Irani ka njoftuar një valë të re raketash kundër Izraelit. Si pasojë e goditjes nga një raketë balistike, 6 persona u plagosën në Tel Aviv.
Sulmi, sipas mediave izraelite, u krye me një raketë, koka e së cilës ishte e pajisur me bomba: 3-4 mjete shpërthyese, për një total prej rreth njëqind kilogramësh eksploziv. Goditja e ndodhur në një zonë qendrore të Tel Avivit shkaktoi dëme të mëdha në ndërtesa dhe automjete. Fragmente të raketës kanë goditur gjithashtu zonën e Rosh HaAyin, në lindje të qytetit.
Pas këtyre sulmeve Izraeli u kundërpërgjigj duke bombarduar dy impiante energjetike iraniane dhe një gazsjellës. Izraeli ka lëshuar një paralajmërim për evakuim në disa zona të Libanit jugor, përfshirë Burj al-Shamali, Mashuk dhe Tiro.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se planet për bisedime me Iranin mbeten “të rrjedhshme”, duke shtuar se çdo spekulim “nuk duhet të konsiderohet përfundimtar”.
Kjo vjen pasi presidenti i SHBA-ve dhe kryetari i parlamentit iranian kanë dhënë versione të kundërta për negociatave e mundshme mes dy vendeve mbi luftën në Lindjen e Mesme. Donald Trump më herët tha se kishte shtyrë sulmet e kërcënuara ndaj centraleve energjetike iraniane, pasi kishte pasur bisedime “produktive” me Teheranin.
Ai përmendi një “plan me 15 pika që nis nga heqja dorë nga armët bërthamore” dhe rindez shpresën për një fund të afërt të konfliktit: “Irani nuk është më një kërcënim”, tha Trump. Irani tha se këto bisedime ishin “lajme të rreme”: “Qëndrimi ynë nuk ndryshon.”
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme iraniane thotë se Teherani ka marrë “pika nga SHBA-të” përmes ndërmjetësve si një hap i mundshëm paraprak drejt bisedimeve.
Ndërkohë, çmimi i naftës u rrit sërish mbi 100 dollarë për fuçi, pasi kishte rënë të hënën kur Trump foli për herë të parë për bisedimet SHBA–Iran.
Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite ka deklaruar se ka rrëzuar të paktën 19 dronë në provincën lindore të mbretërisë, e pasur me rezerva nafte. Bahreini ka aktivizuar sirenat e alarmit për raketa, ndërsa Kuvajti ka deklaruar se mbrojtja e tij ajrore po përpiqet të rrëzojë raketat në hyrje.

Gjatë një vizite në Australi, presidentja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për një paqe të negociuar për t’i dhënë fund luftës me Iranin, duke thënë se ishte “thellësisht e shqetësuar” për konfliktin në vazhdim.
“Është me rëndësi thelbësore që të arrijmë në një zgjidhje të negociuar, e cila u jep fund armiqësive që po shohim në Lindjen e Mesme”, tha Von der Leyen krah kryeministrit australian Anthony Albanese në Canberra.
Disa vende të BE-së po përgatiten të ndihmojnë në një “mision” për mbrojtjen e Ngushticës së Hormuzit pasi të përfundojë lufta, shtoi von der Leyen.
“Ne të gjithë ndiejmë efektet zinxhir në çmimet e gazit dhe naftës, në bizneset tona dhe në shoqëritë tona”, duke shtuar se kjo rrugë tregtare është “thelbësore për linjat e furnizimit me energji në mbarë botën”.
Foto pas sulmeve iraniane në Tel Aviv
Pasi Irani shënjestroi me raketa Tel Avivin, Forcat Izraelite janë kundërpërgjigjur me një valë sulmesh të reja në Teheran.
Sipas mediave IDF ka shënjestruar një infrastrukturë ushtarake në perëndim të Iranit dhe impiantet energjetike.
Agjencia e lajmeve Fars raportoi se një sulm izraelit goditi tubacionin e gazit në termocentralin Khorramshahr në jugperëndim të vendit.

Çmimi i naftës Brent është rikthyer mbi 100 dollarë për fuçi, një ditë pas një rënieje prej më shumë se 10%, e shkaktuar nga vendimi i Donald Trump për të shtyrë sulmet e reja kundër Iranit dhe deklaratat e tij për bisedime “shumë të mira” me Teheranin.
Brent u rrit me 2,9% duke arritur në 102,84 dollarë, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate shënoi një rritje prej 3,5%, duke arritur në 91,20 dollarë për fuçi.

Administrata Trump po e vlerëson “me kujdes” kryetarin e parlamentit iranian si një partner të mundshëm dhe madje si një lider të ardhshëm të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara pas një marrëveshjeje.
Mohammad Bagher Ghalibaf, 64 vjeç, ka kërcënuar vazhdimisht SHBA-të dhe aleatët e tyre me hakmarrje, por konsiderohet, të paktën nga disa zyrtarë brenda Shtëpisë së Bardhë, një partner i zbatueshëm, i aftë për të udhëhequr Iranin dhe për të negociuar me SHBA-të në fazën e ardhshme të konfliktit.
Kështu raportojnë dy zyrtarë të administratës Trump për Politico. “Është një kandidat premtues. Por duhet t’i vlerësojmë me kujdes dhe nuk mund të nxitojmë”, tha një zyrtar, duke sqaruar se ende nuk është marrë asnjë vendim.
Gjashtë persona mbetën të plagosur kur një raketë balistike iraniane goditi Tel Avivin. Goditja në një zonë qendrore të Tel Avivit shkaktoi dëme të mëdha në ndërtesa dhe automjete.
Po ashtu dëme u raportuan edhe në zonën Rosh Haayin, në lindje të qytetit.
Komente










