Autoritetet ruse kanë raportuar një nga sulmet më të mëdha me dronë që nga fillimi i luftës, duke akuzuar Ukrainën për një sulm “të paprecedentë” ndaj rajonit të Shën Petersburgut, ndërsa qyteti priste ditën e fundit të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Rusisë.
Më shumë se 140 dronë u rrëzuan mbi rajonin përreth Leningradit, tha guvernatori Aleksandr Drozdenko, ndërsa guvernatori i qytetit, Alexander Beglov, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë brenda për herë të parë që nga fillimi i luftës më shumë se katër vjet më parë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi operacionin, duke deklaruar se forcat ukrainase goditën depo armësh dhe një bazë detare ruse në Kronstadt, qendra kryesore e Flotës Baltike të Rusisë. Sipas tij, dronët ukrainas përshkuan rreth 1000 kilometra për të arritur objektivat në afërsi të Shën Petersburgut.
Zelensky bëri të ditur gjithashtu se një depo nafte në rajonin jugor të Krasnodarit, rreth 500 kilometra larg kufirit ukrainas, u godit si pjesë e asaj që ai e quajti “sanksione me rreze të gjatë veprimi” ndaj Rusisë.
Sulmet vijnë vetëm një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin refuzoi propozimin e Zelenskyt për një takim të drejtpërdrejtë me qëllim arritjen e një armëpushimi dhe përfundimin e luftës.
Në një fjalim gjatë Forumit Ekonomik të Shën Petersburgut, Putin deklaroi se nuk sheh arsye për t’u takuar me presidentin ukrainas dhe përsëriti qëndrimin e Moskës se një armëpushim do t’i jepte Ukrainës kohë për t’u rigrupuar ushtarakisht.
Komente










