Lufta/ Zelensky: Dua të takohem me Putin, vetëm kështu përfundon lufta! Blinken nesër në Ukrainë! Nuk ndalen bombardimet edhe për Pashkë, 8 të vrarë në Odessa

Në Ukrainë është dita e 59-të e luftës, ndërsa pashkët ortodokse duket se nuk do të ndalin forcat ruse, pavarësisht apeleve të vazhdueshme.

Synimi i Moskës është që të marrë kontrollin e Donbasit dhe jugut të Ukrainës. Ndërkohë fotot satelitore kanë zbuluar praninë e varreve masive në Mariupol.

Autoritetet lokale kanë bërë publike pamjet e një varri masiv në fshatin Vynohradne me gjatësi rreth 45 metra ku mund të varroseshin deri në 1 mijë civilë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se pushtimi i Ukrainës është vetëm fillimi dhe Putin nuk do të ndalet pasi dëshiron të pushtojë vendet e tjera.

Në fjalimin e tij mbrëmjen e kaluar, Zelensky tha: “Pushtimi i Ukrainës është vetëm fillimi, ata duan të pushtojnë edhe vende të tjera. Ne do të mbrohemi për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të thyer këtë ambicie të Rusisë”.

Ndërsa këshilltari i Zelenskyt, me anë të një reagimi në Twitter thotë se objektivi i radhës i Moskës është Moldavia.

Ndërkohë BE po përgatitet të zbatojë paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës javën e ardhshme. Masat e reja mund të përmbajnë ndalimin e importit të naftës, edhe nëse po punohet për modalitetet. Gjithashtu është planifikuar zgjerimi i listës së bankave ruse të përjashtuara nga sistemi Swift.

Britania e Madhe, në përditësimin më të fundit mbi situatën në Ukrainë në ditën e 59-të, ka deklaruar forcat ruse nuk kanë bërë shumë përparim në 24 orët e fundit pasi kundërsulmet ukrainase vazhdojnë të pengojnë përpjekjet e tyre.

Breshëri raketash kanë rënë mbi Odessa në ndërtesa dhe subjekte ushtarake. 8 persona, me të cilëve edhe një foshnje kanë humbur jetën, ndërsa siç raportohet 18 të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse pasdite e sotme.

Ndërkohë sipas zyrtarëve të lartë nga Mariupoli, rusët dëbojnë ukrainasit nga qytetet e tyre, nëpër vende si Siberia.

Në deklaratën e tij të fundit presidenti Volodymyr Zelenky i bëri sërish thirrje për takim Putin, pasi sipas tij kjo është e vetmja mënyrë që të ndalet lufta. Ai tha se Ukraina ka treguar sa e fortë është në këto ditë të vështira të luftës, ndërsa shtoi se nuk ka frikë dhe do të qëndrojë në Kiev derisa lufta të përfundojë pavarësisht kërcënimeve të herë pas hershme që merr për jetën.

Në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:14
‘Na uruan fat dhe më pas qëlluan’, nëna ukrainase tregon si humbi djalin në korridorin humanitar dhe si i mashtruan rusët

Një nënë ukrainase, përshkoi dhimbjen e pamasë që ndjeu kur djali i saj u qëllua pas shpine nga rusët, teksa po evakuoheshim me civilë të tjerë.

“Rusët na uruan fat dhe më pas qëlluan korridorin me civilët”, tha Inna, gruaja që humbi në duart e saj djalin.

Por ai...i vogli i saj...nuk ishte i vetmi që humbi jetën atë ditë, por edhe 6 të tjerë.

Në fotografinë e mëposhtme kapelja e kuqe është e 13-vjeçares, Yelysei nga Brovary, afër Kiev.

Ora 21:50
Zelensky: Pres që Biden të vijë kur të jetë e mundur

Presidenti ukrainas Zelensky foli për një vizitë të mundshme të Joe Biden në Ukrainë, pasi ai tha gjatë ditës së sotme se kur kushtet e sigurisë ta lejojnë, pret për vizitë Presidentin e SHBA-ve. Ajo që deklaroi Zelensky ishte në një mënyrë një ftesë drejtuar Biden dhe lë të hapur mundësinë që ai mund të vizitojë Ukrainën, megjithatë Shtëpia e Bardhë refuzoi çdo koment në lidhje me këtë çështje.


“Pres që kur kushtet e sigurisë ta lejojnë, edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të vijë këtu për të biseduar me ne”, tha Zelensky.

Ora 21:46
1500 copëza nga dhimbja e luftës në Ukrainë, portreti krejt ndryshe i Vladimir Putin

Ky është një portret krejt ndryshe i Putin. Është një portret i përbërë nga 1500 “copëza” të luftës së përgjakshme që ka shkaktuar diktatori.

Ora 19:57
Zelensky: Nëse NATO do na kishte pranuar, Rusia s’do kishte sulmuar! Unë nuk largohem nga Kievi deri në fund të luftës

"Unë nuk mund të ndikoj në NATO, por besoj se ishte një gabim strategjik që nuk na pranuan vitet e fundit. Ukraina do ta kishte forcuar aleancën. Nëse do të kishim qenë pjesë e Aleancës, Rusia nuk do na kishte sulmuar”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky siguroi bashkatdhetarët e tij se nuk do të largohet nga Kievi derisa lufta të përfundojë.

Ora 19:47
Zelensky: Situata në Mariupol dramatike! S’ka negociata nëse rusët vazhdojnë me pseudo-referendumet

"Mariupol është ende nën rrethim. Sot ishte një ditë veçanërisht e vështirë. Pati bombardime të rënda ajrore dhe tokësore. Situata është dramatike," tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai shtoi se nuk negociatat nuk do të arrihen asnjëherë nëse njerëzit do të vazhdojnë të vriten në Mariupol dhe nëse mbahen pseudo-referendume në territoret e pushtuar të Ukrainës.

Ora 19:45
Zelensky: Duhet të takohem me Putin, vetëm kjo mund të ndalte luftën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti se më e mira për të arritur një zgjidhje diplomatike dhe për të ndaluar luftën do të ishte një takim mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin.

 "Ne duhet të përpiqemi ta arrijmë, por ne nuk e shohim këtë nga Rusia. Ata thonë një gjë dhe pastaj bëjnë të kundërtën", u shpreh ai.

Sipas tij parakushtet që kërkon Rusia për të nisur negociatat me Ukrainën, janë të papranueshme.

“Janë propozime të papranueshme dhe për këtë arsye ne kemi vendosur të bëjmë një hap prapa. Këto propozime synonin të ndryshonin të ardhmen tonë. Ne kemi qëndruar konsekuent që nga fillimi i konfliktit. Ne e kemi mbajtur gjithmonë linjën tonë”. Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke nënvizuar se “që në fillim kemi thënë se nuk do të pranojmë asnjë ultimatum”.

 

Ora 19:45
Blinken do të vizitojë nesër Kievin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i shoqëruar nga një delegacion amerikan do të arrijë nesër në Kiev. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Vladimir Zelensky.

Ora 19:41
Zelensky: Nuk kam frikë, zgjidhja jonë e vetme rezistenca!

“Jam i bindur se do të fitojmë dhe do të tregojmë të gjithë vlerën tonë para vendeve perëndimore”. Kështu deklaroi gjatë një konference për shtyp presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Sipas tij rezistenca është e vetmja mundësi që i ka mbetur Ukrainës.

Zelensky gjatë deklaratës tha se “nuk ka të drejtë të ketë frikë”, pasi ukrainasit kanë treguar se nuk ka frikë nga asgjë. Kështu u përgjigj kur e pyetën lidhur me atentatet që i janë bërë për ta vrarë.

“Rusët nuk e konsiderojnë Ukrainën një shtet të pavarur, ata nuk respektojnë kulturën apo vlerat e ukrainasve. Ata nuk mendojnë se ne kemi të drejtën e pavarësisë, që do të thotë se për ta ne nuk kemi të drejtë për jetë", shtoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ora 19:25
Bombardimet ruse vrasin dy aktoret e vogla të Mariupolit

Raportohet se kanë vdekur dy aktoret e vogla që performonin në teatrin e Mariupolit, përpara se ai të shkatërrohej nga bombardimet ruse. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Mariupolit, Petro Andryushchenko.

“Lufta merr më të mirët. Dy vajza, dy aktoret e vogla simpatike Elizaveta dhe Sonya, vdiqën në Mariupol”, tha Andryushchenko në Telegram.

Kujtojmë se një sulm ajror rus më 16 mars e shkatërroi teatrin, një incident që është cilësuar gjerësisht si një krim lufte. Deri në 300 civilë vdiqën, ndërsa qindra të tjerë kryesisht gra dhe fëmijë ishin strehuar në bodrum gjatë asaj kohe.

Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët dhe pretendon se ishte Ukraina ajo që e sajoj atë dhe incidente të tjera.

Ora 18:32
Moska akuzon Kievin për bombardimin e një pike kufitare ruse

Moska ka akuzuar Kievin se ka sulmuar një pikë kontrolli në pikën kufitare në rajonin rus të Kurskut. Dyshohet se bastisjet goditën një zyrë federale,e cila u përfshi nga flakët. Akuza raportohet nga mediat ruse dhe është bërë e ditur nga një guvernator lokal.

Ora 18:28
Rusia paralajmëroi fazën e re të luftës, Zelensky-Johnson bisedë telefonike për ‘fazën e re’ të ndihmës ushtarake

Sipas Zëvendësshefit të Shtabit të Zelenskyt, Andriy Sbiga, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pati një bisedë telefonike me kryeministrin britanik Boris Johnson.

Sipas informacioneve, ata kanë diskutuar lidhur me “fazën e re” të ndihmën ushtarake që ka nevojë Kievi për t’i përballur me Rusinë.

Kjo bisedë vjen në një kohë që Rusia ka paralajmëruar se situata e luftës do të përshkallëzohet.

Ora 17:38
Bombardime në Kharkiv, vriten 4 persona

Pas bombardimeve të qytetit të Kharkiv, katër persona u raportuan të vrarë. Burimet e cituara janë përfaqësues të qendrës së urgjencës së fshatit në rrethin Chuguev.

Ora 16:57
Sulme mbi ndërtesa dhe objekte ushtarake në Odessa, 8 të vrarë, mes të cilëve 1 foshnje dhe 18 të plagosur

 

Zyrtarët ukrainas raportojnë se të paktën 8 persona janë vrarë, mes të cilëve një foshnje dhe 18 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketa këtë pasdite.

Raketat goditën një objekt ushtarak dhe dy ndërtesa banimi në qytet.

Zyrtarët thanë se forcat ruse qëlluan të paktën gjashtë raketa lundrimi, por shumica u rrëzuan nga forcat ukrainase.

Pamjet e mëposhtme, tregojnë dy sulme ajrore në ndërtesa në qytetin jugor.

Ora 16:02
Dështon evakuimin i civilëve nga Mariupoli, kryebashkiaku: Rusët i dëbojnë drejt Siberisë

Evakuimi i civilëve nga Mariupol, që ishte lajmëruar ditën e sotme nga zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk ka dështuar. Sipas zyrës së kryebashkiakut të qytetit të rrethuar, për të cilin rusët tashmë pretendojnë se e kanë pushtuar, 200 banorë kishin shkuar në një pikë grumbullimi për t'u evakuuar, por ishin shpërndarë nga ushtria ruse.

 Më herët Kryebashkiaku i Mariupol-it tha se rusët i dëbojnë banorët e qytetit drejt territoreve ruse si Siberia me qëllim për t'i ripopulluar.

"Rusët nuk e pushtuan, është e jona. Ata i dëbojnë banorët në zona si Siberia, për t'i ripopulluar ", tha ai.

Ora 15:49
Kuleba: Objektivi i sulmeve ruse me raketa është terrori

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba reagoi pas lajmit se një sulm raketor rus goditi sot Odessa-n, duke  e cilësuar objektivin e sulmeve me qëllim terrori dhe se Rusia duhet te cilësohet si një shtet sponsorizues i terrorizmit.

“Objektivi i vetëm i sulmeve me raketa ruse në Odessa është terrori. Rusia duhet të cilësohet si shtet sponsorizues i terrorizmit dhe të trajtohet në përputhje me rrethanat. Pa biznes, pa kontakte, pa projekte kulturore. Ne kemi nevojë për një mur midis qytetërimit dhe barbarëve që godasin qytetet paqësore me raketa”, thuhej në postimin e tij në Twitter.

Ora 15:43
Papa Françesku: Lufta i shkatërron të gjithë, madje edhe fituesin

"Lotët e Marisë janë gjithashtu një shenjë e vajtimit të Zotit për viktimat e luftës që po shkatërron jo vetëm Ukrainën. Ne jemi të guximshëm dhe le ta pranojmë, po shkatërron të gjithë popujt e përfshirë në luftë. Të gjithë". Kështu tha Papa Françesku kur priti në audiencë komunitetin baritor "Madonna delle Lacrime".

Sipas tij lufta jo vetëm jo vetëm që shkatërron vendin që pushtohet, po r edhe atë që fiton

“Lufta i shkatërron të gjithë.”, ka thënë ai.

Ora 14:39
Pesë shpërthime në Odessa, raportohet për të plagosur

1650717972_photoverybig214565.jpg

Pesë shpërthime kanë goditur një zonë rezidenciale pranë aeroportit ushtarak të Odesës.

Raportohet të ketë disa persona të plagosur.

Një zëdhënës i adimnistratës ushtarake të Odessa, Sergey Bratchuk shkroi në Telegram se mund të jetë një sulm me raketa nga katër nëndetëse.

Ndërkohë është paralajmëruar rikthimi i shtetrrethimit.

Ora 13:34
SHBA: Putin ka urdhëruar krime brutale në Ukrainë! Akush nuk e përjashton dot edhe përdorimin e armëve bërthamore

"Askush nuk mund ta përjashtojë një sulm bërthamor. Meqenëse Vladimir Putin ka urdhëruar tashmë krime të tmerrshme dhe brutale të luftës, gjithçka mund të ndodhë. Mund të përdoren lloje të ndryshme armësh katastrofike." Kështu u përgjigjet Victoria Nuland, nënsekretarja e shtetit për çështjet politike të SHBA-së, atyre që e pyesin nëse është e mundur që përdorimi i armëve bërthamore të jetë i mundur. Nuland nënvizon se SHBA-të po përpiqen me shumë vendosmëri ta bëjnë Kremlinin "të vetëdijshëm" se një hipotezë e tillë "do të ishte katastrofike jo vetëm për Ukrainën dhe botën", por edhe për "Putinin dhe Rusinë". Putin "do të konsiderohet" përgjegjës për luftën. Përdorimi i armëve katastrofike "do të shkaktonte" një nivel krejtësisht të ri dhe Ukraina nuk do të lihet vetëm. Kostoja e imponuar ndaj Putinit dhe Rusisë së Putinit do të ishte astronomike në këtë kontekst”, shton ajo.

Ora 13:12
Shtetrrethimi i shpallur përpara Pashkëve! Ukraina: Forcat ruse goditën qytetin jugor të Mykolaiv gjatë natës

1650712472_Capture.JPG

Territori midis Mykolaiv dhe Kherson në juglindje ka pasur luftime intensive gjatë tre javëve të fundit ndërsa forcat ukrainase kanë nisur kundërsulme.

Vetë Mykolaiv është granatuar rregullisht nga forcat ruse, por mbetet nën kontrollin e Ukrainës, thanë zyrtarët e lartë ukrainas në Mykolaiv.

”Forcat ruse vazhduan të bombardojnë qytetin e Mykolaiv gjatë natës ndërkohë ka pasur përsëri bombardime sot, ata goditën një kafene por pa viktima," tha Vitaliy Kim, kreu i administratës ushtarake rajonale të Mykolaiv.

Kim shtoi se një shtetrrethimi do të jetë në fuqi nga ora 19:00. deri në 5 të mëngjesit përpara shërbimeve lokale të Pashkëve.

Kujtojmë se sulmi vjen një ditë pasi Hanna Zamazeeva, shefja e këshillit rajonal të Mykolaiv, tha se të paktën 20 njerëz ishin plagosur në rajon në dy ditët e fundit, mes sulmeve nga trupat ruse.

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar për provokime të papërcaktuara nga forcat ruse gjatë festës së Pashkëve, e cila festohet nga shumë ukrainas sipas kalendarit Julian, dhe u kanë kërkuar qytetarëve në disa rajone që ta shënojnë festën në shtëpi.

Ora 11:51
Këshilltari i Zelenskyt: Objektivi i radhës i ushtrisë ruse do të jetë Moldavia

1650707634_4fb2bc129f6f4891a3dcb24aaf2d65bc.jpg

Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky pretendon se objektivi i ardhshëm i ushtrisë ruse do të jetë Moldavia.

“Moskës po i shtohet ‘oreksi’. Tani objektivi i radhës është Ukraina jugore për të arritur në Transnistria. Ndërsa objektivi tjetër i ushtrisë së grabitësve dhe përdhunuesve do të jetë Moldavia. Kjo tregon se Ukraina po lufton për sigurinë e Europës”, shkroi Podolyak në Twitter.

Komandanti rus Rustam Minnekayev tha se gjatë fazës së dytë të sulmit ndaj Ukrainës ishte e nevojshme të krijohej "një dalje në Transnistria".

 

Ora 11:48
Ukraina: Rusia vijon të godasë infrastrukturën civile

1650707577_ukrciv.JPG

 

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky deklaroi 6 ditë më parë se 8 persona ishin vrarë dhe 106 ishin plagosur nga bombardimet ruse në Kharkiv, ndërkohë zyrtarët Ukrainas thanë sot se forcat ruse kanë vazhduar të bombardojnë qytetin verilindor të Kharkiv dhe rajonin.


"Okupatorët rusë vazhdojnë të gjuajnë mbi infrastrukturën civile të Kharkiv dhe rajonit. Gjatë ditës, pushtuesit shkaktuan 56 goditje, si rezultat, 19 mbetën të plagosur, dy persona vdiqën, ndërkohë civilët në Kharkiv kanë duruar sulme të rënda për ditë të tëra”, tha Oleh Syniehubov, kreu i administratës ushtarake rajonale të Kharkiv. 


Guvernatori ushtarak njoftoi se një shtetrrethimi në rajon do të jetë në fuqi nga ora 19:00. deri në orën 5 të mëngjesit me orën lokale.
Më 17 prill, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se në katër ditë më parë, 18 persona ishin vrarë dhe 106 ishin plagosur nga bombardimet ruse në Kharkiv.
 

Ora 10:25
Ministrja e Mbrojtjes së Ukrainës: Janë vrarë 21,600 ushtarë rusë që nga fillimi i pushtimit

1650631991_er.JPG

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës pretendon se forcat e saj të armatosura kanë vrarë 21,600 ushtarë rusë që nga fillimi i pushtimit.

Në 24 orët e fundit thotë se kanë vrarë 400 ushtarë.

Në një përditësim të publikuar në Twitter, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës bën me dije se që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, janë shkatërruar 854 tanke, 2205 automjete të blinduara, 403 artileri, 143 njësi të shumta raketash, 117 avionë dhe 154 helikopterë.

Ndër të tjera, thonë se kanë shkatërruar 182 dronë, 76 cisterna, 1543 automjete ushtarake dhe 8 varka, sisteme të ndryshme raketore dhe 27 makineri ushtarake.

Ora 09:29
Kryeministri i Ukrainës: Mariupol, katastrofa më e madhe humanitare! Trupat ruse po shkatërrojnë gjithçka
1650699063_krukr.JPG

Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal në konferencë për shtyp nga nga Uashingtoni

Mariupol është "katastrofa më e madhe humanitare"  kështu u shpreh Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal  gjatë një konference nga Uashingtoni duke folur për situatën në qytetin e Mariupolit, ku tashmë prej ditësh forcat ruse kanë intensifikuar sulmin e tyre.

‘Ne do të shohim mizoritë e tmerrshme kur do të çlirohet nga rusët, trupat ruse po shkatërrojnë absolutisht gjithçka, duke përfshirë strehimoret ku po qëndrojnë civilët’, u shpreh Shmyhal.

Rreth 100,000 njerëz mbeten të bllokuar në Mariupol që kur u rrethua nga forcat ruse më 1 mars, sipas zyrtarëve ukrainas. Zyrtarët ukrainas pretendojnë se më shumë se 20,000 njerëz në qytet kanë vdekur gjatë sulmit.

Shymhal u bëri thirrje gjithashtu ambasadorëve nga të gjitha vendet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të kthehen në ambasadat e tyre në Kiev.

Ora 08:36
Zelensky: Synimi i Rusisë është të pushtojë vende të tjera përveç Ukrainës

1650572690_AP22080114179395.jpg

"Pushtimi i Ukrainës është vetëm fillimi, Rusia dëshiron të pushtojë vende të tjera". Kështu tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një video-mesazh, duke cituar deklaratat e një komandanti të Moskës se forcat ruse do të donin të merrnin kontrollin e Ukrainës jugore për të pasur akses në Transnistria, një rajon separatist i Moldavisë.

"Epo, kjo konfirmon atë që kam thënë shumë herë. Pushtimi rus i Ukrainës është i destinuar të jetë vetëm fillimi, pastaj ata duan të pushtojnë vende të tjera. Sigurisht ne do të mbrohemi për aq kohë sa është e nevojshme të thyejmë këtë ambicie të Federatës Ruse. Por të gjitha kombet që, si ne, ata besojnë në fitoren e jetës mbi vdekjen, ata duhet të luftojnë me ne. Ata na ndihmojnë, sepse ne ishim të parët në listë, kush do të jetë i radhës? ", tha ai.

Ora 08:11
Britania e Madhe: Përparim i kufizuar rus, ende duke luftuar në Mariupol

 “Megjithë rritjen e aktivitetit, forcat ruse nuk kanë bërë shumë përparim në 24 orët e fundit pasi kundërsulmet ukrainase vazhdojnë të pengojnë përpjekjet e tyre”. Kështu ka deklaruar Britani e Madhe në përditësimin më të fundit mbi situatën në Ukrainë në ditën e 59-të.

“Forcat ajrore dhe detare ruse nuk kanë vendosur kontroll në asnjërin sektor për shkak të efektivitetit të mbrojtjes ajrore dhe detare të Ukrainës, gjë që zvogëlon aftësinë e tyre për të bërë përparim të dukshëm”, thekson inteligjenca duke iu referuar dy teatrove kryesore të luftës, në jug dhe lindje të vendit. Sa i përket Mariupolit, sipas Londrës edhe pse rusët pretendonin se kishin pushtuar qytetin port, përparimi është i kufizuar.

/J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri