Luftë deklaratash mes Ankarasë dhe Athinës pas vizitës së presidentit të sapozgjedhur turk, Recep Tayyip Erdogan, në fillim të kësaj jave në zonën veriore të Qipros, e pushtuar nga Turqia në vitin 1974.
Kjo ishte vizita e parë jashtë vendit e shefit të ri të shtetit turk, i cili mori funksionet më 28 gusht.

Në zonën e Qipros Veriore, ku është vetëshpallur një republikë turko-qipriote, e njohur vetëm nga Ankaraja, Erdogani, veç të tjerash, sulmoi qeverinë e Nikosisë, që sipas tij nuk kishte një qasje pozitive për të favorizuar bashkimin e ishullit.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Kostantinos Kutras reagoi për vizitën e Erdoganit duke e quajtur "ilegale" në "pjesën e pushtuar të Qipros" duke theksuar se me deklaratat e tij shefi i shtetit turk kishte konfirmuar mbajtjen e një linje agresive nga ana e Ankarasë ndaj Republikës së Qipros, që aktualisht është anëtare e Bashkimit Evropian.
"Rruga e Turqisë drejt Evropës kalon nga njohja e Qipros", deklaroi Kutras.

Turqia ka filluar negociata të ethshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që në vitin 2005. Bisedime për një bashkim të mundshëm mes dy komuniteteve të ishullit, atyre grek dhe turk, të filluara që në janar të këtij viti, kanë rezultuar dei tani pa asnjë rezultat.

"Ministria e Jashtme turke ka shprehur habi për deklaratat e Athinës", shkruan gazeta turke "Zaman". "Ndoshta, këto deklarata janë vetëm konsiderata të politikës së brendshme greke", shton ajo.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi më 1 shtator vizitën e tij të parë zyrtare si kryetar shteti në Qipro për mbajtjen e premtimit të tij për një rregullim sa më të shpejtë të çështjes së bashkimit të ishullit. "Është e pamundur për ne që të harrojmë Qipron. Turqia dhe Greqia, si vende garant, duhet të përmbushin detyrimet e tyre. Nëse të gjithë përmbushin detyrimet që kanë atëherë çështja qipriote mund të rregullohet shpejt", deklaroi Erdogani.
Qiproja është e ndarë që prej pushtimit të pjesës veriore nga Turqia në korrik 1974, si reagim ndaj grushtit të shtetit të zhvilluar nga nacionalistët qipriotë grekë për bashkimin e ishullit me Greqinë. Pas një përpjekje të parë për bashkim që dështoi në vitin 2004, bashkëbisedimet e paqes, nën drejtimin e OKB-së, u ndërprenë në vitin 2012. Por, zbulimi i fundit i rezervave të rëndësishme të gazit në brigjet e Qipros, i ka dhënë shtysë bisedimeve, që rifilluan në shkurt me mbështetjen e SHBA-së./ ATSH/