Presidenti Donald Trump në një deklaratë të dhënë në Shtëpinë e Bardhë tha se mjafton një fjalë e tij dhe të gjitha tubacionet e naftës së Iranit mund të hidhen në erë.

"Vetëm një fjalë, dhe mund të shkatërroj tubacionet e naftës së Iranit. Me qëllimin e rindërtimit të atij vendi në të ardhmen, nuk dua ta bëj këtë, por gjërat mund të ndryshojnë",  tha Trump.

Në ditën e 17-të të luftës në Lindjen e Mesme, Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po rrezikon futjen e shteteve në krizë për furnizimin me karburant, ndaj presidenti Donald Trump për herë të parë ka kërkuar ndihmën e aleatëve të tij për të mundësuar hapjen e Ngushticës dhe kalimin e sigurtë të anijeve me naftë.

"Ne i inkurajojmë vendet, ekonomitë e të cilave varen nga Ngushtica e Hormuzit, të na ndihmojnë. Disa vende nuk janë entuziaste për të na ndihmuar. Dhe niveli i entuziazmit është i rëndësishëm për mua" tha më tej Donald Trump teksa shtoi se beson se një nga vendet që mund të ndihmojë në këtë çështje është Franca.

Mbretëria e Bashkuar ka refuzuar të përfshihet në operacionet ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, ashtu dhe Gjermania. Për këtë vendim Trump u shpeh se ishte shumë i befasuar.

Më herët Trump iu drejtua dhe NATO-s duke i thënë se “e pret një e ardhme negative” nëse nuk merr pjesë, por përgjigja ishte e qartë nga Aleanca, BE dhe vendet anëtare: Ngushtica e Hormuzit nuk është në juridiksionin e NATO-s dhe as përgjegjësi e Aleancës. Për shkak të krizës së naftës, Trump ka vendosur t’i heqë sanksionet Rusisë.

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme Kaja Kallas tha sot në Këshillin e Sigurimit në OKB se po diskutohet për një mundësi për lëvizjen e naftës në korridorin e Hormuzit.

Ditën e sotme, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë tokësore drejt Libanit Jugor. "IDF do të vazhdojë të përdorë forcën kundër Hezbollahut , i cili ka zgjedhur të bashkohet me fushatën dhe të veprojë nën kujdesin e regjimit terrorist iranian, dhe nuk do të lejojë që t'u shkaktohet dëm qytetarëve të Shtetit të Izraelit."

Ndërkohë një dron iranian u kap në qiellin e Dubait. Teksa ra në tokë, ai krijoji flakë në një dëbo karburanti pranë aeroportit, duke çuar në pezullim të përkohshëm të fluturimeve. Ndërkohë të tjerë dronë janë kapur nga sistemet e sigurisë në Riad të Arabisë Saudite ndërsa një person vdiq në Abu Dhabi pasi u godit nga një raketë iraniane.

Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, nuk pranoi të komentojë rreth lajmeve se Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ishte dërguar në Moskë për trajtim mjekësor pasi mbeti i plagosur nga sulmet amerikano-izraelite.

"Ne nuk komentojmë për lajme të tilla", tha zëdhënësi i Kremlinit.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:33
Pekini refuzon kërkesën e Trump për dërgimin e anijeve në Hormuz: Lufta dëmton paqen dhe stabilitetin, po goditet tregtia botërore

1773689735_xygdioop.JPG

Kina ka refuzuar propozimin e Presidentit amerikan Donald Trump për t'u bashkuar me një koalicion vendesh të gatshme të dërgojnë anije për të mbrojtur cisternat e naftës në Ngushticën e Hormuzit, pas kërcënimeve të vazhdueshme të Iranit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, teksa foli pwr gazetarwt për qëndrimin e Pekinit mbi propozimin e SHBA-së, tha se tensionet e fundit në Ngushticën e Hormuzit dhe ujërat përreth, kanë ndikuar në rrjedhën ndërkombëtare të mallrave dhe tregtisë së energjisë, duke ndikuar negativisht në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

"Pekini edhe një herë u bën thirrje palëve të ndalojnë menjëherë operacionet ushtarake, të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së tensionuar dhe të parandalojnë që trazirat rajonale të ndikojnë më tej në ekonominë globale. Ne po komunikojmë me palët e përfshira për të punuar drejt uljes së përshkallëzimit të situatës", shtoi Lin, në përgjigje të pyetjeve nëse SHBA-të kishin kontaktuar Kinën për këtë çështje, siç raportohet nga Global Times.

Ora 20:03
Shefi i IDF: 400 terroristë të Hezbollahut u eliminuan! Irani është teatri kryesor i luftës

1773687942_tuio.JPG

Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, Eyal Zamir, ka deklaruar se 400 terroristë të Hezbollahut janë eliminuar gjatë këtyre ditëve luftime.

"Dëmi dhe dobësimi i regjimit në Iran po ndihen edhe në fushatën kundër Hezbollahut. Komanda Veriore ka eliminuar më shumë se 400 terroristë të Hezbollahut", tha Zamir duke njoftuar miratimin e planeve për vazhdimin e operacioneve të Komandës Veriore në Liban.

Ndërkohë Zamir shtoi se Irani është ‘teatri‘ kryesor i kësaj fushate ushtarake të Izraelit, krahas frontit me Hezbollahun.

"Komanda Veriore ka eliminuar më shumë se 400 terroristë të Hezbollahut. Irani është teatri kryesor i kësaj fushate dhe një front tjetër qendror është duke u zhvilluar kundër Hezbollahut", shtoi Zamir, i cituar nga Ynet.

Ora 19:08
Lufta ndaj Iranit/ Trump: Shumë i befasuar nga refuzimi britanik

1773331528_donaldtrump.JPG

Foto: Donald Trump

"Jam shumë i befasuar" që Mbretëria e Bashkuar nuk dëshiron të marrë pjesë në luftën kundër Iranit.

Kështu deklaroi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, duke akuzuar përsëri disa aleatë se refuzuan të merrnin pjesë në operacionet ushtarake kundër Republikës Islamike.

"Unë thashë, 'Nuk doni ta bëni këtë?' Ne kemi qenë me ju. Ne jemi aleati juaj më i vjetër dhe shpenzojmë shumë para për NATO-n dhe të gjitha këto gjëra për t'ju mbrojtur", shtoi presidenti i SHBA-së, duke iu referuar përsëri Mbretërisë së Bashkuar.

Ora 19:01
'Doja vetëm të shihja reagimin e tyre' Pasi u kërkoi aleatëve ndihmë për Hormuzin, Trump kritikon NATO-n: S’kemi nevojë për ata!

Presidenti amerikan Donald Trump tha se kërkesa ndaj vendeve të tjera për të ndihmuar në Ngushticën e Hormuzit ishte bërë vetëm për të parë reagimin e tyre dhe jo sepse SHBA ka nevojë për ndihmë.

“U kërkuam ndihmë jo sepse kemi nevojë, por sepse dua të shoh si reagojnë”, deklaroi Trump gjatë një konference për shtyp.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë ushtrinë më të fuqishme në botë dhe se zakonisht janë ato që mbrojnë vendet e tjera. Trump kritikoi edhe NATO-n, duke thënë se SHBA ka mbrojtur aleatët për vite, por kur Amerika ka nevojë, sipas tij, ata nuk reagojnë njësoj.

Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se sekretari i shtetit Marco Rubio do të bëjë së shpejti një njoftim për vendet që mund të mbështesin operacionet amerikane në rajon.

Ora 18:02
Kremlini: Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit në Moskë për trajtim? Nuk komentojmë për lajme të tilla

1771932718_dmitrypeskov.jpeg

Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, nuk pranoi të komentojë rreth lajmeve se Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ishte dërguar në Moskë për trajtim mjekësor.

"Ne nuk komentojmë për lajme të tilla", tha zëdhënësi i Kremlinit.

Sipas gazetës Al-Jarida Mojtaba Khamenei i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në një klinikë private në Moskë. Autoritetet iraniane kishin konfirmuar më parë se Udhëheqësi i ri Suprem ishte plagosur, por siguruan se gjendja e tij ishte e mirë dhe se ndodhej në një vend të sigurt.

Ora 17:58
Trump: SHBA-të kanë goditur 7,000 objektiva në Iran

Foto: Donald Trump

Presidenti Donald Trump thotë se SHBA-të kanë goditur 7,000 objektiva dhe kanë fundosur më shumë se 100 anije në ditën e 17-të të luftës në Iran.

"SHBA-të dhe Izraeli po “bëjnë atë që duhej të ishte bërë shumë vite më parë”, tha Trump teksa shton se SHBA-të sot kanë goditur tre uzina në Iran ku prodhoheshin dronë dhe raketa.

Ora 16:39
Ministri i Jashtëm iranian: Vendet fqinje po mbështesin masakrat amerikano-izraelite

1772373544_abbasaraghchi.jpg

Foto: Abbas Araghchi

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi përmes një postimi në X është shprehur se vendet fqinje po mbështesin masakrat amerikano-izraelite.

Araghchi thekson se gjatë kësaj periudhe tre javore të luftës janë vrarë më shumë se 200 fëmijë.

"Qindra civilë iranianë janë vrarë në bombardimet SHBA-Izrael, përfshirë më shumë se 200 fëmijë. Sipas disa burimeve, disa shtete fqinje që strehojnë forcat amerikane dhe lejojnë sulmet kundër Iranit po e mbështesin në mënyrë aktive këtë masakër. Ata duhet të sqarojnë pozicionet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur", shkroi Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në X , duke komentuar kështu edhe një artikull të eNeë York Times se Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman i kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të vazhdonin sulmet kundër Iranit për të "prerë kokën e gjarprit".

Ora 16:11
‘Mojtaba Khamenei në koma’- The Sun: Po mbahet gjallë me aparatura mjekësore! Ka dëmtime në mëlçi dhe stomak

1773323978_mojtabakhamenei.jpg

Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është në një gjendje kritike dhe po mbahet në jetë me ndihmën e aparaturave të frymëmarrjes.

The Sun raporton se 56-vjeçari u plagos rëndë gjatë një sulmi ajror që gjithashtu shkaktoi vdekjen e të atit, ish-liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, si dhe të gruas dhe djalit të tij 8-vjeçar.

Burime pranë spitalit Sina University Hospital në Teheran bëjnë me dije se Khamenei është në koma, i dëmtuar rëndë në këmbë dhe me lëndime të mundshme në mëlçi e stomak, dhe mbijetesa e tij varet plotësisht nga aparaturat mbështetëse jetësore.

Burimi tha: “Truri i tij është në një gjendje shumë të ulët vetëdijeje dhe zemra dhe mushkëritë e tij funksionojnë vetëm sepse janë të lidhura me një makinë mbështetëse për jetën.”

Megjithëse Mojtaba Khamenei është figura simbolike, Irani po drejtohet praktikisht nga Gardat Revolucionare Islamike, të cilët vazhdojnë të kryejnë sulme me dronë dhe raketa në rajon. Burime diplomatike amerikane dhe izraelite besojnë se Mojtaba Khamenei është i paaftë për të marrë vendime të përditshme dhe se shteti po funksionon në mënyrë automatike sipas planit të krijuar nga lideri i ndjerë.

Në një deklaratë të lexuar nga një gazetare shtetërore, Khamenei premtoi hakmarrje për vdekjen e babait të tij dhe mbrojtjen e “martirëve” të Iranit, duke kërcënuar se “do të rrjedhë gjaku lumë”.

Ai gjithashtu deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbahet e mbyllur, duke kërcënuar indirekt rrugët e energjisë dhe tregjet ndërkombëtare.

Ora 15:53
Teherani paralajmëron Rumaninë: Mos lejoni që SHBA-të të përdorin bazat tuaja ushtarake për sulme kundër Iranit

1773672950_Bazaushtarake.JPG

Irani ka paralajmëruar Rumaninë se do të hakmerret politikisht dhe ligjërisht nëse Bukureshti lejon Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat në territorin e saj për operacione kundër Iranit.

"Nëse Rumania do t'i vinte bazat e saj në dispozicion të Shteteve të Bashkuara, kjo do të ishte e barabartë me pjesëmarrjen në agresionin ushtarak kundër Iranit", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmaeil Baghaei në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se një veprim i tillë do të ishte i papranueshëm sipas ligjit ndërkombëtar dhe do të sillte përgjegjësi ndërkombëtare për Rumaninë, raporton Iran International.

Ora 15:20
Khamenei emëron ish-komandantin e Pasdaranëve si këshilltarin e tij ushtarak

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei ka emëruar si këshilltarin e tij të ri ushtarak ish-komandantin e Gardës Revolucionare Islamike, Mohsen Rezaei.

Rezaei është anëtar i Këshillit Suprem Kombëtar të Sigurisë dhe ish-komandant i Korpusit të Pasdaranëve.

Ora 14:52
‘Zhvillonin programe ushtarake’, Izraeli shkatërron qendrën hapësinore dhe satelitore të Iranit

Izraeli deklaron se “ka shkatërruar” një kompleks të përdorur nga ushtria iraniane për zhvillimin e kapaciteteve hapësinore.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se ndërtesa, e vendosur në Tehran, përdorej për të “zhvilluar programe ushtarake hapësinore”, përfshirë satelitin Chamran-1, i cili u lëshua nga Irani në vitin 2024.

Foto që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë dëme të dukshme në Institutin Kërkimor Hapësinor Tarasht në Teheran.

Ora 12:57
Irani nuk tërhiqet: Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur vetëm për armiqtë tanë

Ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araghchi deklaroi se “Ngushtica e Hormuzit është e hapur, por jo për armiqtë”.

"Sipas mendimit tonë, Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe e mbyllur vetëm për armiqtë", tha ai, sipas raportimeve të medias iraniane.

Ora 12:27
Starmer i vë ‘notë’ marrëdhënies me Trump: Raport i mirë, jemi aleatë të fortë

Kryeministri britanik Keir Starmer u pyet në konferencën për shtyp nëse do të angazhohet për të mbajtur Ngushticën e Hormuzit të hapur pas kërkesës së Trump për mbështetje në sigurimin e këtij rrugëkalimi të rëndësishëm për transportin e mallrave dhe naftës.

Kryeministri tha se ka biseduar me presidentin Trump në telefon të dielën. Ai thotë se kanë zhvilluar diskutime mbi një plan të zbatueshëm, por shton se nuk është e lehtë ose e thjeshtë.

Një gazetar e pyeti më pas se si do ta vlerësonte marrëdhënien e tij me Trump nga 0 deri në 10.

Ai thotë se “është një marrëdhënie e mirë” dhe shton se kanë pasur “një diskutim të mirë dje për Ngushticën”. “Ne jemi aleatë të fortë; kemi qenë prej dekadash.” “Por për mua është detyrë të veproj sipas asaj që e konsideroj më të mirën për Britaninë”, shtoi Starmer. “Nëse je kryeministër, nuk mund të kthehesh një javë më vonë dhe të thuash – ups, gabova për atë luftë, a mund të tërhiqem tani?”

Ora 12:19
Gjermania i thotë 'jo' Donald Trumpit për Hormuzin: S’kemi arsye të përfshihemi në luftë

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul

Gjermania ka refuzuar kërkesën e presidentit Donald Trump për një përfshirje në operacionet në Ngushticën e Hormuzit. Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se Berlini nuk sheh as nevojë dhe as justifikim për një rol ushtarak në këtë krizë.

Sipas tij, Gjermania nuk është informuar as për objektivat e luftës që po zhvillohet në rajon, duke theksuar se kjo e bën edhe më të vështirë çdo përfshirje.

Wadephul shtoi se edhe misioni evropian “Aspides” tashmë ka vështirësi në përmbushjen e detyrave aktuale.

Berlini, sipas tij, do të vazhdojë të përqendrohet kryesisht te lufta në Ukrainë, ndërsa do të përpiqet të qëndrojë sa më larg konfliktit me Iranin.

Ora 12:16
Gjermania: Kjo nuk është lufta e NATO-s! Aleanca nuk ka përgjegjësi për Ngushticën e Hormuzit

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul

Gjermania thotë se NATO nuk ka marrë asnjë vendim dhe nuk ka përgjegjësi për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, në mes të tensioneve për luftën me Iranin.

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul deklaroi se nuk ka asnjë vendim të aleancës për t’u përfshirë në operacionet në këtë korridor strategjik të naftës.

“Nuk më rezulton që NATO të ketë marrë një vendim apo të ketë përgjegjësi për Ngushticën e Hormuzit. Nëse do të ishte kështu, organet e NATO-s do të merreshin me këtë çështje”, tha ai para nisjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Deklarata vjen pasi Donald Trump paralajmëroi për “një të ardhme shumë negative” për NATO-n nëse aleanca nuk kontribuon në operacionet që lidhen me konfliktin me Iranin.

Ora 12:01
Vendet aleate po punojnë për rihapjen e Hormuzit, Starmer: Duhet të garantojmë sigurinë e trafikut detar

Keir Starmer

Britania po punon me aleatët për një plan që do të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe do të garantojë sigurinë e trafikut detar. Kështu deklaroi kryeministri britanik Keir Starmer, duke theksuar se kjo është thelbësore për stabilitetin e tregjeve.

Ai tha se operacioni amerikan ka “dobësuar ndjeshëm” kapacitetet ushtarake të Iranit, por paralajmëroi se pas konfliktit do të nevojitet një marrëveshje e negociuar për të kufizuar programin bërthamor të Teheranit dhe për të garantuar lirinë e lundrimit.

Starmer shtoi se mbi 92 mijë shtetas britanikë janë kthyer në vend që nga nisja e luftës, ndërsa Britania ka mijëra ushtarë në Qipro, tre skuadrone avionësh luftarakë dhe ekipe kundër dronëve për të përballuar sulmet iraniane.

Ai theksoi gjithashtu se lufta në Lindjen e Mesme nuk duhet të kthehet në një përfitim për Rusinë. “Është jetike që të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, u shpreh ai.

Ora 11:57
Lufta në Lindjen e Mesme po rrit çmimet, Starmer: 53 milionë paund ndihmë për familjet britanike

Keir Starmer

Kryeministri britanik Keir Starmer paralajmëroi se lufta në Lindjen e Mesme po ndikon drejtpërdrejt në çmimet e energjisë dhe në koston e jetesës. Ai njoftoi një paketë prej 53 milionë paund për familjet më të rrezikuara në Britani që përdorin naftë për ngrohje.

Sipas Starmer, qeveria do të mbajë të kufizuara faturat e energjisë deri në fund të qershorit dhe do të zgjasë edhe kufirin për taksën e karburantit deri në shtator, për të lehtësuar presionin mbi familjet.

Ai theksoi se stabilizimi i tregjeve të energjisë lidhet drejtpërdrejt me përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme. “Fundi i luftës është mënyra më e shpejtë për të ulur koston e jetesës”, u shpreh kryeministri britanik.

Ora 11:56
Lufta në Lindjen e Mesme, kryeministri britanik: S’mund të kthehet në përfitim për Putinin, thelbësore mbështetja e Ukrainës

Kryeministri britanik Keir Starmer po mban një konferencë për shtyp ku së pari është shprehur se prioritet mbetet siguria e britanikëve në rajon. Ai thotë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në luftë dhe do të vijojë punën për të gjetur zgjidhje për kërcënimin iranian.

Sa për përpjekjet diplomatike, ai tha se pas takimit me kryeministrin kanadez Mark Carney, së shpejti do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Është thelbësore që të vazhdojmë të përqendrohemi në mbështetjen e Ukrainës,” tha ai, duke shtuar se lufta në Lindjen e Mesme nuk duhet të lejohet të bëhet “një përfitim i shpejtë për Putinin.”

Ora 11:34
Pas sulmit iranian të së shtunës, sërish dronë në Fujairah të Emirateve Arabe

Një “zjarr i madh” shpërtheu në zonën industriale të naftës në Fujairah të Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi u godit nga një sulm me dron, njoftoi Zyra e Medias e Fujairah të hënën, duke shtuar se nuk ka pasur të lënduar.

“Skuadrat e mbrojtjes civile të Emirateve reaguan menjëherë ndaj incidentit dhe po vazhdojnë përpjekjet për ta vënë nën kontroll,” tha zyra e medias.

Zjarri ndodhi pasi disa operacione në portin e Fujairah u ndërprenë pas një sulmi me dron të shtunën. Flakët filluan kur ranë mbeturinat e një droni të shkatërruar, tha Zyra e Medias e Fujairah gjatë fundjavës, pa përmendur ndonjë ndërprerje në operacione.

Ora 11:03
Sulmi izraelit në aeroportin e Teheranit, Forcat e Mbrojtjes: Shkatërruam avionin që përdorte Ali Khamenei

Gjatë natës, avionët izraelitë goditën dhe shkatërruan avionin e ish-Udhëheqësit Suprem iranian, Ali Khamenei, në aeroportin Mehrabad në Teheran. Sipas Times of Israel, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se avioni ishte përdorur nga Khamenei dhe zyrtarë të tjerë të lartë iranianë “për të promovuar kontratat ushtarake dhe për të menaxhuar marrëdhëniet me vendet e Boshtit përmes fluturimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Ushtarakët shtuan se shkatërrimi i këtij “aseti strategjik” përbën një goditje të rëndë për “kapacitetet e koordinimit” të Iranit me grupet për “përforcimin e fuqisë ushtarake” dhe për kapacitetet e rehabilitimit të regjimit.

Ora 10:15
Sigurimi i Hormuzit, Trump: Po bisedoj me shtatë vende

Lufta në Iran është tashmë në javën e tretë dhe presidenti amerikan Donald Trump thotë se po zhvillon bisedime me rreth shtatë vende për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës së botës.

Trump përmendi Kinën si një prej atyre vendeve, duke theksuar se ajo varet shumë nga dërgesat e naftës që kalojnë përmes këtij kanali ujor.

Megjithëse nuk cilësoi ndonjë vend tjetër që kishte kontaktuar, ai iu referua NATO-s, si dhe vendeve të tjera që sipas tij duhet të “mbrojnë territorin e tyre”. Më parë, ai i tha Financial Times se është “e përshtatshme” që vendet që përfitojnë nga Ngushtica e Hormuzit të ndihmojnë në rihapjen e saj.

Trump paralajmëroi se nëse nuk do të kishte një përgjigje nga vendet e tjera, kjo mund të ishte “shumë e keqe për të ardhmen e NATO-s”, duke shtuar se SHBA-të janë treguar “shumë të buta” ndaj aleatëve europianë.

"Ne nuk duhej t’i ndihmonim ata me Ukrainën. Ukraina është mijëra kilometra larg nesh... Por ne i ndihmuam. Tani do të shohim nëse ata do të na ndihmojnë ne. Sepse unë kam thënë prej kohësh se ne do të jemi aty për ta, por ata nuk do të jenë aty për ne. Dhe nuk jam i sigurt nëse do të ishin aty”, tha Trump.

Ora 08:44
U godit nga raketa iraniane, vritet një person në Abu Dhabi

Një person ka ndërruar jetë në Abu Dhabi teksa është goditur nga një raketë iraniane teksa ishte duke lëvizur me makinë.

Ora 08:37
Trump kërkon ndihmën e NATO-s për kalimin e naftës në Hormuz, Kallas: Ngushtica është jashtë juridiksionit të Aleancës

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme Kaja Kallas u shpreh se NATO nuk mund të ndërhyjë për hapjen e ngushticës së Hormuzit pasi ajo zonë është jashtë juridiksionit të Aleancës.

"Ne kemi qenë në kontakt me NATO-n më parë, por kjo është vërtet jashtë zonës së ndërhyrjes së NATO-s. Kjo është arsyeja pse kemi Operacionin Aspides, dhe ka shtete anëtare të gatshme të kontribuojnë, si në 'koalicionin e të gatshëmve' ashtu edhe në vetë operacionin, por është një zonë jashtë territorit të NATO-s. Nuk ka vende të NATO-s në Ngushticën e Hormuzit", tha Kallas.

"Së pari duhet të diskutojmë se çfarë janë të gatshme të bëjnë shtetet anëtare në Ngushticën e Hormuzit. Ekziston gjithashtu diskutimi se mund të ketë ndërhyrje pasi të mbarojnë luftimet kryesore. Por sigurisht, ekziston nevoja për të rihapur Ngushticën e Hormuzit tani. Kështu që do ta diskutojmë këtë sot", shtoi ajo.

Ora 08:32
Ushtria izraelite nis ofensivën tokësore drejt Libanit jugor, qëllim shkatërrimi i infrastrukturës së Hezbollahut

Ushtria izraelite thotë se Brigada e saj e 91-të ka filluar operacionet tokësore në Libanin jugor për të “zgjeruar” “zonën e saj të mbrojtjes përpara”.

Në një postim në X, ushtria tha se qëllimi i operacionit i nisur “ditët e fundit”, ishte shkatërrimi i infrastrukturës së Hezbollahut dhe “largimi i kërcënimeve” dhe krijimi i “shtresës shtesë të sigurisë” për banorët izraelitë që jetojnë pranë kufirit me Libanin.

Sipas ministrisë së shëndetësisë të Libanit, sulmet e Izraelit ndaj vendit që nga 28 shkurti kanë vrarë të paktën 850 persona, përfshirë 66 gra, 107 fëmijë dhe 32 punonjës shëndetësorë. 2,105 të tjerë janë plagosur, ndërsa më shumë se 800,000 janë zhvendosur.

Ora 07:55
Irani sulmon me dronë aeroportin e Dubait, zjarr në një depo karburanti! Fluturimet rinisin gradualisht (VIDEO)

Pas një ndërprerje të funksionimit, fluturimet në aeroportin e Dubait kanë rinisur gradualisht. Ndërpreja erdhi pas rrëzimit të një droni iranian, i cili shkaktoi zjarr në një depo karburanti aty pranë.

"Fluturimet për në dhe nga DXB po rifillojnë gradualisht në destinacione të zgjedhura, pas pezullimit të përkohshëm të zbatuar si masë paraprake", tha Aeroporti i Dubait në një njoftim për shtyp.