Lufta për kryespiunin

Shërbimin Sekret Shqiptar e do çdo kryeministër. Berishës, sapo ju dha rasti, me zgjedhjen e Nishanit si president, e rrëmbeu postin e kryespiunit dhe tani Rama me zërin e të tjerëve kërkon një tjetër njeri në këtë shërbim. Po përse vjen gjithë kjo dëshirë për të patur kryespiunin nën kontroll total, që po shkakton luftën e ardhshme politike?
Visho Ajazi u rikthye nga emigrimi, ku iku pasi të majtët në pushtet e hoqën nga detyra që mbante në ish SHIK-un famkeq drejtuar nga Bashkim Gazidede. SHIK në atë kohë u akuzua si polici politike që sulmonte kundërshtarët e brendshëm politikë të Berishës, si dhe një institucion që kishte ndihmuar infiltrimin në Shqipëri të elementëve ekstremistë islamikë.

Ai zuri vendin e Bahri Shaqirit, i cili mbante këtë detyre pas disa lëvizjeve të drejtuesve të shërbimit sekret nga ana e të majtëve që erdhën në pushtet në 1997. Ai qëndroi në këtë detyrë vetëm me ngulmimin amerikan për shkak të bashkëpunimit shumë të madh mes agjensive inteligjente perëndimore me shërbimin sekret shqiptar. Diplomatët amerikanë ishin garancia e tij dhe ish-ambasadori Withers qartazi deklaroi se Shqipëria kishte marrë një angazhim gjatë anëtarësimit në NATO se nuk do bënte ndryshime në disa institucione të sigurisë kombëtare. Ky angazhim u mohua nga ana e qeverisë Berisha, por në heshtje u mbajt deri në pikën kur ndodhi protesta e 21 janarit. Berisha në atë moment, ashtu si të majtët aktualisht, e akuzuan SHISH se nuk kishte dhënë informacione për trazirat që po përgatiteshin.

Ky ishte fillimi i fundit të drejtimit të shërbimit sekret nga ana e Shaqirit, i cili qëndroi edhe disa muaj në detyrë për shkak se ish-presidenti Bamir Topi bënte rezistencë. Në kohën kur Bujar Nishani u zgjodh në krye të shtetit, një nga veprimet e tij të para ishte shkarkimi i Bahri Shaqirit dhe emërimi i Visho Ajazit. I pyetur nga mediat pas shkarkimit të kreut të SHISH, Nishani deklaroi se “SHISH është pjesë e përgjegjësisë së pushtetit ekzekutiv dhe SHISH është një institucion që duhet të punojë edhe në kuadër të objektivave të qeverisë”. Nishani tha se ishte evidente qe mes qeverisë dhe SHISH kishte mungese besimi dhe komunikimi.

Në të njëjtën situatë është aktualisht edhe Visho Ajazi dhe, nëse Nishani i qëndron argumentimit të tij, ai duhet ta shkarkojë personin që emëroi në detyrë vetëm me arsyetimin se “qeveria nuk ka më besim te ai”. Drejtues të lartë të policisë së shtetit deklarojnë se SHISH nuk ka dhënë informacione në lidhje me aktet terroriste të vendosjes së bombave. Akuza është bërë nga politikanë, ministra, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, por edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, që ka deklaruar në media se nuk kishte marrë asnjë ndihmë apo informacion në lidhje me bombat dhe aktet terroriste.

Në biseda informale Tahiri deklaron se “nuk vjen informacion nga SHISH”, ndërkohë që në rrugë të tjera informale ai mëson se Shërbimi e ka këtë informacion. Akuzat arrijnë deri atje sa thonë se Shërbimi përgjon për llogari të Berishës dhe se përdoret nga ish-kryeministri. A duhet më shumë se kaq për të thënë se Rama, domethënë qeveria nuk më aspak besim te Visho Ajazi!?

Të gjitha qeveritë e kanë shumë dëshirë të politizojnë shërbimin informativ apo të vendosin në krye të tij njerëz të besuar. Në këtë rast, Visho Ajazi do bëhet viktimë e nevojës së qeverisë për të vijuar aksionet e saj të luftës ndaj kriminalitetit. Prishja e shumë lidhjeve, pazareve apo balancave në botën e nëndheshme, ku lëvizin dhjetra milionë euro, po shkakton edhe këtë seri aktesh terroriste, shumë të rënda. Në këtë luftë SHISH akuzohet se nuk ka aspak rol parësor për të mbështetur aksionet e policies, e cila ka mbetur e vetme përballë krimit dhe opinionit.

Ndërkohë, mazhoranca jo të gjitha akuzat i ka formuluar fort. Një nga akuzat më të rënda, që përfshin në një farë mënyre edhe partnerët ndëkombëtarë, është ajo që lidhet me morinë e të rinjve radikalë, që nisen muxhahedinë në Siri nga Shqipëria. Ky fenomen, që zhvillohet nga një rrjet i mirorganizuar, u bë publik vetëm pasi të afërm apo miq të tyre shpallnin me gëzim se ata ranë shehid (martirë të Ahallut në Siri). Lufta kundër celulave terroriste ka qenë investimi më i madh që ndërkombëtarët dhe veçanërisht CIA kanë bërë me shërbimin sekret shqiptar. Në shumë raste operacionet e përbashkëta kanë qenë deçizive. Nëse SHISH është duke punuar në këtë drejtim apo jo, këtë e dinë vetë ata që kanë në dorë informacionet e klasifikuara të Shërbimit, puna e të cilit është gjithmonë e “nëndheshme”.

Por, që Shqipëria po shfaq probleme me institucionet e saj të sigurisë, ky është një fenomen që duket qartazi. Nëse ka një rënie të numrit të vrasjeve në total, aksidenteve apo lëvizje më të madhe të policisë, ka një rritje të madhe të akteve terroriste dhe sulmeve tipike mafioze. Ka një dalje tërësisht jashtë kontrolli të fluksit të radikalëve islamikë në Shqipëri, tashmë jo të huaj, por të rinj shqiptarë, që zgjedhin të rrëmbejnë armët për të luftuar në Siri. E ka humbur kontrollin jo vetëm SHISH, por edhe policia, e cila mjafton të hapë Facebook-un njëherë në ditë për të kërkuar rekrutuesit dhe luftëtarët.

Ndërkohë, nën zë thuhet se, jo vetëm SHISH, por edhe policia ka shumë më pak fonde për informatorët apo këta të fundit janë gjithmonë të rrezikuar nga dekonspirimi për shkak të ndryshimit të shpeshtë të drejtuesve, oficerëve të kontaktit etj.
Qeveria shumë shpejt do ta realizojë synimin për të shkarkuar Visho Ajazin dhe për të emëruar në vend të tij një njeri të besuar të Ramës, sigurisht vetëm me çertifikimin e CIA-s.
Por deri atëherë mosbesimi dhe mungesa e komunikimit do t’u hapë rrugën bombave, sulmeve terroriste dhe muxhahedinëve.
 

Shkrimi u publikua sot (31.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë