Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe të Ukrainës u takohen sërish këtë të hënë, në Kancelarinë Federale në Berlin për të diskutuar për përparime të mundshme drejt një armëpushimi.  Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe anëtarët e delegacionit amerikan mbërritën këtë mëngjes në Kancelari. Delegacioni amerikan kryesohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe përfshin Jared Kushner, dhëndrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas, duket se është tërhequr nga synimi për anëtarësimin në Nato. “Anëtarësimi në NATO ka qenë gjithmonë dëshira e Ukrainës, sepse do të siguronte një “garanci të vërtetë sigurie”, tha ai një ditë më parë, por siç tha garancitë dypalëshe të sigurisë janë gjithashtu një mënyrë për të parandaluar një pushtim tjetër rus.

Sa i takon çështjes së territoreve, Donbasi vijon të jetë pikë kyçe në diskutime. AFP raporton se SHBA po qëndrojnë në krahun e kërkesave ruse për këtë pjesë. Negociatorët amerikanë vazhdojnë t’i kërkojnë Ukrainës të heqë dorë nga rajoni i Donbasit. Këtë e bëri të ditur një zyrtar i lartë i Kievit për AFP-në.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:37
Pas raundit të dytë të bisedimeve SHBA-Ukrainë, Kievi: Jemi afër marrëveshjes

1765813440_1764064570rustemumerov.JPG

Delegacioni ukrainas thotë se është pranë një marrëveshje paqeje pas raundit të dytë të bisedimeve të zhvilluar këtë të hënë në Berlin të Gjermanisë. Takimi mes ekipit amerikan dhe atij ukrainas zgjati rreth 3 orë e gjysmë por ende nuk ka detaje se çfarë është arritur mes palëve. Megjithatë, Shefi për Sigurinë Kombëtare të Ukrainës Rustem Umerov i cili është edhe kryenegociator, njoftoi pas takimit se janë arritur përparime të vërteta. Ai shkroi në X se një  dakordësi që i afron me paqen, mund të arrihet edhe brenda kësaj të hëne, por pa specifikuar më shumë. Kryenegociatori ukrainas thotë se në dy ditët e bisedimeve në Berlin është spekuluar shumë në lidhje me propozimet.

AFP këtë të hënë raportoi se SHBA I kanë kërkuar sërish Ukrainës të lëshojë rajonin e Donbasit, ndërsa një ditë më parë Presidenti ukrainas dha sinjale se Ukraina mund të heqë dorë nga synimi për tu anëtarësuar në Nato. Në mbrëmje delegacionet e ukrainës dhe SHBA do të marrin pjesë në një darkë me liderët evropianë të organizuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz.

Ora 15:40
Berlin/Përfundojnë bisedimet SHBA-Ukrainë ! Witkoff dhe Kushner takohen me liderët evropianë në mbrëmje

1765809808_takimineberlin.JPG

Bisedimet mes delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në Berlin sapo kanë përfunduar. Këtë e bëri të ditur zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, cituar nga mediat ndërkombëtare.

Ndërkohë axhenda e takimeve nuk përfundon me bisedimet në Kancelarinë Federale Gjermane. Negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner janë ftuar në darkën e mbrëmjes në Berlin me liderët evropianë dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Këtë e konfirmoi zëdhënësi i qeverisë gjermane. Në Berlin, si mysafirë të kancelarit Friedrich Merz, priten liderët e Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Danimarkës, Finlandës, Polonisë, Norvegjisë, Holandës dhe Suedisë, si dhe presidentët e Komisionit dhe Këshillit Evropian dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

 

Ora 13:35
Witkoff dhe Kushner do të bisedojnë me Ministrat e Jashtëm të BE-së pas negociatave në Berlin

1764657922_stevewitkoffjaredkushner.webp

Në Komisionin e Punëve të Jashtme të BE-së që po zhvillohet në Bruksel, “ajo që është interesante – dhe jo vetëm interesante, por edhe e rëndësishme – është se do t’u bashkohen përfaqësuesit përgjegjës për bisedimet e paqes në emër të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, si për Lindjen e Mesme ashtu edhe për Ukrainën, pra Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Ata do të flasin me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian”. Kështu deklaroi zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Marcin Bosacki, me mbërritjen e tij në Këshillin e Jashtëm të BE-së.

“Kjo është e rëndësishme sepse tregon se amerikanët, të cilët jo gjithmonë kërkojnë dialog me evropianët, veçanërisht në kuadër të BE-së si ky i sotmi i Këshillit të Punëve të Jashtme me të gjithë ministrat e Jashtëm të BE-së, po angazhohen në këtë drejtim”, shtoi ai.

Sa i përket mundësisë që BE-ja të marrë drejtimin e negociatave, Bosacki u shfaq pesimist: “jemi realistë. Ndërmjetësuesit në negociatat e paqes janë dhe mbeten Shtetet e Bashkuara. Pa administratën e Donald Trump-it, nuk do të ndodhte asgjë. Vetëm Donald Trump dhe ekipi i tij janë në gjendje të ndërmjetësojnë mes ukrainasve dhe rusëve”, deklaroi ai.

Ora 12:50
Negocitat në Berlin, SHBA-të vazhdojnë t’i kërkojnë Kievit të lërë Donbasin

1765799521_G8JPlaQAAfbGD.jfif

Gjatë raundit të fundit të negociatave në Berlin, negociatorët amerikanë i kanë kërkuar Ukrainës të heqë dorë nga pjesa e rajonit të Donbasit që ende kontrollohet nga Kievi. Këtë ia ka bërë të ditur AFP-së një zyrtar i lartë i njohur me diskutimet.

“Putini dëshiron territore. Amerikanët thonë se Ukraina ‘duhet të tërhiqet’, gjë që Kievi e refuzon,” tha burimi për AFP-në. “Është mjaft befasuese që amerikanët po adoptojnë qëndrimin e rusëve për këtë çështje,” shtoi ai.