Strehimi i protestuesve të maskuar në selinë e Partisë Demokratike, gjatë përplasjeve të dhunshme me policinë, ka sjellë reagimin e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ai kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Prokurorisë së Tiranës, duke paralajmëruar se pamjet e kamerave mund të fshihen njëjtë si më 21 janar.

“Maskat ranë! ‘Studentët’ rikthehen në ‘Universitetin’ 35-vjeçar të dhunës, Selinë e Sali Berishës. Prokuroria e Tiranës të shkojë sonte nëse do ta hetojë, sepse nesër do jenë fshirë serverat dhe kamerat, siç Saliu bëri me 21 Janar”, shkroi Balla.

Në një tjetër reagim, Balla akuzoi Berishën se po sulmon drejtësinë, ndërsa sipas tij, protestues që mbështeten nga opozita po organizojnë tjetër sulm ndaj selisë së PS.

“Saliu nga SPAK-u godet drejtësinë dhe ndërkohë çon zogjtë e vet tek godina e Partisë Socialiste për sulmin e radhës”, shkroi Balla.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cilësoi ditë të vështira për Tiranën, duke theksuar se dhuna nuk zgjidh asnjë problem, por sjell vetëm dhimbje.

“Pas gjithë asaj që kemi parë këto ditë, është e qartë se dhuna nuk zgjidh asnjë problem. Ajo u shton njerëzve vetëm dhimbje”, shkroi Gogu.

Edhe ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dënoi shkatërrimet në kryeqytet, duke përmendur dëmtimin e bizneseve, bankave, postës dhe stacioneve të autobusëve.

“Dhuna nuk ka kursyer asgjë dhe askënd. Pasojat e Tiranës sot do t’i vuajmë të gjithë nesër. Ne meritojmë një të ardhme ndryshe, jo kaosin dhe pasigurinë që po përjetojmë”, tha Ibrahimaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:04
Protestat e dhunshme, Gogu: Dhuna nuk zgjidh asnjë problem, ajo u shton njerëzve vetëm dhimbje! Ibrahimaj: Ne meritojmë një të ardhme ndryshe, jo kaosin dhe pasigurinë (VIDEO)

Në ditën e shtatë të protestave të dhunshme, ministri i Drejtësisë Toni Gogu shprehet se këto janë ditë të vështira për Tiranën. Në një reagim në rrjetet sociale teksa thekson se si institutcion do të jenë në shërbim të qytetarëve, shprehet se dhuna nuk zgjidh asnjë problem, por u shton njerëzve vetëm dhimbje.

“Janë ditë të vështira për Tiranën dhe për shumë familje shqiptare. Njerëz të lënduar, familje të shqetësuara, qytetarë që kanë përjetuar frikë e pasiguri. Uroj me gjithë zemër shërim të shpejtë për çdo polic, protestues apo qytetar që është lënduar. Pas gjithë asaj që kemi parë këto ditë, është e qartë se dhuna nuk zgjidh asnjë problem. Ajo u shton njerëzve vetëm dhimbje.

Sot nis një javë e re. Për ne në Ministrinë e Drejtësisë, kjo do të thotë të vazhdojmë të sigurojmë ndihmën juridike për ata që kanë nevojë, të kujdesemi për respektimin e të drejtave në institucionet penitenciare dhe të mbajmë në funksion shërbimet që qytetarët presin prej nesh. Sepse sidomos në ditë të vështira, njerëzit kanë nevojë për institucione që u qëndrojnë pranë”, shkruan Gogu.

Ndërkohë ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj gjithashtu në një postim në rrjete sociale thotë se dhuna nuk ka kursyer as postën ku pensionistët marrin pensionet dhe ka vërshuar mbi bankat, ku marrim pagat e paguajmë faturat Ibrahimaj nënvizon se Tirana, qytetarët meritojnë një të ardhme ndryshe, jo kaosin dhe pasigurinë.

“Kjo është Tirana jonë pas dhunës disaditore. Stacione autobusi të shkatërruara, biznese të dëmtuara, ndërtesa të shkrumbuara, institucione të sulmuara. Dhuna nuk ka kursyer as postën ku pensionistët marrin pensionet dhe ka vërshuar mbi bankat, ku marrim pagat e paguajmë faturat. Investimet e njerëzve të ndershëm, që mbajnë familjet e punësojnë të tjerë, sot janë goditur.

Dhuna nuk ka kursyer asgjë dhe askënd. Pasojat e Tiranës sot do t’i vuajmë të gjithë nesër. Ne meritojmë një të ardhme ndryshe, jo kaosin dhe pasigurinë që po përjetojmë”, thotë Ibrahimaj.