Dy futbollistët shqiptarë Jasir Asani pjesë e kombëtares, por edhe Regi Lushkja, ndodheshin në Iran të shtunën kur SHBA-të dhe Izraeli nisën sulmet ndaj regjimit iranian.
Autoritet atje menjëherë vendosën të ndërprisnin kampionatin, ndërsa janë angazhuar bashkë me klubet që të gjithë futbollistët e huaj të largoheshin të sigurt në rrugë tokësore, pasi për fluturimet u ndërprenë menjëherë në të gjithë rajonin.
Futbollistët shqiptarë tashmë janë jashtë territorit të Iranit dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa të kontaktuar nga Report TV kanë pohuar se e kanë të pamundur një qëndrim publik për shkak të situatës politike në Iran, në një kohë kur mbizotëron pasiguria, ndërsa për nisjen e kampionatit të futbollit nuk është momenti të flitet. Edhe para se të niste sulmi i koordinuar nga SHBA-të dhe Izraeli kampionati iranian luhej pa tifozë që prej nisjes së protestave masive.
Zhvillimet e reja politike kanë vënë në pikëpyetje të madhe edhe pjesëmarrjen e Iranit në Botërorin e verës që nis me 11 korrik dhe zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, ka deklaruar se ‘qëllimi është për një Botëror ku nuk përjashtohet asnjë pjesëmarrës’, duke nënkuptuar se për momentin nuk ka një përjashtim të Iranit, por megjithatë mundësia që kjo kombëtare të marrë pjesë është shumë e vogël. Presidenti i federatës iraniane të futbollit, Mehdi Taj, i tha medias shtetërore ‘se pas këtyre sulmeve nuk mund ta presin me shpresë Botërorin’. Ai shtoi se ‘krerët e sportit’ do të vendosin për pjesëmarrjen.
Komente











