Situatë tmerri në Bucha, fëmijët përdoren si mburoja, ekzekutime në mes të rrugës! Zelensky: Gjenocid! Moska e mohon: Foto të fabrikuara! Blinken: Ato pamje të godasin me grusht në stomak

Odessa zgjohet nën shpërthimet e forta në ditën e 39-të të luftës! Sirenat e sulmeve ajrore nuk janë ndalur në shumë prej qyteteve të vendit. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov konfirmon se një nga objektivat kryesore të Moskës është të shpëtojë republikat e shkëputura të Donetsk dhe Lugansk. 

Pamje tronditëse vijnë nga masakrat ruse në Bucha, ku njerëz të paarmatosur, civilë dhe fëmijë të vegjël janë ekzekutuar dhe janë lënë në mes të rrugëve të qytetit. Këto masakra janë dënuar nga Perëndimi, ndërsa Presidenti i Ukrainës, Zelensky e ka cilësuar gjenocid. Nga ana tjetër Moska e ka mohuar që të ketë kryer këto makara duke i cilësuar fotot të fabrikuara dhe të pavërteta.

Pamjet Buchës pas tërheqjes së trupave ruse, kanë lënë pa fjalë të gjithë botën.  Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel i cilësoi ato një “masakër”. Ai tha se BE do të ndihmojë Ukrainën në përpjekjet e saj për të mbledhur prova lidhur me krimet e luftë. Nga ana tjetër Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se dhuna që iu atribuohet forcave ruse që kanë kryer në Bucha në rajonin e Kievit janë si “një grusht në stomak".

Ndërkohë qeveria ukrainase pretendon çlirimin e rajonit të Kievit, por pas tërheqjes së trupave të Putinit është shfaqur gjithçka që ka lënë lufta e tmerrshme pas. Shkatërrim, ekzekutime masive dhe mbi 300 kufora në rrugë, kjo është pamja që përshkruajnë mediat për qytetin e Buchas.

Trupat e Putinit janë mobilizuar në Transnistria . Rusia pranon kërkesën e Erdoganit dhe ofron një korridor për të huajt për në Mariupol, duke i thënë Kievit të përgjigjet me 3. SHBA rrit furnizimin me armë në Ukrainë, në tryezë hipoteza e një udhëtimi të Papës në Kiev .

Ministri ukrainas i Punëve të Jashmte, Dmitry Kuleba tha se më e keqja nuk ka ardhur ende, duke iu referuar luftës dhe pasojave të saj katastrofale. Gjatë intervistës së tij me “Corriere della Sera”, ministri i ka bërë thirrje Italisë që në këtë moment kritikë të luftës të ndihmojë Ukrainën me armë, ndërsa ka shtuar se ukrainasit presin "krahë hapur" vizitën e Papa Françeskut". 

Reagimet nga disa liderë botërorë për masakrën në Bucha të Ukrainës nga ushtria ruse:

-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se vrasjet ishin "një brutalitet kundër civilëve që nuk e kemi parë në Evropë për dekada".

-Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss tha se "sulmet pa dallim" kundër civilëve ukrainas në qytete si Bucha dhe Irpin duhet të hetohen si krime lufte.

-Presidenti francez Emmanuel Macron , i cili ka folur shpesh me Presidentin Putin që nga fillimi i konfliktit, i quajti fotografitë "të padurueshme" dhe shtoi se "autoritetet ruse do të duhet të përgjigjen për këto krime".

-Duke folur për gazetën Bild, zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck i quajti vrasjet një "krim të tmerrshëm lufte nuk mund të mbetet pa përgjigje".

-Duke reaguar në Twitter, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u shpreh: "E tmerruar nga raportet e tmerreve të papërshkrueshme në zonat nga të cilat Rusia po tërhiqet.

Civil të vdekur në Bucha

Trupat e pajetë në Bucha
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:31
Pushtimi nga Rusia, sërish bombardime të tjera në Odesa të Ukrainës

Shpërthime të tjera raportohe të dielën vonë në portin jugor të Ukrainës, Odesa, shkruan BBC.

Autoritetet në qytetin strategjik në bregun e Detit të Zi nuk kanë konfirmuar ende raportet nga mediat lokale dhe një dëshmitar i Reuters.

Odesa, ku jetojnë rreth një milion njerëz, u godit nga raketat ruse të dielën në mëngjes.

Një zyrtar ukrainas tha se ato raketa kishin goditur "infrastrukturën kritike" dhe nuk kishte viktima.

Rusia më vonë tha se kishte shënjestruar objektet e naftës në rajon që Ukraina po përdorte për të furnizuar trupat e saj.


 

Ora 22:58
Moska kërkon nesër takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ngjarjet në Bucha: Janë provokim

Rusia ka kërkuar të thërrasë ditën e nesërme një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar atë se çfarë ndodhi në Bucha të Ukrainës, të cilën rusët e quajnë si një 'provokim'.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori Dmitry Polyansky, zëvendësi i parë përfaqësues i përhershëm i Federatës Ruse në OKB me një postim të tijin në Telegram.

“Në dritën e provokimit të qartë të radikalëve ukrainas në Bucha, Rusia ka kërkuar që një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thirret pasditen e së hënës, në 4 prill”, tha Polyansky.

Më herët Ministria e Mbrojtjes në Moskë tha se trupat ruse u larguan nga fshati Bucha i rajonit të Kievit që prej 30 marsit.

Ora 22:29
Pamje të tmerrshme nga Bucha, civili i ekzekutuar në rrugë, qeni qëndron pranë trupit të pajetë

Civil i vrarë në Bucha

Me anë të një fotografie na shfaqet imazhi i trishtueshëm i Luftës në Ukrainë , një burrë i vdekur në një rrugë të Buchas, qytetit të vogël afër Kievit që u rimor në kontroll nga ukrainasit pas pushtimit rus. Pranë tij ndodhet një biçikletë dhe një qen. Kësaj fotoje do të do të ishte e tepërt dhe prekëse për t'i shtuar diçka tjetër. Rusia thotë se këto foto janë një trillim. Por, kush do t'i punësonte këta njerëz që të pretendojnë të jenë si të pajetë në asfaltin e lagësht, me baltë dhe me gunga dhe më absurdja të përfshinte një qen të trajnuar e të inskenonte një biçikletë të rënë në këmbët e personit pa jetë.

Ora 22:02
Di Maio thirrje italianëve në Ukrainë: Largohuni sa më shpejt të jetë e mundur

Ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio, u ka bërë një thirrje italianëve, të cilët janë ende në Ukrainë dhe nuk duan ta lënë atë. 

"Largohuni nga Ukraina sa më shpejt të jetë e mundur", tha ministri i ftuar i "Che tempo che fa" në Rai 2. 

"Është e qartë se Putini po e humbet këtë luftë. Ai u detyrua të largohej nga Veriu, por kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se ai do të ulë intensitetin e luftimeve. Është pikërisht e kundërta, ndoshta Putin do të rrisë agresionin”.
 

Ora 21:41
Gjermania: Do i çojmë armë të tjera Ukrainës për t'u mbrojtur

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar ditën e sotme se Gjermania do të vërë në dispozicion të Ukrainës armë të tjera, në mënyrë që të mbrohet kundër pushtimit rus. Gjithashtu Scholz paralajmëroi diskutime me aleatët në lidhje me vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë.

"Ne do të vëmë armë të tjera në dispozicion të Ukrainës në mënyrë që ajo të mund të mbrohet kundër pushtimit rus, me aleatët tanë do të vendosim për sanksione të reja në ditët në vijim, vrasja e civilëve është një krim lufte. Këto krime të trupave ruse duhet të sqarohen pa zbritje", tha Scholz.

Ora 21:39
OKB: Imazhet që vijnë nga Bucha tronditëse, thelbësore një hetim i pavarur

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, tha se ishte thellësisht i tronditur nga imazhet e civilëve të vrarë në qytetin Bucha të Ukrainës. Ai tha se një hetim i pavarur do të çojë në përgjegjësi efektive në lidhje me atë që ndodhi.

"Është thelbësore që një hetim i pavarur të çojë në përgjegjësi efektive për atë që ka ndodhur", tha Guterre.

Ora 21:36
Zelensky: Ukraina kërkon garanci sigurie, SHBA nuk e jep

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha ditën e sotme se Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë të japin garanci sigurie në formën e kërkuar nga Ukraina. Gjatë një interviste, Zelensky falenderoi SHBA-të dhe administratën Biden për gjithçka që po bëjnë për Ukrainën, megjithëse ata nuk kanë dhënë asnjë garanci sigurie.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se Kievi nuk ka marrë ende asnjë garanci as nga vendet e tjera.

Ora 20:40
Kuleba: Imazhet e Mariupolit janë më shkatërruese se ato në Bucha, Rusia është më e keqe se ISIS

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba paralajmëroi  për imazhe më të rënda që do të vijnë nga Mariupoli, të cilat sipas tij do të jenë edhe më shkatërruese se pamjet e civilëve të vdekur në Bucha.

"Personalisht po përpiqem të përgatitem për imazhet dhe videot që do të mbërrijnë nga Mariupoli kur të çlirohet. Ndoshta do të jenë edhe më të rënda se ato në Bucha, Rusia është më e keqe se ISIS, Çfarë lloj vlerash kanë ushtarët rusë që përdhunojnë dhe torturojnë ? Ne tashmë po punojmë për të ndjekur penalisht të gjithë ata që janë të përfshirë në këto krime. Mund të duhet pak kohë, por do të punojmë me partnerët tanë dhe me Gjykatën Penale Ndërkombëtare”, tha Kuleba në  postimin e tij në Twitter.

Ora 20:12
Guvernatori i Kharkiv: Bombardime të tjera nga Rusia, ka të vdekur dhe të plagosur

Forcat ruse kanë bombarduar qytetin e dytë të Ukrainës, Kharkiv, duke vrarë dhe plagosur një numër njerëzish, sipas guvernatorit të rajonit.

"Në mbrëmje, pushtuesit bombarduan rrethin Slobidsky të Kharkiv", tha guvernatori Oleh Synyehubov në Telegram.

“Fatkeqësisht, në mesin e popullatës civile ka të vdekur dhe të plagosur. Në këtë kohë janë 23 viktima, duke përfshirë fëmijë. Shifrat janë duke u vërtetuar," tha ai, sipas Sky News.
 

Ora 19:25
Guvernatori ushtarak rajonal: 14 të dërguar në spital dhe 1 i vdekur nga bombardimet në Mykolaiv

Vitaly Kim, guvernatori ushtarak rajonal i rajonit të Mykolaiv, tha se gjithsej 14 persona u dërguan në spital pas bombardimeve të qytetit të Mykolaiv. 

"Për bombardimet e qytetit: 14 u dërguan në spital, 11 të shtruar, mes tyre një fëmijë 15 vjeç me lëndime të shkallës së mesme", tha ai në Telegram, duke shtuar më tej se njëri vdiq e nuk shpëtoi. 
Nga deklarata nuk ishte e qartë nëse personi që vdiq ishte në mesin e të dërguarve në spital, shkruan CNN.
 

Ora 19:08
Ukrainë, Zelensky viziton ushtarët e plagosur

Zelensky me ushtarët e plagosur

Ditën e sotme presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka vizituar disa prej ushtarëve të plagosur. Ai i ka përgëzuar për guximin që kanë treguar në mbrojtjen e vendit kundër pushtuesve.

"Ushtarët tanë mbrojnë me guxim dhe zell kufijtë e shtetit tonë. Kam vizituar mbrojtësit ukrainas që pësuan lëndime në luftimet për Kharkiv, Cernihiv, Gostomel dhe në përleshjet me grupet e armikut. Ju uroj shërim të shpejtë djema",  shkruan Zelensky në Facebook.

Ora 18:50
Boris Johnson: Putini është i dëshpëruar, pushtimi i tij po dështon

Boris Johnson tha se sulmet e neveritshme të Rusisë kundër civilëve të pafajshëm në Irpin dhe Bucha janë dëshmi se Putini dhe ushtria e tij po kryejnë krime lufte në Ukrainë.

Një deklaratë e kryeministrit është lëshuar në të cilën ai u zotua se do të vdesi urie atë që ai e quajti "makina e luftës" e Vladimir Putin, duke shtuar se pushtimi i tij po "dështon".

“Asnjë mohim apo dezinformim nga Kremlini nuk mund të fshehë atë që ne të gjithë e dimë se është e vërteta, Putini është i dëshpëruar, pushtimi i tij po dështon dhe vendosmëria e Ukrainës nuk ka qenë kurrë më e fortë," tha ai, shkruan Sky News.

"Unë do të bëj gjithçka që kam në fuqinë time për të "vdekur urie" makinerinë luftarake të Putinit. Ne po shtojmë sanksionet dhe mbështetjen tonë ushtarake, si dhe po forcojmë paketën tonë të mbështetjes humanitare për të ndihmuar ata që kanë nevojë në terren," shtoi më tej ai.

"Mbretëria e Bashkuar mbështet hetimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për mizoritë e kryera në Ukrainë. Sekretari i drejtësisë ka autorizuar mbështetje financiare shtesë dhe vendosjen e hetuesve specialistë, dhe ne nuk do të pushojmë derisa drejtësia të vihet në vend," përfundoi Johnson.
 

Ora 18:18
Lufta/ BE dhe BE Gjermania diskutojnë për ndalimin e furnizimit me gaz nga Moska

Pas akuzave drejt Moskës për mizoritë e kryera pranë Kievit, është koha që Bashkimi Evropian të diskutojë ndalimin e furnizimeve me gaz rus. 

“Duhet të ketë një përgjigje, këto krime nuk mund të mbeten pa përgjigje”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht. Në Twitter ajo theksoi se ministrat e BE-së duhet të diskutojnë gjithashtu për ndalimin e furnizimit me gaz nga Rusia.

Ora 17:50
Blinken: Imazhet që vijnë nga Bucha janë si një grusht në stomak

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se dhuna që iu atribuohet forcave ruse që kanë kryer në Bucha në rajonin e Kievit janë si “një grusht në stomak".

"Është realiteti i çdo dite për sa kohë që brutaliteti i Rusisë kundër Ukrainës vazhdon. Shtetet e Bashkuara  do të vazhdojnë të dokumentojnë çdo krim lufte për të cilën përgjegjësit do të duhet të japin llogari", tha Blinken.

Ora 17:45
Draghi dënon ngjarjet në Bucha: Rusia do të duhet të japë llogari

Kryeministri italian Mario Draghi ka dënuar krimet e kryera në Bucha dhe në zonat e tjera të çliruara në Ukrainë, duke i quajtur ato një mizori dhe masakra kundrejt popullsisë civile të paarmatosur.

"Imazhet e krimeve të kryera në Bucha dhe në zonat e tjera të çliruara nga ushtria ukrainase janë të habitshme. Mizoria e masakrave të civilëve të paarmatosur është e frikshme dhe e padurueshme. Autoritetet ruse duhet të ndërpresin menjëherë armiqësitë, të ndalojnë dhunën kundër civilëve dhe ata do të duhet të japin llogari për atë që ndodhi. Italia dënon me vendosmëri këto tmerre dhe shpreh afërsinë dhe solidaritetin e plotë me Ukrainën dhe qytetarët e saj", tha Draghi.

Ora 17:44
Moska: Imazhet në Bucha janë një tjetër provokim

Ministria ruse e Mbrojtjes i ka mohuar masakrat e kryera në Bucha dhe i ka cilësuar imazhet e publikuara të civilëve të vrarë në rrugë si një tjetër provokim.

Rusia thotë se forcat e saj të armatosura gjatë kohës që kishin në kontroll qytetin nuk kanë ushtruar dhunë ndaj asnjë vendasi.

"Të gjitha fotografitë dhe materialet video të publikuara nga regjimi i Kievit, janë një provokim tjetër. Gjatë kohës që Bucha ishte nën kontrollin e forcave të armatosura ruse, asnjë vendas nuk iu nënshtrua veprimeve të dhunshme", tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

Ora 16:55
Autoritetet lokale: Sulmi me raketa godet qytetin afër Kievit

Një sulm raketor rus ka goditur selinë rajonale në qytetin Vasylkiv, afër Kievit, sipas raportimeve nga ushtria ukrainase. Disa civilë u plagosën, por ende nuk janë dhënë ende detaje të mëtejshme.

I gjithë rajoni i Kievit është tani nën kontrollin e Ukrainës, sipas zyrtarëve të tij, pasi trupat ruse filluan të tërhiqen, shkruan Sky News. Por zonat në rajon janë ende në rrezik nga granatimet dhe sulmet ajrore. 

Ora 16:25
Macron: Imazhet në Bucha janë të padurueshme, Rusia duhet të përgjigjet për krimet

Presidenti francez Emmanuel Macron i ka përshkruar imazhet nga Bucha si "të padurueshme".

Macron ndau dhembshurinë e tij për ukrainasit dhe viktimat, duke shtuar: “Autoritetet ruse do të duhet të përgjigjen për këto krime”.

Udhëheqësi francez, i cili përballet me zgjedhjet kombëtare këtë muaj, ka folur rregullisht me presidentin rus Vladimir Putin gjatë gjithë periudhës së pushtimit dhe më pas, dhe është pozicionuar si ndërmjetës për paqen, shkruan BBC.
 

Ora 16:16
Zelensky akuzon forcat ruse: Po bëhet gjenocid në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për kryerjen e një gjenocidi në Ukrainë për të zhdukur të gjithë kombin, pas zbulimit të dhjetëra trupave të pajetë në Bucha, 37 kilometra në veriperëndim të Kievit. 

“Po, ky është gjenocid. Eliminimi i të gjithë kombit dhe popullit ukrainas. Në Ukrainë kemi qytetarë të më shumë se njëqind kombësive. Bëhet fjalë për shkatërrimin dhe shfarosjen e të gjitha këtyre kombësive”, tha ai në një intervistë për rrjetin amerikan CBS, shkruan Corriere.
 

Ora 16:08
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Vdekjet e civilëve në Bucha, një 'brutalitet'

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të dielën e quajti vdekjen e civilëve në një qytet në veriperëndim të Kievit një "brutalitet" pas akuzave se ata u ekzekutuan nga forcat ruse në zonë.

“Është një brutalitet ndaj civilëve që nuk e kemi parë në Evropë për dekada. Është e tmerrshme dhe absolutisht e papranueshme që civilët të jenë në shënjestër dhe të vriten," i tha ai Dana Bash të CNN për “State of the Union” kur u pyet nëse akti ishte gjenocid.

Trupat e të paktën 20 burrave civilë u gjetën të shpërndarë nëpër një rrugë në qytetin Bucha, në veriperëndim të Kievit, pas tërheqjes së forcave ruse nga zona.

Stoltenberg tha, "Unë mirëpres fuqishëm" një hetim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila ka hapur një hetim për krimet e luftës në Ukrainë.
 

Ora 15:11
Ukraina: Rusët vdesin pasi vendasit në Kharkiv u dhanë byrekë të helmuar

Dy ushtarë rusë vdiqën dhe 28 u shtruan në spital pasi banorët vendas në rajonin Kharkiv të Ukrainës u dhanë byrekë të mbushur me helm, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.

Në një përditësim të inteligjencës, ai i përshkroi ukrainasit si "duke i rezistuar pushtuesve me të gjitha mjetet e disponueshme dhe pretendoi se trupat e prekura ishin nga Divizioni i 3-të i Pushkës i Motorizuar i Rusisë.

Ministria tha gjithashtu se 500 trupa të tjera ruse u shtruan në spital me "helmim të rëndë nga alkooli me origjinë të panjohur, shkruan BBC.
 

Ora 14:38
Trupat ruse po rigrupohen për të sulmuar në Donbas

1648989549_Screenshot8.jpg

Këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Sergey Nikoforov, ka dhënë disa detajet sa i përket situatës aktuale në Ukrainë. Ai ka përsëritur pretendimet e Ukrainës se trupat ruse janë larguar nga rajoni i Kievit, dhe se Moska po tërheq trupat e saj në Bjellorusi, për t’u përgatitur për një ofensivë të re në lindje të Ukrainës, transmeton Telegrafi.

Ushtria ukrainase merr sërish nën kontroll qytetin Pripyatin, ku kishte ndodhur katastrofa bërthamore e Çernobilit në vitin 1986

“Ata po tërhiqen nga veriu. Po koncentrojnë përpjekjet e tyre për sulme në lindje, për ta rrethuar Donbasin nga të gjitha anët”, shtoi Nikoforov.

Në një video të postuar më parë, presidenti Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se Ukraina po rrit kapacitetet e saj mbrojtëse në veçanti në lindje dhe jug, ku trupat ruse do të tentojnë të marrin nën kontroll qytetet në këto dy rajone

Ora 14:34
Me flamur në dorë dhe sytë plot dhimbje, nëna ukrainase i jep lamtumirën e fundit djalit të saj që luftoi për liri

Me një flamur në dorë dhe dhimbjen në sytë e saj, një nënë ukrainase po i jep lamtumirën e fundit djalit të saj, që humbi jetën duke luftuar për atdheun.

Kjo nënë ukrainase pati mundësinë të qante mbi varrin e të birin edhe ta shihte edhe një herë të fundit, ndërsa shumë të tjera i humbin dhe nuk i shohin më kurrë.

 Lufta e ashpër ka rikthyer varret masive.

Ora 13:59
Raketa në Kryvgi Rig: Jemi nën sulm

Kryvgi Rig është nën sulm. Raketat vijnë nga rajoni Kherson. Kështu deklaroi Oleksandr Vilkul, guvernator i administratës ushtarake të Kryvgi Rig gjatë lidhjes me kanalet ukrainase.

"Grads, hedhës të shumëfishtë raketash nuk po vijnë këtu, kështu që ata po përdorin Smerch, sistemin e raketave me rreze të gjatë." Kjo është ajo që lexojmë në gazetën lokale të Kherson, Vgoru.

Ora 12:45
BE: Pamjet nga Bucha një masakër! Do të ndihmojmë Ukrainën për të gjetur provat e krimeve të luftës

Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel i cilësoi pamjet që kane qarkulluar mëngjesin e sotëm nga qyteti ukrainas Bucha një masakër.

Michele tha se BE do të vendosë sanksione si një përgjigje dhe se do të ndihmojë Ukrainën në përpjekjet e saj për të mbledhur prova lidhur me krimet e luftë.


Ora 12:37
Klitschko: Masakra e Putin në Bucha, gjenocid! Gjermania të ndalë menjëherë furnizimin e gazit rus

"Ajo që ndodhi në Bucha dhe në periferi të tjera të Kievit mund të quhet vetëm gjenocid." Kështu deklaroi kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, duke thënë se ishte i tronditur nga ato që ai i përkufizon si krime mizore lufte të kryera nga ushtarët rusë në qytetin Bucha, në veriperëndim të kryeqytetit ukrainas, duke iu referuar raporteve për ekzekutime të civilëve.

Klitschko tha se presidenti rus Vladimir Putin ishte përgjegjës për këto "krime mizore lufte" dhe shtoi se civilët "u vranë me duar të lidhura".

Kryebashkiaku i Kievit i kërkoi botës dhe veçanërisht Gjermanisë që të ndalojë menjëherë importin e gazit nga Rusia.

 “Veçanërisht për Gjermaninë, mund të ketë vetëm një pasojë: as edhe një euro nuk duhet të shkojë në Rusi, janë para të përgjakshme që përdoren për masakrimin e njerëzve.”, tha ai.

Ora 11:26
Lituania bëhet vendi i parë i BE-së që ndalon totalisht importin e gazit rus

1648978057_Screenshot7.jpg

Ministria e Energjisë e Lituanisë njoftoi se vendi ka operuar pa importe të gazit rus që nga fillimi i muajit me synimin për të arritur "pavarësinë e plotë energjetike" nga Rusia në përgjigje të "shantazhit të energjisë ruse" dhe pushtimit të Ukrainës.

Kjo u konfirmua nga të dhënat e operatorit të sistemit të transmetimit të gazit lituanez Amber Grid, të cilat tregojnë se më 2 prill, importi i gazit rus për nevojat e Lituanisë nëpërmjet interkonjeksionit Lituanisht-Bjellorusi ishte zero megavat (MËh), tha ministria në një deklaratë.

"Ne jemi vendi i parë i BE-së që u bë i pavarur nga furnizimet me gaz rus dhe ky është rezultat i një procesi koherent të disa viteve të politikave energjetike dhe vendimeve në kohë të infrastrukturës," tha ministri lituanez i energjisë Dainius Kreivys.

Ministri beson se ky moment historik ishte "një pikë kthese" në historinë e pavarësisë energjetike të Lituanisë dhe tha se kërkesa e Rusisë për të paguar gazin rus në rubla "nuk ka kuptim".

Ora 11:14
Lufta, Kiev: 11 kryebashkiakë janë marrë me forcë dhe janë burgosur nga rusët

11 kryebashkiakë nga rajone të ndryshme të Ukrainës raportohet se janë të burgosur të ushtrisë ruse. Kështu deklaroi zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, në një konferencë të cituar nga Ukrinform.

"Deri më sot, 11 drejtues të komunitetit lokal nga rajonet e Kievit, Khersonit, Kharkivit, Zaporizhzhia, Mykolaiv dhe Donetsk janë në robëri. Ne informojmë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare për ta, si dhe për të tjerë. Ata janë të ndaluar në mënyrë të paligjshme, të ndaluar me forcë", tha Vereshchuk.

Ora 10:37
U mor peng më 20 mars, lirohet kryebashkiaku i Beryslavit në Ukrainë

Kryetari i bashkisë së Beryslav, Oleksandr Shapovalov, u lirua nga rusët që e kishin kapur atë më 20 mars. Vetë kryetari i bashkisë konfirmoi lirimin e tij për transmetuesin Suspilne.

“U lirova mbrëmë, tani jam në shtëpi. Gjithçka është në rregull”, tha ai.

Që nga dita e kapjes së Shapovalovit, nuk ishte dhënë asnjë lajm për fatin e tij.

Ora 09:30
Lufta në Ukrainë, Kievi: 158 fëmijë të vrarë dhe 258 të plagosur

158 fëmijë kanë mbetur të vrarë dhe 258 të tjerë janë plagosur gjatë 39 ditëve të luftës në Ukrainë.

Shifrën e ka raportuar Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, i cili sqaroi që kjo shifër nuk është absolute, pasi numri mund të jetë edhe më i madh se kaq.

Shumica e viktimave janë në rajonin e Kievit, Donetsk, Kharkiv, Chernihiv, Mykolaiv dhe Luhansk.

Të dhënat për fëmijët e vrarë dhe të plagosur në Mariupol dhe në disa zona të Kievit, Chernihiv dhe rajonit të Luhansk po përditësohen më tej.

Ora 09:14
Rusi, 208 të arrestuar në protestat kundër luftës në Ukrainë

1648970094_023d00000aff0242f33608da0523cf5bw1597nr1st.jpeg

Një organizatë ruse që monitoron arrestimet politike tha se 208 vetë u arrestuan në protestat kundër luftës në Ukrainë të mbajtura në të gjithë Rusinë të shtunën. Organizata “OVD-Info” tha se protestat u zhvilluan në 17 qytete ruse, nga Siberia deri në qytetet më të populluara në perëndim të vendit. Më shumë se 70 vetë u arrestuan në Moskë dhe një numër i ngjashëm i tyre në Shën Petersburg, thuhet në njoftimin e organizatës. Një video e publikuar nga një grup tjetër që monitoron protestat, “Avtozak”, tregonte disa të arrestuar duke u transportuar në një qendër paraburgimi nga policia teksa buzëqeshnin dhe mbanin lule. Të tjerët po dërgoheshin me forcë në makinat e policisë. Qeveria e Presidentit rus Vladimir Putin ka goditur ashpër grupet disidente, madje edhe përpara se Rusia të fillonte sulmin kundër Ukrainës në shkurt.

Ora 08:30
Zelensky: Rusia nuk dëshiron vetëm Donbasin, por të kontrollojë jugun e vendit

1648448449_zelensky.png

Qëllimi i Rusisë është të "kapë Donbasin dhe jugun e Ukrainës", denoncoi presidenti ukrainas Volodymir Zelensky në një fjalim dje vonë në mbrëmje, duke deklaruar se forcat ushtarake ukrainase kanë rifituar kontrollin e zonave përreth, në Kiev dhe Chernihiv.

"Ne po forcojmë mbrojtjen tonë përgjatë direktivës lindore dhe në Donbass," shtoi ai.

Zelensky denoncoi se Kievi "nuk ka marrë ende mjaftueshëm sisteme anti-raketë nga perëndimi".

Ora 08:26
VIDEO/ Pamje tronditëse nga Bucha! I lidhin duart dhe i vrasin, rrugët e qytetit mbushen me kufoma

Pamje tronditëse janë publikuar orët e fundit nga masakra ruse në Bucha. Njerëz të paarmatosur, civilë dhe fëmijë të vegjël janë ekzekutuar dhe janë lënë në mes të rrugëve të qytetit.

Siç shihet nga videoja e publikuar, shumë prej tyre janë me duar të lidhura pas shpinës.

Ora 08:03
Tmerr në Bucha: Fëmijët e përdorur si mburoja njerëzore nga rusët! Civilë të vrarë në rrugë, qindra të tjerë në varre masive

Fëmijë të përdorur si mburoja njerëzore duke u tërhequr nga trupat ruse, varreza masive, trupa të pajetë të shtrirë në rrugë, është kjo paje e qytetit të shkatërruar pas çlirimit, Buchës.

Dëshmitarët akuzojnë ushtarët rusë për përdorimin e fëmijëve ukrainas si mburoja njerëzore në automjetet e tyre për t’u mbrojtur gjatë tërheqjes së tyre nga kryeqyteti ukrainas dhe pjesë të tjera të vendit.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës po mbledh dëshminë në një dosje. Flitet për karroca të vendosura përpara tankeve në fshatin Novyi Bykiv, afër Chernihiv, 100 milje në veri të Kievit. Gjithashtu u raportua se fëmijët u morën si pengje në një numër pikash të nxehta konflikti në të gjithë vendin për të siguruar që vendasit të mos jepnin koordinatat e lëvizjeve të armikut për forcat ukrainase .

Kryetari i bashkisë së Buchës, Anatoly Fedoruk, raportoi se ka pothuajse 300 njerëz të varrosur në varre masive.

”Trupat të shumtë ka edhe nëpër rrugët e qytetit. Një prej kufomave i kishte duart e lidhura. Këta njerëz nuk ishin në ushtri. Ata nuk kishin armë. Ata nuk përbënin asnjë kërcënim. Sa raste të tjera të ngjashme po ndodhin tani në territoret e pushtuara?”, tha ai.

Ora 07:46
‘CIA ia tha Zelenskyt para luftës planin rus për të sulmuar Ukrainën’! Detajet që e ndihmuan shumë

1648964854_volodymyrzelensky1645769413.jpg

Drejtori i CIA-s, William Burns, përpara se të fillonte pushtimi rus, i kishte dhënë Kievit informacione shumë të rëndësishme që e ndihmuan vendin të përgatiste plane mbrojtëse në ditët e para të luftës. Sipas Ëall Street Journal, "në mes të janarit drejtori i CIA-s, Burns, bëri një udhëtim sekret në Kiev për të takuar Zelensky".

Inteligjenca amerikane me të vërtetë kishte marrë më shumë informacion rreth planit të pushtimit rus, "përfshirë faktin se ai do të ishtë një sulm të shpejtë ndaj Kievit nga Bjellorusia. Drejtori i CIA-s siguroi një pjesë jetike të inteligjencës që ndihmoi ndjeshëm Ukrainën në ditët e para të luftës ", për shembull se rusët planifikuan të kapnin Aeroportin Antonov në Hostomel, afër kryeqytetit ukrainas, dhe ta përdornin për të hedhur me parashutë trupat që supozohej të merrnin Kievin dhe të rrëzonin qeverinë.

Ora 07:43
Kuleba: Italia të na dërgojë armë, më e keqja nuk ka ardhur ende

Ministri ukrainas i Punëve të Jashmte, Dmitry Kuleba tha se më e keqja nuk ka ardhur ende, duke iu referuar luftës dhe pasojave të saj katastrofale. Gjatë intervistës së tij me “Corriere della Sera”, ministri i ka bërë thirrje Italisë që në këtë moment kritikë të luftës të ndihmojë Ukrainën me armë.

I pyetur lidhur me vizitën e mundshme të Papa Françëskut në tokën ukrainase, ai tha se “Zoti do e vlerësonte vizitën e tij në dhe ne do e presim krahë hapur”.

“Këtu vdesin shumë të krishterë, madje edhe shumë katolikë që luftojnë përkrah nesh, dhe ai me siguri mund t'u sjellë atyre ngushëllim. Ne ishim përgatitur që shumë përpara shpërthimit të luftës më 24 shkurt”, u shpreh ai gjatë intervistës.

Një pjesë nga intervista:

Gazetari: Në çfarë pike është procesi i paqes?
Kuleba: Ne po flasim vazhdimisht me njëri-tjetrin, po kërkojmë zgjidhje. Por të gjitha problemet kryesore mbeten të pazgjidhura. Dhe pavarësisht nga kanali diplomatik, ushtria ruse vazhdon të sulmojë në terren: ata lëshojnë raketa mbi qytetet tona, ushtarët e tyre kryejnë krime kundër njerëzimit. Edhe kur shënojmë suksese të vogla në bisedime, agresioni ushtarak vazhdon më i përgjakshëm dhe shkatërrues se kurrë.

Gazetari: Në Itali ka debat për zgjedhjen e qeverisë për të dërguar ndihma dhe armë.
Kuleba: Do të doja të them se ata që refuzojnë të dërgojnë armë në Ukrainë, në fakt mbështesin vazhdimin e luftës. Sa më shpejt do të jemi në gjendje të dëbojmë rusët dhe aq më shpejt do të përfundojë lufta. Ne e vlerësojmë shumë Mario Draghin dhe kolegun tim Luigi Di Maio: ata kanë qenë në anën e duhur të historisë që nga dita e parë e luftës. Presim nga Italia armët e nevojshme për të na mbrojtur dhe jemi të lumtur që ajo ka marrë rolin e vendit udhëheqës në përpjekjet për të na futur në Evropë si një anëtar i plotë. Së fundi, zgjedhja e tyre për të garantuar sigurinë tonë në çdo marrëveshje që mund të lindë nga procesi i paqes është një shenjë e miqësisë dhe seriozitetit të madh.

Ora 07:29
Dita e 39-të e luftës, Odessa zgjohet nën shpërthimet e forta, rusët shkatërrojnë depot e naftës në qytet


Odessa është zgjuar nën bombardime të shumta dhe shpërthimet e forta. Depot e naftës dhe rafineritë u goditën me raketa pranë portit.

Sipas mediave, dëshmitarët në vend kanë thënë se kanë dëgjuar 6 shpërthime radhazi në orën 6 të mëngjesit të ditës së 39-të të luftës.

Odessa është porti më i rëndësishëm në Ukrainë, dhe është shtëpia e selisë së marinës ukrainase. Sot Sunday Times shkruan se kryeministri britanik Boris Johnson dëshiron të dërgojë raketa kundër anijeve në Kiev për të penguar rusët të avancojnë në qytet. Raporti i përditshëm i Ministrisë Britanike të Mbrojtjes shpjegon se bllokada detare ruse e pengon Ukrainën të marrë mallra nga deti.

J.GJ./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë/ Drejtori i Policisë: Kevin Hajrulla ndodhej në makinë kur u qëllua (VIDEO)

Atentati në Vlorë/ Drejtori i Policisë: Kevin Hajrulla ndodhej në makinë kur u qëllua (VIDEO)