Sulmet me raketa ruse dëmtojnë ambasadën shqiptare në Kiev! Reagon Tirana: Brutale! Hasani thërret ambasadorin rus, i shpreh protestën e qeverisë shqiptare (VIDEO+FOTO)

KIEV- Ambasada shqiptare në Kiev ka rënë pre e sulmeve me raketa ruse. Lajmi bëhet me dije nga Ministria e Jashtme, e cila njofton se si pasojë e një seri sulmesh ajrore të Rusisë në kryeqytetin ukrainas këtë të premte, është dëmtuar edhe ambasada shqiptare, mëngjesin e sotëm (20 dhjetor 2024).

Ndërkohë gjatë orëve të pasdites, ministri Igli Hasani thërriti në zyrë ambasadorin rus në Tiranë, Zaitsev Alexei Anatolyevitch, të cilit i ka kërkuar shpjegime për ngjarjen si dhe i ka shprehu protestën e qeverisë shqiptare ndaj këtij akti.

Sulmet prekën gjithashtu ambasadat e pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Për fat të mirë, në ambasadën shqiptare raportohen vetëm dëme materiale. Nga sulmet janë dëmtuar edhe ambasada e Malit të Zi, Maqedoni e Veriut, Argjentinë, Portugali dhe Palestinë.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë dënoi ashpër këto sulme, duke i cilësuar si një akt të papranueshëm që godet themelet e diplomacisë ndërkombëtare. Në deklaratën e saj, Ministria theksoi rëndësinë e mbrojtjes së personelit diplomatik dhe paprekshmërisë së misioneve, duke kërkuar respektimin e këtyre parimeve të panegociueshme.

"Një seri sulmesh ajrore  të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës. Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht", njofton ministria. 

Shpërthime të forta u dëgjuan në qendër të Kievit në një distancë të shkurtër nga njëra-tjetra, pasi autoritetet raportuan se të paktën pesë raketa ishin lëshuar drejt Kievit. Është prekur veçanërisht lagjja Golosivski ku kanë marrë flakë disa makina të parkuara në rrugë. Zona e bombarduar u inspektua nga kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko. Mediat kanë raportuar për 1 viktimë dhe 9 të plagosur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:20
Sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Kiev, Majko zbulon mesazhin e koduar rus për Shqipërinë: Ata nuk bëjnë asgjë gabimisht

1734719057_pandelimajko.JPG

Foto: Pandeli Majko

Deputeti i PS-së Pandeli Majko ka zbërthyer mesazhin e sulmit rus në godinën ku e kishte zyrën edhe Ambasada shqiptare në kryeqytetin ukrainas, Kiev, përveç pesë ambasadave të tjera.

Me anë të postimi të publikuar në rrjetet sociale Majko shkruan se politika ruse si rregull nuk bën asgjë gabimisht.

Sipas Majkos, ky është një mesazh për çmimin që duhet të paguajë Shqipëria për mbështetjen e Ukrainës.

“Sulm i ushtrisë ruse ndaj ambasadës së Shqipërisë në Kiev…Politika ruse, si rregull, nuk bën asgjë, gabimisht! Ajo të kujton, në mënyrën e vet, se çdo gjë ka çmim! (shënim nga Prishtina)”, shkroi Majko.

Ora 18:24
Sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Kiev, ministri Hasani thërret ambasadorin rus në zyrë! I shpreh protestën e qeverisë shqiptare

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka thirrur në ministri ambasadorin rus, Zaitsev Alexei Anatolyevitch, ku i ka shprehur protestën e qeverisë shqiptare për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Kiev.

Bombardimet ruse goditën në Kiev ndërtesën ku ndodheshin disa ambasada mes tyre edhe ajo shqiptare.

SI.E./Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Nata e dytë e Fest 63, 15 artistë të tjerë ngjiten në skenë

Nata e dytë e Fest 63, 15 artistë të tjerë ngjiten në skenë