Lufta në Lindjen e Mesme po jep efektet e para të forta edhe në ekonomi. Çmimi i naftës ka kaluar 100 dollarë për fuçi, gazi është shtrenjtuar dhe frika se kjo valë do të sjellë rritje të re të çmimeve ka detyruar Bankën Qendrore Evropiane të rrisë normat e interesit.
BQE vendosi të enjten të rrisë interesin bazë me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar normën e depozitave nga 2.25% në 2.50%. Vendimi është i rëndësishëm edhe për Shqipërinë, pasi normat e BQE-së ndikojnë në koston e parasë në euro dhe në kushtet me të cilat bankat japin kredi në këtë monedhë.
Shkaku kryesor i shqetësimit është rikthimi i inflacionit. Përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme ka çuar sërish në rritje të fortë çmimet e energjisë. Nafta amerikane WTI kaloi të enjten 100 dollarë për fuçi, me një rritje prej mbi 4%, ndërsa nafta Brent arriti rreth 104 dollarë.
Edhe gazi është shtrenjtuar, duke arritur rreth 80 euro për megavat/orë, niveli më i lartë që prej fillimit të vitit 2023.
Rritja e naftës dhe gazit është problem sepse energjia më e shtrenjtë rrit kostot e transportit dhe prodhimit dhe mund të përkthehet më pas në çmime më të larta për konsumatorët. Pikërisht këtë rrezik po sheh edhe BQE.
Banka paralajmëroi se konflikti në Lindjen e Mesme po vazhdon të ushtrojë presion mbi inflacionin dhe se rritja e çmimeve pritet të qëndrojë mbi objektivin e saj prej 2% për një periudhë të gjatë. Për këtë vit, BQE pret inflacion prej 3%, ndërsa për vitin 2027 parashikimi është rritur në 2.5%.
Megjithatë, lajmi pozitiv është se ekonomia e Eurozonës po reziston më mirë nga sa pritej. BQE parashikon një rritje ekonomike prej 0.9% këtë vit, 1.4% në 2027 dhe 1.5% në 2028.
Vendimi për rritjen e interesave dhe çmimet e larta të energjisë kanë goditur edhe bursat. Tregjet kryesore evropiane e mbyllën ditën në rënie, ndërsa në SHBA Wall Street u çel gjithashtu me humbje.
Lajmi kryesor:
Rebelët Huthi të mbështetur nga Irani avancojnë drejt ngushticës strategjike të Bab el-Mandeb-it! në Jemen! Teherani mund të mbajë nën presion edhe Detin e Kuq, nafta shkon në mbi 100 dollarë/fuçi





