fjalim në forumin e madh ndërkombëtar: Rusia është e hapur për tregti

1693601514_put.jpg

Vladimir Putin tani po mban një fjalim në Forumin Ekonomik Lindor në qytetin lindor të Rusisë, Vladivostok. 

Ai ka përdorur edhe një herë platformën për të sulmuar Perëndimin, të cilin ai e akuzon për "shkatërrim të sistemit të marrëdhënieve tregtare dhe financiare".

Ai tha gjithashtu se vendi i tij është "i hapura për tregti". Forumi ka për qëllim nxitjen e investimeve në rajonin rus.

Putin nuk e ka përmendur ende vizitën e Kim Jong Un në fjalimin e tij të fokusuar në tregti dhe ekonomi.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lali: 12/09/2023 14:46

    Grurin e Ukraines ta mar Amerika sepse ajo eshte shkaktare e luftes , tani do filloj te krisi solidariteti per mbeshtetjen e luftes se vendet Europiane jane katandisur si mos me keq po u shkon akonomia per lesh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë