SIRI - Kundërshtarët e opozitës siriane kanë marrë në kontrollin e tyre akademinë e policisë në periferi të Aleppos, një pikë e rëndësishme strategjike të forcave të regjimit të presidentit Bashar Al Assad.

Video e realizuar nga Reuters tregon rebelët, që morën në kontroll kompleksin Khan al-Assal. Rëndësia e kësaj ndërtesë është se ishte bastioni i fundit për forcat e regjimit në pjesën perëndimore të Aleppos. “Ne kemi arrestuar disa prej oficerëve të policisë dhe disa të tjerë mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit,”- tha Abo Baker, komandanti i forcave rebele të cilët sekuestruan ndërtesën e akademisë.

Gjithashtu rebelët kanë rrëzuar edhe statujën e Hafez al Assad, babai dhe paraardhësi presidentit aktual Bashar Al assad.

Statuja është rrëzuar poshtë në qytetin Raqqah, në veri të Sirisë, e cila tashmë ndodhet nën kontrollin e rebelëve. Gjatë përleshjeve të ditëve të fundit mes rebelëve dhe forcave të qeverisë kanë mbetur të vrarë qindra persona.

Gjithashtu forcat opozitare kanë filluar me sulme ndaj aeroportit ushtarak Minnig në Aleppo të cilin mundohen ta vënë nën kontroll për të penguar ngritjen e avionëve.


(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)