Moska 'ngrin' shpresat për armëpushim: Asnjë lajm premtues nga bisedimet e paqes në Stamboll! Inteligjenca amerikane: Putin po keqinformohet për luftën! Rusët nisin tërheqjen nga Çernobili

Kremlini 'ngrin' shpresat për bisedimet e paqes, pas shpresave që u ndezën një ditë më parë pas bisedimeve të palëve në Stamboll. Zëdhënësi i presidencës ruse Dmitry Peskov, ka thënë sot se nuk ka "asnjë lajm premtues".

"Ajo që është pozitive është se pala ukrainase ka filluar të paktën të formulojë në mënyrë specifike dhe të vërë në letër atë që po propozon. Për sa i përket pjesës tjetër, aktualisht pohojmë se nuk ka pasur ndonjë përparim, ndonjë gjë shumë premtuese", tha ai.

Ndërkohë bombardimet e qyteteve të Ukrainës nuk ndalen dhe vazhdojnë nga Chernihiv në Kiev. Situata mbetet kritike në Kharkiv dhe Mariupol. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell tha se zyra në terren e misionit konsultativ të BE-së në Ukrainë, në Mariupol u godit nga bombardimet ruse, duke pësuar dëme të rënda. Asnjë anëtar i misionit apo bashkëpunëtor nuk u lëndua. Bombardimeve ruse nuk i ka shpëtuar as një ndërtesë të Kryqit të Kuq në Mariupol.

Shtetet e Bashkuara po përgatisin një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë. Sipas Zëvendës Sekretarit të Thesarit të SHBA, Wally Adeyemo, sanksionet do të synojnë zinxhirët e furnizimit për ushtrinë ruse dhe do të minojnë industrinë e mbrojtjes të vendit.

Nga ana tjetër një gjyqtar amerikan ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin, po keqinformohet, nga vartësit e tij në lidhje me ecurinë e luftës në Ukrainë, pasi udhëheqësit rusë kanë frikë që t'i thonë Putinit se si po veprojnë forcat e armatosura.

Dje, delegacioni i Kievit tha se ishte gati për neutralitet, duke hequr dorë nga hyrja në aleancat ushtarake (përfshirë NATO-n) në këmbim të garancive të duhura të sigurisë, ndërsa Rusia do të pranonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian, megjithëse jo menjëherë. Ndërkohë Rusia tha se do të tërheqë forcat nga Kievi dhe një qytet tjetër, Chernihiv, por megjithatë, Presidenti Volodymyr Zelensky duket pesimist dhe ka bërë thirrje që të mos i besohet asnjë premtimi të dhënë nga Rusia. Edhe nga Uashingtoni vjen skepticizmi i madh për qëllimet e Vladimir Putinit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:28
Zelensky: Negociatat me Rusinë janë vetëm fjalë tani për tani

“Negociatat po vazhdojnë por tani për tani është vetëm çështje fjalësh”. Kështu ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një video të re. Duke folur për gjoja de-përshkallëzimin e shpallur nga Rusia në zonat e Kievit dhe Chernihiv-it, lideri ukrainas deklaroi se është "pasojë e punës së mbrojtësve tanë, por në të njëjtën kohë ne shohim një rritje të ushtrisë ruse në Donbass". 

“Ne do të luftojmë për çdo metër të tokës sonë, do të luftojmë për çdo njeri”. Nëse dikush mendon se mund t'i thotë ushtrisë sonë se si të luftojë dhe si të mbrohet, atëherë më mirë të shkojë drejtpërdrejt në front në vend që të flasë nga divani në shtëpi", shton Zelensky.

Ora 22:48
Pentagoni: Trupat ruse janë 'shumë afër' qendrës së Mariupolit

Forcat ruse janë “shumë, shumë afër” qendrës së qytetit të rrethuar Mariupol, sipas zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby. Në një konferencë para gazetarëve në Pentagon, Kirby ka akuzuar Rusinë për shënjestrim të infrastrukturës civile, ndërtesave të banimit dhe spitaleve.

“Qyteti është duke u bombarduar me sulme ajrore. Qyteti thjesht po shkatërrohet nga sulmet ajrore ruse”, ka thënë Kirby.

Kirby ka thënë se në një “moment të përshtatshëm” Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë mësimet nga lufta, dhe rolin e tyre në mbështetje të forcave ukrainase.

“Shtetet e Bashkuara do të analizojnë se çfarë kanë mësuar duke parë sesi Rusia nuk ka funksionuar mirë, dhe sesi ukrainasit kanë vepruar në mënyrë të mahnitshme. Ne të gjithë duam të mësojmë nga gjërat që shohim dhe do të vazhdojmë të mësojmë edhe nga sjelljet tona, dhe përpjekjet për t’i ndihmuar Ukrainës që ta mbrojë veten", ka thënë ai.

Ora 22:44
Olena Zelenska: Ne do të fitojmë dhe rindërtojmë qytetet e shkatërruara në Ukrainë

Olena Zelenska, gruaja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit” tha se ukrainasit do të rindërtojnë qytetet e shkatërruara nga pushtuesit rus dhe do të punohet për të rivendosur ekonominë dhe infrastrukturën.

“Fakti që unë dhe familja ime jemi duke u gjuajtur më bën të ndihem sikur jam në një film të keq aksion, por më pas më kujtohet se çfarë kanë bërë tashmë pushtuesit, sa fëmijë të pambrojtur janë vrarë, familje të tëra janë zhdukur, ukrainas të paarmatosur janë pushkatuar, dhe jam e sigurt që ukrainasit do të kthehen, do të rindërtojnë qytetet e shkatërruara nga pushtuesit rusë dhe do të punojnë për të rivendosur ekonominë dhe infrastrukturën”.

Së bashku me zonjat e para të Francës dhe Polonisë, Brigitte Macron dhe Agata Kornhauser-Duda, Zelenska kanë ndihmuar në organizimin e fluturimeve për fëmijët ukrainas që kishin nevojë për trajtim të kancerit.

Ora 22:14
Pentagoni: Rusët largohen nga Çernobili

Sipas zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby, Rusia ka zhvendosur rreth 20% të trupave që fillimisht ishin angazhuar për të marrë kryeqytetin nga zona e Kievit. Ai gjithashtu specifikoi se Moska po braktiste zonën e termocentralit të Çernobilit.

Ora 21:55
Mbretëria e Bashkuar prezanton ligje të reja që synojnë të sanksionojnë oligarkët rusë

Mbretëria e Bashkuar ka prezantuar ligje të reja që kanë për qëllim “t’ua parandalojnë oligarkëve rusë qasjen në shërbimet britanike të aviacionit dhe ato detare”.

Zyra e Jashtme britanike ka thënë se legjislacioni do të ndalojë mirëmbajtjen e aeroplanëve apo anijeve që u takojnë oligarkëve të sanksionuar rusë apo bizneseve të tyre.

Departamenti ka thënë se kompetencat e reja janë zbatuar menjëherë për të sanksionuar biznesmenët rusë, Eugene Shvidler dhe Oleg Tinkov.

Ndërkohë, sanksionet financiare, tregtare dhe ato të transportit, që janë vendosur në lidhje me Krimenë, janë zgjeruar edhe për rajonet Donjeck dhe Luhansk.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss ka thënë se “nuk ka dyshim që presidenti rus, Vladimir Putin dhe elita e tij janë befasuar nga fuqia e sanksioneve tona”.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim presionin për aq kohë sa trupat ruse të jenë në Ukrainë, duke shënjestruar jo vetëm bizneset e oligarkëve, por edhe asetet e tyre dhe stilin e jetës”.

Ora 21:08
Kievi: Krimea dhe Donbasi nuk janë 'çështje të zgjidhura'

Krimeja dhe Donbasi do të jenë “çështje të zgjidhura” vetëm kur Ukraina të ketë rivendosur sovranitetin e saj mbi këto territore. Kështu deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, duke iu përgjigjur ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili sot deklaroi se në negociatat në Stamboll "çështjet e Krimesë dhe Donbasit janë zgjidhur"

Ora 20:25
Lufta në Ukrainë, sulm me raketa në Dnipro

Qyteti lindor i Ukrainës, Dnipro është duke kaluar një sulm me raketa. Autoritetet ende nuk e kanë zbuluar objektivin që do të shënjestrohej. Lajmi është bërë i ditur nga “The Kyiv Independent”.

Dnipro është një qytet me 1 milion banorë dhe ndodhet në Ukrainën qendrore, ai ka kaluar vetëm disa sulme me raketa, ku njëri prej tyre dëmtoi rëndë aeroportin e tij.

Ora 19:56
Ukraina: Rusët janë duke u përgatitur për të rinisur ofensivën

Forcat ruse janë duke u përgatitur për të rinisur operacionet e ofensivës, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, Oleksandr Motuzyanyk, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Ata janë duke tentuar të marrin kontrollin e qytetit të rrethuar të Mariupolit dhe disa qytezave në Luhansk, dhe përpjekjet e tyre kyçe janë të fokusuara në rrethim të trupave ukrainase në lindje të Ukrainës, është cituar të ketë thënë ai.

Janë duke u vëzhguar disa lëvizje të forcave ruse, jo shumë larg Kievit dhe Çernihivit, mirëpo komanda ushtarake ukrainase nuk e konsideron këtë gjë tërheqje masive, ka thënë Motuzyanyk.

Rusia ka thënë të martën se do të largojë disa trupa nga kryeqyteti ukrainas dhe Çernihivi, mirëpo ka thënë se pozicioni i saj në Krime dhe Donas nuk ka ndryshuar.

Ora 19:20
Autoritetet lokale: 80 civilë të vrarë në Mykolayiv nga fillimi i luftës

Në Mykolayiv, një qytet në jug të Ukrainës, 80 civilë janë vrarë që nga pushtimi i Rusisë. Kështu kanë deklaruar autoritetet lokale.

Ora 19:15
Putin dhe Scholz gati të zhvillojnë negociata të reja për pagesën e gazit rus

Presidenti rus Vladimir Putin dhe kancelari gjerman Olaf Scholz kanë rënë dakord të zhvillojnë negociata shtesë për pagesën e gazit dhe të mos ndryshojnë kushtet e kontratave. Kujtojmë që Putin vendosi që gazi të paguhet vetëm në rubla, nisur nga sanksionet që Perëndimi mori kundrejt Rusisë.

Ora 19:09
Draghi dhe Putin zhvillojnë një orë bisedë telefonike

Kryeministri Italian Mario Draghi dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë zhvilluar një orë bisedë telefonike. Në qendër të bisedës kanë qenë zhvillimet e fundit në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës. Kryeministri italian theksoi rëndësinë e vendosjes së një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur, për të mbrojtur popullsinë civile dhe për të mbështetur përpjekjet negociuese. Putin e përshkroi sistemin rus të pagesave të gazit në rubla. Dy liderët ranë dakord për të mbajtur kontakte.

Ora 18:55
Një orë bisedë telefonike mes Biden dhe Zelenskyt, ja çfarë u diskutua

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe presidenti ukrainas Voldymyr Zelensky kanë zhvilluar një bisedë telefonike. Biseda mes tyre zgjati rreth një orë, ndërsa Shtëpia e Bardhë njoftoi se Biden ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në Kiev kundër agresionit të Rusisë.

"Sapo përfundova një bisedë një orëshe me Biden. Vlerësimi i përbashkët i situatës në fushën e betejës dhe në tryezën e bisedimeve. U fol për mbështetje specifike për mbrojtjen tonë, një paketë të re sanksionesh të përforcuara, ndihmë financiare dhe humanitare", shkruan Zelensky në Twitter.

Presidenti Biden foli për angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për të ofruar ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën.

Ora 17:58
Kievi: Ushtarët rusë përdhunojnë një grua në sy të djalit të saj 6-vjeçar, ndërroi jetë nga plagët

 

Qeveria e Kievit ka denoncuar një tjetër tmerr lufte të kryer nga rusët. 'Në Mariupol, pushtuesit përdhunuan një grua për disa ditë në sy të djalit të saj gjashtëvjeçar', tha ministria e mbrojtjes e Ukrainës, duke shtuar se gruaja 'vdiq nga plagët e saj'.

'Ky nuk është një film horror. Përdhunim, dhunë, vrasje: kjo është ajo që do të thotë “agresioni rus”, shton ministria në profilin e saj në Tëitter. The Times raportoi gjithashtu historinë rrëqethëse të një gruaje të përdhunuar nën sytë e djalit të saj të tmerruar.

Ora 17:27
Putin keqinformohet nga ndjekësit e tij për luftën

Një zyrtar amerikan ka thënë se Presidenti rus Vladimir Putin është i keqinformuar nga vartësit e tij në lidhje me ecurinë e luftës në Ukrainë, thuhet se udhëheqësit ushtarakë rusë kanë frikë t'i thonë Putinit se si po veprojnë forcat e armatosura të Moskës në ofensivën kundër ukrainasve dhe sa sanksionet po ndikojnë në ekonominë ruse. Zyrtari amerikan gjatë intervistës së tij për CNN tha gjithashtu se ka tensione të vazhdueshme midis Putinit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, raportohet se presidenti rus nuk e dinte që ushtria  po përdorte dhe po humbiste shumë rekrutët në betejë, gjë që tregon një mungesë të qartë të rrjedhës së informacionit të saktë për presidentin rus.

Ora 17:03
Kryebashkiaku Irpin: 200 viktima që nga fillimi i luftës

Të paktën 200 njerëz janë vrarë që nga fillimi i konfliktit në Irpin. Lajmi është bërë me dije nga kryetari i bashkisë Oleksandr Markushin, i cili deklaroi se buxheti real mund të jetë edhe më i keq. Gjysma e qytetit u shkatërrua, shtoi ai. Dy ditë më parë, kryebashkiaku njoftoi marrjen e qytetit nga forcat ukrainase.

Ora 16:54
Zelensky flet në parlamentin e Norvegjisë: Duam më shumë armë nga Perëndimi, Europa t’i mbyllë portet detare Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbajtur një fjalim online në parlamentin e Norvegjisë ku kërkoi më shumë armë nga Perëndimi dhe i bëri thirrje Evropës që të mbyllë portet për Rusinë.

Zelensky kërkoi raketa kundër anijeve, raketa Harpoon, sisteme raketore anti-ajrore dhe armë antitank. “Të gjitha armët me të cilat mund të na ndihmoni do të përdoren vetëm për të mbrojtur lirinë tonë, lirinë tuaj,” tha ai.

Presidenti ukrainas shtoi se Rusia po bllokon portet detare të Ukrainës, gjë që përbën pirateri. “Rusia nuk duhet të jetë në gjendje të përdorë lirisht portet botërore. Kjo është thyerje e sigurisë globale detare”, tha ai.

Ora 16:23
Media shtetërore: Kina, e gatshme të çojë marrëdhënien me Rusinë në 'tjetër nivel'

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi dhe ai rus, Sergei Lavrov

Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Rusisë janë takuar në Kinë, para takimit të përfaqësuesve qeveritarë nga shtetet që janë në kufi me Afganistanin. Sipas medias shtetërore ruse, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ka thënë se marrëdhëniet në mes të të dyja shteteve u kanë rezistuar testeve të reja që kanë ndryshuar situatën ndërkombëtare. Wang ka thënë se Kina është e gatshme që marrëdhënia e tyre të kalojë “në një epokë të re” dhe “nivel më të lartë”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e ka informuar homologun e tij kinez për “operacionin special ushtarak” në Ukrainë. Lavrov ka thënë se të dyja shtetet “kundërshtojnë hegjemoninë” dhe zbatojnë “parimet e Kombeve të Bashkuara”. Ai ka thënë se “Rusia është e përkushtuar në ulje të tensioneve” në Ukrainë dhe “do të vazhdojë bisedimet për paqe”, si dhe “mbajtjen e komunikimeve me komunitetin ndërkombëtar”.

Wang ka thënë se Kina ka “qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë”, duke shtuar se “çështja” e Ukrainës është komplekse. Ai ka thënë po ashtu se Kina mbështet përpjekjet e Kinës, dhe palëve tjera, “për të parandaluar krizën e gjerë humanitare”. Kina ka refuzuar vazhdimisht që të kritikojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës./REL

Ora 16:20
UNICEF: Dy milionë fëmijë refugjatë janë larguar nga Ukraina

"Dy milionë fëmijë janë detyruar të largohen nga Ukraina për shkak të luftës. Situata në Ukrainë po përkeqësohet." Kështu deklaroi drejtoresha e përgjithshme e UNICEF-it, Catherine Russell.

"Ndërsa numri i fëmijëve që largohen nga shtëpitë e tyre vazhdon të rritet, ne duhet të kujtojmë se secili prej tyre ka nevojë për mbrojtje, edukim, siguri dhe mbështetje."

Fëmijët përbëjnë gjysmën e të gjithë refugjatëve nga lufta në Ukrainë, sipas UNICEF dhe UNHCR. Mbi 1.1 milion fëmijë kanë mbërritur në Poloni, qindra mijëra po mbërrijnë në Rumani, Moldavi, Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Ora 16:15
Kryenegociatori i Moskës: Qëndrimi ynë për Krimenë dhe Donbasin nuk ndryshon

"Pozicioni bazë i Rusisë për Krimenë dhe Donbasin nuk ka ndryshuar". Kështu ka deklaruar kryenegociatori i Moskës, Vladimir Medinsky njëkohësisht edhe këshilltari i presidentit Vladimir Putin.

Ai ka pranuar se "Ukraina për herë të parë ka treguar se është e gatshme të përmbushë kushtet për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Rusinë" dhe "të diskutojë kërkesat parimore".

Ora 16:01
Borrell: Rusët bombarduan zyrën e BE-së në Mariupol

“Zyra e misionit konsultativ të BE-së në Mariupol të Ukrainës, është goditur nga bombardimet ruse, duke pësuar dëme të rënda. Asnjë anëtar i misionit apo bashkëpunëtor nuk u lëndua”.  Lajmi u bë me dije nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell , i cili dënoi ashpër sulmin.

Ora 15:55
Bombardohet ndërtesa e Kryqit të Kuq në Mariupol

Bombardimet ruse goditën një ndërtesë të Kryqit të Kuq në Mariupol. Komisionerja për të drejtat e njeriut në parlamentin ukrainas, Lyudmyla Denisova, konfirmoi bombardimin e godinës duke theksuar se ende nuk ka lajme për të lënduar dhe viktima. "Ky është një tjetër krim lufte", tha Denisova

Ora 15:54
 Kryenegociatori ukrainas: Do hedhim në referendum marrëveshjen me Rusinë vetëm pas tërheqjes së trupave ruse

"Referendumi kombëtar" për marrëveshjen e mundshme midis Ukrainës dhe Rusisë "do të mbahet vetëm pasi trupat ruse të jenë kthyer në pozicionet e tyre para 23 shkurtit". Kështu deklaroi kryenegociatori ukrainas Mykhailo Podolyak gjatë takimit me mediat ndërkombëtare në Lviv përmes videokonferencës.

“Mendoj se në ditët në vijim do të duhet të punojmë për kushtet individuale të traktatit, të cilat do të duhet të pranohen nga të gjithë, madje edhe nga shtetet garantuese”, shpjegoi ai.

I pyetur për rolin e Roman Abramovich , Podolyak theksoi "efektivitetin" e tij në moderimin midis dy ekipeve negociuese.

Ora 15:49
'Abramovich u helmua me agjentin kimik të Luftës së Parë Botërore'

1648648205_6400123921272074615402.jpg

Gazetari investigative, Christo Grozev i cili udhëhoqi kërkimin për të zbuluar se me çfarë u helmua oligarku rus tha se Roman Abramovich është helmuar me kloropicrinë, agjenti kimik i Luftës së Parë Botërore, sipas Daily Mail. Sipas ekspertëve, helmimi i tij nuk ishte rastësi, as helmim nga ushqimet dhe as alergji.“Ai është helmuar me Chlorpicrin ose me agjentë kimikë që janë përdorur në Luftën e Parë Botërorë,” thanë ekspertët. “Chlorpicrin lëshon një erë të rëndë, që do të thotë se është mjaft e vështirë të mos dallohet.” Ka pasur gjithashtu edhe sugjerime se Abramovich mund të jetë helmuar me një dozë të ulët të Novichok. Novichok u përdor në helmimin e agjentit të GRU Sergei Skripal në shtëpinë e tij në Salisbury, Angli dhe  gjithashtu për të helmuar armikun e Vladimir Putinit Alexei Navalny në Siberi.

Ora 14:45
Nis nga rrënojat e bombarduara, melodia e violinës udhëton në të gjithë botën! Artistët bëhen bashkë për Ukrainën (VIDEO)

Në një koncert bamirësie, yjet më të rëndësishme të popit në botë performuan për të mbledhur para për refugjatët ukrainas. Në fund të koncertit ka falur emocione të veçanta edhe e violinistit Nicola Benedetti, me të cilin u bashkuan për të dhënë një performancë të paharrueshme një orkestër e tërë virtuale.

Performanca befasuese filloi me Illia Bondarenko nga rrënojat e një ndërtese të bombarduar me violinën e tij,  ndërsa gradualisht me kalimin e sekondave dhjetëra violinistë të tjerë iu bashkuan.

Violinistë nga e gjithë bota u bënë të gjithë bashkë për Ukrainën!

Koncerti unik i organizuar nga ITV, Liveëire Pictures dhe Komiteti i Emergjencave të Fatkeqësive (DEC), i mbështetur nga Classic FM, arriti të mbledhë 12.2 milionë funte për krizën humanitare, raportoi BBC News .

Ora 14:32
Putin i prerë me Macron: Bombardimet në Mariupol do të marrin fund vetëm kur trupat ukrainase të dorëzohen

1648471399_123444861putindesk.jpg

Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se bombardimi i qytetit të rrethuar të Mariupoli do të përfundojë vetëm kur trupat ukrainase të dorëzohen. Kjo është raportuar nga Kremlini, sipas BBC. Por zyrtarët francezë kanë thënë se lideri rus kishte rënë dakord të shqyrtonte planet për evakuimin e civilëve nga qyteti.

Zyrtarët nga pallati Elyseé i Francës e quajtën situatën në qytet "katastrofike" dhe shtuan se "popullatat civile duhet të mbrohet dhe duhet të largohen nga qyteti nëse dëshirojnë. Ata duhet të kenë akses në ndihma ushqimore, ujë dhe ilaçe që u nevojiten". Franca, së bashku me Turqinë, Greqinë dhe disa grupe humanitare, i kanë paraqitur Putinit një plan për të evakuuar qytetin.

Ora 14:18
Nuk llogariti bombardimet dhe as frikën, ukrainasi bën aktin heroi, shkul flamurin rus nga ndërtesa në Balakleya (VIDEO)

 

Flamujt rusë kanë zëvendësuar ata ukrainas në të gjitha qytetet e bombarduara. Në një video e cila është publikuar orët e fundit në media, shihet një djalë teksa ngjitet mbi një ndërtesë dhe heq flamurin rus.
Në këto kohë lufte për Ukrainën, në një kohë kur frika e vdekjes shtohet çdo ditë edhe më shumë, ky është cilësuar një akt heroik. Ngjarja ka ndodhur në Balakleya.

Ora 12:46
Negociatat Kiev-Moskë, Kremlini: Nuk ka asnjë lajm premtuese, kemi akoma punë

Bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase që u zhvilluan dje në Stamboll nuk sollën asgjë premtuese apo “pikë kthese”. Kremlini tha se duhen zbehur shpresat për përparim vendimtar në negociata.

 "Për momentin nuk mund të raportojmë asgjë premtuese apo pikë kthese. Ka shumë punë për të bërë. Shefi i delegacionit rus në bisedimet me Ukrainën, Vladimir Medinsky, në orët e ardhshme do të prezantojë para mediave rezultatet e negociatave.”, u tha gazetarëve zëdhënësi i presidencës ruse Dmitry Peskov.

Ora 11:31
Lufta në Ukrainë, Draghi pritet të flasë me Putin

Në orët në vazhdim kryeministri italian Mario Dragji pritet të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Lajmin e dha ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio, në konferencën e sotme për shtyp gjatë vizitës së tij në Berlin.

Ora 11:19
Rusët nuk mbajtën premtimin që dhanë në Stamboll, bombardohet gjithë natën edhe Chernihivi

Bombardimet nuk kanë ndalur për asnjë minutë as në Chernihiv, pavarësisht premtimit të Moskës se trupat rusë do të tërhiqeshin.

Lajmin e ka dhënë Guvernatori i rajonit, Viatcheslav Tchaous, në Telegram.

Ora 09:37
Ranë dakord në takimin e delegacioneve Kiev-Moskë, hapen 3 korridore humanitare sot në Ukrainë

Tre korridore humanitare pritet të hapen ditën e sotme në Ukrainë, në jug të vendit. Këtë e bën të ditur në Telegram zëvendëskryeministrja Iryna Vereshcuk.

 Ato kanë të bëjnë me evakuimin e banorëve të Mariupolit dhe dërgimin e ndihmave humanitare në qytetin e Berdyansk si dhe  dërgimi i ndihmave dhe evakuimi i njerëzve nga qyteti i Melitopolit, një kolonë njerëzish me mjetet e tyre nga qyteti Energodar në Zaporizhia.

“Dje në Stamboll, delegacioni rus mori propozime për të organizuar korridore humanitare nga 97 vendbanimeve më të prekura në rajonet e Kharkiv, Kiev, Kherson, Chernihiv, Sumy, Zaporizhia, Donetsk, Lugansk dhe Mykolayiv”, tha zëvendëskryeministri.

Ora 08:57
Kiev: Rritet numri, 145 fëmijë të vrarë që nga fillimi i sulmit rus

Numri i fëmijëve të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës është rritur në 145. Kjo u raportua nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Telegram, cituar nga UNIAN.

Numri i fëmijëve që u plagosën nga sulmet e trupave ruse është rritur në 222. Prokurori i Përgjithshëm theksoi se këto të dhëna nuk janë përfundimtare, pasi nuk ka asnjë mundësi për të arritur në vendet e bombardimeve në zonat e armiqësive aktive dhe në territoret e pushtuara përkohësisht. Kjo nënkupton se numri viktimave mund të jetë më i lartë se ai i raportuari.

Ora 08:48
Tërheqja e trupave ruse? Kievi kalon një tjetër natë ‘ferri’, sirena tmerri dhe bombardime

"Nuk është armëpushim", saktësoi qeveria ruse, duke ftohur shpresat që lindën pas njoftimit për një reduktim drastik të aktiviteteve ushtarake në Kiev dhe Chernihiv.

Nuk ishte armëpushim! Kievi jetoi një tjetër natë tmerri nën zhurmën e sirenave dhe bombardimeve.

Një tjetër shpërthim është dëgjuar në Oktjabrskij, një fshat në rajonin rus të Belgorodit, pak kilometra larg kufirit me Ukrainën. Ende nuk dihet shkaku i shpërthimeve, por një depo municioni të mori flakë.

Ora 08:41
Britania e Madhe: Trupat ruse kthehen në Bjellorusi për të furnizuar me karburant

Njësitë ruse që pësuan humbje të mëdha u detyruan të kthehen në Bjellorusi dhe Rusi për t'u rifurnizuar dhe rigrupuar. Kështu thuhet në një postim në Twitter nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, e cila sapo ka publikuar raportin e saj të fundit të inteligjencës. "Ky aktivitet tregon vështirësitë që ka Moska në riorganizimin e njësive të saj në zonat e përparuara në Ukrainë. Rusia ndoshta do të vazhdojë të kompensojë kapacitetin e saj të reduktuar të manovrimit tokësor me artileri masive dhe sulme me raketa".

Ora 07:54
Rusët bombardojnë Lysychansk, raportohen viktima nën rrënoja

Zonat e banuara në qytetin Lysychansk në juglindje të Ukrainës janë bombarduar mëngjesin e sotëm nga artileria e rëndë.

Lajmin e ka bërë me dije guvernatori rajonal i Luhansk, Serhiy Gaidai, përmes Telegram.

"Një numër rrokaqiejsh janë dëmtuar. Ka viktima," shtoi ai, duke shpjeguar se shumë ndërtesa janë shembur dhe se shpëtuesit po përpiqen të shpëtojnë njerëzit që janë ende gjallë.

Ora 07:04
Ukraina: 2 mijë ushtarë mbërritën nga Gjeorgjia në radhët e ushtrisë ruse

Shtabi i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, cituar nga Ukrainska Pravda, tha se rreth 2 mijë ushtarë mbërritën nga Gjeorgjia për të rindërtuar radhët e ushtrisë ruse dhe se, në territoret e pushtuara të rajoneve Zaporizhia dhe Kherson, "armiku vazhdon të kryejë akte të paligjshme kundër popullatës vendase”.

Në periferi të Melitopolit raportohen pika kontrolli. Në 24 orët e fundit, thonë ata, katër sulme nga pushtuesit rusë janë zmbrapsur në zonat Donetsk dhe Luhansk.


 

Ora 06:55
Rusia premtoi tërheqje, por si reagoi Ukraina dhe vendet e tjera të Perëndimit

"Ukrainasit nuk janë naivë," tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke reaguar ndaj premtimit të Rusisë se do të zvogëlonte operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Chernihiv.

Premtimi erdhi pasi bisedimet e paqes filluan të martën midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll.

Por një Zelensky skeptik tha se ndërsa shenjat fillestare nga bisedimet ishin "pozitive", ato nuk "mbytin" shpërthimet e predhave ruse.

Edhe vendet e tjera reaguan me kujdes.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha: "Unë nuk lexoj asgjë në të derisa të shoh se cilat janë veprimet e tyre." 

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se kishte një ndryshim midis asaj që thotë dhe bën Rusia.

Udhëheqësit nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia gjithashtu i kanë kërkuar Perëndimit që të mos heqë kujdesin e tij kundër Rusisë.

"Ata ranë dakord se nuk mund të ketë lehtësim të vendosmërisë perëndimore derisa tmerri i shkaktuar në Ukrainë të përfundojë," thanë ata, sipas zyrës së kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.


 

Ora 06:33
Tensionet mes dy vendeve, astronauti amerikan dhe kozmonautët rus kthehen në shtëpi së bashku

Një astronaut nga SHBA-ja dhe dy kozmonautë nga Rusia do të kthehen në tokë së bashku pavarësisht tensioneve në rritje midis dy vendeve për Ukrainën.

Një kapsulë ruse Soyuz që mban astronautin e NASA-s Mark Vande Hei dhe kozmonautët Anton Shkaplerov dhe Pyotr Dubrov pritet të zbresë nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) në orën 06:45 GMT dhe të ulet në Kazakistan katër orë më vonë.

Udhëtimi i përbashkët në shtëpi vjen mes pasigurisë në rritje për fatin e bashkëpunimit SHBA-Rusi në hapësirë, shkruan BBC.

Më 25 shkurt, një ditë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, Dmitry Rogozin, drejtori i përgjithshëm i agjencisë ruse të hapësirës, ​​akuzoi SHBA-në për përpjekje për të "shkatërruar" bashkëpunimin në ISS.

NASA, megjithatë, tha se do të vazhdojë të punojë me të gjithë partnerët e saj ndërkombëtarë, përfshirë Rusinë, dhe se sanksionet e eksportit vazhdojnë ta lejojnë atë të punojë me Rusinë.


 

Ora 06:24
Shtëpia e Bardhë: Askush nuk mashtrohet nga njoftimi për tërheqjen e trupave ruse

“Askush nuk duhet të mashtrohet” nga tërheqja e ushtarëve rusë. Kështu tha Shtëpia e Bardhë, duke komentuar lajmet që vijnë nga Ukraina. Sipas shtabit të mbrojtjes ukrainase, nuk do të kishte një tërheqje, siç njoftoi Moska, por një "thjesht alternim i njësive" nga zonat përreth Kievit dhe Chernikivit.

Ora 06:00
Nuk ka qetësi në Ukrainë, sirenat e sulmit ajror bien në disa rajone të vendit

Sirenat e sulmit ajror ranë herët në mëngjesin e 28 marsit në disa rajone në të gjithë vendin, duke përfshirë rajonet e Kievit, Zhytomyr, Kharkiv, Dnipro dhe Poltava, shkruan The Kyiv Independent. 

Ora 05:41
Kryqi i Kuq: Rreth 18 milionë njerëz do të kenë nevojë për ndihmë humanitare në Ukrainë

Rreth 18 milionë njerëz në Ukrainë do të kenë nevojë për ndihmë humanitare në mes të shkatërrimit të pushtimit rus, tha kreu i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC). 

Francesco Rocca shpjegoi se Kryqi i Kuq i Ukrainës ka arritur në 400,000 njerëz me artikuj si ushqime, shtretër, batanije, tenda dhe ujë që nga fillimi i luftës, shkruan Sky News.

Duke folur me gazetarët në një konferencë të OKB-së në Gjenevë, ai tha se "askush në Ukrainë nuk ka mbetur i padëmtuar nga konflikti i vazhdueshëm".

Në të njëjtën konferencë, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Ukrainë, Dr Jarno Habicht tha se kanë ndodhur 74 sulme ndaj kujdesit shëndetësor, në të cilat janë vrarë 72 persona. 


 

Ora 05:21
SHBA thirrje amerikanëve: Largohuni menjëherë nga Rusia

Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për rrezikun e arrestimit në Rusi. Duke përmendur mundësinë e qëndrimeve të mundshme kërcënuese, departamenti u kërkoi amerikanëve të mos udhëtonin në Rusi ose të largoheshin menjëherë nga vendi. 

Basketbollistja profesioniste Brittney Griner është ende e ndaluar në Moskë, e arrestuar në shkurt me mbërritjen e saj në aeroportin e kryeqytetit rus, e akuzuar për bartje droge.

Ora 05:01
Lufta/ Ukraina rikthen energjinë për 150 mijë banorë

Pas riparimeve nga inxhinierët, raporton Kyiv Independent, vendbanime të shumta në Ukrainë kanë rifituar aksesin në energji elektrike, sipas Ministrisë së Energjisë së Ukrainës. Megjithatë, vlerësohet se 831,000 ukrainas në 1,491 vendbanime mbeten ende pa akses në energji elektrike.

Ora 04:46
Kriza ushqimore, Moska hedh poshtë akuzat e SHBA-së

Moska hedh poshtë akuzat për përgjegjësinë për një krizë botërore ushqimore. Më tej i konsideron vërejtjet e zëvendëssekretares amerikane të shtetit Wendy Sherman si pjesë të luftës së informacionit të Uashingtonit kundër Rusisë, tha ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara Anatoli Antonov, sipas TASS. 

“Ne i shohim komentet e Wendy Sherman si pjesë e luftës së informacionit të SHBA kundër Rusisë”, tha diplomati në kanalin Telegram të ambasadës.

Ora 04:29
SHBA: Rusia bllokon pothuajse 100 anije të ngarkuara me ushqime në Detin e Zi

Rusët po bllokojnë 94 anije civile ushqimore në rajonin e Detit të Zi dhe kanë bombarduar tre anije që transportonin mallra nga portet e Detit të Zi në mbarë botën, veçanërisht ato të marra nga një fermë. 

Kështu deklaroi zëvendëssekretarja e parë amerikane e shtetit Wendy Sherman, cituar nga Ukrinform. Rreth 30% e eksporteve botërore të grurit vijnë nga rajoni i Detit të Zi, si dhe 20% e misrit dhe 75% e vajit të lulediellit. Shumë eksportues kanë hequr dorë nga dërgimi i anijeve të tyre në Detin e Zi, madje edhe në portet ruse. 

"Marina ruse po bllokon hyrjen në portet e Ukrainës, gjë që bllokon në mënyrë efektive eksportin e grurit," tha Sherman, cituar nga Ukrinform.


 

Ora 04:06
Kina në OKB: sanksionet ndaj Rusisë do të përkeqësojnë krizën ushqimore

"Sanksionet dhe bllokadat ekonomike do të përkeqësojnë artificialisht mungesën e ushqimit dhe ndryshimet e çmimeve, duke ndërprerë më tej prodhimin e ushqimit dhe zinxhirin e furnizimit në mbarë botën, duke rritur çmimet dhe duke vendosur një barrë mbi vendet në zhvillim që nuk e meritojnë". 

Kështu deklaroi zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Dai Bing, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Ukrainën. 

Pekini bën thirrje për "koordinim më të madh ndërkombëtar për të stabilizuar furnizimin dhe çmimet e ushqimit, duke siguruar sigurinë globale të ushqimit" dhe argumenton se OKB-ja dhe agjencitë e saj të sektorit "duhet të kontribuojnë në mënyrë aktive në koordinimin e prodhimit dhe tregtisë së ushqimit midis vendeve që ndihmojnë vendet në zhvillim të mbijetojnë nga tronditja".


 

Ora 03:30
Shtëpia e Bardhë: Takimi Biden-Putin, vetëm pas reduktimit të përshkallëzimit ushtarak në Ukrainë

Një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Joe Biden do të jetë i mundur vetëm pas një reduktimi të ndjeshëm të përshkallëzimit në Ukrainë: u tha ai gazetarëve Drejtori i Komunikimit të Shtëpisë së Bardhë. Kate Bedingfield, raportoi TASS.

Ora 03:13
Nga pianot te makinat luksoze, Japonia zgjeron listën e mallrave që nuk duhet të eksportohen në Rusi

Japonia zgjeron listën e sanksioneve të aplikuara për eksportet në Rusi për të intensifikuar presionin mbi oligarkët që konsiderohen të afërt me presidentin Putin. 

Lista përfshin 19 produkte dhe përfshin makina me vlerë mbi 6 milionë jen, ekuivalente me 44,000 euro, motoçikleta që kalojnë 600,000 jen (4,400 euro), duke e shtrirë ndalimin në sferën muzikore, me piano me vlerë mbi 200 mijë jen (1,450 euro), sektori i bizhuterive me perla natyrale, orët, madje edhe sektori i hotelierisë, duke përfshirë uiski japonezë të nivelit të lartë. 

Tokio kishte vendosur tashmë një ndalim për rreth 300 produkte, duke përfshirë artikuj që mund të përdoren si pajisje ushtarake, përveç eksportit të gjysmëpërçuesve.

Ora 02:50
Trump thirrje Putinit: Tregon informacionet dëmshme që di për presidentin Biden

Donald Trump i ka kërkuar Vladimir Putinit të bëjë publike çdo informacion të dëmshëm që di për familjen Biden, veçanërisht për Hunter Biden, djalin e presidentit. 

“Unë do të thoja që nëse Putini e dinte përgjigjen, ai duhet ta bënte të ditur dhe ne duhet ta dimë atë”, tha ai në një intervistë të re të publikuar nga JustTheNews.

Ora 02:34
Ushtria ukrainase: Tërheqja e trupave ruse është një mashtrim

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës thotë se tërheqja e trupave ruse ka të ngjarë të jetë një mashtrim.

Në një përditësim të përditshëm operacional të postuar në Facebook, shtabi i përgjithshëm tha se njësitë ruse po vazhdonin të largoheshin nga Kievi dhe Chernihiv. Rusia ka thënë se tani do të fokusohet në operacionet në rajonin lindor të Donbasit.

Stafi i përgjithshëm, megjithatë, beson gjithashtu se tërheqjet "janë ndoshta një rotacion i njësive individuale" që synojnë të mashtrojnë ushtrinë e Ukrainës dhe të krijojnë një "keqkuptim" rreth kuptimit të dislokimit të tyre.

Përditësimi i bën jehonë deklaratave të bëra nga zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, i cili tha se një kërcënim për Kievin mbetet pavarësisht lëvizjeve të trupave ruse larg qytetit.

Për më tepër, përditësimi vuri në dukje se armiku vazhdoi të sulmet pranë Donetskut, në lindje.

Në dy vendbanime, Novokarlivka dhe Luhivske, të dyja pranë Zaporizhzhia, ukrainasit besojnë se forcat ruse po forcojnë pozicionin e tyre dhe po vendosin fusha të minuara.


 

Ora 02:20
Sanksionet/ Polonia njofton se do të bllokojë importet e qymyrit nga Rusia

Polonia ka vendosur të bllokojë importet e qymyrit nga Rusia, ka njoftuar qeveria e vendit, shkruan Sky News. Masa vjen si pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse për të reduktuar varësinë nga Rusia për të siguruar energji për vendet e tjera. 

Zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Mueller tha se vendi do të vendosë gjithashtu gjoba financiare për çdo subjekt privat që importon qymyr rus. Ai shtoi se Polonia nuk mund të priste më që i gjithë Bashkimi Evropian prej 27 vendesh të përqafonte politikën. 

Pas pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe disa fuqi të tjera vendosën një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë. Por Evropa historikisht ka qenë e varur nga burimet ruse të energjisë dhe ndërkohë që Polonia prodhon shumë nga qymyri i saj, ajo gjithashtu mbështetet në importe. 

Ora 02:02
OKB-ja akuzon Rusinë: Është përgjegjëse për krizën botërore të ushqimit

Rusia është akuzuar në OKB se ka shkaktuar një "krizë botërore të ushqimit" dhe për rrezikun e një mungese buke në vende të ndryshme duke nisur një luftë kundër Ukrainës, e cilësuar si "hambari i Evropës". 

"Vladimir Putin filloi këtë luftë, ai krijoi këtë krizë globale ushqimore dhe është ai që mund ta ndalojë atë", denoncoi zëvendëssekretarja amerikane e shtetit Wendy Sherman në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar situatës humanitare në Ukrainë.

"Çmimet e ushqimeve tashmë po rriten në qiell në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme pasi Rusia mbyt eksportet e Ukrainës. Në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikë, çmimet tashmë të larta të mallrave bazë, përfshirë grurin, janë rritur midis 20% dhe 50% këtë këtë vit," shpjegoi Sherman, duke thënë se ishte" veçanërisht e shqetësuar për vendet si Libani, Pakistani, Libia, Tunizia, Jemeni dhe Maroku, të cilat varen shumë nga importet ukrainase për të ushqyer popullsinë e tyre. 


 

Ora 01:21
SHBA përgatit sanksione të reja kundër Rusisë, në shënjestër industria e luftës

Shtetet e Bashkuara po përgatisin një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë. 

Sipas Zëvendës Sekretarit të Thesarit të SHBA Wally Adeyemo, sanksionet do të synojnë zinxhirët e furnizimit për ushtrinë ruse dhe do të minojnë industrinë e mbrojtjes të vendit, shkruan Corriere.

Ora 01:12
BBC: Bombardime të tjera në veriperëndim të Kievit

BBC raporton ende për bombardime në veriperëndim të Kievit, pavarësisht se rusët njoftuan sot reduktimin e operacioneve ushtarake në frontin e kryeqytetit. Gazetarët nga terreni raportojnë shpërthime rreth 20 km larg kryeqytetit, pa mundur të sqarojnë nëse rusët apo ukrainasit po qëllojnë. 

Më parë, CNN kishte raportuar gjithashtu për sulme të rënda artilerie dhe raketash në zonën e Kievit.

Ora 00:49
Lufta në Ukrainë, sulme të forta artilerie dhe raketash në Kiev

Rreth orës 23:45 me orën lokale të së martës, sulme të forta artilerie dhe të raketave u dëgjuan në Kiev, sipas një ekipi të CNN në terren. 

CNN raportoi më herët se luftimet intensive vazhduan rreth periferive të Kievit të martën pasdite, veçanërisht në veriperëndim dhe verilindje të qytetit, pavarësisht se zyrtarët rusë thanë se Moska po tërhiqte disa njësi larg kryeqytetit dhe Chernihiv.

Ora 00:42
FOTO/ Sa u afruan rusët me Kievin? Ja si paraqitet situata në hartë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës

Rusia thotë se po "zvogëlon në mënyrë drastike" sulmet e saj pranë Kievit, dhe inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar thotë se është "pothuajse e sigurt" se rusët kanë dështuar në përpjekjen e tyre për të rrethuar kryeqytetin.

Por sa afër janë forcat ruse me Kievin? Kjo hartë tregon përparimet e tyre - dhe kundërsulmet e Ukrainës.


 

Ora 00:38
Kievi denoncon: Ushtria ruse vazhdon të rrëmbejë kryebashkiakë dhe zyrtarë ukrainas

Kjo është raportuar nga kryetari i bashkisë së Kievit Vitaliy Klitschko, i cili gjithashtu kryeson Shoqatën e qyteteve të Ukrainës. 

"Gjatë luftës, që nga 24 shkurti, pushtuesit kanë rrëmbyer 11 kryetarë komunash dhe tetë zyrtarë të tjerë komunalë," tha Klitschko, sipas Radio Svoboda, duke vënë në dukje se rrëmbimi i udhëheqësve të komunitetit në kohë lufte rrezikon të gjithë banorët e komuniteteve të tilla, pasi ata janë përgjegjës për emergjencën. menaxhimi dhe mjetet e jetesës. 

Klitschko u kërkoi organizatave ndërkombëtare dhe kryetarëve të bashkive evropiane që "të bëjnë çdo përpjekje, të përdorin të gjitha mekanizmat dhe presionet e mundshme për të ndihmuar Ukrainën të kapërcejë pushtimin rus sa më shpejt të jetë e mundur".

Ora 00:21
Lufta/ Zelenskyy zbulon aplikacionin e ri për kompensimin e njerëzve për dëmet e shkaktuara

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy ka njoftuar një përditësim të ri të një aplikacioni telefonik, i cili u lejon njerëzve të aplikojnë për kompensim nëse shtëpia e tyre është shkatërruar. 

Aplikacioni 'Diia' lejon ukrainasit të përdorin dokumente dixhitale në telefonat e tyre inteligjentë në vend të atyre fizike për qëllime identifikimi dhe shpërndarjeje. 

Duke folur në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelenskyy tha: "Që nga sot, funksionaliteti i ri i shërbimit tonë shtetëror 'Diia' do të jetë i disponueshëm. 

“Siç kam premtuar, shteti do të kompensojë humbjen e një shtëpie apo apartamenti si pasojë e armiqësive. Çdo qytetar i yni tashmë mund të paraqesë një aplikim në 'Diia'. Kryesorja është që shteti të kompensojë çdo metër pasuri të paluajtshme të humbur," u shpreh Zelensky.


 

Ora 00:05
Pentagoni: Forcat amerikane po 'ndërlidhen' me ushtrinë ukrainase në Poloni

Trupat amerikane janë duke u "lidhur" me forcat ukrainase në Poloni ndërsa ato u shpërndajnë armë atyre, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Të hënën, presidenti amerikan Joe Biden tha se kishte vizituar trupat që po ndihmonin në "trajnimin" e forcave ukrainase në Poloni.

Kirby, megjithatë, tha se ndërveprimet "nuk janë stërvitje në kuptimin klasik që shumë njerëz mendojnë për stërvitje".

"Unë thjesht do të thosha se është ndërlidhje," shtoi ai, pa detaje të mëtejshme.

Krahas kësaj, Kirby tha se forcat shtesë amerikane, duke përfshirë 10 avionë luftarakë dhe 200 personel, do të drejtohen drejt aleatëve të Evropës Lindore, duke përfshirë Lituaninë.


 

Ora 23:49
Zelensky: Ukrainasit nuk janë naivë, shohim rreziqe në bisedimet e paqes me Rusinë

Presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje që të mos i besohet asnjë premtimi i dhënë nga Rusia. 

“Sigurisht, ne i shohim të gjitha rreziqet. Natyrisht, ne nuk kemi arsye për t'u besuar fjalëve të përfaqësuesve të një vendi që bën luftë kundër nesh”, tha Zelensky, shkruan La Repubblica.


 

Ora 23:41
Putin bisedë me Macron: Mbrojtësit e Mariupolit duhet të dorëzojnë armët

Rusia këmbëngul se "militantët" duhet të dorëzojnë armët e tyre në qytetin e sulmuar të Mariupolit, tha presidenti rus Vladimir Putin në një telefonatë më herët sot me homologun e tij francez, Emmanuel Macron.

Sipas një postimi në Telegram të Ministrisë së Jashtme të Rusisë,të dy krerët diskutuan "zhvillimet aktuale" në Ukrainë, me fokus në përpjekjet humanitare.

Në lidhje me Mariupolin, Putin "theksoi se për të zgjidhur situatën e vështirë humanitare. Militantët nacionalistë ukrainas duhet të ndalojnë rezistencën dhe të lënë armët".

Një zyrtar nga presidenca franceze tha se Macron ngriti temën e kryerjes së një misioni humanitar në Mariupol, por kushtet për një të tillë nuk ishin në vend tani.

Përveç kësaj, të dy udhëheqësit diskutuan pagesat e rublave për furnizimet me gaz rus në Bashkimin Evropian.

Ora 23:37
Britania e Madhe: Është pothuajse e sigurt që ofensiva ruse ka dështuar

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë përditësimin e saj të fundit të inteligjencës mbi luftën në Ukrainë. 

Ai thotë se është "pothuajse e sigurt" që Rusia "ka dështuar në objektivin e saj për të rrethuar Kievin" për shkak të pengesave të përsëritura dhe kundërsulmeve të suksesshme nga forcat ukrainase. 

Më tej shtoi se Rusia duke thënë se do të reduktojë aktivitetin e saj ushtarak rreth kryeqytetit mund të tregojë "pranimin e saj që tani ka humbur iniciativën në rajon". 

Megjithatë, ai paralajmëroi se ka "shumë të ngjarë" që Rusia tani do të kërkojë "të devijojë fuqinë luftarake nga veriu në ofensivën e tyre në rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje".  


 

Ora 23:28
Rusia: Korridoret humanitare nuk po respektohen nga Ukraina

Forcat e armatosura të Ukrainës nuk respektuan korridoret humanitare, përkundrazi përdorën armëpushime të përkohshme për të forcuar aftësinë e tyre luftarake dhe jo për të evakuuar civilët. Kjo është akuza e kreut të qendrës ruse të kontrollit të mbrojtjes kombëtare, Mikhail Mizintsev. 

Njësitë e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe batalionet neo-naziste kanë përdorur armëpushim të përkohshëm për të rivendosur aftësinë luftarake dhe për të pajisur vendet e armëve në zonat e banuara, spitalet, shkollat ​​dhe kopshtet, ku civilët mbahen me forcë si mburojë njerëzore. 

Sipas Moskës, megjithatë, forcat e armatosura ruse po përmbushin detyrimet e tyre për evakuimin e sigurt të popullatës civile.  

Ora 23:20
Pentagoni: Kërcënimi për Kievin nuk ka mbaruar

“Kërcënimi ndaj Kievit nuk ka mbaruar”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. "Askush nuk duhet të ketë iluzionin" se Rusia ka tërhequr të gjitha forcat e saj nga kryeqyteti ukrainas, shtoi ai.

Ora 23:16
OKB: Më shumë se 10 milionë njerëz kanë ikur që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Më shumë se 10 milionë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i luftës. Kështu tha Joyce Msuya, përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara për çështjet humanitare, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit. Nga këta, 6.5 milionë janë të zhvendosur brenda vendit dhe 3.9 milionë kanë kaluar kufijtë me vendet fqinje. Msuya tha se ndihma humanitare po rritet çdo ditë dhe tani më shumë se 1,230 staf të OKB-së janë në vend dhe punojnë me mbi 100 organizata humanitare në të gjithë Ukrainën.

G.B./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Meritoni debat me Eglën: Luan rolin e viktimizimit, e shoh të revoltuar që nuk arriti ajo e para në finale

Meritoni debat me Eglën: Luan rolin e viktimizimit, e shoh të revoltuar që nuk arriti ajo e para në finale