Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka marrë përsipër sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, si fusha South Pars, pjesë e rezervës më të madhe të gazit natyror në botë, duke mohuar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu Netanyahu i është përgjigjur thirrjes së Trump për të mos përsëritur më sulmet në objektiva të tilla kyç. Vetë presidenti Trump u shpreh dy ditë më parë, kur dhe sulmet ndodhën, se SHBA-të nuk ishin në dijeni. Ndër të tjera, Netanyahu tha se Irani "nuk është më i aftë të pasurojë uraniumin" dhe nuk është më i aftë të prodhojë raketa balistike.
Çmimi i naftës në botë vijon të rritet teksa ditën e djeshme arriti në 115 dollarë për fuçi. Irani ka sulmuar përsëri objektivat e naftës në Izrael dhe Katar. Kuvajti njoftoi gjatë natës se rafineria e naftës Mina Al-Ahmadi ishte sulmuar përsëri nga dronë iranianë, duke shkaktuar zjarre në disa njësi. Rafineria ishte goditur gjithashtu dhe një ditë më parë.
Ngushtica e Hormuzit vijon të mbetet një problem madhor jo vetëm për Lindjen e Mesme, por për shumë vende të tjera të botës. Ditën e djeshme, 6 shtete, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Holanda dhe Japonia, nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke bërë të qartë gatishmërinë për të ndërhyrë në Hormuz për të garantuar kalimin e sigurtë të naftës.
Sakaq, ushtria izraelite ka ndërmarrë të tjera sulmet drejt infrastrukturës qeveritare iraniane si dhe Libanit Jugor me qëllim shpërbërjen e grupit terrorist të Hezbollahut. Gjatë 24 orëve të fundit, Forcat Ajrore Izraelite thuhet se kanë kryer dhjetëra sulme, duke goditur mbi 130 objektiva në Iranin perëndimor dhe qendror.
Lajmi në përditësim...

Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmet ajrore amerikane dhe izraelite vranë zëdhënësin e tyre Ali Mohammad Naini. Naini, shkruan ata, "u martirizua në sulmin terrorist frikacak dhe kriminal të kryer nga pala amerikano-sioniste në agim", sipas një deklarate në faqen e tyre të internetit, Sepah Neës.

Udhëheqësi Suprem iranian Mojtaba Khamenei n një mesazh të drejtuar së fundmi Presidentit Masoud Pezeshkian tha se "Ne duhet t'ua mohojmë sigurinë armiqve tanë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit."
Khamenei kërkoi gjithashtu, sipas mediave lokale, që "vrasja e Ministrit të Inteligjencës të kompensohet me një angazhim të dyfishuar nga zyrtarët" e regjimit të Teheranit.
Khamenei nuk është parë që kur u emërua Udhëheqës Suprem, duke pasuar të atin, Ajatollah Ali Khamenei, 86 vjeç, i cili u vra në një sulm ajror izraelit në ditën e parë të luftës, më 28 shkurt. Sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë, Mojtaba Khamenei u plagos gjatë luftës.
Komente









