A do të ishte në gjendje Amerika ta “çlironte” Ngushticën e Hormuzit nëse Irani arrin ta bllokojë atë? Historia sugjeron se po. Diçka e ngjashme ndodhi 39 vite më parë, kur presidenti republikan Ronald Reagan ndërhyri ushtarakisht për të mbrojtur trafikun detar në Gjirin Persik.

Prej ditësh lufta me Iranin ka hyrë në atë që mund të quhet faza “gjeoekonomike” pra kur dëmi ndaj ekonomisë globale është bërë pjesë e strategjisë së vetë luftës. Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit për të penguar kalimin e cisternave të naftës dhe anijeve tregtare është arma kryesore e kundërofensivës iraniane.

Këtu lindin dy pyetje. Kush humbet më shumë nga kjo situatë? Dhe a mund të kundërshtohet një bllokadë e tillë?

Për të kuptuar se çfarë do të thotë realisht “bllokim”, duhet bërë një sqarim. Irani nuk ka kapacitetet për një bllokadë klasike detare. Marina e tij është shkatërruar prej kohësh, me përjashtim të disa mjeteve të shpejta pa pilot, ekuivalenti detar i dronëve. Teherani mund të vendosë mina në ujë, por kjo do të rrezikonte edhe anijet e vendeve që konsiderohen mike, si Kina apo Rusia.

Megjithatë, në luftën gjeoekonomike nuk është gjithmonë e nevojshme një bllokadë e plotë. Mjafton kërcënimi. Vetë ideja e sulmeve ndaj anijeve tregtare rrit menjëherë çmimet e sigurimeve dhe shtyn kompanitë e transportit të ndalojnë lëvizjen e cisternave. Efekti mbi tregun e energjisë bëhet pothuajse i njëjtë me një embargo.

Në mënyrë paradoksale, SHBA-të janë ndër vendet që e ndiejnë më pak këtë goditje. Viktimat kryesore të rritjes së çmimeve të energjisë janë Kina, India, Japonia, Europa dhe Afrika.

Kjo është edhe llogaria iraniane: Teherani e di se nuk mund ta mposhtë Amerikën as në planin ushtarak dhe as në atë energjetik. Por mund t’u imponojë aleatëve të saj kosto aq të larta sa të jenë pikërisht ata që do të ushtrojnë presion mbi presidentin Donald Trump për të ndalur ofensivën.

Nga ana tjetër, Trump u ka dërguar një mesazh aleatëve të tij: naftën e blini ju, prandaj edhe mbrojtja e Ngushticës së Hormuzit është përgjegjësia juaj.

Por nëse në fund vendos të ndërhyjë vetë, SHBA ka një precedent të rëndësishëm historik. Në vitet 1987-1988 administrata Reagan u përball me përpjekjet e Iranit për të goditur trafikun detar në Gjirin Persik dhe për të minuar rrugët e kalimit pranë Hormuzit.

Operacioni i quajtur “Earnest Will” zgjati një vit dhe përfshinte një sistem të madh konvojesh detare që shoqëronin anijet tregtare mes Kuvajtit dhe Gjirit të Omanit. Dhjetëra anije të mëdha të marinës amerikane merrnin pjesë në këtë operacion.

Kur fregata amerikane USS Samuel B. Roberts goditi një minë dhe rrezikoi të fundosej, Reagan urdhëroi një kundërsulm të fuqishëm kundër forcave detare iraniane, operacionin “Praying Mantis”.

Megjithatë, situata e sotme është më e ndërlikuar se ajo e fundviteve ’80. Irani ka ende mina detare, raketa kundër anijeve dhe mjete të shpejta lundruese, por sot ka edhe armë të reja të luftës asimetrike: dronë ajrorë me kosto të ulët dhe mjete detare pa pilot – varka kamikaze të telekomanduara që mund të godasin cisternat me një kosto minimale.

Kjo është një nga arsyet pse marina amerikane është e kujdesshme për të mos hyrë menjëherë në operacione shoqërimi të anijeve në ato ujëra të ngushta dhe të rrezikshme.

Nëse SHBA do të vendoste ta rihapte Ngushticën e Hormuzit, operacioni do të zhvillohej në dy faza. Fillimisht do të ndërmerrej një fushatë ajrore për të shkatërruar depot iraniane të raketave, dronëve, minave dhe qendrat e komandës. Vetëm pasi këto kapacitete të reduktohen në një nivel të menaxhueshëm mund të nisë faza e dytë: shoqërimi i anijeve tregtare nga marina amerikane.

Edhe atëherë rreziku mbetet i lartë. Nëse konvojet do të hynin sot në ngushticë, Irani mund të lëshonte një numër kaq të madh raketash dhe dronësh sa një pjesë e tyre do të depërtonin përmes mbrojtjes amerikane, madje mund të godisnin edhe vetë anijet luftarake që i shoqërojnë.

Në praktikë, anijet tregtare do të ktheheshin në një lloj karremi ndërsa përreth tyre do të zhvillohej përplasja mes forcave amerikane dhe atyre iraniane.

Megjithatë, SHBA ka sot një avantazh që nuk ekzistonte në vitet ’80: mbikëqyrjen e vazhdueshme me dronë mbi bregdetin iranian, që lejon reagime shumë më të shpejta ndaj çdo sulmi.

Edhe kështu, operacioni mund të kërkojë javë për t’u nisur dhe më pas të zgjasë për një kohë të pacaktuar, me kosto të mëdha ekonomike dhe politike për administratën amerikane.

Në fund të fundit, kjo përballje është një duel gjeoekonomik. Trump llogarit se epërsia ushtarake dhe pavarësia energjetike e SHBA-së do ta detyrojnë Iranin të dorëzohet. Teherani, nga ana tjetër, beson se mund të godasë aq fort ekonominë e aleatëve të Amerikës sa ata vetë të kërkojnë nga president Donald Trump të bëjë një hap pas./CorrieredellaSera